Bashota: SHIK-u më shantazhoi për 10 hektarë

0
404

Për tokën 10-hektarëshe është derdhur gjak, janë dhënë miliona, është dhënë ryshfet e haraç, ndërsa për të qetësuar gjakrat ka ndërhyrë edhe politika.

Biznesmeni i famshëm, Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri”, figuron në dokumentet e ankuesit drejtuar prokurorisë, si person i lidhur me këtë çështje dhe i interesuar që nga kjo pronë të marrë 2 hektarë në fillim të rrugës.

Uzurpuesi aktual i kësaj prone, Hysen Shahini, e pranon se Curri është pjesë e këtij biznesi, për çka Shahini zyrtarisht merr qira mujore. Por me letra hapësirën me qira e ka marrë fillimisht një person tjetër, Murat Tërnava.

“Shumë kam investuar”, thotë Hysen Shahini, i cili shton se kontratën për qiramarrje e ka bërë Murat Tërnava, ndërsa ortak në biznes thotë se është me Ismet Osmanin “Curri” nga Mitrovica.

Ai nuk e ka ndërmend ta lirojë këtë pronë pa iu kthyer investimet që ka bërë aty, ndërkohë që pranon se edhe ai vetë nuk është duke paguar qira për pronën që e ka në shfrytëzim. Ai qartëson se tokën për shfrytëzim e ka marrë me qira sipas marrëveshjes që ka bërë Murat Tërnava.

Me marrëveshje thotë që i është lejuar investimi ndërkohë që zyrtarë nga ish-ndërmarrja bujqësore thonë se Shahini me kontratën që ka pasur, nuk i është lejuar të bëjë investime afatgjata.

Pa iu kthyer tërë investimet që i ka bërë, Shahini thotë se nuk lëshon pronën në fjalë, ndërsa për të ardhur deri te lëshimi eventual i saj, Shahini thotë se kjo mund të ndodhë vetëm me ndonjë vendim gjyqësor. Më shumë nuk pranon të flasë për rastin ngase thotë që marrëveshjen e ka bërë Tërnava andaj edhe e rekomandon gazetën që të bisedojë me të.

I kontaktuar nga gazeta, Murat Tërrnava sugjeron që të mos i përmendet emri në këtë rast, ndërsa ia hedh topin Hysen Shahinit.

“Folni me Hysenin e mua mos ma përmendi emrin këtu”, ka thënë shkurt Tërrnava. Gazeta ka bërë përpjekje që të kontaktojë edhe me Ismet Osmanin nga Mitrovica që njihet me nofkën “Curri”.

Ky i fundit, i cili është pronar bastoresh sportive e kazinosh dhe i disa bizneseve të tjera në vend dhe jashtë Kosovës, sipas Arben Bashotës, por edhe burimeve të tjera të gazetës në prokurori, qëndron prapa Hysen Shahinit.

Hysen Shahini, sipas burimeve të gazetës, ka hyrë në këtë pronë pa pikë dokumenti. Ai madje për vite të tëra ka ndërtuar edhe objekte në atë pronë. Në pronën që për drejtësinë është e kontestueshme e për Arben Bashotën është e tij, Hysen Shahini ka ndërtuar objektin, ku tashmë veprojnë biznese private siç janë kompania “Neptun”, dyqani i dyerve dhe dritareve “Pandora”, një depo, si dhe një auto-larje, prej të cilave nxjerr qira mujore.

Në faturat e tatimit në pronë të lëshuara nga Komuna e Prishtinës e të cilat i ka siguruar gazeta, del se këto lokale janë në emër të Hysen Shahinit e Murat Tërrnavës. Edhe qiranë, shfrytëzuesit e këtyre lokaleve ua paguajnë këtyre dyve.

“Kjo është një luftë e moçme. Fundja Hysen Shahini ka hyrë në atë pronë e askush nuk e di si ka hyrë. Arben Bashota bile ka dhënë para për atë tokë e për vite të tëra nuk ka mundur ta marrë e bile nuk besoj që do ta marrë ndonjëherë”, thotë njëri nga shfrytëzuesit e lokaleve që pranon se qiranë ia paguan Hysen Shahinit.

Ky person që për hir të ndjeshmërisë së rastit, nuk preferon të flas me emër, thotë se për vite të tëra këto grupe kanë pasur telashe mes vete e madje në një konflikt të armatosur ishin plagosur trembëdhjetë veta.

Se Hysen Shahini është uzurpator i pronës e ka vërtetuar këtë edhe Gjykata Komunale në Prishtinë me vendimin me numër P.br.236/97. Me këtë vendim të lëshuar nga gjyqtarja Olga Janjiqeviq, Hysen Shahini ishte shpallur fajtor dhe ishte obliguar që të lëshonte pronën. Por një gjë e tillë sot e asaj dite nuk ka ngjarë. Për këtë vendim, Hysen Shahini thotë se nuk ka informacione dhe shton se asnjë organ nuk e ka cilësuar atë si uzurpator.
Mst: 13 të plagosur

“Unë nuk kam qenë në Kosovë por vëllai im pati angazhuar ekskavator që të fillojë të punojë diçka dhe aty kanë dalë njerëzit e Hysen Shahinit. Pat ndodhur një konflikt i armatosur ku janë plagosur më shumë se dhjetë persona madje në mbrëmjen e asaj dite ku është tentuar që të fillohen punimet”, thotë Arben Bashota.

Në vendin e ngjarjes kur kishte ndodhur plagosja kishte qëlluar edhe avokati Sokol Dobruna. Me gjithë çka që ka ndodhur rreth këtij rasti, ai vazhdon të habitet. Ndonëse i ka kaluar vite të tëra duke u marrë me këtë rast, thotë se nuk do të heqë dorë në mbrojtjen e interesave të klientit të tij Arben Bashotës për të cilin thotë se ka sakrifikuar shumë, e ka hyrë në shumë borxhe për të realizuar marrjen e pasurisë për të cilën ka paguar miliona.

Avokati Dobruna fajëson prokurorinë që pa pikë të drejte e ka stopuar parcelizimin e pronës. Ai madje thotë se me klientin e tij, janë marrë shumë gjyqtarë e prokurorë. Avokati përmend paditë e ndryshme që janë bërë ndaj klientit të tij vetëm që të stopohet, siç thotë ai, regjistrimi i një prone që është komplet në rregull, por deri më tani ajo nuk ka ngjarë.

Për rastin e plagosjeve nuk dëshiron të komentojë as Hysen Shahini ndonëse e di atë që ka ngjarë. Shahini nuk komenton as kush kanë qenë personat që e kanë pajtuar atë e Currin në njërën anë me Arben Bashotën e grupin e tij, në anën tjetër.

“Pati ndodhë rasti e më pas Sylejman Selimi e Sami Lushtaku patën hyrë që të na pajtojnë. Marrëveshja ka qenë që këtë punë t’ia lëmë gjykatës dhe varësisht në favor të kujt do të vendoste gjykata, do t’ia zgjasnin dorën njëri-tjetrit. Por në 2012-n kur gjykata ka vendosur në favor timin dhe me atë dokument përfundimtar unë edhe e kam regjistruar pronën në kadastër, leje më që nuk ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit, por vetëm sa janë shtuar telashet”, thotë në anën tjetër Arben Bashota.

Bashota është i njohur për shumë prokurorë e gjyqtarë. Shumë nga ta janë takuar privatisht ose zyrtarisht me Arben Bashotën. “Është rast shumë i komplikuar që as shteti nuk i ka rënë në fije për vite të tëra. Ka shumë dyshime për parregullsi mirëpo dihet se janë të përfshirë shumë gjyqtarë e prokurorë në këtë rast. Fundja në këtë rast edhe dikush nga Gjykata Komunale që ka qenë e nga Prokuroria duhet të jetë fajtor”, thotë një prokuror me kusht anonimiteti.

Dokumentet e falsifikuara

Dyshimi i prokurorisë është në një dokument që kinse është lëshuar në vitin 1996 e me të cilin Marko Mitroviqit i njihet e drejta e pronës tashmë shumë të lakmuar. “Ai vendim është i falsifikuar”, thotë një zyrtar nga prokuroria.

Vendimit të cilit i referohet ky prokuror ka numrin P.br.395/96. Ky vendim sipas prokurorisë është në shkresat e lëndës së Arben Bashotës dhe ka të bëjë me atë se kinse toka e ndërmarrjes bujqësore do t’i bartet Marko Mitroviqit.

Por me të njëjtin numër në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjendet një vendim krejtësisht tjetër. Gazeta ka pasur qasje në vendimin që dyshohet të jetë i falsifikuar dhe me të njëjtin numër në gjykatë gazeta ka pasur qasje në një lëndë tjetër.

“E shihni, me këtë numër është një lëndë e kompletuar dhe është tërësisht në rregull ndërsa dokumentin që e prezantoni ju me këtë numër është fals. Asnjë gjyqtar i kësaj gjykate jo vetëm tani por as më herët nuk do ta shkruante një vendim të tillë çfarë është ky fals”, thotë një zyrtar i lartë brenda Gjykatës Themelore.

Arben Bashota ka dëgjuar për këtë vendim dhe për dyshimin që ka prokuroria në të, por ai e vlerëson si lojë të institucioneve për të mos ia regjistruar pronën.

Por vendimi i vitit 1996 sipas të cilit Marko Mitroviq edhe e ka regjistruar pronën në kadastër, e obligon ndërmarrjen “Bujqësia” që t’ia bëjë kthimin e tokës Marko Mitroviqit.

“E në atë kohë ajo parcelë nuk ka qenë në emër të ‘Bujqësisë’, por ka qenë në emër të kooperativës bujqësore që ka qenë si ombrellë për gjithsej shtatë ndërmarrje”, thotë një burim i gazetës i afërt me rastin.

“Eh sa njëri është interesuar rreth këtij rasti në këtë gjykatë… haj haj… fatmirësisht që këtij rasti që për gjykatën është origjinal nuk i mungon asnjë dokument”, thotë ky burim i bindur që vendimi i Marko Mitroviqit me këtë numër të dosjes, është i falsifikuar.

Duke iu referuar vendimit të 1996-s, Arben Bashota në shkresat e tij ka edhe një vendim tjetër me numrin e njëjtë 395/96. Vendimi tjetër nuk ka vulë por shkruhet se është lëshuar nga kryetari i dikurshëm i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka.

Vendimi ka të bëjë me ripërtëritjen e shkresave të lëndës së Marko Mitroviqit që janë lëshuar nga Gjykata Komunale të Prishtinës. Ky vendim i Nuhi Ukës sipas ligjit obligon që të mbahet rigjykim për këtë rast. Për prokurorinë ky urdhër i Nuhi Ukës është i falsifikuar derisa Arben Bashota thotë se nuk është mbajtur gjykim ngase sipas tij, lënda në gjykatë ishte zhdukur.

Zhduket lënda

Pavarësisht vendimit për ripërtëritjen e rastit, gjykim asnjëherë nuk është mbajtur. Arben Bashota thotë se ka kërkuar në gjykatë informata se pse nuk po mbahet ky gjykim, mirëpo përmes një letre ai thotë se ish-prokurori, Rexhep Maqedonci, e ka njoftuar se lënda në fjalë është inekzistente.

“Kjo është letra që e ka shkruar me dorë Rexhep Maqedonci ku tregon që lënda është zhdukur”, thotë Arben Bashota teksa paraqet një letër të shkruar me dorë nga, siç thotë ai, prokurori Maqedonci.

Por një gjë të tillë e mohon vetë Maqedonci, i cili pavarësisht se nuk e ka pasur zyrtarisht asnjëherë në dorë ndonjë nga rastet e Arben Bashotës, është i informuar për rastet që ai ka pasur.

“Le ta çojnë atë dokument në forenzikë e lë të bëjnë kallëzim penal ndaj meje e le ta vërtetojë forenzika se a e kam shkruar unë atë vendim. Unë me dorë kam shkruar pos kur kam qenë ushtar në vitin 1980 se letër me dorë kurrë s’kam shkruar sa kam qenë prokuror”, thotë ish-prokurori Maqedonci.

Pavarësisht se që nga procesi i riemërimit, Rexhep Maqedonci nuk mban më pozitën e prokurorit, atij i kujtohet mirë rasti i Arben Bashotës, ani pse thotë se nuk ka qenë kurrë i ngarkuar me këtë rast.

“Arben Bashota në këtë rast është një viktimë dhe është i dëmtuar. Arben Bashota ka shkuar me personin prej të cilit e ka blerë tokën në gjykatë, e ka vërtetuar kontratën pas një letre poseduese të lëshuar nga kadastra. I njëjti kadastër serbit ia ka lëshuar fletën poseduese dhe kopjen e planit e i njëjti kadastër nuk ia ka vërtetuar të njëjtën Arben Bashotës”, thotë ish-prokurori Maqedonci.

SHIK i përzier me rastin?

Arben Bashota thotë se ka hequr të “zitë e ullirit” për këto vjet gjithnjë i bindur se dokumentet i ka origjinale. Për të kryer punë sa më shpejt ai nuk heziton të tregojë se ka dhënë qindra mijëra euro te persona të ndryshëm në gjykata, prokurori e komunë. Ai numëron rreth 800 mijë euro që thotë se i ka dhënë ryshfet deri më tani. Tërë këto para ai thotë t’i ketë marrë borxh dhe se tashmë është në hall me borxhlinj të shumtë.

Tërë personat që Bashota thotë se u ka dhënë ryshfet, ai i ka renditur në një kallëzim penal që e ka dorëzuar në prokurori. Këta emra Arben Bashota i kishte renditur edhe në një kallëzim penal në vitin 2009. Prokurori i EULEX-it, Eduard Gueroff, kishte zhvilluar hetime ndërsa kishte mbyllur ato në mungesë të fakteve.

Paratë te tërë këta persona, Bashota thotë se i ka dhënë përmes dy njerëzve që kishin qenë si sekserë. “400 mijë euro ua kam dhënë Muharrem Salihut e Ismet Kryeziut. Kryeziu është zhdukur në Shqipëri para disa viteve ndërsa Muharrem Salihu ka ikur nga Kosova dhe me sa di jeton diku në Itali”, thotë Arben Bashota.

Këta dy emra janë edhe në hetimet që i ka zhvilluar misioni EULEX në lidhje me ryshfetin e supozuar nga Arben Bashota.

“Prokurori publik njofton gjyqtarin e procedurës paraprake, Francesco Florit, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë se hetimet kundër Ismet Kryeziut, Sabedin Haxhiut, dhe Naser Krasniqit për supozimin se kanë marrë ryshfet sipas nenit 343 të Kodit Penal të Kosovës, krim të organizuar, të po të njëjtit kod dhe kontraktim të përfitimit jo proporcional nga prona kundër Nasuf Ahmetit dhe Muharrem Saliut për supozim të marrjes së ryshfetit dhe kundër Arben Bashotës për supozim të dhënies së ryshfetit, me këtë rast ndërpriten. Arsyeja për këtë është se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit kanë kryer vepër penale”, thuhet me të tjerash në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale në një dokument me të cilin i është drejtuar gjykatës në qershor të vitit 2010.

Por edhe në shumë raste Arben Bashotës e miqve të tij, u ishin kërkuar të holla. “Në njërin nga restorantet në Prishtinë në vitin 2006 ka qenë një takim e aty kanë ardhur disa pjesëtarë të SHIK-ut e me sa di aty ka qenë Latif Gashi. SHIK-u asokohe me pati thënë që nëse doni që këtë pronë ta regjistroni në kadastër duhet që Arben Bashota t’ua japë dy hektarë apo para në vlerë të dy hektarëve”, thotë Iljasa Bilalli, mik i Arben Bashotës.

Këtij të fundit sipas Bilallit, shpeshherë nuk i janë afruar njerëzit, por kanë përzgjedhur persona të tij, për t’i lypur të holla.

Por Latif Gashi hedh poshtë të ketë qenë pjesë e këtij muhabeti. “Unë me plot përgjegjësi morale dhe penale, këtë muhabet po e dëgjoj prej teje dhe në lidhje me këtë muhabet as që është diskutuar asnjëherë. E tëra çka është thënë në këtë rast për mua dhe Shërbimin Informativ është e pavërtetë ngase SHIK-u nuk ka kontaktuar me askënd për asnjë pronë”, thotë deputeti nga radhët e PDK-së, njëri nga ish-drejtuesit e SHIK-ut, Latif Gashi.

Nesër në pjesën e tretë mund të lexoni: Si e ka bërë kadastra regjistrimin e pronës shoqërore mbi Arben Bashotën; çfarë thotë komuna e Prishtinës për këtë vendim; çfarë thonë ish-udhëheqësit e ndërmarrjes bujqësore, kush ua mori pronën; a është hetuar Arben Bashota, i cili ka arritur ta vërë këtë tokë në emër të tij…

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu