Demaçi: Të bashkohet kombi shqiptar

0
296

Ka ardhur koha që të bashkohet kombi shqiptar i ndarë në 6 shtete, por pa pranuar asnjë kompromis në kurriz të lirisë”. Kështu ka deklaruar nga Durrësi, shkrimtari Adem Demaçi, i cili ndodhej në këtë qytet për promovimin e vëllimit poetik “Tung vargu im”.

Klubi letrar i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, ka nderuar shkrimtarin, politikanin e disidentin, me titullin e mirënjohjes, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në çështjen kombëtare dhe në letrat shqipe”.

Shkrimtari mori pjesë në promovimin e veprave të tij të plota, në një takim të përbashkët me shkrimtarë, artistë, dashamirës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe i Artistëve Durrës. “Fjala e lirisë është fjala e parë”. Kështu thotë shkrimtari Adem Demaçi, i cilësuar si “Mandela i Kosovës”, i cili ka kaluar një kalvar mundimesh prej 29 vjetësh në burgjet politike të Serbisë, raporton Balkanweb.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Demaçi deklaroi se ka ardhur koha që të bashkohet kombi shqiptar i ndarë në 6 shtete, por pa pranuar asnjë kompromis në kurriz të lirisë. “Unë vdiqa për Kosovën, po s’më deshti vdekja. Ishalla do të rrojmë bashkë për të ecur përpara. Jam i bindur që çlirimin e tokës sonë, Çamërisë, do ta gëzojmë shumë shpejt.

Edhe ne jemi duke punuar, duke pasur parasysh rrethanat, kohën, mundësitë në të cilat po jetojmë. Po jetojmë në një kohë të favorshme për kombin tonë, por edhe në një kohë të dallavereve të mëdha që bëjnë shtetet e fuqishme, e jo vetëm kombet që na rrethojnë”, – tha Demaçi. Ai solli në kujtesë çështjen çame, për të cilën nënvizoi se nuk do të bëhet asnjë kompromis, ashtu si edhe për veriun e Kosovës.

“Këto shtete të mëdha dallaveresh, bënë që të vendosej kufiri në Lumin e Bardhë. Lejuan që të na serbizonin një të katërtën e Kosovës. Ata që e bënë këtë punë, prej nesh kërkojnë zgjidhje për të bërë kompromis, por kompromis nuk ka”, – ka deklaruar shkrimtari e politikani kosovar. Sipas tij, po vjen koha kur çamët do të kthehen në tokat e veta, atje ku u shkrua historia me gjak e me qëndresë.

“Jam i gatshëm që të vdes me çamët. Ta dinë grekët që kjo lëvizje është e drejtë dhe buron nga vendi, nga ata që janë përzënë nga tokat e tyre. Detyra jonë është që të ndihmojmë me çdo mënyrë”, – ka theksuar Demaçi. Duke u ndalur tek krijimtaria e tij, Demaçi tha se letërsia e tij është politikë artistike e përkthyer në ndenja. Më tej ai ka folur për taksat doganore midis dy vendeve, që nuk kursejnë as librat dhe që nuk lejojnë faktorizimin e Kosovës.

“Letërsia e Kosovës nuk njihet në Shqipëri dhe taksat për librat janë njësoj si taksat doganore për mallrat. Më dhemb zemra kur kujtoj që letërsia jonë ende nuk trajtohet në Shqipëri. Ne jemi të penguar, jo vetëm nga grekët e serbët për të mos u faktorizuar, por edhe nga doganat tona”, – u shpreh shkrimtari i njohur Adem Demaçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu