Berlusconi me një femër 50 vjet më të re në krah

0
338

Silvio Berlusconi, 76-vjeçar, është në një lidhje të qëndrueshme me Francesca Pascalen, 27-vjeçe, gati gjysmëshekulli më e re se ai, kanë thënë mbështetësit e ish-kryeministrit italian

Milano. Teksa Silvio Berlusconi ka nisur një fushatë të fuqishme në përpjekje për të rimarrë postin e kryeministrit të Italisë për të katërtën herë, një femër e re është shfaqur në krahun e tij.

Berlusconi, 76-vjeçar, është në një lidhje të qëndrueshme me Francesca Pascalen, 27-vjeçare, gati gjysmëshekulli më e re se ai, kanë thënë mbështetësit e ish-kryeministrit miliarder italian.

Ka pasur thashetheme për lidhjen e tyre për muaj me radhë, ndërsa çifti është fotografuar bashkë ditë më parë përderisa po e shikonte një ndeshje të klubit të futbollit të Berlusconit, AC Milan.

Por, romanca është konfirmuar nga një prej mbështetëseve më të zëshme të magnatit të medieve, Daniela Santanche, e cila është deputete nga partia e tij, Populli i Lirisë, si dhe nga mediet italiane, me njërën prej gazetave që e ka përshkruar femrën e re si “zonjën e parë” të re të Italisë.

“Berlusconi e prezanton atë si të dashurën e tij, dhe për mua kjo është një gjë e bukur. Unë e njoh atë si të dashurën e tij”, ka thënë Santanche. “Le të themi se ajo është një person shumë i afërt me të”, ka thënë Licia Ronzulli, eurodeputete nga partia e tij. “Ajo është më shumë se një mike”.

Napolitanja Pascale, ish-ndihmëse në një dyqan tregtar, ka shërbyer si këshilltare provinciale në partinë e tij të qendrës së djathtë, Populli i Lirisë, deri kur ka dhënë dorëheqje, në muajin korrik.

Ajo ka qenë një prej anëtareve themeluese të një grupi mbështetësish, të quajtur “Silvio, po na mungon!”. Ajo ka thënë se jeta e saj rrotullohet rreth tri gjërave – familjes së saj, politikës dhe Berlusconit, ndërsa thuhet se i xhelozon femrat tjera në rrethin e brendshëm të tij, përfshirë Mara Carfagnan, një modele joshëse, të cilën ai e ka emëruar ministre në qeverinë e tij të fundit.

Ndërkohë, është bërë e ditur se ish-valltarja e klubeve të natës, e cila është në qendër të gjykimit të Berlusconit me akuza për marrëdhënie seksuale me një të mitur, dhe e cila nuk është paraqitur të hënën në një gjykatë për të dhënë dëshmi, aktualisht ndodhet në Meksikë. Pas mungesës së Karima El-Mahrougut, e njohur me emrin skenik “Ruby Zemërvjedhësja”, në seancën dëgjimore në Milano, kishin shpërthyer spekulimet për vendndodhjen e saj. Por, ajo më pas i ka treguar avokatëve të saj se ndodhet në Meksikë me babanë e vajzës së saj të vogël, dhe me prindërit e tij.

Zbulimi ka ardhur në mes të spekulimeve nëse udhëtimi i saj jashtë vendit është paguar nga vetë Berlusconi në përpjekje për të vonuar dëshminë e saj dhe për të zgjatur gjykimin, në mënyrë që të mos shqiptohet ndonjë vendim deri pas zgjedhjeve të ardhshme, që pritet të mbahen në shkurt.

Ish-valltarja i ka thënë avokates së saj, Paola Boccardi, se ajo nuk do të kthehet në Itali deri në janar, që do të thotë se ajo do të mungojë edhe në një seancë tjetër, që do të zhvillohet të hënën.

Prokurorët supozojnë se ajo ka punuar si prostitutë e mitur, dhe se më 2010, në moshën 17-vjeçe, Berlusconi e ka paguar atë për seks gjatë ndejave të tij “bunga bunga”. Ai i mohon krejt akuzat. (The Daily Telegraph)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu