DESHMIA tronditëse e mjekes së dëbuar me ndihmën e komunistit Berisha

0
999

Është një histori për të cilën është shkruar në media, por pa pasur kurrë një koment nga vetë protagonistët.

Në fillim të viteve ’80, një çift mjekësh dëbohen nga Tirana pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Bëhej fjalë për mjekët e njohur Milto dhe Margarita Kristaqi.

I implikuar në historinë që tronditi Tiranën ishte Sali Berisha, mjek dhe komunist i zellshëm.

Thuhet se ka dëshmuar kundër mjekëve, sidomos kundër Margaritës.

Vetë Margarita ka dhënë një intervistë në vitin 2010, intervistë e cila nuk u publikua kurrë.

Gazeta Dita ka zbardhur detaje nga kjo intervistë, e marrë nga një emision investigativ.

Vetë Margarita vdiq një vit më vonë, në vitin 2011.

Ajo thotë në intervistë se Berishën nuk e ka takuar më që nga viti 1982.

Ajo shton se në mbledhjen ku u vendos dëbimi i saj, Berisha ishte shprehur se “ajo është mendjemadhe, kryelartë, hedh hapin me forcë egoiste, karrieriste”.

“Nuk dua të flas, pse të flas, është një gjë e kotë. Fëmijët u rritën dhe u martuan, unë po ta përmend, do më ngrihet tensioni dhe do vdes. Nuk e kam takuar asnjëherë që atëherë dhe nuk më ka kërkuar dhe nuk e kam takuar. Përse ta kërkoj? Për t’i thënë se ti më ke çuar atje? Është pema pa kokrra. Njerëzit e dinë kush është fajtori”.

Por më tronditës është fakti se dokumentet që provojnë historinë e saj janë zhdukur pasi Berisha erdhi në pushtet në fillim të viteve ’90.

“Desha një vërtetim që isha e dëbuar. Shkova në Ministrinë e Brendshme dhe më thanë që nuk je regjistruar. Më thanë që u rezultonte se jemi larguar me dëshirë. Çdo gjë ishte piketuar e rregulluar mirë. Nga pedagoge dhe shefe e katedrës unë isha larguar me dëshirë?? Kështu që sipas këtyre dokumenteve unë nuk kam të drejtë të kërkoj asgjë”.

Po si e përshkruan ajo figurën e Berishës në atë kohë?

“Talleshin shokët me të. Nuk e di se si mbijeton ai njeri. Qenka i plotfuqishëm. Unë e kam mësuar, i kam mjekuar vjehrrën, të shoqen, kemi ngrënë dreka e darka. Por egoizmi nuk mund ta linte që të më shihte mua të mbijetoja. Babën me mustaqe kur vinte nga Tropoja ia vizitoja si mjeke e mirë”.

Më pas e pranon hapur se ia ka frikën Berishës.

“Unë nuk dua të di që ai e di që unë ekzistoj me gjithë fëmijët. Nuk dua ta di. Them sinqerisht që kam frikë. Tani unë atë e kam frikë. Në atë kohë ai më ka thënë që ‘ke shkuar në Itali dhe ke takuar motrën e martuar me gjeneral italian’, kur unë nuk kisha asnjë njeri në Itali”./ep

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu