Burim Berisha shpenzon 8500 euro për qebapa

0
114

Për vetëm një ditë, përkatësisht më 12 dhjetor 2011, Komuna e Fushë- Kosovës që udhëhiqet nga Burim Berisha ka shpenzuar 8524,80 euro për qebapa dhe sallata.

Në përshkrimin e shpenzimit nuk ceket arsyeja e shpenzimeve, por mund të supozohet se këto shpenzime janë bërë për të përmbyllur vitin kalendarik 2011. Kështu thuhet në raportin e Institutit “GAP” me titull: “Letërnjoftimi i Komunës së Fushë- Kosovës 2012”.

Sipas këtij raporti, Komuna e Fushë- Kosovës ka shpenzime të mëdha në linjën e mallrave dhe shërbimeve. Këto shpenzime vërehen në kategorinë e darkave dhe drekave zyrtare, në telefon, në pije dhe ushqim, në udhëtime, etj.

Komuna e Fushë- Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2011 ka shpenzuar 10150 euro në bufenë e komunës për kafe turke, makiato dhe çaja.

”Pjesa dërrmuese e këtyre shpenzimeve është bërë për kafe turke. Shërbimet e bufesë që mbulohen nga paratë e buxhetit vlejnë vetëm për zyrtarët e lartë të një institucioni, te rasti i komunave mund të hynë Kryetari, Nënkryetari, Kryesuesi i Kuvendit, drejtorët e Drejtorive dhe eventualisht shefat e zyrave si shefi i prokurimit dhe shefi i zyrës se auditimit”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Ndërsa për ushqim dhe pije gjatë vitit 2011 ka shpenzuar 6499 euro,kurse për ushqim dhe pije të çerdhes së qytetit, janë shpenzuar edhe 8493 euro.

Për nder të shtatë dhe tetë marsit (Ditës se Mësuesit dhe Ditës së Gruas), Komuna e Fushë-Kosovës për ushqim dhe pije ka shpenzuar 1.999 euro.

Për telefon mobil dhe fiks, Komuna gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar 28 801 euro, shumë kjo që është për rreth 15 000 euro më shumë se sa që ka shpenzuar Komuna e Prishtinës për telefona gjatë 2011.

Një element që vihet në pah të shpenzimet e telefonave në Komunën e Fushë -Kosovës është se shumat treshifrore të shpenzimeve për telefona janë bërë gjatë muajit korrik dhe gusht (sezoni i verës) dhe kjo potencialisht rezulton me mundësinë që shpenzimet janë bërë për shfrytëzimin e romingut jashtë Kosovës gjatë pushimeve verore, bëhet e ditur në raport.

Komuna e Fushë Kosovës po ashtu gjatë 2011 ka blerë telefona mobil në shumën prej 3200 eurove.Në raport flitet edhe për një numër të madh të punësuarish pa përgatitje adekuate shkollore.

Sipas këtij raporti,numri më i madh i të punësuarve me shkollim të mesëm në Komunën e Fushë -Kosovës haset në Drejtorinë e Administratës dhe në sektorin e gjendjes civile, ku nga gjithsej 30 të punësuar në këtë drejtori, 21 prej tyre janë me shkollim të mesëm apo edhe fillor, përderisa vetëm 9 janë me përgatitje universitare, pesë prej të cilëve me Fakultet Ekonomik, profil ky jo adekuat për administratë.

135 mijë euro në karburante

Komuna e Fushë -Kosovës për mëditje (kryesisht jashtë vendit ku hynë edhe shpenzimet e reprezentacionit) në 2011 ka shpenzuar 26.552 euro., ndërsa ka shpenzuar 134 mijë e 103 euro për karburante (për vetura, naftë për gjenerator dhe ngrohje qendrore) shumë kjo relativisht e lartë kur kihet parasysh territori i vogël i komunës.

Shpenzimet për karburante të Komunës së Fushë- Kosovës janë të njëjta me shpenzimet gjatë 2011 të Komunës së Gjakovës.

 

Nga Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu