Barnatoret shesin ilegalisht “Pika seksi”

0
228

Spanishe sex dropsKushtojnë nga 20 deri në 25 euro për një pako, që ka gjithsej 20 mililitra sasi pikash. Janë të ashtuquajturat “Spanish Sex Drops D8” që shiten ilegalisht në pothuajse secilën barnatore të kryeqytetit pa u penguar nga askush, ndonëse përdoren kryesisht për qëllime abuzive seksuale.

Zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) nuk kanë njohuri e as nuk kanë hasur asnjëherë në treg pika të tilla, që përdoren kryesisht për të ngjallur epshin tek femrat, të cilat më pas nën ndikimin e këtyre produkteve abuzohen me lehtësi prej atyre që i kanë si cak.

Gazeta “Zëri” përmes një farmacisti në Prishtinë ka arritur të konfirmojë se këto pika shiten dhe blihen ilegalisht nga mosha të ndryshme dhe përdoren kryesisht në mënyrë të fshehtë.

Ato në rast se konsumohen përmes pijeve (jo) alkoolike ngjallin epshin tek femrat, duke i çuar ato në marrëdhënie seksuale pa qenë në dijeni se ai akt ndodh nën ndikimin e substancave stimuluese.

Abuzim seksual me vetëdije të plotë!

Farmacisti, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, thotë se për të arritur efektin “Spanish pikat” duhet përdorur në dozën prej 25 pikave dhe ngjallja e epsheve bëhet kryesisht një orë pas përdorimit të tyre.

“Sa për dijeni, sasia prej 1 mililitrave i ka gjithsej 20 pika, kurse paketimi i pikave “Spanish” ka gjithsej 20 mililitra apo 400 pika”, thotë farmacisti, sipas të cilit këto pika njihen edhe me emërtimin “fluturuesit spanjollë”.

Ai thotë se klientët e tij që i blejnë këta “fluturues” janë të moshave të ndryshme. Por, kryesisht janë të rinjtë ata që dominojnë në blerje. “Si i përdorin ata dhe për çfarë qëllime është çështje e tyre”, thotë ai.

Por, ky farmacist tregon se jo gjithmonë ata që blejnë pikat ia arrijnë të kenë në shtrat femrën që ia kanë “vënë syrin”. “Ka mundësi që ajo shkon diku tjetër, tek një mashkull që do t’i pëlqejë më shumë”, thotë ai.

Ky farmacist tregon se pikat “fluturuese” nuk kanë as shije e as aromë. Mirëpo, reagojnë ekskluzivisht shumë tek femrat.

“Mund të hedhen në ujë, lëng …”, thotë ai, derisa tregon se efekti i tyre rritet dukshëm nëse konsumohen me pije alkoolike, pasi hapen poret qelizore dhe kjo ndikon edhe në rritjen e efektit.

Farmacisti thotë se është një numër shumë i vogël i femrave që përdorin ato pika me vetëdije.

“Unë i kam vetëm dy kliente, që i blejnë me qëllim të rritjes së kënaqësisë seksuale gjatë marrëdhënieve”, thotë farmacisti, sipas të cilit, klientët tjerë kryesisht janë meshkuj.

“Fluturuesit spanjollë”, tabu për shtetin

Në anën tjetër, institucionet nuk kanë arritur të vërtetojnë ndonjë rast të abuzimit seksual që ka ndodhur si rezultat i përdorimit të këtyre pikave. Për to, përdorimi i “fluturuesve spanjollë” për të vënë në karrem femrat, vazhdon të jetë një tabu.

Në Policinë e Kosovës, thonë se rastet e natyrës së tillë, i evidentojnë si raste të ngacmimeve seksuale. “Ato hetohen nga hetuesit në nivel të hetimeve rajonale, nga hetuesit, të cilët merren me hetimin e veprave kundër integritetit trupor”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Policia sipas përgjigjeve të dhëna, nuk definon nëse akti i integritetit trupor dhe ngacmimit seksual kryhet nën efektin e këtyre pikave “fluturuese” apo nën ndikimin e epsheve të rastit.

“Rastet e ngacmimit seksual, kryesisht kryhen me kryes të njohur, prandaj në të gjitha rastet ka pasur persona të dyshuar dhe të arrestuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas Zyrës për Informim të Policisë janë raportuar 27 raste të ngacmimeve seksuale në gjithë Kosovën.

“Sa i përket çështjes së shitjes së produkteve të tilla në barnatore ashtu siç e keni potencuar ju, Policia e Kosovës nuk është përgjegjëse, por janë institucionet përkatëse që merren me kontrollimin e shitjeve të produkteve medicinale”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë.

Ndërkohë, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), si institucion që merret me kontrollin e qarkullimit të produkteve farmaceutike, konfirmon se asnjëherë në këtë institucion askush nuk ka aplikuar për të regjistruar pika të tilla për qarkullim e që është parakusht për t’i nxjerrë ato në treg.

“Konfirmojmë se në AKPM asnjëherë nuk është aplikuar për regjistrim të këtyre pikave, të ashtuquajtura “Spanish pika”, pasi që këto pika nuk klasifikohen si ilaçe”, thotë Pranvera Behrami-Breznica, zëdhënëse e AKPM-së.

Megjithatë, në AKPM ka të regjistruara lloje të viagrave, që kanë të njëjtin efekt – stimulimin seksual tek meshkujt.

Keqpërdorimi me “fluturuesit spanjollë” paraqet vepër penale

Sipas zëdhënëses së AKPM-së, Pranvera Behrami-Breznica, Inspektorati Farmaceutik nuk ka qenë asnjëherë i njoftuar për mbajtjen e këtyre pikave në barnatore, aq më pak për qarkullimin e tyre në treg.

“Kjo nënkupton që as Departamenti i Farmakovigjilencës nuk ka pranuar raste të tilla për të analizuar efektet anësore të përdorimit të tyre”, ka thënë zëdhënësja, Pranvera Behrami-Breznica.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike flet për implikimet ligjore që bën personi që i hedh pa dijeni çfarëdo substance dikujt me qëllim të shfrytëzimit seksual.

Sipas tij, me këtë rast ai që bën këtë vepër, bën disa vepra penale. “Përmes kësaj bëhet degradimi i integritetit seksual, keqpërdorimi  seksual i personave pa aftësi mendore apo emocionale”, thotë Korenica, sipas të cilit, këto janë vepra penale të dënueshme.

Por, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, drejtori, Arsim Gërxhaliu, i cili në cilësi të mjekut ligjor që merret edhe me rastet e dhunës seksuale, ka thënë se nuk kanë arritur të vërtetojnë çfarëdo rasti të dhunës seksuale apo cenimit të integritetit seksual të personit nën ndikimin e këtyre pikave.

“Zakonisht tek ne vijnë me vonesë kur faza e eliminimit është larguar”, ka thënë Gërxhaliu, sipas të cilit është evidente përdorimi i tyre.

“Në treg i ke…”, ka thënë ai. Në anën tjetër, Burim Krasniqi, gjinekolog thotë se nuk mund të flasë për efektet anësore të këtyre pikave tek femrat. Sipas tij, këto tema janë tabu për pacientët, të cilët nuk duan as të bisedojnë me mjekun për këso gjëra.

“As mashkulli nuk dëshiron të tregojë nëse i ka hedhur këso pika femrës për ta joshur e as femra nuk e dinë nëse i ka marrë”. Megjithatë, edhe doktor Krasniqi thotë se ka informacion se këto pika shiten me të madhe.

Nga: Alban Selimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu