Deputeti i LDK’së ndërron mendje, thotë se do ta votojë demarkacionin

0
87

Qeveria e Kosovës pritet që ta procedojë javën e ardhshme për ratifikim në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.  

Kjo marrëveshje për më shumë se një vit nuk është kundërshtuar vetëm nga opozita, por edhe nga deputetë të koalicionit qeveritar. Më të zëshëm kanë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët disa herë ia përplasën në fytyrë kreut të partisë, Isa Mustafës, se nuk do ta votojnë këtë verison të demarkacionit me Malin e Zi, meqë sipas tyre, Kosova humb tokë të konsiderueshme, shkruan Periskopi.

Shpejtim Bulliqi, Adem Salihaj, Melihate Tërmkolli, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Fatmir Rexhepi, Hatim Baxhaku dhe Anton Quni, të gjithë këta deputetë të LDK-së, ishin shprehur kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Por, siç duket presioni dhe kërcënimet e vazhdueshme të liderit të LDK’së, Isa Mustafa, ka bërë që disa nga ta të ‘lëkundin’ qëndrimet.

Kundër marrëveshjes së Demarkacionit kishte qenë edhe deputeti Fatmir Rexhepi, i cili madje i ishte kundërpërgjigjur kërcënimeve të Isa Mustafës. Por, duket se ai ka ndërruar mendje.

Në një prononcim për Indeksonline, Rexhepi ka thënë se çështja e Demarkacionit është shtetërore e jo partiake dhe se i njëjti do të kalojë.

“Nëse veq kanë marrë vendim se është moment i fundit me ardh në parlament çështja e Demarkacionit, nuk kanë alternative tjetër apo zgjidhje të reja, është momenti i fundit për të gjitha partitë politike që kjo të kalojë. Besojë se të gjithë kanë me pas nivelin dhe ka me kalu kjo pikë. Kontributi im ka me qenë në këtë drejtim”, ka thënë Rexhepi për Indeksonline.

Se çfarë ka shtyrë Rexhepin të ndërrojë mendje, akoma nuk dihet, shkruan Periskopi.

Më parë, ai thoshte se në LDK është qe 27 vite, andaj nuk mund askush ta largojë aq lehtë, pavarësisht kërcënimeve të liderit të tyre, i cili paralajmëronte përjashtim nga partia për deputetët e ‘padëgjueshëm’.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu