CIA për misionin “E premtja” në Konispol (Dokumentat)

0
369

Dokument i Shërbimit amerikan për operacionet “OBSIDIOUS”

Plani i CIA-s për misionin “E Premtja”, 23-26 korrik 1954.

Agjentët pjesëmarrës, instruksioni i lëvizjes, kontaktet sekrete, takimi në shtëpinë e fshehtë në Konispol.

Raporti: Takimi te shtëpia në Konispol.

Rezerva të zyrtarit të CIA-s: Agjenti ka katër vëllezër në Tiranë, shqiptarët shquhen për lidhjet familjare.

Agjenti kryesor mori armatime, flori dhe një kapsulë me helm.

Dokumenti që publikojmë sot, është pjesë e Dosjes Operacionale të misioneve të CIA-s në zonën e Konispolit. Në të ndriçohen disa nga ngjarjet misterioze që kanë të bëjnë me operacionet e shërbimit të fshehtë amerikan për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Në numrat e kaluar kemi zbardhur disa prej misioneve klandestine të CIA-s në pjesën jugore të vendit, të cilat janë dëshmitë e para nga burimet origjinale për këtë çështje kaq enigmatike. Në to konfirmohet qartë se amerikanët me ndihmën e zbulimit grek, kishin baza operacionale në Konispol. Aty vepronin disa agjentë  besnikë të amerikanëve të cilët, nëpërmjet një rrjeti sekret të “kutive të fshehta”, merrnin të dhëna ushtarake dhe politike nga Tirana dhe i përcillnin në Athinë. Dokumenti që botohet sot, sjell dëshmi të reja për agjentët që operonin në Konispol dhe misionet e tyre klandestine. Në të pasqyrohet plani për misionin “E Premtja” dhe raporti për realizimin e tij në terren në korrik të vitit 1954. Interesante në dinamikën e zhvillimeve të këtij operacioni janë zhvillimet në shtëpinë e agjentit kryesor në Konispol dhe këmbëngulja për shtrirjen e radhëve të agjentëve në Tiranë e Durrës. Shumëkush që njihet me këto të dhëna, me të drejtë i përqas ato me historinë e grupit të çamëve të dënuar me një proces të bujshëm në vitin 1961. Aktualisht, studiuesit që janë marrë me këtë histori, kanë pranuar njëzëri se procesi kundër tyre ka qenë i montuar. Deri më sot, askush nuk ka mundur të hedhë poshtë këto pohime dhe duhet thënë që opinioni publik ka pranuar në fakt se dënimi i disa ish- partizanëve dhe komunistëve nga Konispoli ka qenë plotësisht një vepër e Sigurimit të Shtetit. Dënimi i funksionarëve çamë është parë gjithmonë si një goditje e këtij komuniteti nga ana e Enver Hoxhës. Po përse i interesonte Hoxhës të godiste me çdo kusht krerët e këtij komuniteti? Dokumenti që botojmë, nuk jep mundësi për të identifikuar emrat e saktë të agjentëve që hynin nga Greqia për në Konispol, por ngjarjet dhe koha e përshkruar aty nuk ka dyshim se i lidh ata me grupin e Konispolit.

Raporti:
IA:-Air Pouch
TO: Chief, SE
(SPECIFY AIR OR SEA POUCH)
SECRET. PATCH NO 3 G A A – 1/11a`59 all°.27751°1 4 ,),)
SUBJECT: GENERAL-OBHUNT/Friday
S P E C IF IC – Friday;
Mission Debriefing or Trip 23 – 26 July 1955
REF.: SATHE- 7976-9av6 54

Misioni Obhunt
Intervista për Misionin “E Premte”
Veprime të kërkuara nga Qendra. Komente mbi zhvillimet e Misionit “E Premtja”
“    RNDOLLAR dhe AIRBREAD u infiltruan në Shqipëri natën e 23 qershorit.
“    RNDOLLAR kontaktoi dhe rekrutoi, si dhe instruktoi AIPIGEON natën e 24 qershorit.
“    Një vend për kutitë sekrete u vendos nga RNDOLLAR, AIRBRED dhe AIPIGEON më 25 qershor.
“    Grupi “E Premtja” kaloi kufirin herët në mëngjes më 26 qershor.
“    AIPIGEON ka rënë dakord që të rekrutojë një apo me shumë nga vëllezërit e tij në Tiranë dhe Durrës në vjeshtën e këtij viti.
1.    Bashkangjitur keni intervistën me Grupin “E Premtja” shkruar nga Linaught nën supervizionin e MERSEREAU (emër i koduar). Informacionet e mbledhura në rrugë dytësore nga grupi i agjentëve do t’ju dërgohen nën një dokument më vete.
2.    Një vështrim i këtij dokumenti do të tregojë se Grupi ka devijuar disa herë gjatë intervistës dhe në veçanti:
a. AIRBRED shoqëroi RNDOLLAR në shtëpinë e AIPIGEON

b. Gruaja e AIPIGEON ishte prezente gjatë rekrutimit dhe instruksioneve.
c. Sinjalet e sigurisë së vendit ku ndodhet kutia e fshehtë, është në distancë shikimi dhe dëgjimi nga vetë kutia.

d. Asnjë sinjal i pavarur për kutinë e fshehtë nuk u përgatit në rast emergjence për t’u përdorur nga RNDOLLAR dhe AIPIGEON

e. Dy persona të tjerë janë të familjarizuar me objektivat e Misionit: gruaja e AIPIGEON dhe AIRBRED
3.    Mund të themi në një analizë realiste se:
a. Katër fëmijët e AIPIGEON kanë dijeni për prezencën e Grupit përqark shtëpisë.
b. AIPIGEON ka shumë mundësi të provojë se nuk është agjenti kryesor agresiv në rekrutime, por duket se ai mendon se të paktën rekrutimet dhe instruksionet e agjentëve të tjerë të kryhen nga gruaja e tij.

c. Vendi i kutisë së fshehtë mund të jetë i vështirë për t’u arritur përgjatë periudhës së dimrit.
4.    Në pjesën pozitive të problemit:
a. Kemi arritur të rekrutojmë një rezident legal në një zonë kontakti me lidhje në Durrës dhe Tiranë.

b. Gruaja e AIPIGEON nga raporti del se ka më shumë dëshirë për rekrutime dhe është me e aftë se i shoqi.

c. Komunikimi me agjentët kryesorë tashmë është stabilizuar në një vend, i cili mund të arrihet në një kohë prej 6 orësh vajtje-ardhje.

5.    Duke marrë parasysh tolerancën e ashtuquajtur për mentalitetin shqiptar që duhet marrë në konsideratë edhe për agjentët më të aftë, ne mendojmë se Grupi e realizoi këtë Mision me sukses. Bëri atë për të cilën ishte dërguar të bënte, duke mos alarmuar asnjë forcë armike në terren. Mjaftueshmërisht instruksionet e marrë janë ekzekutuar me sukses, për të na dhënë ne mundësinë të mendojmë se komunikimi me agjentin kryesor to të jetë relativisht i lehtë.

6.    Ne mendojmë se një vendim për vazhdimin e këtij operacioni duhet të ndjekë këto konsiderata:
a. Paaftësia e agjentëve tanë të ndjekin udhëzimet tona sipas instruksioneve, edhe në raste kur devijimi i tyre prej këtyre instruksioneve nuk justifikohet nga procedurat operacionale, duhet të merret parasysh tashmë si një fakt. Bazuar në këtë konkluzion, duhet të marrim parasysh se kërkesat e Inteligjencës sonë do të arrijnë burimet finale në një forme paksa të deformuar. Nëse operacioni “E Premtja” arrin të zhvillohet në periudhën e vet produktive, ky produktivitet në fillim do të jetë në vlerë të limituar. Nëse do të duhen instruksione të tjera apo jo, të cilat do të përmirësojnë kualitetin, kjo mbetet për t’u parë. Ne nuk kemi eksperiencë të mëparshme në Shqipëri, nga e cila të përllogarisim kualitetin e prodhimit të inteligjencës së marrë.

b. Meqenëse agjenti ynë kryesor ka refuzuar çdo lloj mënyre komunikimi, përveçse me kontakte fizike personale dhe me korrier, ne nuk mund të presim si fillim volume të mëdha me materiale nga operacioni “E Premtja”.

c. Për arsye se lidhjet e forta familjare janë një karakteristikë kombëtare, do të ishte jo realiste që ne të mos mendonim se të katër vëllezërit e AIPIGEON në Tiranë nuk do të jenë në dijeni të aktivitetit të tij. Asgjë që ne do të thoshim apo do të bënim nuk do të pengonin këtë informacion, prandaj ne mendojmë se Misioni “E Premtja” është në një mundësi rreziku për t’u zbuluar.
7.    Ne nuk mendojmë se këto konsiderata do të ndalonin vazhdimin e Misionit “E Premtja”, në të kundërt, ne mendojmë se aprovimi për veprime të mëtejshme të këtij Misioni duhet aprovuar. Janë të gjitha shpresat se me pak fat dhe me vazhdimin e shërbimit nga RNDOLLAR ne do të arrijmë rezultate të mira për të shpërblyer përpjekjet tona.
8.    Si konkluzion, një fjalë për RNDOLLAR. Ai e ka provuar veten e tij si agjent i dedikuar dhe inteligjent, me maturi përtej viteve të tij. Ai ka një mendje shumë të veçantë, si dhe një durim të madh. Po kështu, tashmë në Greqi ai ka mundur që t’i kontrollojë shpërthimet e veta, duke mos krijuar asnjë problem. Sigurisht që ne i pranojmë disa defekte të tij, por mendojmë se një agjent i mirë nuk është detyrimisht një engjëll në shoqëri.
Firma
(emri i fshirë)

DOKUMENTI II
RSO/RMW/brr
12.Gusht.1954
KAPOK (emri i koduar i CIA-s)
Për:
3-Wash
1-Vital Docs
1-Chrono
1-Subject
1-XO
2-OBHUNT
SEKRET

MEMORANDUM
Për: (emri i fshirë)
Nga: (emri i fshirë)
Subjekti: Raporti i Misionit “E Premtja” i datës korrik 23-26, 1954

Grafika e Zhvillimeve
23 korrik 1954

20:55 grupi la kuotën R 406543 dhe filloi marshimin drejt kufirit.
21:25 Grupi u ngjit mbi telat me gjemba 1 metër i lartë dhe gjysmë metri i gjerë, i cili është paralel me kufirin.
23:30 Grupi kaloi rrugën e qytetit në pikën 300-500 m në lindje të burimit, i cili qëllimisht u evitua në pikën R 410575.
2345 Grupi u ndal në këmbët e malit në një distancë gati 500 metra nga rruga dhe pushoi për 30 minuta
24 korrik 1954
20:30 Grupi arriti në vendin e fshehtë Nr 1 (R 436566), ku qëndruan gati gjithë ditën.
20:30 Grupi la vendin e fshehtë Nr. 1 për të bërë kontaktin në qytet.
21:15 Tek një pikë jashtë qytetit, i quajtur (Fiku i Shurit) grupi fshehu materialet me përjashtim të materialeve të shkruara, shisheve të ujit dhe armëve.
22:30 Grupi ndoqi një monopat pak a shumë paralel me rrugën kryesore për t’iu afruar shtëpisë së AIPIGEON. Ky veprim u bë për arsye që të shmangej vendi ku grupi u diktua në një radhë më përpara, si dhe te evitoheshin disa shtëpi fqinje, të cilat kanë dritat ndezur dhe e bëjnë afrimin të rrezikshëm.
Këtë radhë afrimi u bë i shpejtë dhe me eksperiencën e mëparshme të gjitha shtëpitë nga ku mund të vendosen prita, u evituan. Grupi kaloi 60 metra poshtë tyrbes (xhami e vjetër në origjinal).
Pasi hyri në oborrin e AIPIGEON, AIRBRED u pozicionua te porta ndërsa RNDOLLAR iu afrua shtëpisë dhe trokiti në derë. Gruaja e AIPIGEON e hapi dritaren dhe pyeti se kush ishte. Pasi RNDOLLAR tregoi identitetin e vet dhe pas shumë hezitimesh për t’u siguruar se ishte ai në të vërtetë, gruaja e hapi deren.
AIPIGEON, i cili ishte duke fjetur nën një pemë ulliri aty pranë, erdhi menjëherë pasi e shoqja e lajmëroi dhe iu bashkua gruas dhe RNDOLLAR. Gruaja e AIPIGEON që në momentin e prezencës së RNDOLLAR e kontrolloi situatën me kompetencë, ishte prezente gjatë takimit të vëllezërve, si dhe mori pjesë aktivisht në bisedime, si dhe në instruksionet qe iu dhanë AIPIGEON.
Në fillim RNDOLLAR i shpjegoi AIPIGEON arsyet për misionin, i përshkroi objektivat si dhe e pyeti nëse ai do të dëshironte të merrte pjesë në këtë ndërmarrje. AIPIGEON, pasi u sigurua se i vëllai i tij përfaqësonte HTWEIGHT edhe ODYOKE u përgjigj se ai do të ndihmonte planet e RNDOLLAR, por menjëherë pas këtij pohimi tha se ai mund të prodhonte një minimum informacioni sekret për arsye të statusit të tij me SIGURIMIN. Ai tha se, edhe pse deri më tani nuk kishte dalluar ndonjë informator special qe t’i ndiqte gjurmët e tij, ai dhe gruaja e tij u ishte kërkuar katër herë që të raportonin në zyrat e SIGURIMIT, ku u këshilluan që të merreshin vetëm me punët e tyre, të mos komunikonin më me pjesën tjetër të familjes, si dhe të mos i dërgonin më ushqime vëllait të tyre në Burgun e Burrelit.
AIPIGEON iu kërkua nga RNDOLLAR nëse ai do të ishte dakord që të rekrutonte agjentë të tjerë, si dhe të krijonte një rrjetë inteligjence, e cila të mblidhte informacion sekret. AIPIGEON pranoi, por deklaroi se do të rekrutonte anëtarë të familjes së tij, konkretisht të katër vëllezërit e tij. Ndërkohe nuk mund të rekrutonte të tjerë, përveçse atyre që u përmendën më sipër. AIPIGEON tha më tej se ai nuk mund të rekrutonte personalisht, por do të dërgonte gruan diku ne nëntor që të përcillte këtë mesazh. Me kthimin e saj në dhjetor, AIPIGEON do të furnizonte kutinë sekrete me informata.

RNDOLLAR i kërkoi të vëllait që ta dërgonte gruan më herët, por AIPIGEON kërkoi që të ruhej fshehtësia në maksimum, por shtoi gjithashtu se gruaja e tij nuk mund të largohej gjatë sezonit të punëve të vjeshtës. AIPIGEON nuk e fshihte friken e tij kundrejt SIGURIMIT, edhe pse i gatshëm për këtë mision, kërkonte të kihej shumë kujdes.
Ai mendonte se pasi të kishin mbaruar vjeljet e stinës, gruaja kishte justifikim për të udhëtuar në Tiranë dhe, me të përcjellë mesazhin e AIPIGEON, vëllezërit e tij mund të vinin për vizitë në Konispol. AIPIGEON deklaroi se ai do të dërgonte informata nëpërmjet sistemit të kutive sekrete, por nuk mund ta bënte këtë me agjentë që ai mund të rekrutonte. Ai ra dakord që të komunikonte vetëm me korrier. Ai sugjeroi se në të ardhmen ndoshta motra më e vogël mund të ishte një korriere e mirë.
RNDOLLAR, pas këtyre bisedave, vazhdoi me instruksionet e tjera dhe me kërkesën e AIPIGEON i shkroi të gjitha pikat në letër në mënyrë që i vëllai t’i memorizonte ato. Në fund të letrës, RNDOLLAR shkroi që, pasi të mësohet përmendësh letra, të digjet.
Këto instruksione kishin të përshkruara me detaje kërkesat e misionit inteligjent, format e shkrimit të mesazheve sekrete, si dhe raportimin e agjenteve. AIPIGEON u instruktua se, në rast të problemeve, ai duhej të dërgonte një korrier me një password, ku shkruhej “E PREMTJA E MIRË 1950″. Gjatë intervistës me RNDOLLAR, ne ishim të kënaqur që ai kishte një kuptim shumë të mirë të instruksioneve që kishte dhënë për këtë çështje:
a. Dekurajimin e kërkesës së gruas së AIPIGEON për t’u arratisur ne Greqi
b. AIPIGEON dukej se kishte furnizime të shumta ne ushqime
c. AIPIGEON nuk tregoi ndonjë shenjë që dinte për misionin “E Premtja” gjatë majit, megjithëse RNDOLLAR i bëri disa provokime.
Në fund, AIPIGEON iu dhanë 25 paund flori, 5.000 lek, një Mauzer 7.65 dy granada MILLS që ai do t’i përdorte në raste ekstreme, një kapsulë me helm, një orë dore, si dhe një kuti sekrete, se bashku me mekanizmin e vet.
Një takim u la për fundjavën që vjen në orën 20.00  ne KOnispol ne afërsi te Qafës së HANIT. AIPIGEON kur të afrohej, do të këndonte këngën Osaba Saba, si një sinjal që çdo gjë ishte në rregull.
vijon të dielën tjetër

Nga, AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu