“Dëshmitari C”: Mallkuar qoftë dita kur kërkova ndihmë nga EULEX!

0
186

gjykimi DRENICA

“Dëshmitari C” në vazhdim të dëshmisë së tij mohoi deklaratën e dhënë më herët në Prokurorinë e EULEX-it, ndërsa mallkoi ditën kur shkoi të kërkojë ndihmë nga misioni evropian.

“Jo, nuk e kam njohur dhe kurrë s’e kam dëgjuar këtë emër”, tha dëshmitari.

Ivan Bullatoviq ishte komandant i policisë serbe në Gllogovc, i arrestuar nga UÇK-ja më 23 maj 2008. Ai ende është në listën e të zhdukurve, ndërsa është pjesë e aktakuzës për krime lufte të “Grupit Drenica”.

Silicki me këtë përgjigje të dëshmitarit e vërtetoi se ai po flet ndryshe nga deklarata e mëparshme e dhënë para prokurorëve të EULEX-it dhe i lejoi prokurorit që dëshmitarin ta trajtojë si armiqësor, duke e marrë në pyetje pa kurrfarë ndalese.

Prokurori Hackett e pyeti dëshmitarin se a ishte pjesëtar i UÇK-së.

“Kam qenë 3 katër muaj nga prilli në shtator. Kur më është vrarë familja nga forcat serbe, UÇK-ja më ka liruar nga obligimet si ushtar aktiv”, tha “C-ja”.

Por dëshmitari ndryshe kishte thënë në deklaratën para prokurorëve të misionit evropian.

“Në atë deklaratë keni thënë se UÇK-ja arrestoi disa civilë serbë në një fshat dhe unë u tërhoqa nga UÇK-ja se isha bërë ushtar për të luftuar me forcat serbe dhe jo që të arrestonin persona civilë”, ia kujtoi prokurori dëshmitarit deklaratën e mëhershme.

Pastaj prokurori vazhdoi ta lexojë ish-deklaratën e dëshmitarit ku ai tregonte se çfarë i ndodhi pasi u tërhoq nga UÇK-ja.

“Pas disa ditësh dy persona që unë i njihja më kanë thënë që të shkoj me ta në Shqipëri për të marrë armë për UÇK-në. Kur kemi shku në fshatin Likovc aty më ka arrestuar Sahit Jashari, më ka dërguar në dhomën ose zyrën e Sabit Gecit. Aty Sahit Jashari më ka goditur me një shkop, apo edhe grusht pas koke dhe i ka thënë Sabit Gecit se ky është dezertor i UÇK-së. Dhe Sabit Geci m’u ka drejtuar duke thënë se do të të rrahi deri në vdekje”, kishte thënë atëherë dëshmitari.

Prokurori e pyeti nëse kjo që kishte deklaruar ishte e vërtetë.

“Krejt kjo çka ti the është rrenë dhe jo që nuk kam thënë, por as nuk e di ku është Likovci, e as nuk i kam njohur këta persona dhe as nuk i njoh as sot”, u përgjigj dëshmitari.

Prokurori tha se dëshmitari ka nënshkruar çdo fletë të dëshmisë së tij. Për ta vërtetuar këtë i kërkoi gjykatës që t’a lejojë që një kopje të kësaj deklarate me nënshkrime t’ia tregojë dëshmitarit.

Kur gjykata ia lejoi këtë gjë, dëshmitari pranoi se nënshkrimi është i tij, por jo edhe fjalët.

“Nënshkrimi është i mi, po ajo çka shkruan në të nuk janë fjalë të mia dhe nuk e di se si ka ardhur aty nënshkrimi im”, tha dëshmitari.

Më pas ai mallkoi ditën kur shkoi të kërkojë ndihmë nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit.

“Në EULEX kam shkuar të kërkoj drejtësi dhe prokurori më ka kërkuar që për të më ndihmuar duhet të bëj marrëveshje me të që t’i deklarojë këto gjëra, mirëpo ju nuk po më leni të sqarohem dhe mallku qoftë dita kur unë iu drejtova EULEX-it për ndihmë”, tha dëshmitari.

Kryetari i trupit gjykues Darius Silicki i tha dëshmitarit se do t’i jepet mundësia për të folur të gjitha ato që ka për t’i thënë.

Seanca e radhës në gjykimin e “Grupit Drenica” është caktuar për 11 dhjetor.

Në gjykimin e “Grupit Drenica” edhe pse dëshmitari i koduar me shkronjën C duhej të dëshmonte me anë të video-lidhjes, ai kërkoi që dëshminë ta japë në gjykatë. Kryetari i trupit gjykues Darius Silicki dy herë e nxori C-në nga gjykatorja për thyerje të urdhrave të tij.

Prokurori Martin Hackett edhe pse pranoi që “Dëshmitari C” të vijë në gjykatore, tha se masat mbrojtëse ndaj tij duhet të aplikohen, duke mos përmendur emrin e tij në publik dhe shkresat e lëndës.

Gregory Guy Smith, avokati i Sylejman Selimit e tha të kundërtën-që “C-ja” të mos ketë masa mbrojtëse, pasi vetë ai po e dëshiron një gjë të tillë.

Megjithatë masat mbrojtëse për dëshmitarin mbetën në fuqi dhe ai u soll në vendin ku është paraparë të ulej me policë të cilët mbuluan pamjen e tij për publikun e pranishëm.

“Unë po të tregoj se masat mbrojtëse ndaj teje, emri yt dhe të gjitha të tjerat për publikun do të jenë të ndaluara. Gjithashtu ndalohet audio dhe vide-incizimi i dëshmisë tuaj’, e njoftoi dëshmitarin kryetari i trupit gjykues Silicki.

Por dëshmitari nuk u shfaq i disiplinuar. Ai foli dy-tri herë pa e pasë lejen e Silickit.

Silici ia tërhoqi vërejtjen se nëse flet pa leje do të ndiqesh penalisht.

Pastaj dëshmitari nuk deshi që ta identifikojnë me shkronjën C. E tregoi në gjykatë emrine tij të vërtetë.

Silicki ia bëri dije dëshmitarit se sapo kishte thyer përsëri urdhrin e tij. Ai kërkoi nga policia që dëshmitari të nxirrej jashtë dhe dha pauzë 10 minutëshe.

Pas pauzës dëshmitarin filloi ta marrë në pyetje prokurori Hackett, por “C-ja” nuk u përgjigjej pyetjeve, kur prokurori i drejtohej si dëshmitari me këtë shkronjë.

Kjo bëri që Silicki ta nxjerr përsëri jashtë me anë të policisë dëshmitarin. Ai përsëri ka dhënë pauzë, ndërsa po e kërkon mendimin e avokatëve dhe prokurorit për këtë dëshmitar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu