Berisha lë kosovarët pa shtetësi shqiptare

0
249

Kryeministri: “Kemi të bëjmë me një shtet, konsolidimi i pavarësisë së të cilit është interesi jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të pyetësorit për marrjen e vizave”

Qeveria miratoi vendimin e përfitimit të shtetësisë shqiptare me natyralizim të të huajve në rastet ku Republika e Shqipërisë ka interes shkencor, ekonomik dhe kulturor. Festimet e 28 nëntorit, duket se e kanë trembur kreun e mazhorancës në nismën e tij për shpërndarje të shtetësisë shqiptare për të gjithë kombasit shqiptarë në trevat jashtë Shqipërisë. Në ndryshim nga ajo ç`ka ishte trumbetuar me të madhe nga Kryeministri Berisha, nuk do të përfitojnë shtetësinë shqiptare të gjithë personat me kombësi shqiptare që jetojnë jashtë shtetit amë, por një kategori e caktuar të cilët deri më sot e përfitonin atë nëpërmjet dekreteve presidenciale. Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri shpjegoi se në përputhje me ligjin e shtetësisë shqiptare, të huajt që kanë mbushur moshën 18 vjeç mund ti jepet shtetësia shqiptare me natyralizim në se Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar. Kryeministri u shpreh se duke ndjekur si model edhe vende të tjera të cilat e kanë aplikuar, kjo shtetësi për kriterin ekonomik do të jepet për ata që kanë investuar dhe investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë me organin tatimor. “Nuk mund të ketë  asnjë interferencë dhe nuk ka në mënyrën më absolute as edhe përpjekjen më të vogël elektorale. Ky është kusht shumë i domosdoshëm, sepse atëherë zbret nga interes kombëtar në interes partiak dhe unë nuk jam për këtë”, tha Berisha. Përsa i përket qytetarëve në Republikën e Kosovës, kryeministri sqaroi se: “Kemi të bëjmë me një shtet, konsolidimi i pavarësisë së të cilit është interesi jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të pyetësorit për marrjen e vizave. Kështu që unë mendoj se kjo kërkon një ulje së bashku me ta për të përcaktuar modalitete dhe rrugët më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij problemi. Shqipëria e theksoj edhe një herë është një vend që nuk ka as edhe një ambicie territoriale. Kjo është e prerë, e qartësuar, përkundrazi e ka shprehur në mënyrën më të përsëritur se vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve.” Sipas vendimit të qeverisë, përfitues të shtetësisë shqiptare do të jenë të gjithë shkencëtarët me përformancë botërore, biznesmenë dhe investitor me kombësi shqiptare dhe jo-shqiptare që kanë investuar në Shqipëri shumën mbi 200 mijë euro. Një tjetër kategori, sipas vendimit, që do të përfitojë shtetësinë do të jenë dhe individë të ndryshëm nga fusha e artit, kulturës, sportit dhe persona që me punën dhe veprën e tyre  kanë bërë të mundur ngritjen e imazhit të Shqipërisë nëpër botë. Përfitues do të jenë gjithashtu edhe personat që kanë vite që jetojnë në Shqipëri, kombas shqiptarë dhe jo-shqiptarë të cilët vërtetojnë nëpërmjet dokumentacioneve institucionale, kontratave të punës, sigurimeve shoqërore dhe certifikatave martesore.

“Dhënie e shtetësisë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se vendimi i tij për dhënien e shtetësisë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen nuk destabilizon rajonin, por përkundrazi prodhon stabilitet në Ballkan. “Qëllimet e mia ndaj shtetësisë për shqiptarët kudo që janë, jam i bindur që kontribuojnë më shumë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Nga ana tjetër këto qëndrime janë adaptuar nga disa vende të BE. Maqedonasit nuk kanë probleme për zgjedhje identiteti apo rivalitet identiteti me shqiptarët. Bullgaria mike u jep shtetësi atyre qytetarëve që duan të marrin shtetësi bullgare. Nuk e ka bërë këtë në mënyrë absolute as për pretendim territorial ndaj Maqedonisë, përkundrazi”,- u shpreh Berisha gjatë takimit me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.

Kategoritë përfituese

1.Shkencëtarët dhe individët me performancë të shkëlqyer botërore në të gjitha fushat

2.Biznesmenë, investitor dhe donatorë të cilët kanë kontribuojnë nëpërmjet financave të tyre legale në Shqipëri. Financa të konfirmuara nëpërmjet institucionit të tatim-taksave në vend.

3.Të gjithë individët që kanë performancë të shkëlqyer në fushën e kulturës, sportit dhe individë që kanë bërë të mundur ngritjen e imazhit të Shqipërisë nëpër botë.

4.Të gjithë kombasit shqiptarë të cilët janë banorë të shtetit shqiptar, mbi 8 vjet dhe që e vërtetojnë këtë nëpërmjet dokumentacionit institucional, kontratave të punës, sigurimeve shoqërore dhe certifikatave martesore

Akordimi i shtetësisë (Pasaportës)

Shtetësinë shqiptare do ta marrin menjëherë nëpërmjet zyrave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, të gjithë qytetarët me kombësi shqiptare, të cilët përfshihen në kategoritë e lartpërmendura.

Kombasit shqiptarë

Të gjithë kompasit shqiptarë që cilët do të kërkojnë t`u jepet shtetësia shqiptare dhe që nuk përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura do të vijojnë të marrin shtetësinë shqiptare sipas mënyrës së vjetër, nëpërmjet procedurës kërkesa në presidencë dhe dekreteve të Presidentit.

200 mijë dollarë

Të gjithë biznesmenë, investitor dhe donatorë të cilët do të kontribuojnë nëpërmjet financave të tyre mbi shumën 200 mijë dollarë do të jenë automatikisht përfitues të shtetësisë shqiptare, këtu hyjnë dhe shtetasit me kombësi jo-shqiptare.

Termi Shtetësi me natyralizim

Nga dita që do të hyjë në fuqi dhe do të botohet në fletoren zyrtare ku vendim, të gjithë përfituesit nga kjo procedurë do të quhen shtetas shqiptarë të natyralizuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu