Bunkerët, paratë vinin përmes “kanalit ushtarak” kinez

0
335

Flasin oficerët madhorë të ushtrisë shqiptare: Kostaq Karoli, Bajram Mane, Thoma Lakra, Hetem Halili e Agustin Gjinaj. Betonizimi për rast lufte. Në terren jo më shumë se 170 mijë qendra të fortifikuara

Tanimë nga lufta frontale frikë më nuk kemi dhe armiqve të djeshëm u blejmë mallra konsumi me para në dorë. Nga armatimi i tepërt po zhvishemi çdo ditë, ndërsa numri i ushtarëve me pagese nuk e kalon organikën e dy brigadave të djeshme të këmbësorisë, bashkë me gjithë rezervistët. Por në vitet ’80, “tabloja sinoptike” ishte krejt ndryshe. Shqiptarët derdhën shumë djersë dhe gjak gjithashtu për t’u armatosur deri në dhëmbë e për të ngritur kupolat kundër bombardimeve armike… …Duke rrëzuar shifrën e 700 mijë bunkerëve, që fillimisht u besua se ishin ngritur në Shqipëri me një të rënë të lapsit, e për ta reduktuar atë në të paktën 170 mijë të tillë, duhet të themi dhe një tjetër të vërtetë, që jo gjithçka është bërë më paratë e taksapaguesve vendas. Fondi që kalonte nëpërmjet “kanalit ushtarak” nuk ishte një shpikje kineze, por një llogari ku derdheshin para nga kontributi i shtetit kinez, për fuqizimin e ushtrisë shqiptare, e në këtë kuadër dhe për ngritjen e fortifikimit. Shkurt, Shqipëria nuk ka pasur ndonjë humbje të konsiderueshme nga thesari i shtetit për këtë çështje, e për më tepër nuk kishte këllqe të ndërtonte hidrocentrale e bunkerë njëkohësisht. Ja çfarë thonë për gazetën “Shekulli”, në dëshmitë e tyre, lidhur me këtë çështje, disa nga oficerët madhorë të ushtrisë shqiptare:

Për fortifikimet çimento dhe hekur nga Kina

Kostaq Karoli – Gjeneralmajor, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

Fortifikimi ka qenë, veçanërisht pas viteve ’92, një problem që është përfolur shumë. Pas viteve ‘70, në shtetet kryesore, puna e gjerë kërkimore shkencore në fushën ushtarake, e zhvilluar për një kohë të gjatë, po jepte rezultatet e saj. Me hapa të shpejta po rinovohej teknika e aviacionit, flotës, tankeve e transportuesve të blinduar. Helikopteri po bëhej pjesë e pandarë e çdo luftimi duke u konsideruar si “tanku i ajrit”. Raketat e llojeve të ndryshme po bëheshin pjesë organike e reparteve dhe njësive. Po ndryshonin në mënyrë rrënjësore mjetet e drejtimit dhe të luftës elektronike. Po rritej fuqia e zjarrit të artilerisë tokësore, larghedhja dhe shpejtësia e hapjes dhe drejtimit të zjarrit. Të gjitha këto, për shkak të pamundësisë apo të kostos financiare që kishte blerja e teknikave të reja, si dhe nisur nga qëllimi për të mbrojtur vendin, çuan midis të tjerave në rrugën e fortifikimit. “Luftën e Ftohtë”, nuk e shpikëm ne, por ne paguanim pasojat e saj. Do t’i referohem shkurtimisht studiuesit amerikan T.N.Dupoi. Në librin e tij “Historia dhe Teoria e Luftës” ai në lidhje me fortifikimin, në faqen 20-21, shkruan: “Shanset e mbrojtjes për fitore, janë në përpjesëtim të drejtë me shkallën e fortifikimit… …Kurrë ndonjëherë gjatë tërë historisë nuk është dobësuar mbrojtja nga prania e fortifikimit… …veprat mbrojtëse gjithmonë e rrisim fuqinë luftarake. Më e pakta që mund të bëjnë fortifikimet është të vonojë një mësymës dhe t’i rritin atij humbjet… …Në rastin më të mirë, fortifikimet do të mundësojnë mbrojtësin t’i shkaktojë disfatë mësymësit”. Dhe kur në këto fortifikata, siç ka dhënë dikur baroni Von Kinser: “Ka burra trima me zemër luani si shqiptarët”, kuptohet sesa të fuqishme bëheshin vijat e mbrojtjes. Është spekuluar shumë me shifrën e qendrave të zjarrit. Ka pasur deklarata kundërshtuese ku një herë thuhej për 700 mijë bunkerë e një herë për 360 mijë. Por e vërteta është se ato ishin gjithsesi 176 mijë copë. Në fakt ai nuk do të ishte i plotë në qoftë se nuk do të përmendnim sistemin e strehimeve për mbrojtjen e popullsisë, sistemin e vendkomandave, i cili është ndërtuar i gjithi nën tokë, baza ajrore e Gjadrit dhe bazat detare të ndërtuara në Shëngjin e Palermo, të cilat janë vepra madhore e të rralla në llojin e tyre, sistemi i ndërlidhjes telefonike i cili është i groposur i gjithi nën tokë, etj.. I gjithë ky sistem fortifikimesh u bë me mundit, djersën e gjakun e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarakëve, me një kosto minimale të domosdoshme. Duhet ditur se një pjesë e shpenzimeve, që shkonin në Porto-Palermo, vinin nga Kina në formë çimentoje dhe betoni. Por me ndihmën e Kinës u ndërtuan dhe objekte të tjera të fortifikuara.

Fortifikimi na mori shumë energji

Bajram Mane-ish zv/ ministër i mbrojtjes popullore

“Fortifikimi i teatrit të veprimeve luftarake në front e në thellësi thithi shumë punë e energji të popullit dhe ushtrisë. Për kushtet e asaj kohe, ai ishte më se i domosdoshëm. Fortifikimi filloi të merrej seriozisht në konsideratë dhe u hapi probleme të mëdha ushtrive të vendeve fqinj. Është thënë edhe nga specialistë të tjerë ushtarakë, por po e cilësoi edhe unë, që fortifikim i strategëve ushtarakë shqiptarë ishte i pakrahasueshëm në tërësinë e tij me asnjë fortifikim tjetër në botë dhe nuk ka se si të mos merrej parasysh nga arm- iqtë tanë të mundshëm të asaj kohe. Struktura organizative dhe gatishmëria luftarake ishte në kulm. Të gjitha gjërat ishin në funksion të njëra-tjetrës. Asgjë nuk neglizhohej. Në teorinë ushtarake, por dhe në praktikë, zuri vend si asnjëherë tjetër lufta kundër desantit ajror, si rrezik potencial që mund t’i vinte Shqipërisë nga forcat e NATO-s dhe sidomos të Traktatit të Varshavës. Në kushtet kur fortifikimi në Frontin Tokësor e bregdetar ishte mjaft cilësor dhe nuk lejonte hapësira dhe paraqiste vështirësi për t’u çarë, nxori si domosdoshmëri para ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm se duheshin marrë të gjitha masat tekniko-organizative për të përballuar një sulm eventual nga ajri. “Si specialist ushtarak, edhe në këtë dimension të ri, unë mendoj se iu arrit qëllimit. Zonat e desantimit masiv u fortifikuan, u vendos artileria e gatshme në objekte tepër të fortifikuara në kodrat përreth, duke hedhur në hartat e kuadratuara çdo të dhënë, me qëllim që në momentin e duhur të mos humbisje kohë, por vetëm të hapje zjarr. Artileria kundërajrore u vendos e studiuar dhe mbulonte me zjarr kundërajror jo vetëm njëra- tjetrën, por edhe me shtresa. Në të gjitha kanalet vaditës dhe kullues u hapën pikat e kalimit të tankeve, të cilat diheshin dhe ruheshin vetëm nga tankistët. U gjetën mënyra dhe forca që brenda 20-30 minutash të bëhej bllokimi i desantit ajror dhe më pas asgjësimi i tij. Në çdo mal që kishte një fushë, në rrafshin e tij u vendosën forca të gatshme, të ashtuquajtura kompanitë e këmbësorisë kundërajrore me mjetet e nevojshme, për të mos lejuar uljen e helikopterëve të ushtrive te huaja”.

Tre vijat e fortifikuara botërore

U studiuan vijat e famshme “Mazhino”, “Monerheim” e “Zigfrid”

Në botë njihen disa lloje fortifikimesh që janë vënë në përdorim dhe që kanë pasur sukses. E para vijë e fortifikuar dhe shumë e njohur është vija “Mazhino”. Ajo u ndërtua në Francë për të përballuar trupat gjermane në Luftën e Parë Botërore. Sot mbase nuk duket një vijë shumë e fortifikuar, por edhe në Luftën e Dytë Botërore, Adolf Hitleri e anashkaloi vijën “Mazhino”, sepse iu duk aventurë të merrte këtë brez të mbrojtur. Më pas vjen “Monerheim” në kufirin Ruso-Finlandez. Emri i saj është vënë për nder të iniciuesit të saj ministri i Mbrojtjes së Finlandës së atyre viteve (Carl Gustaf Emil Mannerheim). Vija e tretë e fortifikuar që njihet është vija “Zigfrid”. Ajo është ndërtuar nga gjermanët në Karpate, (Rumani) gjatë Luftës së Dytë Botërore me një thellësi 8-12 kilometra. Kjo bëri që rusët, në vend të një batalioni të fusnin 2 divizione. Pra u shpenzuar gjithë ato forca e mjete për të marrë një vijë të fortifikuar si ajo me emrin “Zigfrid”.

Nga Kina dollarë për Gjadrin e Porto Palermon

Thoma Lakra, ishkomisari i Divizionit të Xhenios

Filluan reforma të mëdha në ushtri si fortifikimi i brezave të mbrojtjes me qendra zjarri. Pozicione zjarr-artileri, fortifikimi i zonave të mundshme të dekantimit ajror etj.. Vlen të përmendet që tërë procesi i projektimit, prodhimit dhe montimit të mbi 100 mijë qendrave zjarri u bë për afro 4-5 vjet, (1975-1980). U bënë njëkohësisht qendrat e zjarrit të montuara me kërkesën e Mehmet Shehut, të cilat iu nënshtruan eksperimentimit me qitje direkt me të gjithë kalibrat e armëve, ku u nxorën konkluzionet dhe reflektime në projektimin dhe prodhimin e tyre. Në Shqipëri u prodhuan dhe u montuan rreth 100 mijë qendra zjarri. Vitet me intensitet më të lartë kanë qenë 1976, 1977, 1978, 1979, 1980. Fortifikimi i vendit u krye sipas motos “Investimet në fortifikim janë më rentabilet” ose “Sa më shumë djersë në Fortifikim në parqe, aq më pak gjak në luftë”. Sipas koncepteve të kohës, fortifikimi ishte i nevojshëm, por në zbatimin praktik, u bënë edhe gabime, duke bërë vendosjen e qendrave të zjarrit në terren fushor, ose në terrene të kalueshme nga teknika dhe mjetet e montimit.

Porosia e Mehmet Shehut

Me porosi të Mehmet Shehu, që në fillim të vitit 1975 është bashkëpunuar midis ushtrisë dhe Ministrisë së Ndërtimit për të punuar që në fazën e projektimit për lënien e vendeve për Minimin e Urave në rast lufte. Po kështu që në atë kohë ka studime në Ministrinë e Mbrojtjes për efektet negative nga përmbajtja, si rezultat i hapjes së portave të hidrocentraleve apo në rast të çarjes së digës së Vaut të Dejës, pasi në atë kohë ishte në shfrytëzim vetëm hidrocentrali i Vaut të Dejës. Vlen të theksohet se të gjitha këto vepra ndërtimore ishin projektuar e ndërtuar nga inxhinierët shqiptarë me fuqi punëtore kryesisht ushtarë. Us tria u bë me plot kuptimin e fjalës shkollë edhe për përgatitjen e specialistëve të tillë si muratorë, karpentierë, hekurkthyes, minatorë, zjarrmëtar, saldator, mekanik etj, të cilët mbas mbarimit të ushtrisë ushtruan në profesionet e mësuara në Ushtri. Shumë nga ndërtimet fortifikuese u bënë me fondet e Kinës, sidomos kur flitej për për objekte të mëdha që ishin të nënshkruara në kontratë. Kështu u financua baza e Porto Palermos dhe ajo e Gjadrit. Ndërtimi i tunelit të Gjadrit u financua i plotë, ndërsa Porto Palermo përgjysme pasi për shkak të prishjes së marrdhënieve nuk u arrit të përfundohej i gjithë kapaciteti i punimeve.

 

Nga Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu