“Belle Air Europe” zyrtarizon falimentimin

0
233

(E plotësuar) Aviokompania “Belle Air Europe”, disa ditë pasi nisën të dalin fjalë për falimentimin e saj, ka zyrtarizuar në faqen e saj të internetit këtë fakt.

Në një njoftim për pasagjerët, kompania thotë se gjendet në një situatë të vështirë ekonomike, prandaj edhe është e detyruar “të pezullojë përkohësisht” fluturimet e saja.

“Të dashur pasagjerë, me keqardhje ju njoftojmë se Kompania ajrore Belle Air Europe, e gjendur përpara një situate të vështirë ekonomike, është e detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj. Ju informojmë gjithashtu se edhe kompania ajrore Darwin Airline ka njoftuar se ndërpret fluturimet nga Prishtina për në Zyrih dhe Gjenevë dhe anasjelltas”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj kompanie.

Kompania më tej jep edhe sqarimet për procedurat e rimbursimit të biletave dhe mbrojtjes së pasagjereve, ku i fton këta të fundit të kontaktojnë në adresat e mëposhtme:

E-mail : [email protected] (për agjensitë)
E-Mail : [email protected] (për privatët)
Tel : IT: +390289981882, KS +38138714714, +38138714715, DE: +4921195589737, CH : +41445083300

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin, FLYATT”, përfundon njoftimi zyrtar i “Belle Air Europe”.

Të njëjtën gjë, kompania në fjalë e ka bërë edhe në ueb-faqen e operimeve në Shqipëri.

Në vijim, ju sjellim të plotë njoftimin e publikuar në http://www.belleair.eu/

Të nderuar pasagjerë,

Mbas tetë vite operimesh të susksesshme nga Shqipëria drejt destinacioneve Europiane, kompania Belle Air është e detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet për shkak të situatës së përgjithshme ekonomike, rënies së fuqisë blerëse, reçesionit në tregjet kryesore ku operon, si edhe nga bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të saj.

E gjithë kjo situatë na vendos përpara pamundësisë për të vazhduar operimet. Kompania do të rinisë një proçes ristrukturimi gjatë kësaj periudhe për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar.

Në këtë proçes ristrukturimi, Kompania Belle Air fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë për ripërtëritjen e kësaj historie suksesi të biznesit shqiptar.

Me ndihmën e kompanisë Italiane Blue Panorama, ofrojmë mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife mbrojtje të gjithë pasagjerëve me bileta Belle Air, duke filluar nga 25.11.2013 nën markën Low Cost Blu Express të kompanisë Blue Panorama Airlines nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur.

Për të vazhduar procedurat Ju lutemi telefononi në +355 4 2 390 111. Të gjithë pasagjerët qe kanë prerë bileta nëpermjet kartës së kreditit dhe që kerkojnë rimbursimin e biletave, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë leshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kerkesën së bashku me referencat e biletës.

Per të vazhduar proçedura të tjera rimbursimesh Ju lutem kontaktoni në +355 4 2 390 390.

Të gjithë klientët Belle Air dhe kushdo që dëshiron të blejë një biletë nga Tirana drejt Bergamos (Orio Al Serio), Bolonjës, Milano Malpensa, Romë Fiumicino, Pizës, Venecias dhe Veronës dhe anasjelltas, mund të telefonojnë në qendrën e kontaktit Blue Express të Blue Panoroma Airlines +39 06 98 95 6666 ose të vizitojnë faqet web: www.blu-express.com, www.blue-panorama.com

Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimet e krijuara nga ky pezullim i përkohshëm dhe gjithashtu JU falenderojmë për besimin tuaj në gjithë këto vite.

Kjo është një ditë e trishtuar për JU pasagjerë dhe për të gjithë stafin Belle Air! /Zëri/

***

52 mijë viktimat e “Belle Air”

“Asnjë bllokim nga qeveria, kompania kreu investime të këqija”

Falimenti ende jo zyrtar i kompanisë “Belle Air” do të prekë rreth 50 mijë shqiptarë. Në njoftimin zyrtar të kompanisë bëhet e ditur se mbi 52 mijë prenotime janë kryer për deri në mars të vitit të ardhshëm duke u përllogaritur në miliona euro dëm për xhepat e qytetarëve. Ndonëse qeveria ndërhyri dje për të zgjidhur çështjen e pasagjerëve të mbetur si në Aeroportin e Tiranës ashtu dhe në ato të disa qyteteve të Italisë, nuk dihet ende çdo të ndodhë me dhjetëra mijëra konsumatorët e tjerë që kanë shpenzuar para për një fluturim të pamundur.

Ndërhyrja

Dy ministrat, ai i Transportit dhe ai i Ekonomisë “u vunë dje në lëvizje” për t’i dhënë zgjidhje situatës, pasi qindra pasagjerë mbetën të bllokuar në terminalët e aeroporteve. Pas ofrimit të një kompanie italiane, “Blue Panorama” shumë pasagjerë arritën destinacionet e tyre, por duke paguar 60-70 euro shtesë. Kjo është një tarifë pothuaj e njëjtë me aq sa kjo kompani, e profilit “low cost” ofron për çdo fluturim të sajin. Kështu që praktikisht të dëmtuarit e kanë blerë për herë të dytë biletën e fluturimit ndonëse u është ofruar si një zgjidhje ekonomike.

Ndërkohë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, u shpreh se: Qeveria është duke menduar se cila do të ishte alternativa. Sigurisht një prej tyre mund të jetë zgjerimi i veprimtarisë së kompanive të tjera ajrore që janë tashmë në Shqipëri për të mbuluar këtë boshllëk që krijon “Belle Air”, por sigurisht që kompania ka detyrim të drejtpërdrejtë ligjor, ndaj të gjithë atyre që kanë rezervuar për t’u kthyer paratë mbrapsht”. Ndërkohë, kompania përmes një deklarate për shtyp bëri të ditur një ditë më parë se do t’i kompensojë qytetarët përmes dy rrugëve, duke i transportuar nëpërmjet kompanisë “Blue Panorama” dhe përmes rimbursimit me para në dorë.

Keqmenaxhim

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në një deklaratë për media, dje bëri me dije se nuk është bërë asnjë bllokim i llogarive të kompanisë “Belle Air” dhe se nuk ka qenë ky shkaku i falimentit. Ai i hodhi poshtë këto pretendime, që e justifikoi pezullimin e fluturimeve me bllokimin e llogarive nga shteti. “Situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania ‘Belle Air’. Nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit. Por pavarësisht nga këto vendime të ‘Belle Air’, misioni përgjegjës për aviacionin civil, që është Autoriteti i Aviacionit Civil, Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës janë duke bërë të gjitha përpjekjet ligjore me qëllim që të lehtësojmë sa mundemi këtë kompani të realizojë detyrimin e saj, që pasagjerët të udhëtojnë në destinacionet për ku kanë prerë biletën”, tha Haxhinasto. Ndërkohë, ministri Ahmetaj theksoi se kolapsi i kompanisë erdhi si pasojë e veprimeve të saj. “Qeveria ka qenë shumë fleksibël me situatën e vështirë ekonomike që ka pasur vetë kompania, madje disa herë jemi mbledhur me ministrin e Financave, me ministrin e Transportit, nën porosinë e Kryeministrit, për të ofruar fleksibilitet maksimal ndaj kompanisë, e cila ka një periudhë shumë të gjatë pa likuiditete. Nga informacionet e para, edhe sipërfaqësore, dukej që kishte një keqmenaxhim fondesh, sepse një kompani e cila ka pasur 115 milionë euro qarkullim, mbetet papritur pa para dhe kjo ka qenë edhe pyetje e drejtpërdrejtë që qeveria i ka bërë menaxhimit të kompanisë. Gjëja e parë që të vjen ndërmend, nëpërmjet edhe informacioneve që marrim drejtpërsëdrejti duke iu referuar bilanceve të tyre, rezulton që kompania ka bërë investime të këqija jashtë vendit. Ka vend për një hetim për të parë se ku janë devijuar fondet”, deklaroi Ahmetaj.

A ka falimentuar në të vërtetë “Belle Air”?!

A ka falimentuar në të vërtetë kompania “Belle Air”?! Kjo është pyetja që shtron ish-drejtori i Aviacionit Civil, Halil Hyseni, pasi, sipas tij, në deklaratën për shtyp të kësaj kompanie, kjo gjë nuk lexohet qartë. Sipas z. Hyseni, direktivat e BE-së për të tilla çështje janë të qarta. “Ekziston një sistem i plotë rregullator për t’u ndjekur në raste të tilla. Nëse kompania ka falimentuar, çështja kalon nëpërmjet gjykatave, një rrugë shumë e gjatë për qytetarët, të cilët presin të rimbursohen. Në të kundërt, ekziston ndërhyrja me urdhër të ministrit të Transporteve për të zgjidhur ngërçin dhe sikurse rezulton”, tha z. Hyseni.

A e blenë dy herë të njëjtën biletë?!

Pasagjerët, të cilët kishin prerë një biletë fluturimi te “Belle Air” dje janë detyruar të udhëtojnë me një tjetër kompani, “Blue Panorama Airlines” në këmbim të një pagese ekstra, rreth 70 euro. Kjo kompani u ofrua si zgjidhje nga “Belle Air” menjëherë pasi shpalli pamundësinë për të kryer vetë fluturime. Drejtori i Përgjithshëm i “Blue Panorama”, Giancarlo Zeni, ka deklaruar dje në një intervistë televizive se kanë qenë së paku 160 pasagjerë që kanë mbërritur në Tiranë. Sipas operimeve që bën në treg kjo kompani, me tarifa low cost i bie që shqiptarët ta kenë prerë 2 herë të njëjtin biletë si te “Belle Air” ashtu dhe te “Blue Panorama”. /shqip/

***

Fundi i Belle Air!

Aviokompania problematike, “Belle Air”, në Tiranë e ka shpallur falimentimin, për shkak të bllokimit të llogarive bankare për më shumë se tre javë.

Përmes një njoftimi të bërë kjo aviokompani vë në pah se është detyruar që të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj pasi që i detyronte situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, recesioni në tregjet kryesore ku operojnë, si edhe bllokimi prej 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë.

Kjo situatë e krijuar e zakonshme për këtë kompani vetëm gjatë ditës së diel kishte lënë të bllokuar në aeroportin e Veronës, Itali, mbi 200 udhëtarë.

Por, bllokimin e gjoja llogarive bankare e ka përgënjeshtruar të hënën ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.

Në një deklaratë për media ai ka bëri me dije se nuk ka bllokim të llogarive të kompanisë “Belle Air”, dhe se situata e krijuar, sipas tij, ka ardhur nga keqmenaxhimi i saj.

“Do të hapim tregun e aviacionit civil për një shërbim më cilësor”, u shpreh Haxhinasto.

Sipas ministrit, kompania “Belle Air” nuk ka plotësuar detyrimet, edhe pse kishte 50 për qind të tregut. Kjo situatë e krijuar ka shtyrë një grup prej 500-600 personash të protestojnë në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza” për shkak se deri të dielën në mbrëmje pas orës 20:00 ata kishin blerë biletat e kompanisë “Belle Air”, por nuk kishin mundur të udhëtojnë.

Operon vetëm me një aeroplan

Por, për dallim nga Tirana, kompania “Belle Air” operimin e saj po e vazhdon pa telashe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”. Fluturimet e parapara kompania po i realizon, madje edhe po pranon blerje të biletave për datat vijuese. Edhe pse kjo kompani është duke operuar në aeroportin e Prishtinës me vetëm një aeroplan.

“’Belle Air Europe’ është duke operuar me aeroplanin A 319 përderisa gjatë muajit dhjetor kanë planifikuar të operojnë edhe fluturimet me aeroplan A 320”, ka thënë zyrtarja për informim e ANP-së, Valentina Gara.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës për t’i ikur përgjigjes në pyetjet e dërguara nga gazeta “Zëri”, gjatë ditës ka lëshuar një komunikatë zyrtare për të gjitha mediat.

“Ju informojmë se Ministria e Infrastrukturës nuk ka informatë zyrtare lidhur me falimentimin e aviokompanisë ‘Belle Air’ nga Shqipëria. Mirëpo, pavarësisht nga kjo, ju informojmë se për dallim nga aviokompania ‘Belle Air EU’ nga Italia, aviokompania ‘Belle Air’ nga Shqipëria nuk operon për Kosovë dhe nga Kosova”, thuhej në komunikatën e MI-së.

Borxhli milionësh ndaj Aeroportit

Kompania “Belle Air” në vazhdimësi ka krijuar probleme edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e sidomos gjatë muajve të verës ku mijëra udhëtarë është dashur të presin me orë dhe ditë të tëra, pasi që kanë rënë viktimë e kësaj kompanie. Mirëpo, viktimë ka rënë edhe vetë Aeroporti, pasi që borxhi i kompanisë ndaj këtyre të fundit tejkalon shumën prej 500 mijë euro.

Për këtë çështje gazeta i ka dërguar pyetje edhe zyrës për media të Aeroportit, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Gazeta po ashtu pyetje i ka dërguar edhe njësisë së Partneritetit Publiko-Privat të Qeverise së Kosovës, të cilët kanë përgjegjësi t’i raportojnë për gjendjen financiare. Por përgjigjet e dërguara nuk korrespondonin me pyetjet që gazeta i kishte shtruar.

Sipas tyre, secila kompani kliente duke përfshirë edhe “Belle Air Europe” paguan në baza të keshit.

Por, në muajin gusht në të dhënat që drejtori i Financave në ANP, Alpay Dogutepe, i kishte dhënë Partneriteti Publiko Privat dhe këta të fundit ia kanë dhënë gazetës “Zëri” shihet se aviokompania “Belle Air Europe” i ka borxh aeroportit mbi 500 mijë euro.

“Deri më sot, ne kemi vetëm 1 llogari të arkëtuar, e cila ekziston për më shumë se një muaj. Kompania ‘Belle Air Europe’ shënon borxhe të vonuara në shumën prej 521.560 euro, shumë e cila është deri në 30 ditë vonesë”, thuhet në e-mailin e Dogutepe-s, të cilin ua ka dërguar Partneriteti Publiko Privat.

Në këtë e-mail Dogutepe arsyetohet se i kanë toleruar borxh vetëm aviokompanisë “Belle Air Europe” pasi që kjo e fundit po ka numër të madh të fluturimeve, dhe po i sjell fatura javore “Limak”-ut prej 150.000 euro.

Sipas tij, shuma prej 521 mijë euro ishte vetëm shuma e borxhit të vjetër që ka “Belle Air Europe”, para se të merrte me koncesion aeroportin “Limak and De Lyon”.

Nga koha kur është koncesionuar Aeroporti “Belle Air Europe” ka një shumë të papaguar prej 754.440,74 euro, kurse borxhin aktual e ka 415.232.63 euro, e që në total borxhi i “Belle Air Europe”, borxh ndaj Aeroportit, është 1.169.673.37 euro. Por, në këtë shumë nuk hyn edhe borxhi prej 521 mijë euro që është krijuar para koncesionimit të Aeroportit.

Porositë e paligjshme të “Belle Air”-it

Ndaj “Belle Air” ishin ngritur padi qysh në fillim të këtij viti në Gjermani dhe Zvicër. Kompania kishte dërguar SMS në telefonat celularë te bashkatdhetarët në këto dy vende, pa vullnetin e këtyre të fundit.

SMS-të nga “Belle Air” u ofronin atyre bileta me çmime më të lira se kompanitë tjera. SMS-të madje i kanë mbërritur edhe pronarëve të agjencive turistike që janë konkurrente të “Belle Air”. “Edhe unë marrë SMS nga ‘BelleAir’”, thotë Xhavit Ramshaj, pronar i agjencisë turistike “DT-Travel” nga Hanoveri.

Më 4 janar të këtij viti gjykata më e lartë e Republikës së Badenwytenbergut në Stuttgart kishte marrë vendim për t’i ndaluar kësaj kompanie që të dërgojë SMS të tillë. Këtë veprim të kësaj kompanie gjykata e ka konsideruar si të paligjshëm.

“Me këtë veprim ‘BelleAir’ ka shkelur të drejtat personale të poseduesve të numrave”, thuhet në vendimin e gjykatës së Badenwytembergut.

Për konkurrencë jolojale përmes SMS-ve, “Belle Air” është sanksionuar edhe në Zvicër. Më 6 qershor gjykata ekonomike në kantonin Aargau ia ka ndaluar kompanisë “Belle Air” reklamimin e fluturimeve përmes SMS-ve.

Vendimi gjyqësor është marrë pas një padie të ushtruar më 1 shkurt 2013. Një shoqëri aksionare që merret me shitjen dhe ndërmjetësimin e udhëtimeve individuale dhe grupore kishte kërkuar nga kjo gjykatë që “Belle Air”-it t’i ndalohej reklamimi i çmimeve të fluturimeve me SMS qytetarëve të Zvicrës, pa pranuar paraprakisht këta të fundit. Në vendimin gjyqësor, të cilin e posedon gazeta, thuhet se kjo kompani ankohej për konkurrencë jolojale dhe se për shkak të SMS-ve ishte “detyruar të ulë çmimet që nga 14 dhjetori i 2012-ës”.

“Belle Air” nuk ka pranuar të ketë dërguar porosi për të reklamuar fluturimet e saj. Derisa zhvillohej procedura gjyqësore kundër saj, më 10 prill 2013, “Belle Air” i kishte deklaruar gjykatës se nuk ka dërguar asnjë SMS.

Zyrtarë nga kjo kompani kanë bërë të ditur se marketingun dhe organizimin e shitjes së biletave ia kishte besuar një kompanie tjetër dhe se SMS-at ishin të falsifikuar.

Gjykata ka vendosur që “Belle Air” të mos reklamojë fluturimet përmes porosive në numrat telefonikë që fillojnë me +41 (kodi telefonik i Zvicrës) pa miratimin e poseduesve të numrave.

Operatorët që shërbejnë për “Belle Air”

“Belle Air” është themeluar më 8 qershor 2005 në Tiranë, si linja e parë ajrore me çmime të ulëta, ku fluturimet i ka nisur rreth një viti më pas, duke e lidhur Tiranën me shtatë aeroportet kryesore të Italisë, ku më pas ka zgjeruar fluturimet edhe në 25 destinacione evropiane.

Në ueb-faqen e kompanisë thuhet se qëllimi kryesor i “BelleAir” ka qenë dhe mbetet operimi me çmime të ulëta në Evropë sipas standardeve më të larta të sigurisë. Më tej në faqe shkruan se kjo kompani ofron fluturime nga aeroporti i Tiranës në shumë aeroporte të Italisë, Greqisë, Anglisë, Belgjikës, Zvicrës, Gjermanisë, Francës dhe Kosovës.

Pyetjeve të shumta të gazetës, pronari i “Belle Air”-it i është përgjigjur duke dërguar një letër me profil të kësaj kompanie.

Sipas Ilir Xhelos, grupi “Belle Air” përbëhet nga “Belle Air Europe”, “Always Travel&Tours” dhe një agjenci nga Shqipëria.
Në faqen e “BelleAir Europe” thuhet se kjo kompani është krijuar më 2009 nga një projekt që përfshin edhe “Belle Air”-in.

“Always Travel Tours”, kompania tjetër që është pjesë e grupit “Belle Air”, figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara që për aktivitete ndër të tjera ka veprimtarinë e agjencive të udhëtimit, taksi-shërbime, hotele dhe motele, furnizim me ushqim të përgatitur, transport ajror jo të rregullt, publicitet (reklama dhe propagandë), sigurimin e jetesës, sigurinë publike dhe ruajtjen e rendit publik dhe qetësisë.

Kjo kompani është krijuar më 2012 ndërsa pronar i saj është vetë Ilir Xhelo, sipas ARBK-së. Si person fizik figuron edhe Artan Abazi. Për të kryer shërbimet e shitjes së biletave, “Belle Air” ka angazhuar edhe agjenci të tjera turistike.

Njëra nga to është edhe “Selectfly” e cila sipas të dhënave të ARBK-së është regjistruar që nga shtatori i 2010 si agjenci turistike. Kjo agjenci turistike është e regjistruar si biznes individual dhe thotë se për aktivitet ka veprimtaritë e agjencive të udhëtimit, veprimtaritë e agjencive të tjera të transportit, si dhe veprimtaritë tjera përcjellëse në transportin ajror.

Por në realitet “SelectFly” që ndodhet në Klinë, në një zyrë në katin e gjashtë të një ndërtese në qendër të qytetit është qendër e thirrjeve që bën rezervimin e biletave për “Bell Air”.

Falimentimet e Rudajt

Aviokompania “Pron Air” ka operuar në vitin 2009 në destinacionet Stutgart – Prishtinë, Dyzeldorf – Prishtinë dhe Hannover – Prishtinë, vit ky edhe kur shpalli falimentimin, pasi la në aeroportin e Prishtinës 1600 udhëtarë.

Nga ky rast, i cili ndodhi në vitin 2009, më i dëmtuari kishte mbetur Xhavit Ramshaj, pronar i agjencisë turistike “DT-Travel”, e cila gjendet në Hanover.

Ramshaj shumicën e biletave i kishte shitur për agjencinë “Air Dardania” që atë kohë pronar i saj ishte Florim Rudaj. Ramshaj nga kjo marrëveshje që kishte pasur me Florim Rudajn, kishte ngelur në humbje rreth 250 mijë euro.

Për kompaninë “Pron Air” ka qenë organizator “Münich Airlines” me pronar – Florim Rudaj dhe nënshtetasin gjerman, Thomas Grothe. Pasi kjo kompani shpalli falimentimin edhe pse në cilësinë e të akuzuarit, Florim Rudaj ka vazhduar një skenar me kompanitë tjera dhe tani është futur si drejtor i shitjes te “Belle Air”

 

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu