Degradimi i thellë i mozaikut “Shqipëria”

0
355

mozaiku i prishur timthumb.phpArbër Kadia, përgjegjës për monumentet e Tiranës, tha se e vetmja gjë që mund të bëhet është ndalimi i patologjive fillestare. Akuzat nga Auron Tare i të majtëve: Zoti Bumçi, ku shkuan paratë për restaurimin e mozaikut?

Pllakat e vogla të mozaikut “Shqipëria” (1981) në Muzeun Historik Kombëtar janë shkëputur prej strukturës kryesore. Në të djathtë të mozaikut, disa tesera të verdha janë rrëzuar përtokë. Mungesa e tyre duket me sy të lirë. Kjo vepër e realizmit socialist që është kthyer qysh prej fillimit në një simbol të Tiranës, prezanton një skenë masive me luftëtarë që mbajnë në duar parzmoret e pushkën. Është vepër e artistëve: Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Nga konstatimet, dëmtimi ka ndodhur jo vetëm për shkak të lagështirës, por dhe si pasojë e gjendjes në të cilën ndodhej prej vitesh ky mozaik. Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve për Tiranën, pas inspektimit të dëmeve mëngjesin e djeshëm, pohoi që “mozaikut i kanë rënë disa copa të vogla. Këto janë pjesë e atij degradimi që kemi bërë në studimin paraprak, me të cilin është marrë një konsulencë e gjerë me ekspertë shqiptarë dhe italianë”, thotë Arbër Kadia. Ai e shikon prishjen e këtij mozaiku si pjesë të një diskutimi të gjerë. Madje thotë se “ashtu siç është diskutuar dhe më përpara, ky mozaik fatkeqësisht është zbatuar gabim që në fillimet e tij, pasi është bërë me një shpejtësi shumë të madhe”. Ai shton se në diskutimet edhe me vetë autorët, është pranuar gjendja patologjike e veprës. Kadia njëherë thotë që “ky mozaik është i destinuar të prishet” e njëherë thotë se “ka nevojë për ndërhyrje shumë të gjerë. Ne parashikojmë që të bëjmë një ndërhyrje shumë të shpejtë, vetëm se jemi në pritje për parashikimin e një buxheti. Sipas Kadis kërkesa për buxhet i është drejtuar jo vetëm shtetit, por dhe donatorëve privatë, në mënyrë që të realizohet një lloj financimi për këtë ndërhyrje. Por a do të jetë kjo zgjidhje përfundimtare? Apo është thjesht një frenim paraprak për degradimin e mëtejshëm të mozaikut? “Kjo ndërhyrje do të jetë thjesht për një frenim të degradimit të parë, të asaj pjese që është e dukshme. Prandaj për t’i shkuar deri në rrënjë problemit, duhet parë se si do të vazhdojë patologjia e këtij degradimi.” Duken vërtet të pakuptimta dhe kundërthënëse deklaratat e këtij specialisti të trashëgimisë që Ministria e Kulturës e ka çuar në vend që t’i dalë ballë i vetëm daljeve në publik. Sepse drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar Luan Malltezi ditën e djeshme nuk mund t’i rrëmbeje dot një sqarim. Çfarë duhet të nënkuptojmë me degradim total, që kjo vepër nuk mund të shpëtohet as duke ndërhyrë herë pas në të? “Ky është një mendim i specialistëve dhe jo i tij. Ata e shikojnë prishjen e  kësaj vepre si të pakthyeshme. Por për këtë është ende e nevojshme një lloj diagnostikimi më i detajuar. Një lloj diagnostikimi me teknologji jo ndërhyrëse, siç janë grafitë që mund të tregojnë se çfarë ndodhet nën strukturën e mozaikut.” Gjendja e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar prej vitesh është diagnostikuar e rëndë dhe mbërritja në këtë pikë ku jemi është pasojë e një restaurimi që nisi dhe nuk i bitis asnjëherë, as pjesërisht. E vetmja gjë që ka bërë Ministria e Kulturës deri tani është sugjerimi i një studimi, të cilin e kryen në vitin 2010 specialistë të mozaikëve në Institutin e Monumenteve të Kulturës. “Ky studim të paktën të jep mundësinë sot për të parë dhe për të dhënë një zgjidhje. Prandaj është thjesht çështje kohe për të arritur tek ndërhyrja e parë”, përfundon Kadia. Për një kohë disamujore, Mozaiku i Tiranës qëndroi i mbuluar me fashën e kuqe promocionale të kompanisë telefonike Vodafone, si sponsore e restaurimit të mozaikut. Se çfarë ka ndodhur, kësaj nuk i jep përgjigje asnjë nga institucionet. Fakt është që mozaiku jo vetëm nuk është prekur me dorë, por faktorët natyrorë e kanë pasur të lehtë të shkatërrojnë deri në thellësi të zgarës së hekurit. Në vitin 2008 ish-drejtori i Muzeut Historik Kombëatr, Beqir Meta shtroi kërkesën për ta hequr mozaikun mural me motivin se nuk i përshtatet “thelbit të identitetit, të shpirtit shqiptar” dhe “brendisë së muzeut”. Kjo ide e Beqir Metës u kundërshtua nga disa prej autorëve si piktori Anastas Kostandini, i cili e konsideroi “një ide të çmendur”, por edhe kritikë të artit pamor si Gëzim Qëndro që argumentonte pse kjo vepër e meriton t’u dëshmojë brezave. Kështu dëshira e ish-drejtorit për shkatërrimin nuk u realizua, por në vitin 2010 u paralajmëruan dëmtimet në pjesët që rrezikonin shkëputjen nga mozaiku. Tani ngelet të presim miratimin e ndonjë projekti që si duket nuk ka për t’u miratuar asnjëherë, deri sa të shkatërrohet totalisht në heshtje.

Zoti Ministër, këtë herë trashëgiminë e kishit në mes të sheshit

Ku shkuan paratë e donatorëve për Muzeun Kombëtar

Auron Atare

Mozaiku më i madh në Shqipëri realizuar në Fasadën e Muzeut Kombëtar, vepër unikale e artistëve shqiptarë filloi të rrëzohet mbrëmjen e djeshme. Shiu i dendur zbuloi papritmas faktin që ky mozaik ishte lënë në mëshirë të fatit edhe pse gjendet në mesin e Tiranës. I mbani mend skelat me banderolën e fytyrës së qeshur të kryeministrit tonë? E pra, poshtë banderolës që mbulonte fasadën për muaj me radhë, skelat ishin ngritur për të restauruar mozaikun. Ca fonde donatorësh ishin lëvruar, por me sa duket askush nuk vuri dorën në këtë mozaik. Një tjetër vepër e trashëgimisë së shqiptarëve po dëmtohet rëndë. Kësaj radhë nuk ishin hajdutët që hynë për ta prishur. Mozaiku kishte edhe roje, po kishte edhe drejtor që paguhet për ta mbrojtur. Mozaiku po prishet nga indiferenca dhe kusaria e pushteti tonë, i cili nuk po lë gjë pa vjedhur. E mbani mend ministrin i cili do të flasë vetëm në datën 23 qershor? Ministri na tha se Kisha në Shpat ishte në një vend të humbur. Po tani zoti Ministër çfarë mund të thoni? Zoti Ministër, a mund të na thoni se ku shkuan paratë e restaurimit të mozaikut? Po fondi prej 1 milion euro që ka dhënë UNDP për këtë muze? UNDP sigurisht që duhet të flasë publikisht se ku shkuan paratë e qeverisë spanjolle për Muzeun Kombëtar pasi nuk është normale që paratë e donatorëve shkojnë për rrush e kumbulla dhe askush të mos mbajë përgjegjësi.

 

Nga Valeria Dedaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu