Çka shënoi Enver Hoxha në ditarin e tij, për demonstratat e viteve ’60 në Kosovë e në Maqedoni?

0
143

Telegrafi ka risjell shënime të shkëputura nga ditari politik i Enver Hoxhës, për demonstratat për flamur të vitit 1968. Shkrimi është përgatitur nga profesori i historisë, Agim Zogaj.

E ENJTE , 5 DHJETOR 1968: DEMONSTRATAT E SHQIPTARËVE NË KOSOVË

Më 27 nëntor, në Prishtinë dhe në shumë qytete të tjera të Kosovës rinia studenteske zhvilloi demonstrata. Pati një të vrarë dhe shumë të plagosur, nga njerëzit e UDB-së që sulmuan demonstruesit dhe nga demonstruesit që u mbrojtën. Siç njoftojnë organet jugosllave të shtypit demonstruesit ishin të rinj shqiptarë, të cilët ata i cilësojnë “armiq” dhe “të frymëzuar nga jashtë”. Kuptohet të frymëzuar nga ne. Titoja. Nikeziçi dhe agjentët e tyre shqiptarë në Kosovë, nuk e thonë këtë hapur, por e lënë të kuptohet hapur. Natyrisht ne nuk kemi as gishtin më të vogël në këto demonstrata, ne nuk zhvillojmë asnjë punë agjenturore dhe subversive as në Jugosllavi, as në Kosovë. Titistët e dinë këtë, por ua do puna të shpifin e të thonë të kundërtën.

Siç po flet propaganda titiste, demonstruesit kishin dalë në manifestim me flamurin kombëtar të Shqipërisë (regjimi titist këta muajt e fundit i la të lirë ta mbajnë) dhe këndonin këngë kombëtare (që për titistët janë subversive). Titistët thonë se u hodhën edhe parulla si: “Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë”, “Rroftë Republika Popullore e Shqipërisë”, “Rroftë Enver Hoxha” etj. Ka mundësi që kjo të ketë ngjarë, kur u ndezën gjakrat, por nuk përjashtohet që midis turmave të ketë pasur edhe provokatorë titistë, të cilët dëshironin t’u jepnin ngjyra të tjera demonstratave.

Mendimet tona për shqiptarët e Kosovës ne i kemi thënë vazhdimisht hapur dhe botërisht. Këto mendime i njohin titistët si edhe shqiptarët e Kosovës. Këta të fundit gëzohen për këto dhe për mbrojtjen e drejtë e të natyrshme, marksiste-leniniste që ne u bëjmë të drejtave të tyre kombëtare. Por duket haptazi se kjo nuk u pëlqen dhe i egërson titistët. Një gjë e tillë neve aq na bën. Titoja deklaron se është e drejta e tyre të mbrojnë maqedonasit e Greqisë, kurse të drejtën tonë për të mbrojtur shqiptarët kosovarë e quan krim. Asgjë nuk na çudit nga ky qëndrim i këtij renegati dhe serbomadh të tërbuar.

Por është fakt se shqiptarët e Kosovës nuk i përulen robërisë titiste dhe serbomadhe që është njëlloj. Ata kanë luftuar, luftojnë dhe do të luftojnë vazhdimisht për lirinë e për të drejtat e tyre. Dhe çdo ditë kjo luftë bëhet më e ashpër, kontradiktat thellohen në mes shqiptarëve dhe regjimit titist, duan apo nuk duan titistët. Ky është një proces që po ashpërsohet dhe do të ashpërsohet gjithnjë e më shumë nën regjimin kapitalist, reaksionar titist.

Klika Tito-Rankoviq nuk ia doli dot me terror dhe me shtypje në Kosovë. Pas eliminimit të Rankoviqit nga skena politike, duhej që Titoja të lëshonte diçka edhe në Kosovë, siç thuhet, nga halli jo nga malli, për të kundërbalancuar rrezikun serb-rankoviqian dhe për të fshehur krimet e tij shoviniste ndaj shqiptarëve; këto t’ia hidhte Rankos dhe vetë të merrte flamurin e liberalizimit. Me një fjalë t’u hidhte hi syve kosovarëve, për t’i qetësuar ca, për t’i mbajtur nën zgjedhë etj. Tash në fund Titoja gjoja u njohu atyre “të drejtën të ngrenë flamurin kombëtar të Shqipërisë”. Mirëpo shqiptarët, duke u nisur nga kjo “diçka” që fituan, po kërkojnë të zgjerohen të drejtat e tyre të mëdha që vazhdojnë të merren nëpër këmbë nga titistët. Prandaj Titoja mendoi ta shuante zjarrin, po zjarri u ndez edhe më shumë. Tash ai nuk do të shuhet kurrë. Demonstratat që u bënë janë preludi i simfonisë patriotike të shqiptarëve të Kosovës. Më kot titistët bërtasin se po ndërhyjmë ne. Jo, ky zjarr vatrën e ka brenda në vetë Kosovën. Zjarrin e ndezin patriotizmi i kosovarëve dhe kërkesat legjitime të tyre, zjarrin e nxitin shtypja dhe robëria titiste. Fari i ndritur i Republikës Popullore të Shqipërisë nuk ka se si të mos bëhet shembull dhe udhërrëfyes, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, por për të gjithë popujt e Jugosllavisë që luftojnë për çlirim. Dashka nuk dashka Titoja, shqiptarët e Kosovës i kanë sytë dhe zemrën te Republika Popullore e Shqipërisë, te Partia e Punës e Shqipërisë.

Përpara këtij realiteti të madh dhe të pamohueshëm Titoja dhe titizmi janë të pafuqishëm. Ata janë të detyruar të përdorin dhe po përdorin dy mjete: demagogjinë dhe terrorin. Kjo duket në qëndrimet e tyre përpara ngjarjeve të Prishtinës.

Titoja, në intervistën e tij të fundit, këshilloi duke thënë se “nuk duhet të dramatizohen demonstratat e Prishtinës”, ndërsa kuislingët shqiptarë në Kosovë, po tregojnë zell, po bërtasin, po ulërijnë, po përgatitin gjyqe dhe terror kundër rinisë.

Ndërkaq në fjalimin e tij të fundit Nikeziqi tregohet më diplomat dhe më dinak. Ai dënon demonstruesit shqiptarë, por thotë ndonjë fjalë edhe për shovinistët serbomëdhenj. Ai deklaroi se ajo çka po ngjet në Kosovë, infekton gjithë Jugosllavinë, prandaj këshillon gjakftohtësi. Nikeziqi, duke pasur parasysh atë çka thuhet në artikullin tonë të fundit: “Shqiptarët e Kosovës dhe flamuri kombëtar”, botuar nga “Zëri i popullit” më 24 nëntor, sa e përmend thelbin e çështjes, duke thënë se “fati i Kosovës u caktua 50 vjet më parë, se Lufta Nacionalçlirimtare e zgjidhi atë drejt” etj., etj. Të gjitha këto profka dhe më në fund shton se liberalizimet e tyre ndaj kosovarëve duhet t’u heqin iluzionet atyre që mendojnë se mund të prishet integriteti i Republikës Federative të Jugosllavisë. Është e kuptueshme se kjo thuhet në adresën tonë, të shqiptarëve të Kosovës, por edhe në adresën e serbomëdhenjve, të cilët përpiqen t’i qetësojnë duke u thënë se “Kosovën ne nuk e lëmë të na dalë nga duart”.

Ne, si kurdoherë, duhet t’i mbrojmë të drejtat legjitime të vëllezërve tanë kosovarë. Ne do të presim se si do të zhvillohen këto situata dhe duhet të demaskojmë terrorin që përgatitin titistët në Kosovë.

Titistët do të dështojnë në veprimet e tyre antimarksiste dhe antishqiptare.

E ENJTE, 26 QERSHOR 1969: TERROR NË MAQEDONI KUNDËR SHQIPTARËVE

Që nga fillimi i vitit në Maqedoninë titiste ka filluar vala e terrorit kundër shqiptarëve. Gjyqet kundër tyre vazhdojnë me muaj dhe s’kanë të mbaruar. Terroristët titistë maqedonas i akuzojnë shqiptarët se ngritën flamurin e Shqipërisë, se gjoja në demonstrata kanë thënë: “Duam të bashkohemi me Kosovën dhe pastaj me Shqipërinë”. Të dënuarit prej gjyqeve janë me dhjetra, të burgosurit që presin të dalin në gjyqe me qindra. Shumica e këtyre janë mësues, profesorë dhe studentë.

I gjithë ky terror ka për qëllim mbylljen e shkollave shqipe, frikësimin e shqiptarëve dhe synonin shkobëtarizimin dhe largimin nga tokat e tyre. Ata i detyrojnë të largohen në mërgim në Turqi, në Australi dhe në Amerikë.

Qelbësirat frikamane maqedonase mbështeten në këto veprime barbare dhe nga disa tradhtarë shqiptarë, renegatë të popullit të vet, që veprojnë tok me titistët.

Ky terror është vazhdimi i terrorit Tito-Rankoviq që me dekada ka bërë dhe bën kërdinë mbi shqiptarët e Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi. Punët paraqiten sikur në ngjarjet e Maqedonisë, Beogradi, domethënë Federata, nuk ka gisht, maqedonasit gjoja bëjnë me kokën e tyre. Këto nuk i ha kush. Bisedova me Ramizin dhe e porosita që në bazë të të dhënave të bëhet një demaskim i këtij terrori rankoviqian maqedonas, të kërkohet që të ndalohet sa më parë ky persekutim i egër i vëllezërve tanë. Maqedonasit dhe titistët e kanë kot, shqiptarët që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi, as u tremben, as u nënshtrohen atyre. Pikërisht pse ngjet kështu titistët përdorin alternativisht terror-demagogji-terror.

Titoja, për t’i gënjyer, gjoja u dha disa të drejta kosovarëve, por shpejt do t’ua heqë, njërën pas tjetrës, duke u qitur një mijë e një pengesa.

Kosovarët, duhet të luftojnë me këmbëngulje dhe me guxim për të drejtat e tyre, ata duhet të ndihmojnë me luftën dhe me rezistencën e tyre edhe vëllezërit shqiptarë të Maqedonisë e të Malit të Zi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu