Dëshmitarët e Speciales dërgohen jashtë vendit

0
105

Gjykata

Secili individ që është bërë dëshmitar i mbrojtur i Gjykatës Speciale nuk ndodhet më në territorin e Republikës së Kosovës. Burime të RTV Dukagjinit kanë rrëfyer se si mbi 20 dëshmitarë që tashmë veç kanë deponuar dëshmitë e tyre pranë ekipit hetues, janë dërguar jashtë vendit për shkaqe sigurie. Por, burimi ka rrëfyer edhe metodat dhe rrugët se si këta dëshmitarë janë larguar nga Kosova.

Disa prej tyre ishin larguar nga vendi në fillim të këtij viti, saktësisht në janar, shkurt dhe mars të këtij viti, kur një numër i madh i kosovarëve kishin mësyrë rrugën drejtë Serbisë për në Hungari, për të vazhduar më pas në vendet e tjera evropiane.

Gjithnjë sipas këtyre burime, një pjesë e dëshmitarëve janë larguar nga Kosova edhe përmes aplikimit në institucione të ndryshme, kryesisht shëndetësore, me arsyetimin se ata kanë nevojë për trajtim shëndetësor jashtë vendit.

RTV Dukagjini ka raportuar muaj më parë se tashmë dëshmitarët e mbrojtur janë marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale.

Përveç, kësaj RTV Dukagjini ka raportuar edhe për zonat në të cilat ka hetuar Prokuroria, siç janë fshati Zoçisht në Rahovec, Kleqka në Malishevë, Liqeni i Radoniqit në rrafshin e Dukagjinit , si dhe fshati Bellaqevc i komunës së Obiliqit.

Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit të kaluar për hapjen e rrugës për themelimin e Gjykatës Speciale, autoritetet e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, pritet të filloi negociatat me shtetin e Holandës që selia qendrore e Speciales të jetë në këtë shtet.

Asnjë veprim nuk do të bëhet nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, përderisa Gjykata Kushtetuese të dalë me aktvendimin përfundimtar nëse ka pasur shkelje kushtetuese, ligjore e procedurale, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 3 gusht, kur edhe u votuan ndryshimet kushtetuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu