Çfarë ndodhi me “Dardania Bank” në Tiranë

0
73

Një grup themelues të Fondit të Republikës së Kosovës në Gjermani, iu kanë  drejtuan kryeprokurorit të Republikës së Shqipërisë Adriatik Llalla me  kërkesën që ky hetojë se çfarë ka ndodhur me “Dardania Bankë” në Tiranë.Në këtë letër, sipas kosovainfo,  thuhet se besojmë se jeni të informuar se mërgata kosovare në vitet e 90-ta në Evropën Perëndimore, ShBA dhe Australi, kishte themeluar fondet e para legale për t’i dalë sado pak në ndihmë popullatës, institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi.

Po në ato vite, vazhdon letra, është formua në Tiranë edhe “Dardania Bankë”, e cila për disa vite shërbeu si urë lidhëse mes fondeve të Kosovës në Perëndim dhe Këshillit për Financa të Republikës së Kosovës në Prishtinë. Kjo bankë është menaxhuar nga një staf profesional dhe është drejtuar nga Qeveria e Kosovës në ekzil me në krye kryeministrin e atëhershëm dr. Bujar Bukoshin.

“Banka asokohe ka luajtur një rol të veçantë në lehtësimin e bartjes së mjeteve financiare për Kosovën, dhe ishte pronë e shtetit të Kosovës, por që duhej edhe të mbetej në pronësi të tij.

Mirëpo, në ndërkohë, siç jemi informuar jo zyrtarisht, ajo bankë është shitur dhe është tjetërsuar dhe rreth këtij akti ka pasur shumë thashetheme, por që zyrtarisht ne nuk jemi informuar asnjëherë deri më tash se çka ka ndodhur me të!”, thuhet në letër. Ne, vazhdon letra, si bashkëthemelues të Fondit të Republikës së Kosovës në Gjermani, dhe, po ashtu bashkëthemelues edhe të “Dardania Bankës” në Shqipëri, nuk jemi të informuar kurrë rreth fatit të saj.

“Shqiptarët, gjegjësisht mërgimtarët tanë që kanë kontribuuar në Fondin e Republikës së Kosovës, mjete të cilat janë derdhur në atë Bankë, kërkojnë po ashtu që sa më parë të ndriçohet ky rast, pra se çfarë ka ndodhur me atë bankë para se t’i drejtohemi shteteve të BE-së me ankesë dhe lutje për zbardhjen e faktit se a ka keqpërdorime”, përfundon letra.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu