Bashkohen “armiqtë”

0
313

I harruan të gjitha fjalët e këqija dhe në fund u bënë bashkë. Një kohë të gjatë ishin miq, më pas as s’dëshironin t’ia përmendin emrin njëritjetrit. Përfundimisht nga e mërkura, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), që drejtohet nga Haxhi Arifi, dhe Konfederatat e Sindikatave të Lira të Kosovës (KSLK) që drejtohen nga Bahri Shabani, u bashkuan dhe tash e tutje do të veprojnë së bashku nën ombrellën e BSPK-së.

Si Arifi, ashtu edhe Shabani, kanë harruar sharjet, akuzat dhe fyerjet që njëri tjetrit i kishin bërë, prej kohës kur Shabani në shenjë revolte që nuk u bë kryetar i BSPK-së braktisi këtë institucion.

Shabani e akuzonte Arifin si të paditur, ndërkaq ky i fundit e konsideronte Shabanin si “hajn”, për çka edhe iu pat drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë. Por, si duket të gjitha këto janë harruar. Një ditë pas largimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga BSPK-ja, Arifi arriti marrëveshje me “mikun” e vjetër.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi , tha se që nga tani, BSPK dhe KSLK, do të jenë në një shtëpi dhe në një logo dhe se do të jenë një forcë unike e sindikatës, e cila do t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe liritë sindikale.

“Ne do të jemi në një shtëpi, që do të quhet Bashkim i Sindikatave. Normal ky memorandum bashkëpunimi, do të vazhdojë punën. Për të gjitha sindikatat është dera e hapur. Do të vazhdojmë me të gjithë të bisedojmë, sepse ata të gjithë kanë qenë në këtë shtëpi dhe ne duam ta unifikojmë tërë forcën, e të gjitha federatave apo sindikatave të pavarura të Kosovës këtu”, ka thënë ai.

Arifi thotë se edhe më tej ai do të jetë në krye të BSPK-së, ndërkaq zëvendës i tij tash e tutje do të jetë Alush Sejdiu, i cili deri tash ka qenë nënkryetar në KSLK. Në anën tjetër Sejdiu, tha se qëllimi i tyre është përafrimi i qëndrimeve, në mënyrë që të kenë një bashkëpunim, pasi që interesi i të dy konfederatave është i njëjtë dhe se roli i sindikatës duhet të jetë në një nivel më të lartë dhe të ketë fuqi më të madhe të veprimit.

“Me këtë duam t’i japim një mesazh të gjithë kolegëve, sindikalistëve, që t’i tejkalojnë vështirësitë momentale dhe interesat personale, të bashkohemi të gjithë për arsye se fundi i fundit edhe roli i sindikalistit është i tillë të jenë solidarë, të ketë bashkëpunim, në mënyrë që zëri i tyre të jetë më i fuqishëm dhe të realizojë interesat e punëtorëve”, ka thënë ai.

I kënaqur me bashkimin të mërkurën është shprehur edhe zëvendëssekretari i Sindikatave Botërore, Jaan Wienen. Ai tha se po ndihet shumë i kënaqur që po sheh bashkimin e dy sindikalistëve pas negociatave të gjata që kanë pasur. Sipas tij, ky bashkim është bërë për shkak se të dy e kanë kuptuar se fuqizimi i sindikatave, është vetëm bashkimi.

 

Nga, Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu