Blagojevich vs Grabovci

0
10

Skandali i përgjimeve nuk ka zhveshur vetëm fytyrat e të përgjuarve, duke na servuar me zërat e tyre karakteret reale që kanë, por ka nxjerrë në shesh një hierarki tjetër të pushtetit. Hirarki kjo e cila zyrtarisht paraqitet ndryshe, por që realisht tregon kush dirigjon në fakt punët e shtetit. Shumë thjesht në pak minuta bisedë, mësohet saktë se kush është ”më i forti”, duke na dhënë një pasqyrë reale të strukturës së PDK-së.

 

Është vërtetuar se kush kujt i raporton, si planifikohen agjendat, punët si kryhen nëpër ministri, si kërkohen ‘eliminimet politike’ dhe në fund niveli degradues i këtyre personave përmes fjalorit që përdorin mes vete. Tash është zyrtarizuar “nëntoka” që menaxhon këtë pushtet. Por, nëse ndalemi dhe mendojmë se kush janë këta njerëz, kush është e kaluara e tyre, si kanë ardhur në pushtet, dorën në zemër nuk është edhe shumë për t’u shokuar me fjalorin e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të nivelit “për tokë” të shumicës së këtyre zyrtarëve. Kanë mjaftuar vitet në pushtet për të na treguar kapacitetin degradues që posedojnë.

Më skandaloz është fakti se Qeveria na tregoi se sa lehtë tenton ta mashtrojë opinioni duke gënjyer shpejt e shpejt me të publikuar përgjimet. Pa fije turpi doli me komunikatë duke thënë se “bisedat janë të montuara”. Kjo makineri mashtrimesh, na dëshmoi për aftësitë e saj në formë të institucionalizuar të gënjejë.

 

Por, pse heshtet dhe nuk kërkohet llogari nga kjo Qeveri për rrenën që ia bëri popullit të Kosovës, se bisedat janë të ‘falsifikuara’? A ka kush që duhet dhënë llogari që u zu në rrenë Qeveria, kësaj here fatmirësisht nga EULEX-it e cila tha se ato përgjime i ka bërë vetë ky mision? E kushedi sa e sa komunikata zyrtare të Qeverisë së Kosovës janë rrena të kulluara.

Duke tentuar që të largojnë vëmendjen nga përpjekja e Qeverisë që të manipulojë me opinionin publik dhe nga përmbajtja e bisedave të përgjimeve, militantët e tyre thirren në të drejtën e privatësisë së politikanëve. Kësaj here të udhëheqësit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili doli të jetë i përgjuar. A thua për çka dyshohet të jetë i përfshirë ky zyrtar i lartë i PDK-së, cili brenda një vitit u shndërrua në milioner, ai i cili pati fuqinë që të mos lejojë të futet policia në Kuvend kur u rrahën deputetët e VV-së me deputetët e PDK-së në Parlamentin e Kosovës.

Kreu i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili po u gjend partia e tij (PDK) në situata të vështira, ai është i pari që thirret për të rregulluar punët. Në shumë zhvillime politike na është dëshmuar se është mesazh se kush nuk ul bishtin, e pret një trajtim nga Lushtaku. E këtë fuqi u jep vetë kryeministri Hashim Thaçi që doli të ketë “talent” së paku për gjuhën italiane, sepse me gjuhën angleze është marria e zotit.

Në anën tjetër sejmenët e tyre, në mënyrën qesharake tentojnë të mbrojnë marrëzitë e krerëve të PDK-së. Shaip Muja zyrtarizon komunikimin, ku nënat shahen mes vete…duke thënë se: ”Kjo është bisedë mes shokësh”. Derisa deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, të gjithë të shokuarit e ditëve të fundit nga përgjimet i quan ”racistët gjeografikë”, duke thënë se janë ata që po provojnë të tmerrojnë me “gjoja nivelin e bisedës që po zhvilluakan udhëheqësit e vendit”. Ai në rrjetin social “Facebook” nxjerr linkun e një transkripti të bisedës së përgjuar, mes të ish-guvernatorit, Chicago Rod Blagojevich, dhe ish-shefit të stafit të presidentit, Barack Obama, Ram Emmanuel, duke thënë se është normale një bisedë e tillë.

Por Buzhala nuk tregon se në dhjetor të vitit 2008, Blagojevich u arrestua nën akuzat për korrupsion federal, joshje e ryshfet, për përpjekjen e tij për të shitur vendin e senatit. Në janar të vitit 2009, Blagojevich u fajësua për korrupsion dhe keqpërdorime në detyrë. Senati njëzëri e gjeti atë fajtor dhe në një votim të veçantë Blagojevichit iu ndalua për jetë të mbajë poste publike, kurse në vitit 2011 u shpall fajtor se ka gënjyer edhe FBI duke u dënuar me 14 vjet burg. Pallavrat që tentojnë të na hedhin hi syve nuk pinë ujë, populli nuk është aq injorant sa e mendojnë këta “racistë gjeografikë”.

 

Shkruan: Arbana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu