Biografi e Mehmet Kajtazit (5)

0
116
mehmet kajtazi 656x37327959mehmet_kajtazi“Sy më sy me jetën”: PROZA E MEHMET KAJTAZIT

 

Prof. Dr. Begzad BaliuNë fillim të viteve ’90, kur hapësirat e veprimit të shqiptarëve po ngushtoheshin në shumë anë, e kjo do të thotë edhe të vjeljes, kërkimit dhe paraqitjes së fatit historik dhe aktual të popullit shqiptar, një gazetar dhe krijues njëkohësisht mbante gjallë të përditshmen e Prishtinës “Rilindja”, që më pas kaloi në “Bujku”, me një prani të pazakontë të teksteve të tij fejtonistike.
Duke e njohur fillimisht, kryesisht, përmes teksteve të natyrës shoqërore e sociale, reportazheve dhe fejtoneve, e kisha pyetur Mehmet Kajtazin, se ku e merrte gjithë atë informacion të përditshëm dhe atë vullnet për të shkruar, në një kohë që shkrimet në gazetë tashmë nuk paguheshin. I kisha thënë se krijimtarinë e tij e kisha ndjekur edhe më parë dhe i kisha folur për leximin e plotë të romanit të tij të parë “Nata në gur” në vazhdime te “Rilindja”, duke ia kujtuar edhe motivet, personazhet dhe disa veçori të këtij romani.
Dëgjo, o çun, më pati thënë, duke m’u drejtuar me buzë në gaz. Unë sapo kam filluar të shkruaj. Ato që I kam shkruar deri tash nuk paraqesin ende gjithë botën time shpirtërore, as të brezit tim, as të baballarëve e as të gjyshërve tanë. Koha ime sapo ka ardhur. A nuk po e sheh pastaj se edhe brezi yt po i nxjerr heronjtë e tij. Ja ku i ke, më pat thënë duke nxjerrë nga çanta veprën e tij me tregime, që sapo kishte dalë nga shtypi “Kodra e Pajtimit”. Ishte koha kur Mehmet Kajtazi kërkimet e tij në botën materiale dhe shpirtërore të tij po i zgjeronte nga reportazhet e përditshmërisë dhe fejtonet me karakter kryesisht historik, në tregime, në novela dhe  sidomos në romane. Për një periudhë kohore mjaft të shkurtër, pas dy vëllimeve me tregime, botoi edhe pesëmbëdhjetë romane me tema dhe motive, që nuk shkonin larg njëri-tjetrit, dhe për më tepër plotësonin njëri- tjetrin. Fjala është për vëllimet me tregime ”Zemër e thyer” (tregime, 1987), botoi “Rilindja”, Prishtinë, dhe ”Kodra e Pajtimit” (tregime, 1993), botoi “Ylberi”, Prishtinë, në të cilën ai, veç temave të tjera, ndërtoi dramën e madhe shpirtërore të faljes gjatë Aksionit të pajtimit të gjaqeve, në vitin 1990; Për romanin ”Nata në gur” (1984), botoi “Rilindja”, Prishtinë, në të cilin trajtoi gjendjen sociale të minatorëve të Trepçës ndërmjet dy luftërave, një temë kjo së cilës do t’i kthehet shpesh jo vetëm në një kohë dhe jo vetëm në një roman, sikur është romani ”Minatorët” (1995), botoi “Onufri”, Elbasan apo edhe ndonjë tjetër; Për romanin ”Plaku dhe urat” (1986), botoi “Flaka”, Shkup, në të cilin, veç të tjerash, autori bën përpjekje për të sjellë një parim tjetër të rrëfimit romanor, si në trajtimin e temës ashtu edhe në strukturën e brendshme të tij; Për romanin ”Fundi i legjendave” (1990), “Rilindja”, Prishtinë, tema dhe drama e madhe shpirtërore e personazheve të të cilit nxiti edhe dramatizimin e tij për teatër; Për romanin ”Ushtimë e Alboderit” (1993), botoi “Shkëndija”, në të cilin bëhen përpjekje për të rindërtuar disa aspekte të marrëdhënieve tona me Evropën e shekullit XX dhe me fatet tona tragjike të lidhura pashkëputshëm me politikat e saj të reja, si dhe me besimin se koha e përkundërt e fatit tonë historic po kthehej nga ndarja në bashkimin kombëtar; Për romanin ”Shote Galica” (1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, në të cilin autori sikur lante borxhin e vendlindjes ndaj heroinës kombëtare, që më parë sesa të bëhej heroinë kombëtare ishte bërë heroinë e traditës popullore, e këngëve historike, e kallëzimeve familjare, e identifikimit të saj me mitet dhe legjendat e Drenicës, që në të gjallë të saj etj. A është kjo arsye pse në këtë vepër Shotë Galica, falë kërkimeve të tij në terren dhe përjetimit të tij që në fëmijëri, ridimensionohet në roman në ato përmasa, në të cilat nuk mund ta gjesh as në disa nga studimet, tekstet publicistike dhe madje veprat monografike kushtuar asaj; Për romanin “Shqiptarët në Goli Otok”, një prej veprave më të popullarizuara të tij për arsye se në natyrën e krijimtarisë së tij, përgjigjja historisë ishte bërë veçori e gjithë punës së tij profesionale, kulturore, intelektuale dhe jetësore të tij. Pas rënies së komunizmit, kur rrëfimi për të vërtetën e shqiptarëve në burgjet jugosllave ishte bërë temë e ditës, ndërsa rrëfimi për burgun e Goli Otokut një prej rrëfimeve më tragjike individuale dhe kolektive të tij, Mehmet Kajtazi i kishte vënë për detyrë vetes të shkruante ‘të vërtetën’ historike dhe artistike të këtij burgu dhe të të burgosurve të tij. Kjo është vepra dhe dramamë e madhe shpirtërore e kolektive e të burgosurve shqiptarë në ish-Jugosllavi, dhe sigurisht kjo është arsyeja pse kjo vepër do të dramatizohet e do të përjetojë periudhën më të gjatë të shfaqjeve teatrore në Kosovë dhe jashtë saj.
Në periudhën e fundit të krijimtarisë së tij sigurisht vendin kryesor do ta zënë temat e luftës së UÇK-së, të qëndresës dhe të dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre etj., duke e parë atë qoftë përmes kujtesës historike dhe heronjve të saj, qoftë përmes përjetimit fëmijëror, e më së shpeshti përmes përjetimit shpirtëror të përditshmërisë së jetuar të vetë krijuesit, ambientit rural të Drenicës dhe heroit të saj Adem Jasharit. Kjo është arsyeja pse romani i tij kushtuar luftës së fundit dhe fatit sa tragjik aq edhe heroik të shqiptarëve, “Ndezja e shiut” (roman, 2001), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë, të vlerësohet me çmimin “Hivzi Sulejmani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën më të mirë në prozë në vitin 2001.
Fjala është për temën e përhershmërisë kombëtare të dëbimit masiv nga trojet shqiptare që nga vitet e largëta deri te Kampi i Bllacës, si një prej shenjave më tragjike të popullit shqiptar në gjithë historinë e tij.
Po të kësaj natyre, pra si krijime me strukturë të brendshme kompozicionale apo motivore, janë edhe romanet ”Guri i dallëndyshes” (roman, 1998), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë; ”Lindja në qiell” (roman, 2000), botoi “Rilindja”, Prishtinë; ”Udha I” (roman, 2000), botoi “Rilindja”, Prishtinë; ”Një diell tjetër” (roman, 2003), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë, temën e të cilit e ka marrë nga gjendja e popullit shqiptar në Kosovë gjatë viteve ’90.
Në një kohë kur bashkëkohësit e tij shkrimtarë kërkonin botën ekzotike të lindjes apo përvojën perëndimore në veprat e tyre, në veprat e tij të para e aq më tepër në romanet tij të mëtejshme merreshin me përvojën historike të brezit të tij dhe të ambientit fëmijëror të jetës së tij. Kritikët thonë se romani historik ka karakter të theksuar edukativ dhe njohës, por romani historik nuk shkruhet me qëllim që t’ia bëjë të njohur lexuesit ngjarjet dhe faktet pozitive nga e kaluara, sepse atë e bën më mirë dija e historisë, por do t’ia zbulojë artistikisht atë që ai ka mësuar nga historiografia. Shkrimtari Mehmet Kajtazi e bënte dhe e sillte pikërisht këtë përvojë dhe insistonte për ta rishfaqur, për ta kompletuar dhe për ta bërë të njohur një ambient, një hapësirë e një shekull historie. Në kohën kur romancierët, krijues të brezit të tij kërkonin të hidhnin dritë në momente të veçanta të mesjetës, në tema të mëdha të Rilindjes Kombëtare, në ndërtimin kompleks të botës heroike të disa prej heronjve të historisë kombëtare, si dhe në ngjarje larg hapësirës së Kosovës, Mehmet Kajtazi punoi në të gjitha veprat e tij në hulumtimin, sistemimin dhe ndriçimin material e etnokulturor të krahinës së Drenicë dhe aspekteve shpirtërore, sociale e kulturor të banorëve të saj gjatë kohës sonë, për ta zgjeruar kur e kur edhe me fate personazhesh e fate populli në një hapësirë më të gjerë të Kosovës. A është kjo një prej arsyeve pse tema historike e fejtoneve të tij nxisin dellin romanor të tij, ndërsa temat bashkëkohore të reportazheve të tij përplotësojnë një aspekt shumë të rëndësishëm të veprës së tij: aspektin social. Sigurisht, brenda tyre zë fill edhe stili ligjërimor i veprës së tij, një model letrar me të cilin do të duhej të merreshim në një tekst të veçantë.

Fragmente nga disa kujtime të personaliteteve  zvicerane për Mehmet Kajtazin

Dhe që prej 10 vjetësh kjo miqësi me shoqëron rregullisht në jetën time të përditshme, më mundëson më shumë qetësi në vendime të rëndësishme: e rikujtoj praninë e tij të matur, buzëqeshjen e tij diellore, mençurinë fjalëkursyer, butësinë e vrojtimeve të tij që më tronditnin me forcën e drejtësisë së tij.
Patrik BYSMAN Drejtor i AVIR-it (kantoni Vaud)
Po pra, ky njeri është i madh! Një shkrimtar i madh, një artist, një bashkatdhetar, një njeri i dashur dhe i afërt me secilën qenie, që di të ndajë dhe të komunikojë, kalimtar i të gjithë kufijve gjuhësorë, i të gjitha dokeve e zakoneve. Në thjeshtësi të tërë, me armë të tij të vetme pendën, ai komunikon, ndan, shpreh dhe bën të njihet Shqiptari, Artisti, Avangardisti, Njeriu – nëpërmjet veprave të tij të shumta.
Marianne EBIBI, janar 2013
Kur kujtohet personaliteti i Mehmet Kajtazit, ngjall në mua kujtime të bukura, por edhe pikëllim të thellë për shuarjen e parakohshme duke më lënë në mua, sikur edhe te shumë të tjerë, një miqësi që qëndron pezull. Matës tokësor i palodhur, ai përfitonte nga zhvendosjet më të vogla për të zbuluar kënde të reja.
Victor RUFFY, Morrens,Kryetar i Parlamentit të Zvicrës (1992)
Ky shkrimtar i shquar e figurë e lartë e vendit të tij, ishte i tëri shpirtmadh, vrull, shpresë e veprimit efikas, letërsia ishte më me rëndësi për të, romanet e tij, por gjithashtu sikur një qëllim i përpiktë, konkret, i menjëhershëm.
Prof. Dr. Doris JAKUBEC (Profesoreshë e Letërsisë në Universitetin e Lozanës, drejtoreshë e Qendrës së Kërkimeve Letrare të Zvicrës franceze – 1981-2003)

(FUND)
 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu