Çlirimtarët duhet të kenë imunitet moral, historik e ligjor

0
130

Afrim Morina:

Për çdo vit jemi mësuar të përkujtojmë data të mëdha historike, për të përkujtuar personalitete që lanë gjurmë në historinë tonë të lavdishme, mirëpo duke anashkaluar bërësit e atyre bëmave, nën moton se historia fillon me mua. Se si po i organizojmë ato dhe se ende nuk jemi me një gjuhë e sjellje të përkujtimeve, sikur bëjmë garë të zëmë një vend meritor në histori, duke harruar, se historia është ajo që ka ndodhur dhe jo ajo që kemi pasur dëshirë të ndodhte.

Prekazi e Gllaxhani i takojnë historisë kombëtare dhe ashtu duhet trajtuar, deshi apo nuk deshi dikush. Ngjarjet e këtyre dy fshatrave, që me meritë hyrën në histori dhe lartësuan emrat e tyre, tashmë të njohur për gjithë kombin, meritojnë edhe të përkujtohen në mënyrë të madhërishme  dhe le të jetë vend takim i të gjithëve, që mendojnë e veprojnë shqip. Nuk ishte rastësi për këto, sepse e para kishte Ahmet Delinë dhe Tahir Mehën, e, e dyta kishte Ismail Haradinajn, prandaj varrat e këtyre dy fshatrave meritojnë, madje është edhe obligim moral, të kenë nga një buçet Lulash dhe një minutë heshtjeje në shenjë nderimi. Kjo, sepse të dyja i takojnë një epoke të lavdishme, që ndërkombëtarët po mundohen ta nëpërkëmbin në çdo përvjetor edhe mu në përvjetorin e dymbëdhjetë dhe kjo vjen, ngase ne nuk jemi në nivel përgjegjësie.

Në vlugun e këtyre kremteve, EULX arrestoi disa luftëtar lirie, që pa ushtimën e krismave të armëve të UÇK bota nuk do të ishte këndellur për të marrë veprime konkrete, prej nostalgjisë që kishte për Jugosllavinë e Titos, e as prej “suksesit” që kishte arritur në Dejton, duke mbështetur politikën e Millosheviqit në këtë hapësirë ballkanike.

Institucionet dhe subjektet politike për këto data nuk duhet të bunkerizohen nëpër zyrat e tyre, madje edhe të merren me punë të dorës së katërtë e pestë, sa për t’u arsyetuar se janë të zënë. Këto nuk ka qenë dashtë, e, as që duhet të ndodh, të jenë të bunkerizuara edhe në rastet e përndjekjes së çlirimtarëve dhe të lëshojnë komunikata nga selit partiake, sa për të thënë se edhe ne e qajmë hallin e tyre, por drejtësia duhet të merret me ta, duke mos shikuar se cila drejtësi, ajo shqiptare apo ajo serbe, e përfaqësuar nga EULX. Nuk është koha të përdorën falë dykuptimshme dhe duhet të jemi të çartë njëherë e mirë, sidomos në këto veprime që po ndodhin. Nuk më ka rënë të dëgjoj për një nismë deputetesh, që këtë problem ta trajtoj Parlamenti, e të gjithë krekosen se në karriget që i kanë të siguruara në këtë institucion janë me votën e popullit. Ajo luftë a nuk ishte kombëtare, e këta çlirimtarët e burgosur a nuk janë pjesë e asaj lufte, e cila edhe mundësoi të veprojnë mekanizmat shtetëror?!

Flitet e përflitet për imunitet deputeti, a ka nëpërkëmbje më të madhe që i bëhet çlirimtarëve? A nuk duhet të gëzojnë këta një imunitet historik e moral që duhet sanksionuar me ligj dhe të mos lejohet që kur dikujt t’i teket t’i vë nën pranga?  Po u vihen pranga për krime ordinere çlirimtarëve, kjo do të thotë se po trajtohet edhe lufta jonë çlirimtare, si shfryrje e epsheve shtazarake kundër “engjëjve”, sepse ata ishin këtu për të na mësuar se si jetohet pa bukë, punë, shkollim, madje na akuzonin edhe për thithjen e ajrit, vetëm për të gjetur një shkasë për maltretim fizik e psikik. Ne dikur nuk kishim imunitet njerëzor, e sot kërkoni po nga e njëjta nomenklaturë politike, e cila pa pikë uji në sy i mban krahun e krimit dhe kriminelëve, të cilët sillen para hundëve të tyre nëpër tokat shqiptare dhe këtë më së miri keni mundur ta shihni në përkujtimin e përvjetorit të bombardimeve të NATO, në edicioni e lajmeve në gjuhës serbe në RTK, me datën 23.03.2011, në ora 1715, bashkëbiseduesi i Momqillo Trajkoviçit gjithë bisedën e orienton për t’i vënë para përgjegjësisë penale të gjithë shqiptarët, e sidomos për demonstrimin i cili ndodhi me 17 Mars të vitit 2004 dhe së fundi manifestimi i nomenklaturës së krimeve në kundërshtim të bombardimeve të NATO me datën 24.03.2011.

Nëse nuk veprohet së bashku, druaj se të gjithë ata që kanë pasur dosje të hapura nga regjimi serb dhe të gjithë ata që kanë qenë në evidencën e luftëtarëve do të përballën me gjykatën e EULX, i cili po e zbaton Kodin dhe Procedurën Penale të Serbisë

 

Prishtinë, 25.03.2001

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu