AZEM BEJTË GALICA- Kryekomandant i Çetave Çlirimtare Shqiptare (1912- 1924

0
296

(Pjesa I)) — Prof Bedri Tahiri

DRENICA

 

Në qendrën e Dardanisë ilire, gjegjësisht të Kosovës së sotme, shtrihet Drenica heroike. Kjo trevë kreshnikësh, që në antikë njihej me emrin Klapotnik na e përkujton çdoherë historinë tonë të lavdishme në shekuj. Ky emër kaq i dashur dhe krenar për ne, gjithmonë ka qenë dhe është tmerr për armiqtë tanë. Sa e sa herë armiq të ndryshëm provuan ta zhdukin nga faqja e dheut, por i lanë eshtrat në te. Kjo fole trimash u bë sinonim i rezistencës dhe i qëndresës mbarëshqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare.

 

Drenica përfshin një territor kodrinor ndërmjet Fushës së Kosovës në lindje prej Goleshi e Çiçavicës, maleve të Carralevës në jug, malit Mokna në veri dhe rrafshit të Dukagjinit në perëndim. Pra, ajo paraqet një territor kompakt, një tërësi gjeografike, në të cilën gravitojnë mëse100 fshatra, kryesisht me popullsi shqiptare. Në pikëpamje administrative është copëtuar dhe fshatrat e saja u takojnë disa qendrave komunale: Skënderajt, Gllogocit, Lipjanit, Vushtrrisë dhe Malishevës.

Edhe pse pas vitit 1455, kur Kosova përfundimisht ra nën sundimin turk, Drenica mbeti e papërkulur dhe e panënshtruar. Kjo zgjati diku deri rreth viteve 1850 – 1860, kur njëfarë Jashar Pasha, sundimtar i Prishtinës, i pushtoi disa fshatra të kësaj treve, të cilat sot e kësaj dite njihen me emrin Drenica e Pashës. Siç tregojnë pleqtë, ky farë pashai erdhi nga drejtimi i Prishtinës dhe pa ndonjë kundërshtim të fortë i pushtoi fshatrat deri te Çikatova. Kur u vendos aty, i trimëruar nga sukseset e deriatyshme, krahas zullumit shtroi edhe një kërkesë të rëndë e të papërballueshme: fshatarët t’ia dërgonin një vajzë në shatorre (tendën) e tij. Kur e dëgjuan këtë drenicasit e morën si dhunë nderi, fyerje të rëndë dhe ia kthyen pushkën, duke mos e lënë të shkojë më tutje. Kështu pjesa tjetër e Drenicës, që nuk u nënshtrua, por i mbrojti trojet e veta me armë e me gjak, u quajt Drenica e Kuqe. Pra, që nga ky moment historik, Drenica ndahet në dy pjesë:

 

1) Drenica e Kuqe ose Drenica e Epërme, në veri, që përfshin pjesën dërrmuese të fshatrave (afër 80) dhe

 

2) Drenica e Pashës ose Drenica e Poshtme, në jug, që përfshin diku rreth 20 fshatra.

 

 

Sidoqoftë, Drenica në historinë tonë kombëtare, mbetet territor i qëndresës shqiptare, që secilit pushtues i rezistoi me armë në dorë. Që nga Beteja e Kosovës (1389) e deri më sot, nga kjo trevë dolën njerëz që me pushkë e me penë luftuan për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Kështu, në luftën e parë kundër osmanëve, në Betejën e Kosovës, trimi drenicar, Millosh Nikollë Kopiliqi (nga Kopiliqi i Skënderajt) do ta plagosë për vdekje sulltan Muratin I. Edhe në luftën e mëvonshme atiosmane, që e udhëhoqi Austria, morën pjesë shqiptarët. Më 1689 pas Pikolomenit kishte rreth 6000 shqiptarë, shumica drenicas.

 

Emri Drenicë ua shtinte frikën armiqve. Edhe vetë sulltanin nuk e linte të qetë në Stamboll. Sa e sa fermane u nënshkruan e sa e sa koka pashallarësh u prenë për të, por kot. Tërë Ballkani dhe Evropa ishin qetësuar e në Drenicë ende s’kishte pushtet të plotë turk. Edhe atëherë kur provuan ta vënë pushtetin, më 1891, dështuan: Saraji HAMIDIE midis Llaushës, Polacit e Prekazit, u rrënua plotësisht, ndërsa kajmekami me gjithë nëpunësit e tjerë u dëbuan brenda natës.

 

Pushteti borgjez serb ia kishte dronë kësaj ane aq shumë saqë e quante “vend graizish”. Konsulli serb në Prishtinë (gjatë sundimit turk) Branislav Nushiqi (1864 – 1938) lavdërohej, që hipur mbi kalë, kishte kaluar nëpër tokën e Drenicës. Edhe në elaboratet e ndryshme që gatuheshin nëpër kabinetet e krerëve dhe akademikëve serbë për shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve, Derinca parashikohej si vendi më i rrezikshëm, prej nga duhej larguar masovikisht popullsia (shqiptarët). Vetë mbreti Aleksandër pat propozuar që ky territor të shkatërrohej plotësisht. Borgjezia serbeendonte se me djegien e fshatit të fundit dhe me vrasjen e fëmijës së fundit në Drenicë, për opinionin tonë do të hiqet nga rendi i ditës edhe vetë çështja shqiptare.

 

Numri i atyre që luftuan kundër pushtuesve turq, austrohungarezë e posaçërisht kundër atyre serbë është shumë i madh. Nga trevat e Drenicës u dalluan: Bejtë Galica, Ahmet Delia, Shaqir Smaka, Azem Bejtë Galica, Shotë Galica, Mehmet Delia, Lec Gradica, Zenel Baica, Ilaz Reçaku, Fazli Berani, Bajram Tërnavci, Halit Bajrami, Mehmet Gjeli, Shaban Mangjolli, Shaqir Pirraku, etj.

 

Edhe gjatë luftës së Dytë Botërore rezistenca dhe revolta më e madhe kundër sllavokomunistëve çetnikë shpërtheu në Drenicë. Këtu ende ruhej amaneti i Azem Bjetë Galicës dhe i shokëve të tij se “besë me shka nuk ka”. Ky amanet u rikujtua edhe gjatë atyre viteve të stuhishme. Më 8 prill 1943, kur nëpër fshatrat e Drenicës propagandohej për vëllazërim-bashkim, Fadil Hoxha vetë shkoi në fshatin Berishë. Aty u takua me plakun e mençur të atij fshati, me Tahir Berishën, i cili pos tjerash i pat thënë: “Mos kij besim te serbët! Gjithmonë na kanë mashtrue e kanë me ju mashture”. Kjo doli e saktë dhe shumë shpejt u vërtetua. Brenda muajve janar – shkurt 1945 u bë ploja mbi Drenicë. Gjatë kësaj periudhe të ndërlikuar historike në mesin e shumë të tjerëve u dalluan: Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Ahmat e Rifat Galica, Sadik Lutani, Azem Aruqi, Imer Fazli Radisheva, Ajet Gërguri, etj.

 

Nga treva e Drenicës, nga Polaci, ishte edhe familja e Hasan Prishtinës (1878 – 1933). Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjeve të përgjithshme për Pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë dhe jetën e dha për të mirën e kombit. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj – gusht 1912 e përgatitën ngritjen e Flamurit në Vlorë.

 

Në mbyllje po e citojmë shkrimtarin tonë të njohur Hivzi Sulejmanin, i cili shkruan: “Kurrë ky vend, kjo anë me male dhe lugina mesatare, kjo Drenicë e papërkulur, nuk ka dashur të dijë për asnjë pushtet përveç pushtetit të vet. Kurrkujt pra nuk i është nënshtruar. E prej ligjeve njerëzore që vlenin aty diçka ishte vetëm një: Ai i Lekës”.

 

Dhe, sërish e njëjta gjë. Amaneti i bezave, më mirë së gjetkë, u ruajt pikërisht këtu, në Drenicë. Në hirin e Feniksve të lirisë u rilind fara e jonë çlirimtare- Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin legjendar, ADEM JASHARIN, e cila kurorëzoi suksesshëm aspiratat tona shekullore, pra solli Ditën e Bardhë- L I R I N Ë !

 

 

 

BEJTË GALICA (1853 – 1907) – TRIMI I BETEJAVE ANTITURKE

Në vazhdën e luftërave qindvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona, u veçuan disa lokalitete dhe vendbanime për një qëndresë dhe rezistencë të përhershme. Ato, nëpër vite e shekuj, u përballuan rrebesheve dhe stuhive shkatërrimtare e robëruese, për çka bënë emër dhe zunë vend nderi në faqet e historisë sonë kombëtare.

 

Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë, i cili shtrihet në hapësirën verilindore të Drenicës së Kuqe. E vendosur në një rrafshlartë prej 500 metrash lartësi mbidetare, e rrethuar nga të katër anët me kodra gjysmë të zhveshura shkëmbore, na i përkujton fortesat e papërkulura ilire. Kanë pasur të drejtë ata që kanë thënë se ai që e ka pushtetin e shkruan edhe historinë.

 

Mirëpo, Galica si dhe shumë fshatra të tjera shqiptare, e kanë thyer këtë parim. Ajo me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.

 

Galica është vendbanim shumë i hershëm. Për herë të parë e gjejmë të shënuar në defterin turk të vitit 1447 me emrin Kolica. Sikurse shumica e fshatrave të Drenicës dhe ajo i përkiste rrethit të Vushtrrisë. Emri i saj i parë ka për bazë emrin Kolë, që tregon përkatësinë fetare katolike të banorëve të saj dhe bindshëm e dëshmon praninë e tyre në këtë vend para ardhjes së turqve. Këtë më së miri e vërteton edhe toponomi i sotëm: Livadhi i Kolëbibës, i cili gjendet në lindje të fshatit, ku ende mund të hetohen gjurmët e një vendbanimi të lashtë.

 

Të gjithë banorët e Galicës i përkasin vetëm një fisi, fisit Kuç. Kuçi bashkë me Hotin dhe Kelmendin, sipas të gjitha burimeve të shkruara ekzistuese, janë paraqitur qysh gjatë shekujve XIV – XV, d.m.th. janë ndër fiset më të vjetra shqiptare.

 

Në Drenicë të këtij fisi janë edhe banorët e fshatrave: Prekaz, Obri, Tërnavc, Murgë, një pjesë e Tërdecit dhe një pjesë e Mikushnicës. Edhe sot e kësaj dite mbahen këto lidhje farefisnore dhe pjesëtarët e tryre nuk lidhin martesa.

 

Dikur, para më se 200 vjetësh, ky fshat ishte i vogël dhe i varfër, siç ishin shumica e fshatrave shqiptare. Në mesin e atyre familjeve të pakta shquhej ajo e Abaz Bejtës. Ai i kishte tre djem: Azemin, Ferizin dhe Ibishin. Prej tyre dallohej Azemi. Ishte më trimi e më bujari. E kishte vetëm një djalë, Bejtullahun, të cilin nmë shumë e thërrisnin Bejtë.

 

Bejta u lind në pranverën e vitit 1853 në Galicë. Që nga fëmijëria, duke qëndruar nëpër odat e fshatit, mori mësime të mira. Aty i lindi dashuria për atdheun e vet, për popullin shqiptar, që po vuante nën zgjedhën turke dhe për çdo gjë kombëtare. Krahas tyre, në anën tjetër, i shtohej urrejtja kundër pushtuesve që nuk po e linin rehat këtë tokë stërgjyshore.

 

Azemi e martoi djalin në moshën më të re se moshatarët e tij, sepse ishte mashkulli i vetëm në familje. E martoi me një vajzë nga Kutlloci, me të cilën i pati dy djem: Seferin dhe Zenelin. Pas pesë vjetësh i vdes gruaja e parë dhe Bejta rimartohet me Sherifen, bijën e Kurt Selacit, që ishte i njohur në tërë Shalën e Bajgorës për trimëri, bujari dhe mençuri. Me të i pati edhe tre fëmijë: Azemin, Mihanën dhe Ademin. Bejta fëmijët e vet i edukoi në frymën patriotike dhe luftarake. Këtë e bënte, jo me fjalë, por me veprime konkrete, duke marrë pjesë aktive në çdo kryengritje që organizohej kundër hordhive otomane.

 

Qysh më 1890 – 1891, kur Perandoria turke bëri përpjekje për ndryshime administrtive në Vilajetin e Kosovës dhe për vendosjen e pushtetit në Drenicë, ai u gjend në radhët e para. Siç dihet Drenica i përkiste rrethit të Vushtrrisë. Sulltani ishte i interesuar që të krijojë një rreth të posaçëm në Drenicë, në mënyrë që ta kishte nën sundim të plotë këtë trevë të papërkulshme. Ai si vend të përshtatshëm caktoi lokalitetin midis tri fshatrave të mëdha të Drenicës, në mes Polacit, Llaushës dhe Prekazit. Pasi u bënë përgatitjet e duhura filloi puna në ndërtimin e Sarajit. U caktua edhe rendi kush kur duhet të dalë në punë “vullentare”. Për çdo ditë lartësoheshin muret e ndërtesës e bashkë me to rritej mllefi dhe urrejtja në zemrat e drenicarëve. Dhe kur u caktua edhe kajmekami me nëpunësit e tjerë të Sarajit me emrin HAMIDI vendësit u ngritën në këmbë. Kështu, më 14 janar 1891, afër 2000 veta të udhëhequr nga Ahmet Delia i Prekazit e sulmuan Sarajin. Kajmekami i ri, Kahrema beu dhe nëpunësit e tjerë, mezi shpëtuan nga flaka dhe lufta. Saraji u dogj, materiali u shpërnda dhe kështu pashai turk (Xhelil Pasha) dështoi, nuk arriti ta nënshtrojë Drenicën, për çka koka e tij do të përfundonte në kamarën e turpit.

 

Në këtë betejë të përgjakshme u shqua edhe Bejtë Galica. Ai u kishte rënë në sy edhe autoriteteve turke dhe pas disa ditësh arrestohet. Bashkë me një grup kryengritësish dërgohet në Shkup. Pashai turk kishte dalë në ballkon dhe po i vështronte të arrestuarit që ecnin kalldrëmeve të pluhërosura. I bëri përshtypje një burrë i hajthëm, me tirq të zi e plis të mprehtë në kokë, i cili ecte krenarisht dhe me një mospërfillje. I urdhëroi rojet që t’ia sjellin brenda ashtu duarlidhur. Posa u fut i arrestuari në zyrë pashai e pyeti:

 

– Si të quajnë more djalosh i padëgjueshëm?

 

– Bejtë Azemi, por të gjithë më thërrasin Bejtë Galica -iu përgjigj ai gjakftohtë e duke e shikuar drejt në sy.

 

– Hë, more shejtan a e sheh se Perandoria jonë i ka duart e gjata sa t’ju arrijë edhe në ato malet tuaja të egra, ku gjetën vdekjen mijëra e mijëra ushtarë tanë – vazhdoi pashai.

 

– Ore pasha – iu drejtua Bejta – vërtet Perandoria e juaj i ka duart e gjata, por jetën e ka të shkurtër. Ato trojet tona, ku rriten shqipet nuk durojnë t’i shkelë këmbë e huaj. Nuk janë mësuar në robëri. Burra e gra luftojnë. Edhe vetë toka, po s’pati kush ta mbrojë, hapet dhe do t’ju përpijë të gjallë, por ikni sa s’është bërë vonë…

 

– Mjaft more zog kaurri – briti me zë hakërrues pashai, i cili e kishte humbur durimin dhe nga nervoza filloi të dridhej. Ti do të kalbësh në burgjet tona të errëta se je nga ajo farë e mallkuar, e cila duhet zhdukur me rrënjë. Ti na qenkëshe mu nga ajo toka e shpallur haram që quhet Drenicë, e cila na nxori telashe me shumë se e gjithë Evropa. Nga ai vend ogurzi ishte edhe Millosh Kopili, i cili më 1389 me thikë të helmuar e theri sulltan Muratin I, që kishte ardhur për ta çliruar Kosovën nga të pafetë. Ai ua ka lënë amanet që të luftoni kundër nesh. Ka pesë shekuj që e sulmojnë tërë Evropën, e ju na e dogjët Sarajin e posangritur. Në shpirtin tuaj ka hyrë i paudhi dhe s’ju lë të qetë. Por, ai që ngritet kundër Perandorisë sonë të Shenjtë do të pësojë kështu si ti, në qelitë tona të ftohta. Nga to do të dilni vetëm të vdekur…Unë jam katil për rebelët si ju…Merreni e ma shporrni sysh këtë qafir! – u bërtiti rojeve që qëndronin gatitu para derës së tij.

 

Vërtet, Bejta u dënua me burg të përjetshëm, me 101 vjet.

 

Por fatit nuk I dihet. Porta e Lartë vendosi të bëjë reforma në Vilajetin e Rumelisë. Për zbatimin e tyre u caktua Hilmi Pasha, i cili arriti në Shkup më 12 dhjetor 1902. Ai për t’i mashtruar dhe përvetësuar shqiptarët në përkrahjen e reformave menjëherë e bëri amnestimin e disa të burgosurve. Në mesin e tyre u gjend edhe Bejtë Galica, i cili pas 11 vjetësh doli nga burgu i Shkupit.

 

Edhe pas daljes nga burgu Bejta nuk e ndali aktivitetin e vet luftarak e organizativ. U zgjodh udhëheqës i luftëtarëve nga fshatrat: Galicë, Lubovec, Dubovc, Mikushnicë, Beçiq dhe Krasaliq. Në muajin shkurt të vitit 1902 i përfaqësoi këto fshatra në tubimin e krerëve të Drenicës që u mbajt në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz. Aty u vendos që sa më shpejt të mbahet një Kuvend i ngjashëm me ato të Gjakovës dhe të Llugës.

 

Më 26 mars 1903, mori pesë në fushën e Morinës, në Kuvendin historik të Drenicës, të cilin e udhëhoqi Ahmet Delia. Në të u vendos të kundërshtohen reformat turke. Pas tri ditësh, më 29 mars, mijëra drenicarë, nën drejtimin e Ramë Lutanit e morën Vushtrrinë pa pengesa të mëdha. Të nesërmen u nisën për në Mitrovicë për t’u ndihmuar vëllezërve të vet shaljanë, të cilët e kishin sulmuar qytetin dhe kërkonin dëbimin e menjëhershëm të konsullit rus Shçerbinit. Beteja qe e përgjakshme. U vranë mbi 300 shqiptarë. Nga kodra e Bairit sulmonin me topa. Aty qëndronte edhe Shçerbini, i cili edhe komandonte. Një ushtar shqiptar, në ushtrinë turke, me emrin Ibrahim Halit Popovci, nga Suka e Gjilanit, duke i parë këto skena tmerruese e dredh pushkën dhe e qëllon konsullin, i cili vdiq pas disa ditësh. Edhe në këto luftime u dalluan trimat që i udhëhoqi Bejtë Galica.

 

Lëvizja antiturke sa vinte e shtohej. Kryengritësit shqiptarë kishin përfshirë mbarë Kosovën. Në muajin korrik 1907 shpërtheu revolta e armatosur në Drenicë. Të gjithë kryengritësit e kësaj treve ishin grumbulluar rreth Rezallës dhe Deviçit.

 

Shemsi Pasha me forca të shumta gjendej në Mitrovicë. Atij i erdhi urdhri nga Stambolli që sa më shpejtë të shuhet me gjak kjo kryengritje. Ky menjëherë i nis dy taborre nën drejtimin e major Vehbi Efendiut për në Drenicë. Posa arritën në Llaushë krisën pushtet e para. Vehbi Efendiut iu desh të zbresë nga kali dhe ta ruajë kokën e vet. Beteja e përgjakshme, e cila zgjati tërë ditën, u zhvillua midis Rezallës dhe Deviçit. Aty mbesin të vrarë shumë shqiptarë, në mesin e tyre edhe njëri nga prijësit e betejës – Bejtë Galica. Ai kishte mbetur keq, përmbys. Një ushtar i kësaj ane e njeh dhe don ta kthejë mbarë. Vehbi Efendiu iu kërcënua:

 

– Largohu more edepsëz se po të këpus me kamxhik. Ai është harambash që e ka kundërshtuar dovletin. Ashtu le të vdesë, përmbys!

 

Kështu, në muajin korrik 1907, në fushën e nderit ra heroikisht patrioti dhe luftëtari 54-vjeçar, Bejtë Galica.

 

Pas një jave turqit ia dogjën shtëpinë në Galicë duke i lënë pa kulm mbi kokë Sherifen me dy thjeshtërit (Seferin dhe Zenelin) dhe tre fëmijët e vet: Azemin, Mihanën dhe Ademin.

 

 

 

DJALOSHI NË RRUGËN E BABAIT

 

Me vrasjen e Bejtë Galicës nuk u shua rezistenca e armatosur në këtë familje trime. Rrugën e tij do ta vazhdojnë të bijtë, sidomos djali i tretë, Azemi.

 

Azem Bejta u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në gjirin e një familje me tradita luftarake e patriotike, që nga fillimi u përcaktua për luftë të pakompromis me secilin që do t’i cenojë vatrat e të parëve. Si fëmijë përjetoi ngjarje të hidhura dhe tragjike. Turqit ia vranë babanë dhe ia dogjën shtëpinë, duke i lënë të pastrehë. Rropatjet e kësaj familjeje nëpër dallgët e egra të jetës ia sforcuan ndjenjën e atdhedashurisë dhe ia ngritën në një ideal të pashuar, për të cilin dha edhe jetën.

 

Tiparet e një trimi të paepur dhe të një vizionari të mprehtë u manifestuan që në rininë e hershme të këtij djaloshi. Si i vogël dallohej nga moshatarët. Ishte i zgjuar e i shkathët. I pëlqenin shumë këngët e trimërisë dhe rrëfimet e pleqve për ngjarjet e ndryshme të historisë kombëtare. Në odat tona – shkolla, mori mësime të mira. Ky shpirt i shëndoshë qëndronte në një trup të shëndoshë, siç do të thoshin latinët e lashtë. Edhe për zhdërvjelltësi ua kalonte të gjithëve. Në mundje, me çobanë, ishte i pari. Por mbi të gjitha atë e cilësonin trimëria dhe guximi. Ende pa i mbushur 11 vjet me pushkën e dajës, e pat plagosur një serb të Selacit, (Stojanin) të cilit ia kishin frikën të gjithë.

 

Shumë herë burrat e Selacit (dajat e tij) dhe këta të Galicës bisedonin dhe ziheshin si me shaka rreth asaj se kujt i ka ngjarë Azemi, dajave apo babait? Kur nxeheshin shumë i qetësonte plaku i urtë i Galicës, mixha Rexhep duke u thënë: “O burra, pse po lodheni aq shumë. Kah t’gan mirë âsht, dajtë trima e babën trim”.

 

Gjatë viteve 1910 – 1912 shpërthyen kryengritjet e përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912, Hasan Prishtina doli në Drenicë, i mbathi opingat dhe e dha kushtrimin për një luftë mbarëkombëtare kundër Perandorisë osmane.

 

Edhe Azemi 20-vjeçar, u radhit në çetat kryengritëse të Drenicës, të udhëhequra nga Ahmet Delia i Prekazit. Kur drenicarët dhe shaljanët ishin nisur për luftë përbri tyre marshonte Isa Boleti, hipur mbi kalë e i shoqëruar nga shumë trima. Në mesin e tyre i ra në sy djaloshi sypatrembur e i etshëm për luftë.

 

– I kujt është ai djalë? – pyeti Isa Boletini

 

– I biri i Bejtë Galicës, Azemi – iu përgjigj njëri nga trimat që e shoqëronte.

 

E ngau kalin dhe iu afrua. Pasi u përshëndet me të ia vuri dorën në krah dhe e përgëzoi:

 

– Të lumtë, ore djalosh trim. Ti paske vendosur ta dërgosh në vend amanetin e babait tënd, ta vazhdosh rrugën e tij luftarake. Kjo është rrugë e vështirë, por e lavdishme dhe e ndershme. Zemra m’u bë mal nga gëzimi, sepse Bejta nuk paska vdekur. Shpirtin e tij luftarak po e shoh në sytë e tu të etshëm, për liri. Ai e paska lënë një trim që do ta nderojë Kosovën dhe mbarë kombin. Me fat rruga e lavdisë se një vend që lind brezni trimash nuk do të humbet kurrë…

Betejat e atyre viteve qenë të vështira dhe të përgjakshme. Shtetet fqinje sodisnin dhe bënin plane djallëzore për copëtimin e trojeve shqiptare. E formuan Aleancën Ballkanike dhe atëherë kur bisha evro-aziatike po i bënte përpëlitjet e fundit, në njërën anë, dhe shqiptarët ishin molisur nga betejat e pareshtura, në anën tjetër, ato u inkuadruan në luftë. Kështu, mbi tokat e posaçliruara shqiptare, u vërsulën si një lukuni ujqrish grabitqarë ushtritë serbo-malazeze. Secila mundohej ta kafshojë një copë më të madhe nga trupi i gjakosur.

 

Nëse luftërat ballkanike për disa popuj ishin fatlume, se ua sollën lirinë, për shqiptarët e Kosovës ishin të kobshme, sepse u sollën robëri të re. Fitorja e 28 Nëntorit ishte gjysmake. Kosova u pushtua nga Serbia dhe Mali i Zi. Ato e filluan terrorizimin mbi popullatën shqiptare. U sulmua çdo gjë kombëtare: gjuha, flamuri, zakonet, feja, toponimet e të tjera, me qëllim që të bëhen shpërngulje masive. Krahas tyre u hapën edhe shumë burgje e kampe torturuese. Në Drenicë kampi më famëkeq ishte ai i Runikut, kui u keqtrajtuan shumë drenicarë.

 

 

 

Azem Bejta të gjitha këto ngjarje i përjetoi vetë, në vijën e parë të frontit. Kurrë nuk iu nda luftëtarëve të lirisë. Mori pjesë edhe në Betejën Legjendare të Merdarit, ku mbetën mijëra të vrarë.

 

Posa ishte kthyer nga betejat qe arrestuar dhe burgosur. Disa ditë ishte mbajtur në stacionin e Tërnavcit. Për çdo ditë e detyronin të punojë punë të rënda fizike, në rrugën Mitrovicë – Pejë. Një ditë, derisa po punonin në Vojtesh, ra në konflikt me xhandarin që i shoqëronte. E qëlloi me çekan duke e plagosur për vdekje. Atëherë e dërguan në kampin e Runikut. Atje kalonte shumë keq. Jeta ishte e rëndë dhe e mundimshme. Të burgosurit i kishin futur në një baltë të madhe midis një livadhi të rrethuar me tela xhemborë e me roje të dyfishuara. Shumë vdisnin nga mundimet dhe torturat. Një ditë drenicarët e sulmuan kampin. Organet shtetërore, të mllefosura, i qesin në pushkatim të burgosurit. Azemi arrin të shpëtojë midis plumbave. Ishte fundi i vitit 1913.

 

Xhandarmëria serbe e ndihmuar edhe nga një spiun shqiptar, vëhet në ndjekje të tij. E hetojnë dhe e rrethojnë në malet e Mikushnicës. I paarmatosur dhe duarlidhur plagoset në dorën e majtë (nga ky moment gishtat e kësaj dore i mbetën të palëvizshëm). Pas disa orësh kapet dhe dërgohet në burgun e Mitrovicës. Të nesërmën ia arrestojnë edhe dy vëllezërit: Seferin dhe Zenelin dhe bashkë me shumë të rinj nga Drenica i burgosin. Pas disa ditësh të gjithë i nisin për në Serbi. Pak ditë i mbajnë në Zajeçar e pastaj i transferojnë në Pozharevc, në burgun më të rëndë të kohës.

 

Në burg jeta ishte e mjerueshme. I ushqenin sa për të mos vdekur. Mbi një vit e kaluan në vetmi të plotë, nëpër qelitë e nëndheshme përplot lagështi, errësirë e myk. Krahas tyre mbi ta për çdo ditë ushtrohej edhe dhunë e torturë barbare e tipit mesjetar. Por, megjithatë, duhej mbijetuar. Atje e mësoi edhe serbokroatishten.

 

Azemi ishte optimist dhe mbante qëndrim burrëror. Kurrë nuk u gjunjëzua as nuk u zhgënjye. Në zemrën e tij kishte zënë vend dashuria për Kosovën. Ajo dashuri e mbante duke ia ushqyer shpirtin e tij që po vuante prapa grilave të hekurtë. Tashmë ajo ishte shndërruar në një ideal të pashuar jetësor. Gjithnjë shpresonte se një ditë do të kthehet në Kosovë dhe do ta vazhdonte luftën për çlirimin dhe pavarësimin e trojeve të veta. Shpesh e ëndërronte Kosovën e lirë. Këtë ua thoshte edhe shokëve. E shihte veten të lirë duke vrapuar drejt saj. Si në vegim e dëgjonte zërin e mekur të nënëlokës që e thirrte në rrugën e nderit, në rrugën e pavdekshmërisë…

 

Dhe, nuk vonoi shumë, ajo ditë e bardhë agoi. U këputën prangat, u shkallmuan dyert, u mbytën rojet dhe, u kapërcyen telat. Trimi vetë i shtati u gjend në ajër të pastër, i lirë…

 

Organet serbe, ai mëngjes pranveror, i gjeti të hutuar. Linja telefonike ishte e ngarkuar me zëra të shqetësuar e tërë ankth.

 

– Alo… alo Komanda e Mitrovicës, a më dëgjon? Jam drejtori i burgut të Pozharevcit. Të lutem, dëgjo me kujdes! Dje, pasdite na ka ndodhur një skandal shqetësues. Një grup të burgosurish është arratisur. Të gjithë janë nga rrethi juaj. Atyre u prin ai djaloshi mustaqezi i quajtur Azem. Dy rojtarë i kemi gjetur të mbytur përdhunisht. Të lutemi shumë, merri të gjitha masat për t’i kapur, se po e mori vesh lartmadhëria e pat jeta ime…

 

– Çfarë, çfarë?! – u çakdërdis komandanti – ikje nga burgu thua? Mos je i dehur… apo po tallesh me mua? Azem Bejta të arratiset nga ai burg me gjithë ato labirinte enigmatike e mu në zemër të mbretërisë sonë. A guxon të ndodhë kjo more sylesh? Jo, jo ende nuk më besohet se përndryshe do të çmendem. Kjo është e tmerrshme dhe fatale. Medet ç‘na paska gjetur në që do të kemi punë me te. Kurrë më organet tona nuk do ta kenë qetësi në këto anë. Lirisht xhandarët e postkomandave tona le ta lëshojnë Drenicën. S’do të ketë qetësi as krali ynë në Beograd. Phu, ju marrtë djalli, ju marrtë, more kukuvajkat e dreqit!…

 

Të arratisurit ecnin drejt vendlindjes, andej nga i ftonte zëri i i ëmbël i lirisë, pa çarë kokën ç‘po ndodhte në qarqet shtetërore. Pas një udhëtimi të gjatë e të mundimshëm, natën e ditën, maleve e fushave, të lodhur e të uritur, arritën në Kosovën e dashur. Ishte pranvera e vitit 1915.

 

Azemi pa humbur kohë, ende pa kaluar muaji, vendosi ta formojë çetën e vet luftarake. Bashkë me dy vëllezërit dhe me disa trima nga fshatrat përreth që u grumbulluan në Galicë. Nën hijën e Qarrit qindravjeçar (Lisi i Vorreve) e shtruan sofrën dhe u ulën rreth saj. Nëna Sherife ua solli flamurin shqiptar, që e kishte ruajtur në fund të arkës prej druri arre të zbukuruar me shqiponjën dykrenare dhe pasi e shpalosi mirë e shtroi mbi sofër. Trimat me dorën e majtë në zemër e me të djathtën mbi flamur njëzërit u betuan: “Betohemi në këtë flamur të shenjtë se sa të jemi gjallë do të luftojmë për lirinë e këtyre trojeve. Betohemi dhe bëjmë be se për Kosovën japim jetën sikur me le”.

 

Kjo çetë, e cila më vonë do të bëhet “Nëna e çetave kaçake të Kosvës”, menjëherë filloi aksionet e veta luftarake. Kështu nisën ditët e tmerrit për xhandarët e posteve në Drenicë dhe për spiunët. Dhe gjatë trembëdhjetë vjetëve, sa ekzistoi kjo çetë, arriti t’i zhvillojë mbi shtatëdhjetë beteja e aksione të suksesshme e fitimtare.

 

AZEM BEJTA DHE LËVIZJA KAÇAKE GJATË VITEVE 1915 – 1918

Populli shqiptar ka një histori të vështirë, por të lavdishme dhe krenare. Përherë jetoi në trojet e veta, por kurrë i lirë. Kjo gjendje e përhershme lufte e bëri këtë popull trim dhe të qëndrueshëm. Çdo pushtuesi i bëri ballë dhe i rezistoi me armë në dorë. Varësisht nga koha dhe momenti historik ekzistojnë edhe format e rezistencës.

 

Ndër format më efikase dhe më e përshtatshme u tregua Lëvizja kaçake, e cila në filim që nga koha e Perandorisë osmane vazhdoi deri në vitin1928. Vetë fjala kaçak (nga turq. kaçak-i ikur i arratisur) emërtonte, njeriun e pakënaqur me pushtetin ekzistues, i cili i revoltuar dilte maleve dhe luftonte kundër tij. Kjo lëvizje nacionalçlirimtare merr përmasa të mëdha gjatë periudhës së sundimit austrohungarez e bullgar e veçmas gjatë sundimit të egër të shtetit borgjes të serbëve-kroatëve dhe sllovenëve që u themelua në vitin 1918.

 

Në fund të vitit 1915 ushtritë serbo-malazeze u thyen nga forcat austrohungareze e bullgare. Pra, Kosova u pushtua nga robërues të rinj. Pas një kohe ata filluan edhe ndarjen territoriale të saj. Më 1.IV.1916 u bë ndarja përfundimtare e Kosovës. Pjesën më të madhe e mori Bullgaria: Podujevën, Prishtinën, Gjilanin, Kamenicën (Dardanën), Vitinë, Kaçanikun, Ferizajn, Lipjanin, Drenicën Jogore, Suharekën (Therandën), Rahovecin dhe Prizrenin. Austrohungarezët e morën: Vushtrrinë, Mitrovicën, Drenicën e Kuqe (Veriore), Istogun, Pejën dhe Gjakovën. Edhe pas kësaj ndarjeje vija kufitare nuk ishte stabile. Ata ngatërroheshin për vendet e pasura që gjendeshin përgjatë kufirit. Kështu është e njohur kontesti i gjatë rreth katundit Polac në Drenicë, që ka shkaktuar probleme të mëdha deri vonë.

 

Koha kur sunduan këto dy shtete në Kosovë nuk do të harrohet lehtë. Pos zullumit dhe torturave ajo do të mbahet në mend edhe si kohë e thatë dhe e pabereqet. Ato vite ishte zi buke dhe për një buçuk misër shkonte një arë e tërë.

 

Shqiptarët, si zakonisht, edhe këta pushtues i pritën me armë në dorë. Grupe dhe çeta të vogla i sulmonin stacionet dhe patrullat e xhandarmërisë duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme. Në Drenicë çeta më aktive ishte ajo e luftëtarit të njohur nga Kosterci, çeta e Shaqir Smakës, e cila sa vinte e zgjerohej me luftëtarë të rinj. Azem Bejta me dy vëllezërit e vet, Seferin dhe Zenelin, pasi kishin ikur nga burgu, ishin betuar se sa të jenë gjallë do të luftonin kundër çdo armiku, deri në çlirimin e vendit. Ata po jetonin në Galicë, në shtëpinë e vet. E kishin formuar çetën e vet me disa trima nga fshatrat Galicë, Prekaz, Lubovec, Mikushnicë e Radishevë. Në këtë çetë bënte pjesë edhe Nusja e Maleve – Shota, me të cilën Azemi posa ishte martuar. Në fillim kjo çetë kryente disa aksione lokale, sulmonte patrullat e xhandarëve dhe e pengonte lëvizjen komunikuese në rrugën Mitrovicë – Pejë. Edhe stacionet e xhandarmërisë, të vendosura në Tërnavc, Mikushnicë, Balinc, etj., nuk i linin rehat. U formuan edhe çeta të tjera në Drenicë, të cilat vepronin në harmoni me çetën kryesore dhe kryekaçakun e kësaj treve – Shaqir Smakën.

 

Gjatë kësaj kohe paraqitet edhe një dukuri që shqiptarëve u kushtoi shtrenjtë. Krahas shpërnguljes bëhej edhe regjistrimi i të ashtuquajturëve “gjynli” (vullnetarë) në ushtrinë turke, e cila luftonte kundër Rusisë. Austrohungarezët kishin lejuar oficerët turq që të vinin në Kosovë dhe të bënin regjistrimin e të rinjve shqiptarë si vullnetarë për në front, të cilët rrallëherë ktheheshin të gjallë. Kështu vetëm nga Galica, që atëherë nuk kishte më tepër se njëzet shtëpi, shkuan nëntë vetë, shtatë prej të cilëve mbetën diku në Karpate:

 

 

 

1) Fazli Zena, 3) Ramë Sejdia, 5) Mursel Rexha.

 

2) Islam Fetahu, 4) Qerim Haziri, 6) Dush Rexhepi dhe

 

7) Ramadan Lahu

 

 

 

Kurse dy prej tyre: Tahir Shabani dhe Hajdar Salihu, pasi kishin hequr të zitë e ullirit, duke luftuar deri në Galici (Poloni), mezi u kthyen pas disa vjetësh, kur nuk i kanë njohur as nënat e veta.

 

Këtë aksion e ndihmuan edhe disa bejlerë të pasur së bashku me disa hoxhallarë fanatikë për t’i ruajtur interesat personale. Kështu p.sh. familja Dragaj, që nga viti 1909, posedonte punëtorinë e sharrës dhe Turqia ia lejoi një sipërfaqe të madhe mali me mbi 2 milionë m3 dru.

 

Azem Bejta me shokë u angazhuan dhe shpejt e ndërpreu këtë aksion famëkeq, i cili brenda një afati të shkurtër përpiu shumë të rinj, ca besimtarë të verbër. Në çdo fshat e në çdo kuvend filluan ta kundërshtojnë aksionin. Kur Ferat Draga bashkë me një oficer turk shkuan në Polac për të shkruar “gjynli” udhëheqësi i njohur dhe plaku i mençur Aruç Selimi – Gjinoci nga Makërmali, atyre dhe masës së tubuar iu drejtua me këto fjalë:

 

– Qysh se na ka shkel vendin tonë serbi kemi hupë shumë meshkuj. Tash jo vetëm që po na vdesin uni për bukë, po edhe djemtë donë me na i marrë e me i hupë. Jemi në këtë skaj të vendit e në gojë të ujkut. Anmiq të tjerë po na presin të dyert tona. Kur të na largohen edhe këta pak djemë që na kanë mbetur si do të na bëhet halli? Nuk dimë se na vjen e mramja. Kush tjetër do t’na e mbrojë këtë tokë po nuk e mbrojtëm vetë. Mjaft na del vendi ynë. Nuk kemi pse ta hupim kryet nëpër qoshet e botës. Kush donë me e dhanë jetën, le ta jep tue mbrojt vendin e vet e jo tue luftuar për interesat e botës. Oficerët turq që na kanë ardhë janë bijtë e atyne që na kanë sundue 500 vjet. Prapë ata kanë ardhun këtu me na ngatërrue mendjen për interesat e veta. Vllazen! Tjetër âsht feja e tjetër është kombësia, tjetër është Turqia e tjetër Shqipnia. Ata e duan Turqinë, kurse ne Shqipninë.

 

Pas këtyre fjalëve masa u revoltua dhe, jo që nuk u shkrua askush, por edhe i dëbuan të ardhurit, duke i kërcënuar se po erdhën edhe një herë tjetër në Drenicë nuk do të ktheheshin të gjallë. Nga ky moment më nuk shkoi askush në ushtrinë turke, por u inkuadruan në çetat kryengritëse.

 

Çeta luftarake e Azem Bejtës vepronte kudo, në të dy zonat okupuese. Disa herë u ndesh me armikun në Galicë, në Lushtë, në Kozhicë, në Kollë, në Taraxhë, etj. Një ditë (ishte fundi i vitit 1916) e sulmoi dhe e likuidoi postëkomandën e xhandarmërisë austriake në Mikushnicë. Sulmi qe i suksesshëm: shtatë të vrarë e tre të plagosur. Kësaj here shpëtoi bashkëpunëtori i tyre, Hasan Halimi, i cili edhe në vitin 1913 kishte qenë shkaktar i plagosjes dhe zënies së tij.

 

Pas disa ditësh, kur Azemi nuk ishte në shtëpi, forca të mëdha austriake e rrethojnë shtëpinë e tij, me ç‘rast i zënë dy vëllezërit e tij; Seferin dhe Zenelin. Pasi ia djegin shtëpinë ata i marrin dhe, në shenjë hakmarrjeje për xhandarët e vrarë më parë, i pushkatojnë në malin Gamna, afër Mikushnicës. Kur u kthye Azemi e gjeti çdo gjë shkrumb e hi. E mori familjen: nënë Sherifen, Ademin, gruan e Seferit, me djalin e vogël, Bejtushin dhe kaluan në Obrinë e Ulët, e cila gjendej nën sundimin bullgar. Me ta ishte edhe vëllai i vogël i Shotës, Rexhep (Rexha). Ata u vendosën në kullën e Sefer Halil Smakiqit, që gjendej në vijën kufitare bullgaro-austrohungareze.

 

Pas disa ditësh forcat bullgare i hetojnë. Ata e thërrasin kryeplakun e fshatit, Kadri Seferin (i vëllai i pleqnarit të njohur në tërë Kosovën – Xhemail Obrisë) dhe i thonë brenda dy ditësh Azem Bejta duhet t’i dorëzojë armët ose të largohet nga fshati, nga territori ynë. Kadriu, sipas zakonit e thërret kuvendin e burrave për ta shtruar problemin. Në fushën midis dy fshatrave të quajtur PINIQE tubohen burrat e Obrisë së Ulët, Obrisë së Epërme dhe të Murgës. Pati mendime që Azemi t’i dorëzojë armët e veta e pastaj të gjithë së bashku t’ia blejnë të tjera. Sefer Halili tha është mirë të pyetet edhe Azemi. Të gjithë u pajtuan dhe shkuan e thirrën. Kur ia shpejguan si qëndron puna, Azemi iu drejtua kryeplakut:

 

“O, baba Kadri, (ashtu e thërriste nga respekti) kur kam dalë maleve jam betuar se armët e mia nuk ia dorëzoj kurrë për së gjalli armikut. Nëse më thoni ju, shokët e fisit, unë e lëshoj fshatin. Nëse më thotë mixha Sefer, qysh sonte largohna nga kulla”.

 

Seferi Halili, i prekur, ngritet në këmbë dhe i drejtohet Azemit: “O, Azem Galica, qysh po ma thue atë fjalë, he burrë. Pa i ra kulmi në tokë e gurët e themelit me i hyp sipri nuk bâhet të dalësh nga kulla ime”.

 

Me këto fjalë merr fund kuvendi. Natën forca të mëdha bullgare, në bashkëpunim edhe me ato asutrohungareze e rrethojnë kullën e Sefer Halilit. Ende pa zbardhur drita fillon lufta e përgjakshme, e cila zgjati deri në mbrëmje. Rrethimi ishte i vështirë. Nga ana e prapme e kullës Azemi kërcen në tokë. Lufton me xhandarë, por përsëri detyrohet të tërhiqet në kullë me një plagë të rëndë në trup. Edhe Ademi i ri ishte plagosur. Shota e vetmuar me Rexhepin e pasprovuar qëndronte dhe luftonte duke i ndërruar frengjitë, sa këtu, sa atje, për ta bindur armikun se brenda ka shumë luftëtarë. Kënga popullore duke e përshkruar këtë luftë që u zhvillua me 6 mars 1917 thotë:

 

 

 

Ademi i vogël si dukati

 

Kqyr i shkreti sa fort piskati

 

Nuk po i pret plumbat çardaku

 

Ah bre Shotë, fort më çarti!

 

Fort më çarti një plumb i shkretë

 

Tash qëndro se vetëm ke mbetë.

 

 

 

Dikur, kah mbrëmja, arritën edhe forca ushtarake me një top malor. Kur nisi të errësohej, burrat e Obrisë i shkojnë në ndihmë dhe Azemi del nga rrethimi. Kalojnë në zabelin e Gurikuqit. Azemin e plagosur rëndë e dërgojnë te bajraktari i Plluzhinës e prej andej Shota e nis për në malet e Radishevës. Ademin e plagosur më lehtë e ndalin në malet e Obrisë. Aty e mjekonte Osman Pajaziti nga Obria.

 

Forcat bullgare kur zbardhi dita, i ngarkuan 18 kufomat e xhandarëve të vrarë dhe i nisën për në Prishtinë. Familjen bashkë me të zotin e shtëpisë Sefer Halilin, i internuan në Pozharevc. Atje, në kampin famëkeq ka lindur edhe Hazir Sefer Smakiqi. Pa dy vjetësh kjo familje kthehet në Obri, duke e sjell me vete një drapër të fabrikuar, gjë që ishte risi për këto anë.

 

Nëna e Azemit me Bejtushin edhe disa vite qëndroi në Obri, duke kaluar në shtëpinë e Sinan Tahir Smakiqit, kushëri i Seferit, i cili e kishte shtëpinë në zonën austrohungareze.

 

Siç u cek më lart, Ademi pasi u shërua disa ditë në malet e Obrisë, dërgohet në Gradicë, te Tahir Bardiqi (nip i Galicës). Aty pasi i thahen pak plagët, duke u përlarë me një moshatar të vetin, i përlcasin sërish dhe pas dy ditësh vdes. Vdekja e tij e hershme pa i mbushur 16 pranverat i pikëlloi shumë Azemin dhe Shotën.

 

Azem Bejta për disa ditë rresht u shërua në spitalin “malor” nga “mjekja” e palodhur – Shota, e cila i qëndronte te koka natën e ditën. U shërua në fshehtësinë më të madhe, në malet besnike, midis Drenicës dhe Podgurit, që e ruanin me besnikëri nga syri i armikut. Barinjtë interesoheshin për çdo lëvizje që bëhej në ato anë. Edhe ata e ndihmonin shërimin e këtij trimi.

 

Drerisa dhe e tërë Kosova e pritnin kapedanin e vet. Për çdo ditë pyesnin për shëndetin e tij. Jeta e tij ishte e nevojshme dhe e vlefshme për të gjithë. Dhe, një ditë, pasi u shërua plotësisht, Shota u bëri zë shokëve dhe i ftoi që të ngjiteshin në mal. Aty u shtrua një drekë e begatshme që e kishte përgatitur vetë Shota. Kishte ardhur edhe Shaqir Smaka, i cili kur e pa Azemin të gatshëm për luftë, i rodhën lot gëzimi. Pasi u bashkuan çetat zbritën në Kllodernicë për t’i kaluar disa ditë.

 

Pas disa ditësh austrohungarezët informohen ku gjenden luftëtarët e këtyre çetave dhe shkojnë i rrethojnë. Me një sulm të rreptë e shpërthejnë rrethimin duke i vrarë disa xhandarë dhe spiunin që u kishte prirë, Lah Kllodernicën. Nga ana e çetave çlirimtare u vra Ramadan Llullaku.

 

Çeta e Shaqir Smakës dhe e Azem Bejtës kalojnë në fshatin verior të Drenicës, në Banjë, ku shumica e banorëve ishin serbë. Edhe atje i hetojnë dhe shkojnë e i rrethojnë. Në befasi, pa i hetuar fare, ishin afruar deri te dera e kullës. Kur dalin Azemi e Shaqiri në korridor, nën shkallë kishte qenë udhëheqësi i ekspditës, Llokmajstori Hirtman. Shaqir Smaka kapet fytas me të. Të dy ishin të fortë. Ende ishte terr dhe nuk dukej gjë. Përleshja e tyre zgjati shumë. Ishte e pamundur të veçohej austriaku. Dikur një shok i Azemit (Feka nga Rakinica, dhëndër i Shaqirit) duke u munduar ta qëlloi Hirtmanin i vret që të dy. Vdekja e Shaqirit e pikëlloi shumë Azemin, i cili bëri luftë titanike derisa e shpërthue rethimin. Këtë betejë të përgjakshme e ka përshkruar edhe këngëtari popullor:

 

 

 

Austrohungarët n’kam janë çue

 

Për zullum n’Drenicë janë shkue

 

Kapetani ai shpirtzi,

 

N’krye t’një çete paska pri,

 

N’Bajë t’Drenicës kur janë shkue

 

Shaqir Smakën e Azemin i kanë rrethue…!

 

 

 

Me vdekjen e Shaqir Smakës (ishte vera e vitit 1917) të gjitha çetat kryengritëse të Drenicës do t’i udhëheqë Azem Bejtë Galica dhe e shoqja, Shotë Galica.

 

Siç tregojnë pleqtë dhe siç dësmon historia, ata që u gjendën nën sundimin austrohungarez, për një nuancë jetuan më mirë dhe i gëzuan disa të drejta më tepër se ata nën sundimin bullgar. Ky pushtues lejoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Aspiratat dhe përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës, veçmas të intelektualëve përparimtarë të tij, për një sistem arsimor në gjuhë amtare shqipe filluan të mëkëmben më 1916, në ato treva, të cilat i pushtoi Austrohungaria. Vjena lejoi dhe ndihmoi jo vetëm hapjen e shkollave laike e shtetërore shqipe, por njëkohësisht bëri të mundur që pjesërisht edhe administrata të realizohej në gjuhën shqipe. Pra, shqiptarët, edhe pse të vetëdijshëm për qëllimet imperialiste të Vjenës, i shfrytëzuan rrethanat e krijuara dhe brenda një kohe të shkurtër u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe, u vendosën shqiptarë nëpër administratat lokale (nëpër komuna dhe rrethe).

 

Ndër qytetet që i shfrytëzuan këto rrethana ishte edhe Vushtrria. Aty, që në fund të vitit 1915 e gjejmë shkollën shqipe, e cila është ndër të parat në Kosovë. Nxënësit e parë të saj kanë qenë:

 

1) Emin Badivuku,

 

2) Musai i Ibrahim Agës,

 

3) Aliu i Latif Agës,

 

4) Fevziu i Mustafë Agës,

 

5) Ferat Ahmet Pika,

 

6) Sylejman Popova (djali i Hysit),

 

7) Maksut Xhafer Muharremi,

 

8) Isaji i Ibrahim Agës,

 

9) Hyzejr Hoti,

 

10) Naim Jahja Bylykemini,

 

11) Abdullah Begu,

 

12) Besim Zejnullah Begu (Berisha),

 

13) Përtej Izet Badivuku,

 

14) Jakup Hafuz Maxhuni,

 

15) Alushi i Mahmut Begut,

 

16) Bahtijar Begu,

 

17) Ilijaz Badivuku,

 

18) Hamdi Zajmi,

 

19) Rizai i Latif Agës,

 

20) Qazim Ali Riza,

 

21) Haki Guxha,

 

22) Sherif Isuf Gara dhe

 

23) Ibush Fanda.

 

 

 

 

 

Pas tre- katër muajsh, po me këta nxënës u formua edhe banda muzikore-frymore (orkestri frymor) e shkollës, e cila u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës, i cili ishte nismëtar i saj dhe me mjetet e veta bleu veglat muzikore.

 

Patriotët shqiptarë, krahas çeljes së shkollave në gjuhën shqipe, u angazhuan edhe për organizimin e kryengritjeve për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Kështu më 1916, Hasan Prishtina dhe Azem Bejta, për tri ditë rresht, në Vushtrri, biseduan dhe trajtuan shumë probleme kombëtare. Nga ky moment u punua paralelisht në dy fronte:

 

1) Në hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, të cilat do të punojnë deri në vitin 1918 dhe

 

2) Në përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur me karakter gjithëkombëtar.

 

Kështu Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë, që deri tash kishte pasur më tepër karakter lokal dhe ishte zhvilluar në formë guerile, në vitin 1918 merr përmasa të gjera. Në tërë Kosovën, sidomos në zonën bullgare (Bullgaria ishte para kapitullimit) ndihej zëri i kryengritësve. Po përgatitej një luftë e përgjithshme.

 

Këto lëvizje dhe përgatitje i përcillte edhe Serbia. Kështu kapiteni i ushtrisë, Kostë Millovanoviqi (1871 – 1944) nga Gjyrakovci, i njohur më tepër si Kostë Peçanci ose Kostë Vojvoda, kur kthehet nga fronti i Selanikut interesohet të lidhet me Azem Bejtën kinse për një luftë të përbashkët kundër austrohungarëzëve. Kështu, në verën e vitit 1918, ata takohen në fshatin Pridvorcë të Koloshinit të Ibrit, në shtëpinë e Alempie Bozhoviqit. Aty i heton xhandarmëria austriake dhe e ndërrojnë vendin. Kalojnë në Varragë ku e lidhin një lloj marrëveshje, sipas së cilës do të luftonin bashkë shqiptarë e serbë deri të çlirohet vendi e pastaj secili popull do të jetojë i lirë në trojet e veta.

 

Edhe pse u lidh kjo marrëveshje, askund nuk përmendet, as nuk dihet për ndonjë luftë të përbashkët. Dihet se Kosta kudo i shfrytëzonte luftërat dhe fitoret e Azem Bejtës, të cilin e “konsideronte” komandant. Këtë e vërteton edhe Sokol Mehaj nga Tomoci i Istogut, i cili thotë se ka qenë në rrugë afër Gjyrakocit, kur kaluan Azemi dhe Kosta. Serbët dhe ushtarët e zënë robër, që punonin në rrugë, filluan të brohorasin “Rroftë Kostë Vojvoda!” Kosta iu afrua njërit dhe duke i rënë me këmbë i bërtiti: “Thuaj: rroftë Azem Bejta e jo Kosta, ky është komandant!”.

 

Siç u pa më vonë kjo kishte qenë tradhti dhe mashtrim djallëzor, që u kushtoi shtrenjtë çetave kryengritëse.

 

 

 

 

 

THEMELIMI I KOMITETIT “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”

 

 

 

 

 

Pas Luftës së Parë Botërore tokat shqiptare u bënë pre e lakmive të shovenistëve fqinjë dhe e fuqive imperialiste. Shtetet fqinje, veçmas Serbia, nën pretekstin e ndjekjes së ushtrisë austrohungareze, ishin vërsulur egërsisht mbi tokat shqiptare.

 

Çdo pëllëmbë toke e çliruar nga një pushtues, robërohej nga një pushtues edhe më i egër. Kështu nisi të rrezikohej edhe pavarësia e Shtetit Shqiptar, e shpallur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.

 

Të nxitur nga momentet historike, një grup intelektualësh e patriotësh, vendosën të krijonin një organizatë politike, e cila do ta organizonte popullin në luftë për çlirim kombëtar. Kështu më 1 maj 1918, intelektualë e patriotë të shquar, nën udhëheqjen e Hoxhë Kadriut (Kadri Lutfulla Prishtina 1978 – 1925), ilegalisht u grumbulluan në Shkodër dhe formuan Komitetin me emrin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”. Në të vërtetë ky ishte vazhdim i “KOMITETIT TË FSHEHTË” krijuar gjithashtu në Shkodër nga Hoxhë Kadriu, më 1915.

 

 

 

Komiteti, edhe pse selinë e kishte në Shkodër, kudo, që nga jugu e deri në veri, i kishte degët dhe nëndegët e veta.

 

Në Këshillin Qëndror të KOMITETIT TË KOSOVËS bënin pjesë shtatë anëtarë, të cilët e zgjedhnin kryetarin, nënkryetarin. Sekretarin dhe arkëtarin. Kryetar ishte Kadri Prishtina, i cili në shenjë të erudicionit të tij quhej Hoxhë Kadriu, sekretar ishte Bedri Pejani, nënkryetar Hysni Curri. Të tjerët ishin anëtarë, por secili kryente detyra të caktuara. ( Shih Mr. Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924, Prishtinë, 1997, fq.29)

 

Në kohë të ndryshme si anëtarë të Komitetit punuan me vetëmohim luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare Demokratike si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Peja (Pejani), Beshir (Beqir) Vokshi, Azem Galica, Avni Rrustemi, Elez Isufi, Aqif

 

Pasha, Sotir Peci, Ragip e Qerim Begolli, Sotir Kolea, Kel Marubi, etj. Që në fillim KOMITETI u përqëndrua në dy drejtime kryesore, në:

 

a) diplomaci dhe

 

b) organizimin e rezistencës së armatosur.

 

 

 

Përgjegjës kryesor për organizimin e rezistencës së armatosur u caktua Hysni Curri, ndërsa komandantë dhe udhëheqës të çetave (forcat e armatosura shqiptare quheshin “Komitë Shqiptare), u caktuan: Bajram Curri, Azem Galica, Beqir Vokshi, Elez Isufi, Bajram Daklani, Ajet Çaushi (Drevinja), Beqir Rexha, Sadik Rama, etj.

 

Sipas programit të Komitetit dhe udhëzimeve të Hoxhë Kadriut, krahas ndjekjes së ushtrisë austrohungareze, duhej vendosur edhe pushteti popullor shqiptar. Në çdo vend të çliruar duhej vendosur flamuri i Skënderbeut, flamuri kuqezi.

 

 

 

Kështu, në vjeshtën e vitit 1918, filloi lufta kundër austrohungarezëve. Azem Galica me çetat e veta e çliroi Drenicën, Istogun dhe marshoi drejt Pejës. Këtë qytet ende po e mbronin forca të mëdha austrohungareze, të komanduara nga Hasn Begu i Bosnjës. Sipas programit të Komitetit çdo pëllëmbë toke e çliruar vihej nën pushtetin popullor shqiptar. Kudo valonte flamuri shqiptar. Në Pejë arriti edhe Kostë Vojvoda me çetnikët e vet. Derisa kryengritësit po e mbanin të rrethuar Pejën, Azemi kishte shkuar në Shkup në emër të Komitetit, për t’u takuar me komandantin e forcave franceze. Azemi atij i tha se mbi 4000 ushtarë austrohungarezë janë të rrethuar në Pejë nga forcat kryengritëse. Ai iu drejtua Azemit:

 

– Ti a mund ta pushtosh Pejën?

 

Azemi duke u bazuar në moralin e lartë luftarak të shqiptarëve dhe në etjen e tyre për liri, ia ktheu:

 

– Unë në Pejë bëj çdo gjë.

 

Azemi u kthye në Pejë dhe urdhëroi fillimin e betejës. U zhvillua një luftë e rreptë dhe e përgjakshme, por qyteti u çlirua. Rreth 4000 ushtarët e zënë robër iu dorëzuan forcave franceze, ndërsa armatimi iu shpërnda çetave kryengritëse. Flamuri u vu në qendër të Pejës.

 

Historiografia borgjeze serbo-malazeze çlirimin e Pejës, më 12 tetor 1918, ia atribuon Kostë Peçancit, kurse Azem Bejtën dhe forcat shqiptare nuk i përmend fare. Se sa ka pasur mundësi ta çlirojë ai Pejën tregon fakti se pas çlirimit të qytetit kur është dashur të niset për në Mal të Zi e për të vazhduar drejt Shkodrës mezi i ka grumbulluar 60 njerëz.

 

Pasi u çelën rrugët, në Pejë hyri ushtria franceze e pas saj edhe forcat serbe, të cilat ishin nisur për ta pushtuar Shkodrën dhe ndoshta për ta rrezikuar edhe pavarësinë e shtetit shqiptar. Kostë Peçanci, që gjithmonë i kishte shfrytëzuar luftërat e Azemit, edhe kësaj radhe duke u mbështetur në forcat franceze dhe duke e gjetur ndonjë përkrahje të vogël të ca bejlerëve pejanë, e zbriti flamurin shqiptar dhe e ngriti flamurin serb. E kishte harruar marëveshjen e Varragës dhe “besën” që ia kishte dhënë Azemit, se do të luftojmë bashkë deri në çlirimin e vendit e pastaj secili popull do të jetojë i lirë në vendin e vet.

 

Kështu, Peja dhe viset e tjera që u çliruan nga okupatorët austrohungarezë (Mitrovica, Drenica e Kuqe, Istogu, etj.), menjëherë ranë nën kthetrat e një armiku edhe më të egër e më barbar, zullimet e të cilit ende i kishin të freskëta, ato të viteve 1912 – 1915. Kosta u bë kundërshtar i Azem Bejtës dhe e ftonte që t’i dorëzojë armët dhe të pranojë ndonjë gradë a post ushtarak. Azemi i tradhtuar nuk u demoralizua e as nuk u mashtrua pas ofiqeve e gradave të ofruara, por e vazhdoi luftën për liri e pavarësi kombëtare. Tradhtinë e Kostës e ka përshkruar edhe këngëtari popullor, ku pos tjerash thotë:

 

 

 

 

 

Azem Bejta fort po pisket

 

Kostë Vojvodës po m’i thërret

 

– N’kohë t’bugarit t’kam pshtue

 

Nja tri vjet ke nejt me mue

 

Cok anmikut s’asht kurrë m’i besue.

 

 

 

Azemin me shokë më shumë i shqetësoi qëndrimi i forcave franceze, sepse për serbët e kanë ditur edhe më parë se janë të pabesë dhe dinakë. A ishin ata francezë që disa ditë më parë më se 2000 austrikë të zënë robër në Përrua të Keq (te Përroni i Kajtazit), ua patën dorëzuar në garnizonin e Mitrovicës ?! Atë ditë vetë komandanti Balshe kishte shtruar drekë dhe e kishte përgëzuar për fitore:

 

– Mirë se erdhe Mysje Azem Galica! Trimëria dhe strategjia jote efikase po më çudit. Po ua kalon gjeneralëve tanë që kanë kryer shkolla e akademi ushtarake. T’i zësh gjithë ata ushtarë e oficerë pa t’u dëmtuar asnjë luftëtar është diçka e madhërishme dhe e rrallë. Ne francezët, trimat e tillë i çmojë dhe i nderojmë. Edhe për Ju kemi përgatitur drekë solemne dhe një shpatë të argjendtë, e cila u takon vetëm heronjve si trofe lufte. Gëzuar fitoren dhe dekoratën!

 

– “Zoti gjeneral, ju falënderoj për drekën dhe shërbimet e tjera. Unë nuk kam kryer shkolla e akademi ushtarake. Çdo gjë e kam mësuar nga jeta e përvuajtur e popullit tim. Ne e bëjmë vetëm një lloj lufte, luftën çlirimtare. Atë luftë e udhëheq vetëm një dashuri – dashuria për lirinë e trojeve tona, që po na i shkelin të huajt. Kjo na bën të fortë e trima, të aftë e strategë të mirë. E sa i përket dekoratës nuk mund ta pranoj. Unë nk bëra asgjë më tepër se sa më takon. Kreva detyrën ndaj atdheut. Këtë e bëjnë edhe shokët e mi dhe mbarë populli im trim. Nuk kemi dalë maleve për grada e dekorata, por për liri dhe pavarësi të trojeve tona”.

 

Kështu u veprua edhe me robërit e zënë në Pejë, por tradhtia ishte përgatitur herët. Këtë e ka pohuar edhe vetë Jorgo Gjukiqi (Jabuka) nga Jabuka e Koloshinit që kishte zënë vend në Bukosh të Vushtrrisë. Ai në biseda me galicasit thoshte:

 

– “Këtë sy ma ka verbua Azem Galica, por unë ia kam pasur borxh edhe jetën. E kemi tradhtuar shumë rëndë. Luftërat dhe sukseset e tij i shfrytëzuam derisa i ndoqëm austriakët dhe hungarezët. Kur erdhën francezët ia kthyem shpinën. Kurrë nuk e harroj momentin kur e shkatërruam mbishkrimin “SKËNDERBEU” në hotelin e Mitrovicës dhe e vumë atë “Car Dushan”. Nuk mjaftoi vetëm kjo. Unë i mashtruar nga krali e i verbuar nga gradat, i dola në pritë për ta vrarë tinëz. Ai si rrufeja m’i vrau dy shokët: Vojën dhe Stojanin dhe mua më la për të vdekur, pa njërin sy. Po hallall i kam thënë për së gjalli dhe hallall po i them për së vdekuri, se burrë si Azem Galica nuk lind më nëna. Ishte trim i pastër dhe besnik”.

 

Kosova e çliruar nga kryengritësit shqiptarë përsëri ra në kthetrat e barbarëve, zullumet e të cilëve ende ishin të pashëruara (1912 – 1915).

 

Azemi nuk u demoralizua, por pa humbur kohë filloi organizimin e çetave të lirisë. Kostë Vojvoda u bë armik i përbetuar i tij. Ai e ftonte të dorëzohej dhe të merrte ndonjë gradë ushtarake. Ky e filloi përgatitjen e një lufte të re kundër “Serbisë së Dytë” siç e quajti populli këtë pushtues gjakatarë. Përsëri doli maleve, sepse siç thotë Kadareja: “Fati i këtij vendi ka dalë gjithmonë në fillim në maja malesh, ashtu siç del dielli”.

 

Pas këtyre përleshjeve të mëdha edhe harta gjeopolitike e Evropës pësoi ndryshime. Kështu me kapitullimin e Gjermanisë në atë luftë, më 11 nëntor 1918, merr fund Lufta e Parë Botërore. Para saj kapitulluan edhe aleatët: Bullgaria më 29 shtator, Turqia më 30 tetor dhe Austro-Hungaria më 3 nëntor 1918. Në këtë luftë doli fitues Blloku i Antantës i cili përfshinte 33 shtete.

 

Lufta e Parë Botërore, në të cilën morën pjesë 74 milionë ushtarë, mori fund në nëntor të vitit 1918. Ajo u kushtoi popujve 10 milionë të vrarë, 21 milionë të plagosur, afër 8 milionë të zënë robër dhe 3.5 milionë invalidë të rëndë të luftës.

 

 

 

vijon…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu