Bashkëpunimi i Zogut me Titon më 1952

0
465

Botimi i pjesës së dytë të dokumentit të Shërbimit Sekret Amerikan hartuar në Tetor të 1952 sjell disa të dhëna shumë interesante për të kuptuar sado pak prapaskenat që luheshin midis ish-Mbretit Zog dhe Shërbimit Sekret Jugosllav. Në dosjen e ish-Mbretit Zog që tashmë është e deklasifikuar dhe në dispozicion të studiuesve të interesuar për atë periudhë, ka mjaft informata interesante dhe të papritura të mëdha. Ashtu siç kemi shkruar edhe në dosierët e kaluar, ish-Mbreti Zog i mërguar në Egjipt papritmas duke shfrytëzuar konjukturat politike të kohës kishte filluar kontaktet e fshehta me liderin komunist Tito. Këto kontakte të cilat kryheshin nga njerëz shumë të besuar të Mbretit Zog mbaheshin nën kontrollin e rreptë të UDB-së jugosllave dhe personalisht të Gjeneralit Rankoviç. Jugosllavia, e cila kishte prishur marrëdhëniet me sovjetikët dhe ishte mjaft e izoluar nga Blloku Komunist Lindor, dërgonte sinjale bashkëpunimi me amerikanët në fushën e shërbimeve sekrete. Një ndër këto sinjale ishte edhe informacioni që jugosllavët i kishin dhënë amerikanëve mbi tentativat e ish-Mbretit Zog për të komunikuar nëpërmjet kanaleve të besuara me Titon. Amerikanët të cilët po mbanin peshën kryesore të Operacioneve Klandestine kundër Shqipërisë, kërkonin me çdo kusht rezultate pozitive dhe duket se propozimet e jugosllavëve për bashkëpunim kundër regjimit të Hoxhës i kanë pranuar pa mëdyshje. Megjithëse nga disa memorandume të takimeve midis dy shërbimeve duket se amerikanët kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur jugosllavët në distancë nga planet e tyre operacionale.
Memorandumi i datës 9 tetor është një dokument i detajuar i një interviste që Mbreti Zog ka pasur me një prej oficerëve të lartë të OPC apo Zyra e Operacioneve Klandestine e drejtuar nga Frank Wisner. Ky memorandum flet qartë mbi përpjekjet e Zogut për të negociuar një marrëveshje sa më të pranueshme me Titon duke bërë të mundur marrjen e mbështetjes jugosllave për një ndërhyrje të armatosur në Shqipëri nga kufiri verior. Megjithatë, rrëfimi i Zogut në vetë të parë para zyrtarit të lartë amerikan nuk lë asnjë dyshim mbi vërtetësinë e fakteve që vijnë në këtë dokument.
Nga dëshmia e Zogut del se përfaqësuesi i tij Irfan Bej Ohri ka qenë shumë i kujdesshëm në bisedimet me oficerët e lartë të UDB-së jugosllave për të mos lënë asnjë shteg keqkuptimesh mbi mënyrat e bashkëpunimit. Por, faktet më interesante të dala nga dëshmia e Zogut janë emrat që sipas tij i janë propozuar nga Shërbimi i Fshehtë Jugosllav për bashkëpunim në rrëzimin e regjimit të Hoxhës. Duke parë nivelin e lartë të pjesëmarrësve në këto bisedime kuptohet qartë se këto dëshmi duhet të pranohen si fakte të rëndësishme për të kuptuar dinamikën e këtyre ngjarjeve. Dalja e emrave të liderëve kryesore të diasporës shqiptare si bashkëpunëtorë të UDB-së është një fakt shumë i rëndësishëm që duhet trajtuar me shumë kujdes. Po kështu, dëshmia e Zogut se jugosllavët i kanë kërkuar bashkëpunim me të paktën tre udhëheqës nga më kryesorët e atyre viteve në gjirin e regjimit komunist është një surprizë e madhe. Emrat e Myslym Pezës, Haxhi Lleshit dhe Dali Ndreut në listën jugosllave është një dëshmi shumë intriguese për të gjithë ata që nuk i kanë ndjekur me kujdes prapaskenat e zhvillimeve të lëvizjes komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Emrat e Pezës dhe Lleshit janë shumë të njohur për dokumentet e Shërbimit Britanik SOE të cilët kishin bërë të mundur financimin e tyre gjatë luftës. Megjithatë, pyetja nëse lista jugosllave është një listë e vërtetë apo një provokim kundrejt Mbretit Zog është mjaft legjitime. Duke pasur parasysh që ky dokument ka qenë tepër sekret dhe i destinuar për Drejtuesin e OPC, autenticiteti i tij nuk mund të vihet në diskutim, por mundësia e një provokimi ndaj Zogut nuk ka përse të mos merret në konsideratë.
Vazhdimin e këtij memorandumi do ta lexojmë në numrin e ardhshëm duke nxjerrë edhe fakte të reja mbi bashkëpunimin e ish-Mbretit Zog me Jugosllavinë e Titos.
Dokumenti i zbardhur
MEMORANDUM

9 Tetor 1952
Subjekti: Biseda me Mbretin Zog të Shqipërisë në 8 Tetor 1952
4. Irfan Beu ju shpjegoi jugosllavëve se as ai dhe as Kolonel Derhalla nuk ishin njerëz të politikës dhe qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte fakti që nëse ishte e mundur për jugosllavët të dërgonin një person për të folur direkt me Mbretin Zog. Koloneli Branko u përgjigj se jugosllavët do të dërgonin një person të përshtatshëm për të biseduar me Zogun në të ardhmen. Kur Irfan Beu sugjeroi mundësinë e hapjes së bisedimeve me ambasadorin jugosllav në Kajro, Kolonel Branko u shpreh vendosmërisht se kjo nuk do të ndodhë. Nga këndvështrimi i Irfan Beut për mënyrën se si ky sugjerim nuk u pranua ka shumë mundësi që jugosllavët nuk kanë besim tek ambasadori i tyre në Kajro por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë arsye të tjera për të menduar se ambasadori nuk është personi i duhur për të folur me Zogun
5. Koloneli Cedo nxori një listë me 40 emra dhe pasi ia tregoi Irfan Beut e pyeti atë nëse mbreti ishte i gatshëm “t’i pranonte këta njerëz”? Kur Koloneli u pyet që ta sqaronte pyetjen e tij se çfarë nënkuptonte me fjalën “pranim”, atëherë ai tha se pyetja ishte, nëse Mbreti do t’i falte këta njerëz dhe do të pranonte që ata t’i puthnin dorën. Irfan Beut nuk ju dha një kopje e kësaj liste megjithatë pas leximit ai vuri re se kjo listë përmbante, jo vetëm persona kyç të Komitetit të Prizrenit i sponsorizuar nga jugosllavët si dhe një numër shqiptarësh serbofilë, por edhe një numër shqiptarësh që janë aktualisht në Shqipëri, përfshirë edhe 6 komunistë titistë që janë aktualisht në regjimin e Hoxhës. Në mesin e këtyre të fundit ishte edhe një person i cili sipas Irfan beut ishte Gjeneral. Po kështu kjo listë përmbante edhe emrat e shqiptarëve që janë aktualisht në emigracion si Muharrem Bajraktari, Sait Kryeziu, Abaz Kupi dhe Gjon Markagjoni. Nga radha e komunisteve në këtë listë ishin Mulin Pera, Haxhi Lleshi dhe Dalip Nehu. ( Shënimi ynë: Me shkrim dore në fund të këtij dokumenti një gje që na ben dhe të dyshojm për shkak se janë  të vetmit të shkruar me laps Myslym Peza, Haxhi Lleshi dhe Dalip Ndreu)
Një emër tjetër i cili i ra në sy Irfan Beut ishte edhe emri i Lutfi Spahiut, Sekretari i Komitetit të Prizrenit të cilin Koloneli Cedo e përshkroi si një njeri shumë besnik të Mbretit. Irfan Beu iu përgjigj personave në bashkëbisedim se Mbreti do të ishte i lumtur të falte dhe të punonte me të gjithë shqiptarët të cilët dëshironin të luftonin për çlirimin e vendit të tyre. Megjithatë, kjo çështje do të ishte më mirë që të bisedohej direkt me Mbretin.
6. Më tej, jugosllavët pyetën se çfarë do të bënte Mbreti Zog me Komitetin e Prizrenit nëse ai do të udhëhiqte luftën për çlirim? Irfan Beu u përgjigj se edhe kjo ishte një çështje që duhej biseduar direkt me Mbretin, megjithatë ai besonte se Mbreti ishte i gatshëm të bashkëpunonte me të gjithë grupet dhe organizatat që kërkonin të kontribuonin në këtë luftë. Pastaj jugosllavët pyetën se çfarë do të bënte Mbreti me Komitetin anglo-amerikan “Shqipëria e Lirë” i cili është me bazë në Romë? Irfan Beu u përgjigj se ai ishte i sigurt që qëndrimi i Mbretit do të ishte ashtu si edhe për Komitetin e Prizrenit.

 

Nga, Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu