Çka po ndodh në burgun famëkeq të Prizrenit dhe Pejës?

0
110

Më 04 nëntor 2011, një lajm i pazakontë shpërtheu në mediet e Kosovës – Arrestohen 12 zyrtarë të prokurorisë së qarkut në Prizren, dhe zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren e Pejë për mashtrime me derivate të naftës. Publikut dhe medieve nuk i janë të njohura detajet. Mbetet diçka e panjohur, dhe ajo është më kritikja, do të thotë, nuk dihen shkaqet që shpien te arrestimi, dhe pasojat e panjohura për ata që nuk kanë komunikim me botën. Kjo ngjarje duhet t’i alarmoj organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sigurisht se ato do të njoftohen së shpejti. Drejtësia del në shesh herë do kurdo, por këtu qëllimi është të njoftohet publiku dhe organizatat vendore e ndërkombëtare se çka është duke ndodhur me të burgosurit sekret, dhe pse nuk lejohen mediet t’i hulumtojnë këto raste.

Çka (nuk) din publiku dhe mediet për arrestimet e 12 zyrtarëve në Prizren dhe Pejë?

Po që se bëhet një përmbledhje e të gjithave lajmeve për këto 12 arrestime, del vetëm një informim sipërfaqësor. Thuhet se drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit ka arrestuar 12 persona të dyshuar se kanë kryer vepra penale mashtrim (neni 261) dhe shpërdorim i pozitës zyrtare (neni 339). Vepra e dyshuar(!) është se kompania që furnizonte me naftë Qendrën e Paraburgimit-Prizren dhe Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ka mashtruar këto institucione në sasinë e derivateve të livruara. Ishte gjetur se sasia e derivateve të naftës në rezervuar nuk korrespondon me sasinë e naftës së faturuar nga kompania furnizuese. Në mesin e 12 personave të arrestuar qenka edhe pronari i kompanisë furnizuese me derivate, zyrtarë të Prokurorisë së Qarkut-Prizren, zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit – Prizren dhe zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit – Pejë. Hetuesit policorë në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kishin kontrolluar sasinë e derivateve të naftës në të gjithë rezervuarët në tri vende të ndryshme dhe kishin gjetur një mospërputhje prej 22 724 litra ndërmjet sasisë së faturuar nga kompania furnizuese dhe asaj që gjendej në rezervuare.
Asgjë më shumë jashtë kësaj bërthame të lajmit nuk dinë mediet, prokuroria, njësiti për hetimin e krimeve ekonomike, policia dhe publiku. Por, ata që ishin dëshmitarë të ngjarjes në burgun e Pejës, duke përfshirë edhe mua, e dinë më mirë. Ku e kanë origjinën këto arrestime dhe ku ishte shkaku i vërtetë, jo i dyshimeve siç po dezinformohet publiku, por i fakteve?

Nikollë Pjetri, heroi i rezistencës kundër torturës dhe për të drejtat e të burgosurve

Është data 31 tetor 2011. Në pavijonin B të burgut të Pejës, të burgosurit hyjnë në grevë në shenjë proteste kundër ndaljes së ngrohjes qendrore dhe mungesës së mjaftueshme të ujit të ngrohtë për pastrim. Kërkojnë takim me drejtorin e burgut, ndërsa vjen zëvendës drejtori, i cili na tha: “Mos u kam pru me zor unë këtu”? Reagojnë të burgosurit, përfaqësuesi i tyre, Nikollë Pjetri: “Këtu s’kemi ardhur të na dënoni edhe ju. Burgu nuk është vend për dënime shtesë por qendër e mbrojtjes dhe përkujdesjes ndaj të burgosurve pse ne nuk jemi në liri. Neve boll na ka dënuar gjykata njëherë. Këtu s’kemi ardhur të na dënoni edhe ju kështu pa të drejtë”. Pas një debati, zv. drejtori premtoj se ngrohja do të lëshohet nesër në mëngjes. Këso premtimesh që nuk realizoheshin jepeshin edhe në ditët e mëhershme, çka i detyronin t burgosurit të protestojnë përsëri. Në fund të bisedës, të burgosurit disi u bindën të kthehen nëpër dhoma. Të nesërmen lëshuan ngrohjen vetëm për nja 30 minuta, dhe i rrallë ka qenë ai i burgosur që e ka vërejtur duke i prekur radiatorët, se a ishte ngrohja e lëshuar apo jo për 30 minuta, pra s’kishte ngrohje për t’u vërejtur. Ishte një mashtrim i mirë i zyrtarëve të burgut. Dhe pasojat serioze erdhën në pasditen e 1 nëntorit pas pastrimit te të burgosurve me ujë gjysmë të ftohtë. Shpërthen ftohja dhe gripi në pavijonin B duke i dërrmuar shumicën e të burgosurve. Pas dreke më 2 nëntor, të burgosurit e zemëruar për mashtrimin që iu bë, refuzojnë të kthehen nga kuzhina për në dhoma. Kërkojnë drejtorin. Vijnë ca zyrtarë njëri pas tjetrit. Një zyrtar u ankohet grevistëve: “O njerëz, keni parasysh se nuk kemi naftë, i kemi shpenzuar edhe rezervat (në prag të sezonës së ngrohjes!!!). Edhe këtë nxemje që e kemi ba dej tash, e kemi ba krye n’veti t’u e ble do naftë veç për me u mundu mos me u lanë keq juve”.

Nikolla: Kështu nuk ndodh as në burgjet e Serbisë dhe Siberisë. Unë jam kanë n’kët burg edhe n’kohën e shkive dhe kështu nuk është vepruar kundër të burgosurve.

Zyrtari: Ju lutem na kuptoni. Ka pas raste kur nuk kemi pasë as bukë.

Nikolla: O s’na intereson neve. Merre bre vlla kallashin e korrna tanve qetu se ma mirë osht.

Vijnë zyrtarë tjerë, nuk e di a ishin zëvendës drejtora apo çka. Të burgosurit janë të vendosur të qëndrojnë në grevë derisa nuk lëshohet ngrohja. U arrit pajtimi që ngrohja do të lëshohet në ora katër të po të njëjtës ditë, do të thotë pas 3 orëve. U kthyem nëpër dhoma. Në ora katër ende nuk u lëshua ngrohja. Atë e lëshuan në ora 4:15 dhe ishte relativisht e mirë. Kjo u dha shkas të burgosurve që vazhdimisht të theksojnë se zyrtarët po ua ndalin ngrohjen me qëllim, dhe spekulonin se nafta për ngrohjen e tyre po shitej ilegalisht nga zyrtarët e burgut. I dinin përafërsisht edhe çmimet për një litër. Çmimi i “tregut” thuhej se shkon deri në 70 euro centë. Edhe po të shitej dyfish më lirë, përsëri është një biznes shumë i leverdishëm për zyrtarët e burgut, sepse ata nuk kanë paguar gjë për të nga xhepat e tyre, ndërsa me çfarëdo çmimi të shitej është fitim neto për ta.

Tek sa mendoja dhe bisedoja me disa të burgosur se çfarë lloj biznesi dhe ekonomie do të kishim me këtë veprimtari ilegale, ndërhyn Nikolla: “Oooo këta maxhup shkije e q…..n nanën e vet! Kqyre çka bajnë: E sjellin top ekonomistin në burg që kish mujt me udhëheq ekonominë e shtetit me kriju shumëçka, e s’kish pas nevojë me pru kaq shumë njerëz të mirë nëpër burgje por ata që e vjedhin shtetin dhe popullin sikur këta kriminela që po na e nalin nxemjen, burgjet kishin me qenë më mirë të furnizuara se kish pas kush me e udhëheq ekonominë si duhet, po kta janë ma t’zi se shkijet kundër neve”.

Të burgosurit në burgun e Pejës ishin kryesisht aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje!, dhe aty-këtu njerëz të ndershëm dhe të zot. Kam shikuar disa nga aktakuzat dhe vendimet e gjykatave kundër tyre. Secili rast më i pakuptimtë se tjetri. Njëri mbahet në paraburgim për 20 muaj duke i vuajtur ato në 4-5 raste nga dy muaj shkaku i blerjes së një telefoni mobil, dhe ai telefon paska rezultuar si i vjedhur diku. Këso raste mund t’i ndodhin çdo kujt kur blini diçka në treg, qoftë edhe speca dhe tranguj nëse konstatohet se shitësi i paska vjedhur diku, dhe dhe ju qenkeni blerësi. Tjetri mbahet në paraburgim si i dyshuar në bashkëkryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, ndërkohë kryerësi i veprës, që është person tjetër, ka pranuar se e ka bërë vrasjen dhe janë gjetur provat. I paraburgosuri si i dyshuar, i cili e ka mohuar bashkëpjesëmarrjen dhe nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes, mbahet në paraburgim sepse paska qenë shok i tij, ani pse rasti është zbardhur dhe dorasi e ka pranuar.

Agjentët e Ambasadës së SHBA-ve nga Shkupi zbarkojnë në burgun e Pejës, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë në prag të diskreditimit!

Derisa për të gjithë të paraburgosurit ekziston ndonjë aktakuzë, aktvendim, apo thjeshtë ndonjë copë letër se për çka janë aty, ekziston një rast i pazakontë i një të paraburgosuri në burgun e Pejës, i cili nuk ka aktakuzë por mbahet si i dyshuar për vrasje. Ai është shtetas amerikan, D.B., mjeshtër i arteve luftarake dhe themelues i stilit të vet “Tae Kwon Do”, që ka ardhur nga SHBA për ta ndihmuar Kosovën. Dy vëllezërit e tij kanë qenë në UÇK në kuadër të batalionit Atlantiku (njëri duke në foton e librit të tij në shoqëri me gjeneralin amerikan Colin Powell), ndërsa ky e ka ndihmuar financiarisht UÇK-në dhe ka qenë në proces të ardhjes në luftë me batalionin “Atlantiku”. Në librin e tij në gjuhën angleze (ISBN 978-1-61584-831-7) ai duket në fotografi i përqafuar me gjeneralin amerikan Wesley Clark. Nuk tregon më shumë detaje rreth asaj se kush dhe për çka ia montuan akuzën dhe e mbajnë në paraburgim, por të burgosurit tjerë që e njohin, tregojnë diçka interesante. “Ky [D.B.] ka ardh për ta ndihmuar shtetin e ri në trajnimin e njësive speciale të policisë, kompanitë e sigurimeve dhe rojeve nëpër institucione dhe objekte private (truprojat, ruajtësit e bankave, sigurinë fizike dhe inteligjente të objekteve e qytetarëve), po kta hajnat tonë, shkaku i xhelozisë dhe karriges, ia montojnë një akuzë, e arrestojnë posa vjen, dhe e mbajnë në paraburgim në mënyrë gjysmë sekrete. Tash pe din pse pjesëtarët e ROSU-së shkojnë si ‘qeni n’rrush’ edhe pej rrugaçëve t’thjeshtë [duke aluduar në vrasjen e policit Enver Zymberi nga afërsia në veri të Mitrovicës nga serbët]”. 10 muaj i ka vuajtur në burgun e Prizrenit, ndërsa tash e 5 muaj është në burgun e Pejës. Dy burgjet ku po ndodhin arrestimet e zyrtarëve për mashtrime me derivate të naftës për t’ua vështirësuar kushtet të burgosurve!

Ndërhyra unë: “Si është e mundur që Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë të mos përkujdeset për shtetasin e vet, kur kjo ambasadë ka kompetenca joligjore të cilat edhe po i ushtron, të fus kë të dojë në burg nga shtetasit e Kosovës, ndërsa nuk qenka në gjendje ta nxjerrë shtetasin e vet”? Një përgjigje mund ta kuptojmë nga ajo që ndodhi në burgun e Pejës më 2 nëntor. Kur ne ishim në grevë kundër ndaljes së ngrohjes dhe mungesës së ujit të ngrohtë, vjen pa pritur njoftimi: “D.B., ke vizitë”. Meqenëse D.B. ishte cimeri im, fillova të dyshoj se çfarë vizite paska kur para dy ditëve e kishte pasur një, ose aq sa i lejohet brenda një jave. Thash vet me vete; paska ardhur [ambasadori] Dell, dhe sigurisht do ta pyes edhe për mua, edhe pse dyshoja se nuk mund të jetë ashtu shkaku i injorimit të vazhdueshëm që i kishte bërë Ambasada në Prishtinë letrave të shtetasit të vet. Por, letrat e tij nuk i kishin injoruar përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve në Shkup, të cilët erdhën për ta vizituar shtetasin e tyre në një shtet tjetër nga ai ku nuk janë me punë zyrtarisht – në Kosovë.

Përpjekja e kotë e ambasadorit Dell për t’i shpërlarë duart

“Kosova po rrëshqet nga një krizë në tjetrën dhe politika kosovare është e papërgjegjshme”, kështu kishte thënë ambasadori i SHBA-ve, Christopher Dell, në konferencën “Kosovo talks EU” të mbajtur në hotelin “Emerald” më 31 tetor 2011, ose në kohën kur ne po bënim greva në burgun e Pejës. Shpërthejnë menjëherë shumë të burgosur ndaj këtij lajmi sensacional: “Po i thotë Dell-i fjalët e Isës, e Isën e po e shtin n’burg. Veç kur t’shkon Dell-i ka me dalë Isa prej burgut, se ndryshe jo”!

Me datën 04.11.2011 kur e kisha seancën e radhës (sekrete dhe me dyer të mbyllura si atë të parën), nuk u paraqit një emër i shpifur Christopher Hart nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë e cila më burgosi dhe pretendon se e kam kërcënuar me e-mail. Nëse këtij i ka rastisur të keqpërdorë ndonjë e-mail timin, është diçka e jashtëligjshme në çdo cep të botës. Këtë emër nuk e kam dëgjuar kurrë. Në fakt, në qelinë e paraburgimit para se të më dënojnë, ka ardhur një njeri topolak, tullac, me pikla të verdha në fytyrë (“sorran”) i cili e identifikoj veten se vjen nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë (emrin nuk ia di edhe sot). Atë e kishte sjellë policia e Kosovës (sigurisht me njohurinë e prokurorit Agron Bajrami dhe gjyqtares Naime Krasniqi – Jashanica) i cili më maltretonte, fyente dhe kërcënonte për afro një orë. Pas dy orëve pasoj gjykimi. Ai kishte ikur. Akuzat të cilat m’i shpifi Gjykata dhe dënimin që ma caktoj, ishin të njëjta me ato që m’i tha i panjohuri amerikan në qeli dy orë më parë! Kërkoj nga publiku, mediet, dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të më informoj se kush është ai amerikani i panjohur i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë i cili dukej sikur donte të më kafshonte mua në qeli duarlidhur dhe të dehidruar, dhe kush është ky amerikani tjetër, po ashtu nga e njëjta ambasadë, me emrin Christopher Hart?

Autori është i burgosur ekonomik i USAID-it dhe i përndjekur politik i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë nëpërmjet argatëve të tyre shqipfolës (policia dhe gjykatat)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu