Britania evazive në çështjen e kufijve shqiptarë të pas luftës

0
79

Në shkrimin e sotëm mbi dokumentet e arkivave britanike të S.O.E do të ndalemi në një moment mjaft deçiziv të përfshirjes së britanikëve në çështjet shqiptare të periudhës së luftës, një moment i cili me sa duket ka filluar edhe kthesën e politikës britanike ndaj Shqipërisë. Vendimi për të dërguar oficerë britanikë me Mision në Shqipëri dhe jo me shqiptarë të trajnuar nga britanikët, duket se është marrë në fundin e vitit 1942 dhe fillimin e vitit 1943. Ky vendim duhet të jetë marrë si pasojë e një sërë faktorësh që luanin rol në Misionet britanike në Ballkan, por edhe si pasojë e ndryshimeve në strategjinë ushtarake dhe politike në këtë rajon.

Kemi folur tashmë mjaft gjatë në një seri shkrimesh mbi rolin e S.O.E, një prej Shërbimeve më të famshme britanike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe përfshirjes së saj në çështjet shqiptare. S.O.E britanike, e cila e filloi aktivitetin e saj në Shqipëri nga Zyrat e përkohshme të Athinës me qëllim sabotimin e prapavijës italiane, e shtriu aktivitetin e vet të mëtejshëm në një aspekt mjaft të gjerë, duke operuar nga Stambolli neutral dhe duke ndërtuar një rrjet të shtrirë në të gjitha territoret shqiptare për të mbajtur nën vëzhgim situatën politike dhe ushtarake të vendit. Britanikët, duke parë mundësinë e sabotimeve në prapavijën italiane, inkurajuan dhe mbështetën krijimin e disa çetave anti- italiane të drejtuara nga disa prej emrave më të njohura të kohës. Është e qartë se një numër emrash të politikës dhe intelektualë të kohës u përfshinë për qëllime të ndryshme në operacionet e S.O.E britanike ndaj Shqipërisë, duke bërë të mundur që analistët britanikë të ndërtonin një pamje të mirë të situatës politike në Shqipëri. Megjithatë, duhet thënë se në bazë të dokumenteve që janë në arkivat angleze mbi këtë periudhë, shikohet po ashtu mjaft qartë se Zyra e S.O.E për Shqipërinë nuk e kishte kuptuar akoma realitetin që po zhvillohej në Shqipëri dhe krijimin e një lëvizjeje shumë të rëndësishme, e cila shumë shpejt do të shfaqej si forca politike më e rëndësishme në terren dhe do t’i vendoste britanikët përpara dilemës së bashkëpunimit me ta apo jo. Po kështu, shikohet qartë se me gjithë mbështetjen dhe financimin britanik të njerëzve të saj, S.O.E nuk arriti t’i faktorizonte këta persona për të marrë në dorë lëvizjen anti-italiane dhe për të dominuar situatën politike në vend.
Dështimi i britanikëve në këtë periudhë duhet shikuar në disa aspekte kryesore të cilat mund të japin edhe disa prej përgjigjeve të këtij dështimi. Duhet thënë se energjia dhe vëmendja më e madhe në këtë periudhë ishte drejtuar ndaj çështjes së Greqisë dhe Jugosllavisë, si dy prej vendeve më të rëndësishme në teatrin e luftimeve në Ballkan. Shqipëria ishte në periferinë e situatës politike dhe ushtarake të rajonit. Po kështu, duhet thënë se politika britanike e kishte lënë shumë evazive çështjen e kufijve shqiptarë të pas luftës, duke krijuar kështu përshtypjen se këta kufij mund të diskutoheshin në favor të fqinjëve më të fuqishëm. Ministri i Punëve të Jashtme të Qeverisë britanike, Anthony Eden në deklaratën e tij theksoi se, “Qeveria e Madhërisë së Tij e vështron çështjen e kufijve të shtetit shqiptar në mbarim të luftës, si një problem që ka për t’u konsideruar në Konferencën e Paqes”.
Ky deklarim, por edhe qëndrimi politik ambigue i ‘Foreign Office’ deri në fillim të vitit 1943, bëri që një numër njerëzish të përfshirë në operacionet e S.O.E apo edhe në rrjetin e spiunazhit britanik, të kishin dyshime mbi përfundimin e përfshirjes së britanikëve në çështjet shqiptare. Është e qartë dhe mund të thuhet pa frikë se, Ministria e Jashtme angleze kishte qëndrim preferencial ndaj Greqisë dhe një qëndrim pro grek ndaj kufijve të Jugut në fund të Luftës ishte një përfundim shumë logjik. Mendoj se ky qëndrim i pavendosur i britanikëve ndaj çështjes shqiptare duhet të ketë qenë një prej arsyeve kryesore që njerëzit e mbështetur nga britanikët nuk mundën të shndërroheshin në faktorë kryesorë të një lëvizjeje politike pro perëndimore.
Çuditërisht, deklarata e parë për një respektim të kufijve shqiptarë të para luftës vjen nga një prej personave më pak të interesuar për çështjen shqiptare, dhe pikërisht prej Mareshalit Josef Stalin. Arsyet që e kanë bërë Stalinin të bëjë një deklaratë në favor të Shqipërisë janë të panjohura, dhe ndoshta një hulumtim më i gjerë do të sillte të reja në këtë pikë shumë interesante. Deklarata në favor të kufijve të Shqipërisë e bërë prej Stalinit, konfirmohet nga kujtimet e ish-sekretarit të Shtetit amerikan nën administratën e Rusveltit dhe Trumanit, sekretari Eduard Ë. Stettinius i cili shkruan se, “në qershor të 1941, në një takim në Moskë midis ministrit të Jashtëm britanik, Anthony Eden dhe Josef Stalin, midis të tjerash Stalini i tha ministrit të Jashtëm se, Shqipëria duhej të fitonte pavarësinë e saj” (‘Rusvelt and the Rusians’…)
Kjo deklaratë, e mbajtur sekret nga publiku, por që mund t’i jetë dërguar komunistëve shqiptarë nëpërmjet rrjetit informativ të Kominternit, mund të ketë qenë një armë e fortë në luftën propagandistike komuniste ndaj personave të influencuar nga politika britanike në Ballkan. Përse rusët do të donin një Shqipëri të pavarur, kjo mund të shpjegohet vetëm me një dëshirë të tyre për të penguar influencën e mëtejshme britanike në Ballkan.
Megjithatë, për t’u kthyer tek ngjarjet e kohës, duket se vendimi për të infiltruar në Shqipëri oficerë britanikë, duhet të jetë marrë pas një analize të gjatë mbi rezultatet e deriatëhershme që kishte arritur S.O.E në terren.
Dihet tashmë qartë se, Misioni i parë i britanikëve për t’u parashutuar në Shqipëri u organizua në Kajro, në Zyrat kryesore të S.O.E për Lindjen e Mesme ne. Është folur mjaft për këtë Mision dhe mënyrën se si ky Mision hyri në Shqipëri, por e reja që sjellin dokumentet e sotme janë fakti i panjohur se, një person i familjes mbretërore shqiptare ishte përcaktuar si një prej anëtarëve të këtij Misioni.
Me sa duket, Princi Hysejn, i përzgjedhur nga S.O.E si një person i aftë për t’u infiltruar në Shqipëri, duhet të ketë qenë edhe një prej shqiptarëve të parë që kanë qenë anëtarë të një prej formacioneve më të famshme ushtarake në botë: Legjioni i Huaj i Francës, i njohur si një organizatë ushtarake elitare. Duket qartë se Princi Hysejn ka qenë i gatshëm të jetë pjesë e këtij Misioni historik dhe nëse do ishte lejuar të infiltrohej në Shqipëri, mund të kishte luajtur një rol shumë pozitiv. Por, me sa shikohet shumë qartë nga dokumentacioni i botuar, me gjithë insistimin e S.O.E për ta pasur si pjesë të Misionit të vet në Shqipëri, Princi Hysejn është penguar nga insistimi i Ministrisë së Jashtme se, një përfshirje e tij në këtë Mision do të ishte një mbështetje e hapur e britanikëve për Zogun. Po kështu, në këtë dokument shikohet qartë se, me gjithë dashamirësinë e oficerëve të S.O.E ndaj Princit Hysejn për të pasur një rol në Shqipëri, duket qartë si ai do të përjashtohej nga çdo aktivitet politik që mund të ndërmerrte në Shqipëri një mendim sa naiv për ata që njohin Ballkanin, aq edhe jo korrekt. Me gjithë aspektin ushtarak që Princi Hysejn mund të sillte në këtë operacion, nuk mund të thuhet se një oficer britanik i cili nuk kishte dëgjuar më parë për vendin ku do të parashutohej ta donte Shqipërinë më shumë se një shqiptar, i cili me sa duket ishte mjaft i apasionuar ndaj çështjes shqiptare. Aq më shumë një shqiptar që vinte nga një familje me influencë në politikën shqiptare.
Një e dhënë tjetër shumë interesante në këto dokumente është njohja e faktit se Mbreti Faruk i Egjiptit ruhet nga një truprojë ekskluzivisht matjane, dhe ndoshta kjo ka qenë edhe një prej arsyeve të marrëdhënieve shumë të mira të tij me Zogun, kur ai e fton që të vinte dhe të jetonte ne Egjipt.
Mbi çështjen e Princit Hysejn dhe infiltrimin e tij në Shqipëri ka pasur një korrespondencë të gjatë midis autoriteteve britanike në Kajro dhe Londër, por për të botuar po zgjedhim ndërhyrjen në këtë çështje të antropologes britanike, oficere e S.O.E, Margaret Hasluck, e cila edhe në këtë rast merr në mbrojtje personazhe shqiptare, për të cilët ajo mendon së autoritetet britanike nuk janë të drejtë në gjykimin e tyre.

88/2/1/274/570
Për: M/DH
Nga B.8
Princi Hysejn DOCISHTA

Është propozuar që të kontaktohet Ministria e Jashtme për të marrë miratimin e saj për infiltrimin e personit të mësipërm në Shqipëri, së bashku me grupin e kapitenit CORIAT.
Princi, i cili është rreth 28 vjeç, është djali i dytë i motrës së madhe të Zogut dhe pretendenti i tretë në linjë për Fronin Mbretëror. Në kohën e okupacionit italian, në 1939 ai qëndroi në Shqipëri për 15 ditë duke luftuar në male, pasi Mbreti Zog kishte ikur. Princi është shkolluar në St.Cyr, dhe është regjistruar në Legjioni e Huaj Francez me kushtin që nëse një organizëm ushtarak shqiptar do të formohej ndërkohë që ai shërbente për Legjionin Francez, ai të ishte i lirë që të largohej nga Legjioni. Ai flet në mënyrë të shkëlqyer frëngjisht, një anglishte të rezervuar dhe ka sharm dhe sjellje shumë të mira. Për momentin është në Kajro, në transit.
Politikisht, ai ndjek këndvështrimet e xhaxhait të tij, të cilin edhe e riprodhon mjaft besnikërisht. Ai ka paraqitur jo zyrtarisht një Memorandum pranë Kombeve të Bashkuara, me kërkesën e zakonshme që kërkohet sigurim kategorik për garantimin e kufijve të Shqipërisë së para luftës. Megjithatë, politika nuk është interesi i tij, ai është shumë i përfshirë në çështje ushtarake se sa politike që preokupojnë vendin e tij.
Për sa i përket kontakteve të tij në Kajro, sipas dëshmisë së vetë Princit, shumë anëtarë të Kolonisë Shqiptare këtu e kanë vizituar atë për të treguar devotshmërinë ndaj Zogut. (me sa duket si rezultat i qëndrimit të M.Sula). Ai refuzoi të takonte Qemal Butkën si dhe zotin GHETCHO, Sekretarin e Parë të Legatës në Kajro. Qemal Butka, natyrisht që do të kishte objeksion për ta takuar atë, pasi ai ka qenë kritik ndaj Zogut në shtyp, ndërsa refuzimi për të takuar z.GHETCHO ka të bëjë me faktin që ky i fundit është mik me Z.Butka. Princi Hysejn u takua gjithashtu edhe me matjanët që formojnë truprojën personale të Mbretit Faruk.
Për arsye operacionale, do të ishte shumë e dëshiruar ideja se Princi mund të shoqëronte Misionin e kapitenit CORIAT për infiltrim në Shqipëri, pasi një udhërrëfyes dhe përkthyes besnik do të ishte një pjesë esenciale e Misionit. Eksperienca jonë deri më tani na ka treguar se të tillë persona është vështirë për t’u gjetur. Princi, me edukimin dhe eksperiencën që ka, është mjaft i aftë për këtë Mision.
Po kështu, ai mund të luajë një rol të rëndësishëm si një person i cili mund të mbledhë njerëz nën influencën e tij si dhe do t’i jepte Misionit të Kapitenit Coriat një prestigj të dukshëm, duke e bërë më të lehtë detyrën e koordinimit dhe drejtimit të aktivitetit të guerriljeve lokale.
Do të ishte shumë e pamundur që një prezencë e Princit Hysejn në gjirin e një Misioni britanik në Shqipëri do të krijonte komplikime politike, një mundësi zhvillimi që sigurisht është në mendjen e ministrisë së Jashtme.
E para, Princi nuk është një politikan nga natyra dhe aspekti ushtarak i Misionit do të ishte pjesa më atraktive për të se sa aspekti politik. E dyta, ai është shumë i ri dhe nën drejtimin e një personaliteti të fortë dhe të ashpër siç është edhe CORIAT, do të ishte shumë e vështirë që t’i hynte një aventure politike në mënyrë të pavarur.
Unë do të sugjeroja që pika e fundit të theksohej qartë në propozimin që do t’i bëhej Ministrisë së Jashtme.
Po kështu, duhet bërë i ditur fakti që shërbimi që i kërkohet Princit është tërësisht ushtarak dhe qëllimi ynë është që ta ruajmë atë nga çdo lloj ndërhyrjeje politike që mund të vijë nga prezenca në Shqipëri me një Mision Britanik.
Firmosur
B.8

Dokumenti 2
B8/4/272/131
Për: D.S.O
Kopje X
Nga D/H 274
Princ Hysejn ZOGU
1. Ref e Juaja SIME/Ç%100143/B.1 e 15.10.42 ky raport mbi Princin Hysejn është jo korrekt. Ai, sigurisht që ka bërë propaganda pro Zogiste në Kajro dhe Stamboll, por kjo mund të kuptohet nga nipi i një Mbreti në mërgim.
2. Nuk ka asnjë evidencë që ai ju është bashkuar forcave franceze për të siguruar lehtësira udhëtimi me qëllim bërje propagande.
3. Ai mundet apo jo që t’i ketë paguar përfaqësuesit e mediave dhe agjencive të botimit për të raportuar mbi aktivitetin e guerrilëve. Megjithatë, nuk kemi asnjë evidencë mbi këtë gjë. Duke parë se ai qëndroi disa javë në Kajro, nuk ka sens që ai kishte nevojë për të udhëtuar përsëri në Stamboll për të bërë këto pagesa. Do të ishte më e lehtë që të paguante drejtorët e këtyre agjencive që janë në Kajro. Edhe nëse ka bërë të tilla pagesa, ai nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndjekur shembullin e britanikëve apo grekëve. Pagesa për shtypin nuk janë monopol i asnjë race, e aq më shumë në kohë lufte.
4. Konkluzioni im është se dokumenti i SIME është jo korrekt.
Firmosur
D/H 274

 

Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu