Ben Blushi: Zoti i krijoi prindërit e tij e pastaj i vrau

0
257
Ben Blushi

“Një e vërtetë të hidhur për vetë prindërit, që ju qëllon të lindin një Zot, që më pas t’i ndëshkojë”.

“Zoti në fund të fundit është një kod të drejtash dhe detyrash, pa të cilat njerëzimi do të kishte vuajtur më shumë nga çka vuajtur”. Kështu do të shprehej shkrimtari Ben Blushi gjatë promovimit të romanit të tij të ri, “Shqipëria”. Kur flet për Zotin në librin e tij, ai nuk ka parasysh Atë hyjnorin, por pavarësisht metaforës, të cilën në fakt e përdor më së shumti për të zbërthyer natyrën e shqiptarëve, “loja” me emrin e Zotit nuk ka për të kaluar aq thjesht. Ngjarjet e romanit ndërpriten herë pas here nga disa ndërkallje, të cilat duken si të shkëputura, por gjithsesi në funksion të së tërës. Aty ai hedh ca reflektime mbi Zotin, mbi natyrën e tij dhe mes lexuesve do të ketë nga ata që do të thartojnë fytyrën për guximin e autorit. Zoti i Ben Blushit është i hidhur, u ngjan më shumë perëndive greke, hakmarrëse, me huqe… Nëse një fëmijë do të pyeste si është krijuar Zoti, nga “Shqipëria” ai do të merrte përgjigjen që Zoti i ka krijuar vetë prindërit e tij, ia ka mësuar se si ta ngjizin e ta lindin e më pas i ka zhdukur ata… Në të vërtetë, kështu ndodh me rregullat, me ligjet, që shumë herë u hanë kokat shkruesve të tyre…                                                al.mi

Romani i ben blushit

Zoti dhe prindërit e tij
Nëse ka shumë pikëpyetje për Zotin, më e madhja e të gjithave është se si lindi dhe cilët ishin prindërit e tij. Që Zoti ka lindur nga asgjëja, ose më mirë ai ka lindur nga vetë Zoti, kjo është një përgjigje që i jepet çdo fëmije, i cili ka të drejtë të pyesë: Si lindi Zoti? Zoti nuk ka prindër ose të paktën kështu është thënë në të gjitha kohërat. Edhe nëse dikush e ka ditur se cilët janë prindërit e tij, Zoti ka mundur ta zhdukë atë njeri në mënyrë që e vërteta të mos kapërcejë shekujt dhe të mbetet në një varr bashkë me atë që e dinte. Po nga ana tjetër dihet që Zoti është krijuesi i gjithçkaje, që do të thotë se ai është edhe krijuesi i arsyeve se pse lindi dhe prandaj edhe krijues i prindërve të tij. Nëse një fëmijë do të kishte durim dhe do t’i ndiqte këto pyetje njërën pas tjetrës duke pranuar se Zoti ka krijuar prindërit e vet, atëherë kjo do të ishte një ngasje e madhe për të ndier keqardhje për veten dhe për të zilepsur fatin që kanë disa njerëz të tjerë, të cilët i zgjedhin vetë prindërit e tyre. Jo çdo njeri e ka këtë fat, por nëse fëmijëve do t’u njihej e drejta të vendosnin, me siguri që askush nuk do kundërshtonte t’i zgjidhte vetë prindërit. Sepse shumë pak janë ata fëmijë që kanë arsye të jenë të kënaqur me prindërit që u kanë rënë. Natyrisht të gjithë fëmijët do donin t’i kishin prindërit të pasur. Në përcaktimin e kësaj cilësie ata do ishin të gjithë të një mendjeje, për t’u ndarë më pas në cilësitë e tjera që lidhen me trupin, me ngjyrat e flokëve, të syve, me gjatësinë, profesionin dhe moshën. Fëmijët do të donin t’i kishin prindërit e bukur, por ndoshta dikush do zgjidhte që babai të ishte i gjatë dhe me shpatulla të gjera, dikush do donte që mamaja t’i kishte sytë jeshil dhe gjoksin pak të ngritur, dikush do kërkonte që faqet e nënës të ishin të kuqe dhe buzët të mbushura me lëng, dikush do preferonte që babait të ishte i moshuar dhe nëna shumë e re, në mënyrë që ai t’i trashëgonte shumë më shpejt pasuritë e babait, dikush tjetër do donte që babai i tij të ishte mbret, magjistar ose profet apo nëna poete, shenjtore, ose kuzhiniere, dikush tjetër do donte që babai i tij të mos kishte lindur për shembull, në Shqipëri, por në një vend tjetër, ku ka më shumë paqe, më shumë diell, më shumë plazhe dhe hije për t’u çlodhur. Por nga të gjithë fëmijët deri tabu vetëm Zoti e ka pasur këtë fat. E megjithatë, pyetjes se si i ka zgjedhur ai prindërit, askush nuk i është afruar sa duhet. E vetmja përgjigje që të bind, është ajo sipas së cilës Zoti i ka zgjedhur prindërit duke u mësuar më parë se si duhet të bashkohen, çfarë duhet të bëjnë që ai të lindë në qiell dhe jo në tokë, nëse duhet të jetë e diel në mëngjes apo e martë në mbrëmje kur ai të lindë, sa afër duhet të jetë dielli që nga ngrohtësia e tij lëngjet e nënës të thahen më shpejt, çfarë saktësie duhet të kenë lëvizjet e babait ndërsa ai e ndihmon nënën të lindë, në mënyrë që koka e Zotit të mos përplaset pas ndonjë mali, sa herë duhet të ndërrohen stinët para se ai të lindë dhe detaje të tjera të shumta, të cilat i shkojnë për shtat natyrës maniake të Zotit dhe nevojës që lindja e tij të jetë një proces pa gabime. Dhe me siguri kështu duhet të ketë ndodhur, sepse ndryshe, nëse do të tolerohej ndonjë gabim gjatë gjithë asaj ngjizjeje, shtatzënie dhe lindjeje, atëherë Zoti mund të mos ishte ai që njohim, por një qenie me të meta, me cene, me një këmbë më të gjatë se tjetrën, me një stomak të mbushur me vrima ulcere, me një zemër të dobët që rreh pa pushim dhe tronditet edhe kur ngordh një laraskë, me faqe të zverdhura dhe gishta të shtrembër, apo me sy të zgurdulluar dhe miopë, të cilët duhet t’i veshësh me gjyzlykë për të dalluar një luan nga një mace. Këto cene që shoqërojnë lindjen e çdo fëmije, Zoti duhet t’i ketë shmangur gjatë lindjes së vet. Deri këtu gjërat mund të merren me mend. Po më pas? Çfarë ka bërë ai me prindërit? Ku i ka fshehur? Çfarë u ka thënë nëse, të joshur nga bukuria që mund t’u ketë dhënë seksi, ata kanë kërkuar të bëjnë dhe një fëmijë tjetër, një motër apo një vëlla, për të mos e lënë Zotin vetëm në pafundësinë e kohërave. Ndoshta këto kanë ndodhur dhe Zoti ka lejuar që prindërit të bashkohen sërish nën mbikëqyrjen e tij të rreptë dhe mundësisht çdo natë, siç bëjnë zakonisht prindërit e çdo fëmije kur ata i zë gjumi dhe për pasojë, prindërit e tij kanë sjellë në jetë edhe fëmijë të tjerë, me të cilët Zoti ka populluar ato pjesë të botës që nuk i janë dukur të denja për epërsinë e tij. Po më pas? Pra, ku janë prindërit, cilët ishin ata dhe cilët janë vëllezërit dhe motrat e Zotit dhe ku janë ata tani? Përgjigjja që do të vijë është ngushëlluese për çdo fëmijë dhe mund ta qetësojë atë përkohësisht duke e vënë në gjumë, por vetë Zotin ajo do ta linte përjetësisht pa gjumë, nëse ai fle. E po të kërkonim një përgjigje për prindërit e Zotit, ajo mund të ishte e parashikueshme sepse, nëse nuk do ishte e parashikueshme, atëherë do të vinte në dyshim vetë profilin e Zotit si një qenie që pretendon se ka vetëm një qëllim: të ndihmojë njerëzit të përsosen, duke njohur dhe ndryshuar sjelljet e tyre. Pra, mund të thuhet se prindërit e Zotit ishin njerëz të panjohur dhe të krijuar nga vetë Zoti, për t’i dhënë atij mundësi të kuptojë se si veprojnë dy njerëz kur duan të lindin një fëmijë, sepse edhe Zoti ka nevojë të vëzhgojë nga afër se çfarë bëjnë njerëzit, në mënyrë që të njohë më mirë karakterin dhe natyrën e tyre, veset, kufizimet dhe dëshirat, të cilat ai duhet t’i korrigjojë dhe t’i përmirësojë duke i ndëshkuar. Pasi ka këqyrur me hollësi se si bëjnë seks prindërit e tij, me siguri që Zoti është nxirë në fytyrë, sepse kjo gjë i është dukur shumë e ngatërruar, shumë e lodhshme, shumë e shkurtër, shumë e lëngshme, shumë e fëlliqur, shumë e shpeshtë dhe ngjitëse, shumë e paplotë dhe shumë e papërsosur, duke përbërë kështu të vetmin proces njerëzor të cilin mund ta kryesh pa ndihmën e vetë Zotit. Sepse Zoti nuk duhet të ndier mirë kur ka parë që prindërit e tij nuk e kishin fare mendjen tek ai kur flinin me njëri-tjetrin, gjë që nuk ndodhte kur ata hanin bukë, kur dilnin në pazar, kur kishin nevojë për pak diell apo kur shëtisnin nëpër lulishtet e mbushura me gjelbërim. Dhe, për ta shmangur përsëritjen e panevojshme të këtij ushtrimi, ai ndëshkoi si fillim prindërit e tij dhe pastaj gjithë njerëzit. Nëse dikush ka një përgjigje tjetër për fatin e prindërve të Zotit, duhet t’i japë përgjigje pyetjes se përse Zoti, përmes gjithë profetëve të tij, përfshi Muhamedin dhe Krishtin e kufizuan aq shumë seksin e lirë të njerëzve, duke u njohur atyre të drejtën ta bëjnë këtë gjë vetëm për të lindur fëmijë, siç edhe ndodhi me prindërit e tij. Më pas, për të frikësuar gjithë njerëzit, të cilët deri në atë kohë e konsideronin seksin si një gjë të lejuar nga Zoti, ai i ndëshkoi prindërit duke i zhdukur dhe kjo, pavarësisht se tingëllon e pazakonshme dhe mizore, duhet të pranohet si një gjë e zakonshme dhe e logjikshme në rastin e një qenieje, që më pas vrau edhe birin e tij, Jezu Krishtin. Sepse ai që vret fëmijën e vet, nuk ka pse të mos jetë sjellë në të njëjtën mënyrë edhe me prindërit. Kështu pra, duke i shkuar deri në fund logjikës se Zoti ka pasur prindër, mund të thuhet pa ngurrim se ata janë zhdukur dhe kushdo që e di këtë fakt, është zhdukur bashkë me ta, për t’i mësuar botës se fëmijët kanë të drejtë të bëjnë çdo pyetje, por nuk kanë të drejtë të marrin çdo përgjigje, për sa kohë që janë fëmijë. Ata mund të flenë të qetë me bindjen se Zoti ka pasur prindër dhe vetëm kaq. Pjesa që vjen pas, përbën një të vërtetë të hidhur edhe për vetë prindërit e tyre, të cilët do të zhgënjehen nëse u qëllon të lindin një Zot, që më pas t’i ndëshkojë.

BEN BLUSHI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu