Dështoi sektori i sigurisë

0
422

(E plotësuar) Invadimi i xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës, dhe kidanapimi i dy policëve kosovarë, nuk u ka bërë përshtypje institucioneve kosovare të sigurisë që të paktën të mblidhen dhe të diskutojnë rrethanat e arrestimit dhe masat e parandalimit të forcave serbe në vendin tonë. Kështu i gjithë sektori i sigurisë në Kosovë ka dështuar përballë kërcënimit të hapur të ministrit serb të Rendit, Ivica Daçiq.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Inteligjencës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria, etj, të gjithë kanë reaguar për arrestimin e policëve, Shukri Binaku e Sami Beqiri nga xhandarmëria serbe, madje ky veprim i shtetit serb u cilësua edhe si sulm direkt ndaj shtetit të Kosovës, por që asnjëherë këto institucione nuk u mblodhën për të hartuar një plan veprimi, të paktën për kërcënimet e reja që vijnë nga fqinji verior.

Madje Agjencia Kosovare e Inteligjencës, që udhëhiqet nga kryespiuni Bashkim Smaka, ishte në “gjumë” dhe nuk kishte asnjë “haber” që forcat serbe të xhandarmërisë futen brenda territorit të Kosovës.

Akuza në drejtim të sektorit të sigurisë kanë ardhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha taborët, pozitës dhe opozitës.

Ahmet Isufi i AAK-së, i cili udhëheq edhe Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, rikujtoi se edhe pas kërcënimit të hapur të ministrit serb, Daçiq se do të ndodhin arrestime në Kosovë, i gjithë sektori i sigurisë mbylli sytë përballë këtij provokimi të hapur të Beogradit. “Ne mendojmë se në momentin kur Daçiq paralajmëroi për arrestime, është dashur të ngrihet niveli i sigurisë në vend dhe jo të heshtet”, ka thënë Isufi.

Arrestimi i dy policëve kufitarë të Kosovës ka ndodhur në brendi të territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Dumnicë të Podujevës. Forcat serbe kanë çarmatosur dhe shtrirë përtoke me duar të lidhura policët Sami Beqiri dhe Shukri Binaku.

Në këtë rast, policëve kosovarë nuk iu bënë punë as kallashnikovët dhe as revolet që i kishin me vete.

Ndërkaq, anëtari Komisionit për Siguri që vjen nga partia në pushtet, Fatmir Xhelili, e pranon se ka pasur një moskujdesje dhe josyçelëti nga policët kosovarë që kanë patrulluar në vijën kufitare me Serbinë.

“Rrëmbimi i dy policëve nga xhandarmëria serbe është një sinjal për sektorin e sigurisë në Kosovë, e posaçërisht për Policinë e Kosovës, që të jetë më e kujdesshme dhe më syçelë përballë provokimeve serbe”, ka thënë Xhelili, i cili ka vënë në pah mungesën e resurse njerëzore përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Megjithatë, ai konsideron se edhe pas arrestimit të dy policëve nga shteti serb, s’ka pasur nevojë të mblidhet organi më i lartë i sigurisë, siç është Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Mirëpo, Burim Ramadani i AAK-së, ka një mendim më ndryshe, ai madje, shpreh habinë se si nuk është mbledhur ky këshill.

“Në kësi situate është dashur të mblidhet ky organ dhe të bëjë planin e veprimet. Pikë së pari është dashur t’i vihet ultimatum Serbisë për lirimin e policëve, të bllokohet menjëherë kufiri me Serbinë, të ndërpriten bisedimet dhe të njëjtën të hartohet një plan operativ për shuarjen e strukturave ilegale të sigurisë dhe inteligjencës”, ka thënë Ramadani.

Mirëpo, jo vetëm Këshilli i Sigurisë Kombëtare që nuk u mblodh, por as AKI, si institucionit i inteligjencës kombëtare nuk kishte as më të voglën informatë karshi kërcënimit të Beogradit, edhe pse Daçiq paralajmëroi publikisht se do të ndodhin arrestime.

Deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, i cili udhëheq Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, thotë se “AKI s’ka pasur mundësi që të ketë informata të tilla, pasi operon vetëm në territorin e Kosovës dhe jo në shtete tjera”.

Andaj, sipas tij, ka qenë e pamundur që të ketë kësi lloj informatash në lidhje me planin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për arrestimin e policëve kosovarë, porse sipas tij, ky është një dështim kryekëput i Policisë së Kosovës, dhe i gjithë Qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi.

Sidoqoftë, autoritetet kosovare të rendit dhe EULEX po bëjnë hetimin për gjithë ngjarjen e arrestimit të policëve Sami Beqiri dhe Shukri Binaku, derisa ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi do të raportojë para Kuvendit të Kosovës në lidhje me kidnapimin e zyrtarëve policorë nga ana e xhandarmërisë serbe.

 

Nga, Lumturije Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu