Biografi e Mehmet Kajtazit (3)

0
119
mehmet kajtazi 656x37327959mehmet_kajtazi“Sy më sy me jetën”: Me fatin e kombit dhe historinë e tij…
THIKË NË PORTOKALL
”Thikë në portokall’ (roman, 1995), Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë
Romanet ”Ushtimë e Alboderit”, ”Thikë në portokall’; ”Gjeli i katedrales” ”Santa Ana”, ”Guri i dallëndyshes”, ”Lindja në qiell”, ”Udha i” ; ”Ndezja e shiut” dhe ”Një diell tjetër”, që përbëjnë kurorën krijuese të këtij shkrimtari, me të cilat romane ka lënë gjurmë të ndjeshme krijuese në letërsinë tonë të sotme. Janë vepra me shtrirje të gjerë romanore, ku epiqendra e strukturës së romanit nuk është vetëm rrëfimi i kallëzuar, por ky rrëfim i nënshtrohet procesit të transformimit dhe mutacionit të kohës së thënies e të kohës së paraqitjes rrëfimtare. Së këndejmi, vijnë nëpërmes mbizotëruesve të kohëve narrative, edhe shënjues e tipare të tjera të strukturës narrative moderne, gjithnjë në gërshet me traditën moderne të konceptimit jonarrativ të romanit, aty ku rrëfimi nuk konsiderohet më tipari kryesor, tipik, si antirrëfim, duke bartur këndvështrimin e rrëfimit të ngjarjeve kryesore te hapësirat e brendshme shpirtërore të personazhit…
Prend BUZHALA
(“Epoka e re” 25 shtator 2010: Romani i universit shpirtëror, individual e nacional)GJELI I KATEDRALES
”Gjeli i katedrales” (roman, 1996), NB “Rilindja”, Prishtinë
…Tematika apo lënda me të cilën ndërtohet ky roman është ajo e aktualitetit shqiptar, e kushtëzuar qoftë në aspektin historik qoftë atë mitik. Kjo lëndë romanore nuk organizohet përmes logjikës së kompozicionit, karakteristike për prozën fabulative, por përmes logjikës mitike, e cila në këtë roman, ashtu si në shumicën e romaneve moderne, ndërton kod të veçantë, në të cilin teksti romanor enkodohet në mënyrë simbolike, sipas së ashtuquajturës poetikë e mitologjizmit, karakteristikë për romanin e shekullit të njëzetë. Personazhi i romanit “Gjeli i katedrales”, i pagëzuar me një emër simbolik dhe mjaft domethënës (është fjala për simbolikën e mbijetesës) Rron Etlizi, është një i ri shqiptar, i ikur nga Kosova për shkak se nuk ka dashur të shërbejë në një makineri ushtarake pushtuese, i cili ka gjetur strehim politik në Zvicër, konkretisht në Lozanë, ku e studion mjekësinë… Ndonëse në roman jepen data konkrete të viteve 1991-96 e data tjera të historisë, hapësira kohore është figurative, është simbolike, pra është kohë e mbushur nga lënda romanore, e zgjedhur në bazë të kriterit të ndërtimit të semantikës së mbijetesës shqiptare gjatë historisë dhe në ditët e sotme. Rendi kronologjik i detajeve, por edhe koha e figurave historike, në këtë roman, është rrafshuar…
…Në romanin “Gjeli i Katedrales” të Mehmet Kajtazitçdo gjë flet. Flet toka e dëgjon qielli, flet qielli e toka dëgjon rrëfimin e tij… Në këtë roman flasin jo vetëm të gjallët, po edhe të vdekurit. Ky fakt na shpie te një element qenësor në poetikën e këtij romani, te rrëfimtari, i cili në këtë roman është tërësisht i dramatizuar.
…Semantika e mesazhit të romanit të Mehmet Kajtazit “Gjeli i Katedrales” është semantika e mbijetesës shqiptare në të gjitha kohët.
Kadrush RADOGOSHI
(Nëpër universin letrar – Semantika e mbijetesës, Prishtinë, 2003, Rilindja 1996)

SANTA ANA
”Santa Ana” (roman, 1998), NB “Rilindja”, Prishtinë
”Santa Ana” është një prozë interesante me efekte të reja ligjërimi. Ritmi dhe struktura imagjinative e disa periudhave merr fuqi magjike. Kajtazi romanin e hap me një thënie ligjërim estetik të Etlizit ”sikur vetëm një ditë të jetoja në liri, vetëm një ditë, do ta duroja robërinë edhe një milion vjet dhe prapë një ditë e lirë do të më kthehej për t’i bërë Dy ditë të Lira, që të mos më kthehej robëria as pas tre milionë vjetësh”… Romani ”Santa Ana” i Mehmet Kajtazit sjell shumëçka edhe në planin estetik edhe në strukturë dhe stil të rrëfimit. Romani është konceptuar me një strukturë koncize dhe të pasur të mbështetur mbi fuqinë e pashtershme imagjinatave dhe dokumentare…
Gani XHAFOLLI

GURI I DALLËNDYSHES
“Guri i dallëndyshes” (roman, 1998), NB “Rilindja”, Prishtinë
Romani ”Guri i dallëndyshes” personifikon shqiptarin që ka për qëllim të shkëputet nga prangat e robërisë. Vërtet, është një prozë me elemente dokumentare, që do ta provokojë veçanërisht receptuesin me personalitetin e Zef Lush Markut, me rrethanat që përkojnë kaq shumë me aktualitetin, me ngjarjet e ndryshme, me dramat që shqetësojnë dhe identifikojnë njeriun me ideale dhe me përpjekjet e pareshtura për liri.
SH. (Bujku, 15 gusht 1998)
Në 234 faqet e këtij romani pasqyrohet shpirti i padjallëzuar i Zefit (kryepersonazhi i romanit) që mbjell bulbëri, si pranvera në male, por i cytur t’i besojë fjalës së dhënë, sikur harron se njerëzit e tjerë në Ballkan (konkretisht serbët) e shohin si krenari dhe burrëri shkeljen e besës, andaj tinëzisht ia shkelin më vonë trupin Zefit (Lush Markut) dhe e lënë pa liri dhe pa varr. Vëllai i Zefit, Marku, një ditë e gjen prapa pasqyrës së nënës së vet fotografinë e vëllait dhe kur merr vesh se njerëzit e kralit dhe më vonë pasuesit e tyre, komunistët e Titos, e shigjetojnë Zefin edhe në fotografi, ai vendos që tinëzisht në unazën e dorës së vet ta gdhendë portretin e të vëllait. Romani mbështet në dokumentacion të bollshëm për të ndriçuar tërë kohën e Zefit dhe njerëzit e tij, të cilët robëria i shpërndanë në tërë botën dhe një ditë del përtej bulbërisë së maleve toponimi Guri i Dallëndyshes, ku kishin lindur të parët e Zefit, toponim ky që grish me forcën e gurit që shqiptarët t’u kthehen tokave shqiptare…
(“Koha Ditore”, 21.8.1998)
Romani “Guri i dallëndyshes” është shkruar në vitin 1980. Ishte paralajmëruar botimi i tij më 1981 nga Redaksia e Botimeve e “Rilindjes”, por botimi qe penguar. Në konkursin anonim të “Rilindjes” më 1986, juria (Hasan Mekuli, Ali Sutaj e Bajram Krasniqi) këtë roman e mori për botim, i cili doli fillimisht në vazhdime në gazetën “Rilindja” të Prishtinës me emërtimin “Përtëritja”.

LINDJA NË QIELL
”Lindja në qiell” (roman, 2000), botoi “Rilindja”, Prishtinë
Ngjarja e romanit ”Lindja në qiell”, janë vitet tona të përgjakshme nën okupim, personazhet, si: Agon Zhuka, Adem Jashari, Curr Yjëzimi, Yllkë Dhogaqi, Gëzim Dushi e shumë të tjerë, e bëjnë këtë vepër të lexueshme dhe shumë të afërt për kohën dhe traumat që përjetoi populli ynë në Kosovë. Mehmet Kajtazi me këtë roman tregoi edhe një herë se është i lidhur ngushtë me fatin e kombit dhe historinë e tij…

H. PERLOKA (VIJON)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu