Beteja e Kaçanikut, Termopilja e Shqipërisë së kohës

0
91

Më 30 prill 1910 ushtria osmane, e komanduar nga Shefqet Turgut pasha dhe e përbërë në fillim nga 9 000-10 000 veta, e përforcuar me reparte kalorësie dhe e mbështetur nga zjarri i artilerisë, filloi mësymjen kundër 3 000-4 000 kryengritësve shqiptarë të përqendruar në Shkallën e Kaçanikut të udhëhequr nga Idriz Seferi.

Para sulmit të përgjithshëm ushtria osmane goditi me artileri fshatrat përreth. Masakrimi i grave, i fëmijëve dhe i pleqve që kishin mbetur atje, nuk solli, ashtu siç e kishte parashikuar Shefqet Turgut pasha, dekurajimin e mbrojtësve shqiptarë të Grykës së Kaçanikut. Përkundrazi, me gjithë epërsinë e madhe numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill-1 maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan aftësi të veçanta luftarake.

Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti në luftime kundër kryengritësve në Kosovë arritën në afro 30 000 veta. Një pjesë e madhe e tyre u angazhuan në betejën e Kaçanikut. Megjithëse ushtria turke kishte epërsi të ndjeshme mbi forcat kryengritëse, këto i përballuan sulmet e tyre për shtatë orë rresht, duke kaluar edhe në luftime trup me trup. Udhëheqësit e kryengritjes treguan aftësi drejtuese si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje e në tërheqje. Ata mundën të dilnin nga rrethimi në mënyrë të organizuar dhe, duke u tërhequr në drejtim të Gjilanit, vijuan ta godisnin armikun.

Në betejën e Kaçanikut ushtria osmane pësoi humbje të mëdha. Sipas të dhënave të ndryshme u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë osmanë. Shefqet Turgut pasha humbi në Kaçanik më shumë se një të katërtën e forcave, që kishte nën komandën e tij; u shpartalluan rreth 20 batalione. Pas kësaj ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. Njësi të posaçme të ushtrisë turke dogjën fshatrat që nuk kishte arritur t’i rrafshonte artileria. Gjyqi i jashtëzakonshëm ushtarak dënoi kryengritësit e zënë robër dhe përkrahësit e tyre. Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje bëhej para popullsisë vendase të grumbulluar me forcë dhe nën gjëmimet e daulleve e të marsheve të bandës ushtarake.

Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Ato u përjetësuan në epikën popullore.

Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha, në ditët e para të majit, i përforcuar edhe me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku, filloi mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Një kolonë e forcave osmane, e nisur nga Shkupi, gjatë marshimit të saj nëpër Kumanovë, përgjatë hekurudhës, ndeshi në të hyrë të Grykës së Konçullit, në mes të Bujanovcit dhe Gjilanit, në qëndresën e forcave kryengritëse të komanduara nga Idriz Seferi. Luftëtarët shqiptarë të kësaj ane u rezistuan për disa ditë forcave osmane, derisa atyre u erdhi në ndihmë një kolonë tjetër. Megjithatë, qëndresa e kryengritësve vijoi edhe më pas, por në grupe më të vogla, të përbëra nga 150-200 veta. Edhe në këto vise ushtria, në shenjë hakmarrjeje, u vuri zjarrin fshatrave të tëra.

Në fillim të muajit maj forcat osmane kaluan në mësymje në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu u ndeshën me forcat kryengritëse që vepronin në zonën Shtime-Carralevë, të komanduara nga Isa Boletini?, numri i të cilave nuk i kalonte 4 000 vetat. Për dy ditë dhe dy netë rresht u zhvilluan atje luftime të ashpra. Megjithëse nisi nga Ferizaj reparte të garnizoneve të Prizrenit dhe të Mitrovicës, që vepronin anës Grykës së Carralevës, komanda osmane nuk arriti t’i rrethonte kryengritësit. Forcat ushtarake të Ferizajt u bllokuan midis Shtimjes e Carralevës dhe u detyruan të kthehen mbrapsht. Pjesa tjetër nuk ia arriti të depërtonte në drejtimin Jezercë-Budakovë për t’u rënë prapa krahëve kryengritësve.

Taktika që përdorën udhëheqësit e kryengritësve, sidomos shfrytëzimi i terrenit, ndihmoi për një kohë për të përballuar epërsinë e armikut në njerëz dhe në armatime. Gjendja e krijuar në Kosovë e detyroi ministrin e Luftës, Mahmut Shefqet pashën, që të vihej vetë në krye të fushatës ushtarake në Shqipëri.

Mbrojtja e Carralevës (8-10 maj)

 Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut, Mahmut Shefqet pasha, duke u vënë në krye të operacioneve, urdhëroi të marshohej në drejtimin Shtimje-Carralevë. Ai ndau ushtrinë në tri kolona, të mbështetura nga artileria malore.

Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës, që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita e tyre u vështirësua kur u dolën në shpinë forca osmane të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me porosinë e konsullatës serbe në Prishtinë, mësues, klerikë dhe banorë serbë qenë vënë në shërbim të ushtrisë turke.

Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse në Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm e pozicioneve të luftëtarëve shqiptarë, por edhe e fshatrave të pambrojtura.

Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime të përgjakshme. Forcat osmane mundën të çanin përpara vetëm pasi u erdhën përforcime të tjera.

Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të fortë të artilerisë, mbrojtësit e Grykës së Carralevës qëndruan me trimëri. Edhe pse u gjendën përballë një armiku që kishte epërsi në njerëz e në armatime, shqiptarët vijuan qëndresën në këtë pikë disa ditë me radhë. Por mungesa e municionit dhe e ndihmave që priteshin nga çasti në çast, e bënë të pamundur përballimin e mëtejshëm të sulmeve të forcave osmane. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.

Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh të rrepta, të mbështetura nga artileria, që nuk kursente as fshatrat e pambrojtura, valiu i Kosovës e pas tij edhe Mahmut Shefqet pasha, i shoqëruar nga Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor i forcave osmane, hynë në qytetin e Prizrenit. Më 1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë.

Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më e organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën komandë një forcë të përbërë prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, e gatshme të vijonte operacionet ushtarake për nënshtrimin e plotë të shqiptarëve. Ai ndërmori masa terrori në Prizren dhe në rrethinat e tij. Gjyqet ushtarake dënuan me vdekje disa dhjetëra kryengritës. Autoritetet ushtarake xhonturke nuk kursyen as edhe shqiptarët që i kishin bërë ndonjë shërbim komandës osmane. Shtypi socialdemokrat serb shkruante ato ditë se krimet dhe barbarizmat që po kryente regjimi xhonturk në Kosovë, që ishte bërë “Vendi i litarit”, ishin aq të mëdha, sa nuk mund të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.

Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi në drejtim të Malësisë së Gjakovës, ku ndeshi në qëndresën e kryengritësve të kësaj treve. Malësorët e Gashit dhe të Krasniqes, me rreth 2 000 forca, të komanduara nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha, Zeqir Halili e Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë në Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke i shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit e lëshuan Qafën e Morinës për t’i shpëtuar rrethimit dhe asgjësimit.

Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Qafë të Kolçit, ku 200 malësorë u përleshën me to duke u shkaktuar humbje të mëdha. Malësorët kryengritës, të komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, u qëndruan ushtrive armike shtatë ditë e shtatë netë. Ata zunë qafat e shtigjet për të mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin, në luginën e Shalës dhe të Thethit.

E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë Qafa e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë me radhë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër përmes Pukës më 24 korrik 1910.

Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase, që ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat e Dibrës së Madhe.

Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku gjente një qëndresë sado të vogël, ndiqte e terrorizonte familjet që kishin mbështetur e kishin përkrahur kryengritësit. Ndërkohë, gjyqet e jashtëzakonshme vepronin kudo. Reparte të veçanta të specializuara të ushtrisë qenë ngarkuar për çarmatimin e popullsisë. Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë e komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë, të shtëpive, të tokave, të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi, mblidheshin detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe ato të prapambetura, dhe bëhej rekrutimi i të gjithë meshkujve që i përfshinte detyrimi ushtarak.

Për të përforcuar pushtetin e tyre në vilajetin e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të ashtuquajturave reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese, vendosën të bënin këtu edhe disa ndryshime administrative. Kështu, u shndërrua në nënprefekturë (kaza) krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina (nahije) të reja, si në Drenicë, në Llap, në Malësi, në Rekë, në Podgor, në Moravë të Epërme dhe të Poshtme etj.

Idriz Seferi në tetor 1912, në krye të mijëra luftëtarëve shqiptarë luftoi kundër pushtuesve sllavë në rajonet e Bujanovcit, Gollakut, Llapit e Kumanovës, ku i shkaktoi humbje forcave të Aleancës së shenjtë Sllave, të cilën e udhëhiqte Cari i Rusisë dhe të krishterët e Evropës, përmes Serbisë. Idriz Seferi ka udhëhequr shumë çeta kryengritësish shqiptar në rajonin e Kosovës Lindore, në Karadak dhe në Anamoravë. Ai udhëhoqi çetat në luftë kundër zgjedhës serbomadhe në, vitet 1913-1915 dhe kundër pushtuesve bullgarë në vitet 1916-1918. Vazhdoi luftën për çlirimin kombëtar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare që kishin mbetur nën Mbretërinë serbe, kroate e Sllovene,

Në vitet e fundit të jetës, Idriz Seferi ka qenë i internuar disa herë në kampet e përqendrimit në Serbi së bashku me familjen. I lodhur, i dërrmuar dhe i pa kurrfarë ndihme, ai vdes në vitin 1927.

(Fragmente nga Historia e Popullit Shqiptar)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu