Çfarë din Isa Mustafa për Gjykatën Speciale?

0
323

Isa Muti

Në pjesëmarrjen e tij në ditën e tretë të “Javës së Gruas”, kryeministri Isa Mustafa u pyet edhe për Gjykatën Speciale. Nga ai u kërkua të përgjigjet se a do të kërkojë ai si kryeministër që të gjykohen edhe personat që kryen dhunë seksuale ndaj femrave gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mustafa tha se nuk është në dijeni se a do të gjykohen ata persona, veçse në përgjigjen e tij la të kuptohet se në këtë gjykatë do të trajtohen vetëm ato raste të cilat kanë qenë pjesë e raportit të Dick Martyt.

Në raportin e senatorit zviceran nuk përmenden fare rastet e dhunës seksuale e as krimet që forcat e policisë dhe ushtrisë serbe kanë kryer ndaj civilëve shqiptarë, por vetëm krimet e supozuara nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Ajo që parashihet është të trajtohen të gjitha rastet e vitit 98, 99 dhe 2000. Do të thotë çdo veprim i dhunës, ose vepër e rëndë e cila është kryer gjatë këtyre viteve dhe që ka qenë pjesë e raportit të Dick Marty-t, do të trajtohet. A është dhuna seksuale aty apo nuk është, unë nuk mund të them sepse asnjëri prej nesh nuk e dimë as cilat janë rastet, as cilët janë personat, sepse kjo çështje ka mbet në ato të cilat i ka udhëheq prokurori Wiliamson dhe do të thotë nuk jepet për publik, dhe ne nuk ka njoftua askush si qeveri”, tha ai.

Mustafa përmendi se vitin e kaluar është bërë një këmbim i letrës mes presidentes së vendit dhe baroneshës Ashton, ne të cilën kanë marrë obligimin që të vazhdojnë mandatin e EULEX-it deri në mesin e vitit 2016, dhe se kanë marrë obligimin që ta përbëjnë Gjykatën Speciale, që siç tha ai, në mënyrë që të trajtohen të gjitha rastet që dyshohen dhe që dalin nga raporti i Dick Marty-t

Në mesin e grave, para së cilave u përgjigj kryeministri sot, pati edhe nga ato të pakicave. Kreu i ekzekutivit u pyet nga një banore e Graçanicës se kur mund t’i realizojnë ata të drejtat e tyre të plota si qytetarë të Kosovës.

Ajo gjeti mbështetje tek kreu i ekzekutivit, i cili tha se po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një gjë të tillë.

Kryeministri Mustafa tha se presin që Lista Serbe të kthehet shpejt në Parlament dhe Qeveri të Kosovës. Por, sipas tij, serbët e Kosovës kanë mbetur mes Prishtinës e Beogradit dhe kështu nuk po mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.

“Jemi në një situatë kur serbët nuk po mund të realizojnë të drejtën e vet për arsye se duhet për çdo gjë të shkojnë të pyesin në Beograd. Tash kanë mbet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne iu thamë qe në Beograd mund të shkoni, të konsultoheni sepse askush nuk iu ndalon këtë, por ju jeni anëtar në Kuvendin e Kosovës jeni anëtarë të Qeverisë së Kosovës dhe ne bashkërisht duhet t’i zgjidhim problemet e Kosovës. Sepse edhe neve nuk na ka ndalu askush me shkuar në Shqipëri, kemi shkuar para tre ditëve dhe kemi bërë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, jemi marrë vesh qysh me i lehtësua marrëdhëniet me Shqipërinë, do ta bëjmë edhe me Maqedoninë pas dy jave, do take mi një takim do ta bëjmë edhe me Malin e Zi, do ta bëjmë edhe me Vuçiqin, do t’i themi kryeministrit të Serbisë, nëse kanë vullnet hajde të ulemi e të merremi vesh për disa fusha të bashkëpunimit në mënyrë që lehtësohet bashkëpunimi i Kosovës me Serbinë, por kjo nuk nënkupton që njerëzit mos ta kenë lirinë e plotë, ju do ta keni përkrahjen e plotë dhe të drejtat t’i realizoni si çdo qytetarë tjetër Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu