Delet Balusha të Dukagjinit, një racë unike

0
235

Delet Balusha janë një racë unike dhe autoktone që gjinden në pjesën e Dukagjinit, kryesisht në Komunën e Istogut. Fatkeqësisht kjo racë shumë rentabile, është në zhdukje e sipër.

Cilësia e leshit dhe sasia e qumështit këtë racë e bën shumë të vlefshme. Karakteristike tek kjo racë është ngjyra e saj. Koka e mbuluar me ngjyrë të zezë deri në qafë dhe trupi i saj ngjyrë të bardhë i japin një bukuri të veçantë. Gjatësia e leshit 20 deri në 25 centimetra e bëjnë edhe më të vlefshme këtë dele unike në botë.

Në vitet 60 dhe 70-ta kjo dele mbushte Bjeshkët e Nëmura që nga Mokna e deri në Ruseli. Ishin familja Berdynaj nga Radaci ku kishin këtë racë të pastër të balushave. Familja Mavraj nga Staraderani, Alihajdarët nga Istogu, Gjoci nga Tomoci. I njohur dhe si merakli i çmendur ishte Arif Rexhë Arifaj nga Muzhevina e Istogut. Me përfundimin e luftës në Kosovë, tufat e këtyre deleve ishin zvogëluar në masë të madhe. Ishin Familja Metaj ajo që deri vonë iu përkushtuan kësaj race delesh. Sali Bajrushi nga Kamenica e Istugut e mbajti me fanatizëm deri vonë.

Përkrahja nga Institucionet

Istogu dhe krejt Kosova duhet të mburret me ketë racë unike. Kjo dele është në zhdukje e sipër. Por një përkrahje nga institucionet do të ndikonte në shtimin e numrit të kësaj deleje.

Tani këto dele kanë mbetur në numër të vogël. Fermeri Ramadan Zeqiraj nga fshati Sudenic, si dhe Sadri Haliloviq nga Gurrakoci kanë një pasion të madh. Këta fermer thonë që përkrahja nga ministria duhet të jetë më e madhe. Kjo dele si racë e veçantë është trashëgimi që nga kohërat e vjetra. Prandaj si Kosovë mund të mburremi me ketë racë. Deri me tani institucionet nuk kanë tregu një interesim të veçantë.

Ramadan Zeqiraj thotë “Mundësit që të rinjet të interesohen për blegtori, sikur të kishim një përkrahje sa më shumë për përpunimin e leshit dhe të qumështit. Ku institucionet tona do kishin ndikim më të madh edhe në rritjen e punësimit të këtyre të rinjve”.

Për ketë arsye ftojmë Institucionet që ta zgjasin dorën tek fermerët e mirëfilltë dhe t’i mbrojmë trashëgimitë tona shumë vjeçare./Gazeta Bujku

Përgatiti: Shefki Shatri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu