Biznesmeni që mbylli 100 vende pune në Kosovë dhe shkoi në Bullgari: Ja rrëfimi i tij!

0
255

Sylejman Konushevci

Sylejman Konushevci, pronar i kompanisë “Inter Company” nga Podujeva, e cila bën prodhimin e vajit, ka larguar nga Kosova për në Bullgari një vijë të përpunimit të vajit ushqimor.

Ai tregon se ngarkesa me doganë dhe TVSH ka bërë që të mbyllë një repart në kompaninë e tij, ku si pasojë e mbylljes së këtij reparti kanë mbetur pa punë 100 punëtorë. “Politikat fiskale të cilat aplikohen në Kosovë janë të pafavorshme për zhvillim ekonomik, po ashtu janë edhe të pafavorshme për prodhimet vendore”, thekson ai gjatë një bisede për Telegrafin.

Se sa paradoksale është Kosova dhe taksat e ndryshme të cilat aplikohen për biznese vendore, tregon edhe rasti i biznesmenit Konushevci, i cili për të importuar luledielli i duhet të paguajë doganë dhe TVSH, ndërsa për të importuar vaj të papërpunuar nuk paguan doganë.

“Pas përpunimit të lulediellit, nxirret vaji i parafinuar i cili për tu importuar ka TVSH prej 16 për qind. Ndërkaq për të importuar lule dielli, atëherë duhet të paguaj TVSH-në në shumë prej 16 për qind dhe doganën prej 11 për qind, që do të thotë në total paguaj 27 për qind. Institucionet kanë bërë vajin lëndë të parë, e lulediellin nuk e kanë bërë lëndë të parë. Rrjedhimisht dhe logjikisht lëndë e parë është luledielli, e jo vaji i parafinuar”, thekson Sylejman Konushevci, pronar i kompanisë “Inter Company” .

Tash pas zhvendosjes në Bullgari, ai tregon se e ka më të lehtë të vazhdojë aktivitetin e tij biznesor, pasi lulediellin e blen dhe e përpunon në Bullgari, ndërsa vajin e papërpunuar e sjell për ta përpunuar në Kosovë. “Lulediellin e blejmë në Bullgari, ku e bëjmë edhe përpunimin, ndërkaq tash e importojmë vetëm vajin e parafinuar. Me një fjalë jam detyruar që ta zhvendos repartin e përpunimit në Bullgari për shkak të këtyre ngarkesave”, thotë ai.

Si pasojë e mbylljes së një vije të prodhimit në Kosovës, biznesmeni Konushevci, tregon se ka mbyllur 100 vende të punës, për t’i hapur në Bullgari.“Në Bullgari i kam të punësuar 60 punëtorë, të gjithë janë bullgarë, pasi punëtorëve nga Kosova nuk u mundësohet të punojnë. Investimi në një vijë të përpunimit prej 3.5 milionë eurove në Kosovë, ka shkuar dëm. Shuma e investimeve atje e tejkalon 1.1 milion euroshin”, thotë Sylejman Konushevci.

Ai shton se në Podujevë në kompaninë e tij, ka pasur kapacitete përpunuese prej 200 tonëve vaj.

Biznesmeni Sylejman Konushevci, thotë për Telegrafin se në Bullgari kanë disa lehtësira. Madje sipas tij, edhe kamatat e kredive për biznese janë dukshëm më të ulëta se në Kosovë. “Kreditë për biznese janë me 3.8 për qind, e në Kosovë, kamatat janë deri në 15 për qind. Po ashtu ka edhe lehtësira të tjera në lëndë të parë dhe lehtësira tjera gjatë prodhimit”, thotë Konushevci.

Përkundër këtyre, ai thekson se është i gatshëm të rikthehet në Kosovë, por që duhet të bëhen reforma të mëdha në politikat fiskale.

“Jemi në biseda me qeveritarët, pasi ata po premtojnë lehtësira. Si biznese duam ndryshime të politikave fiskale, për tu kthyer përsëri në Kosovë, sepse në Bullgari, kemi shpenzime madje edhe qëndrimi atje ka kosto shtesë”, tha Sylejman Konushevci, prodhues i vajit ushqimor.
Ndryshe, kohëve të fundit, shumica e vendeve të rajonit janë duke ftuar bizneset nga Kosova për të investuar në vendet e tyre, pasi që ofrojnë lehtësira të ndryshme fiskale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu