Detroit, në skutat ku lindin elementët e krimit shqiptaro-amerikan

0
263

Pjesa tre:

Shqipëria e vogël. Në klubet që frekuentojnë shqiptarët pranë Detroitit, më se 500 kilometra larg nga burgu ku mbahet Ketjol Manoku, takova një burrë, i cili vinte nga qyteti i tij i lindjes në Shqipëri dhe që gjithashtu e njihte atë edhe në rrugët e Miçiganit. “Këta mendojnë se një armë i bën perëndi e kështu turpërojnë komunitetin shqiptar”, – më tha. Më foli për njerëz, të cilët i njihte qysh në Shqipëri – njerëz normalë, bojaxhinj, punëtorë – që krejt papritur transformohen nga qenie njerëzore, thjesht në “armë”. Ndoshta Merkot dhe Manokët nuk janë ushtarë, ndoshta ata janë kthyer në armë.
Kontetë Makomb dhe Okland janë plot me qendra tregtare, ku ndodhen shumë restorante ‘fast-food’. Këtu punojnë shumë nga emigrantët shqiptarë. Në qendër, të premteve në darkë këtu mblidhen zakonisht grupe studentësh që bëjnë tifo për skuadrën e tyre të zemrës të hokejit; kudo ka vajza me minifunde dhe plot motorë. Flas me një polic që qëndron te makina. Më thotë se Detroiti është tepër i paorganizuar për të pasur banda jetëgjata. “Engjëjt e Ferrit” janë përpjekur të ngrenë një klub këtu prej kohësh, por nuk di asgjë për shqiptarët.
Shkova te parkingu i kompleksit të apartamenteve, ku ndodhi përleshja me armë e Manokut. Fola me dy më të parët njerëz që hasa përballë, duke u prezantuar e duke u kërkuar falje për shqetësimin. Ishin shqiptarë. Sigurisht, ata dinin gjithçka për incidentin, më thanë se të gjithë kishin dëgjuar për të. Më treguan për të gjitha kafenetë shqiptare, baret e restorantet në këtë zonë: Café Tirana, Eagle Café, Great Sport, Mocha Café, Goodfellas. Shkova në të gjitha ato. Një grua që po kthehej nga puna, më tha se i vinte keq, ishte vonë dhe duhet të shkonte për të marrë djalin nga stërvitja e futbollit. Më tha shkarazi se mendonte se një nga familjet e prekura nga incidenti dikur jetonte përballë, por ishte shpërngulur. Një adoleshent shqiptar, ndoshta 14 vjeç, ishte i parapërgatitur për të mos më thënë asgjë. Një grua e re, ulur në shesh duke përkundur fëmijën, shihte fëmijë të tjerë që luanin, ndërsa makinat kalonin me 60 kilometra në orë. Më tha se vinte nga Kosova dhe ishte gati të fliste. U shfaq një zezak ngarkuar me bizhuteri të shtrenjta dhe cigare në gojë e më pyeti si ishte puna. A kishin qëlluar gjë vëllain tim? Jo? Atëherë, pse e vrisja mendjen kaq shumë?
Një mesogrua e bardhë, në verandën e shtëpisë së saj duke u kujdesur për lulet, më tregoi për një shqiptare skizofrene në banesën përballë dhe tha disi me trishtim: “Unë jam si minoritet këtu”.
Kaluan tre të rinj nga Salvadori. Po, po, kanë dëgjuar për armë, hashash dhe “ladrones” (hajdutë). ‘Ne jemi të mirë, nga një vend i mirë’, thonë.
Në një kafene shqiptare, një burrë më tha se e njihte Manokun që në Shqipëri. Sipas tij, ai ishte nga komuniteti rom në Shqipëri; në njëfarë mënyre, nuk ishte aq shqiptar sa ç’ishte ky i fundit. Takova edhe një shqiptaro-amerikan 25-vjeçar, diplomuar nga Universiteti i Miçiganit, që punonte si menaxher në ndërtim. Ai pranoi se disa nga këta kriminelë janë të egër – tha se i njihte – por shtoi jo krejtësisht pa simpati se “këta djem janë ziliqarë për njëri-tjetrin, por rrinë në grupe. Fjala është për ndeshje adoleshentësh për vajza”. Më tregoi se gjysma e shqiptarëve me të cilët bëri gjimnazin ishin bërë repistë. Një prej tyre, siç pa në një video, ishte i rrethuar nga makina luksoze. Por kishte marrë fund, sa herë që e takonte nëpër kafene, kafenë i duhej t’ia paguante. Më vonë mori vesh se një nga repistët njihte dikë te dyqani i makinave dhe ai i la që ta xhironin aty klipin e këngës.
Në disa bare të mbushura kryesisht me pleq shqiptarë që luanin domino, më të rinjtë duhet të bënin rolin e përkthyesit. Në një prej tyre më ftuan të ulem në tavolinë. Rreth meje u formua një turmë e vogël. Të vjetrit e mbanin mend Shqipërinë e ’97-ës. Një vajzë e re që punonte aty dhe që kishte mbërritur në Amerikë para pak muajsh, tha se më mirë do të ishte të kthehej në vendin e vet. Ajo u ul dhe i dëgjoi me vëmendje historitë e mia, duke më sjellë herë pas here kafe e ujë. Më vonë fola me të te banaku dhe i bëra pyetje, deri kur pronari më bërtiti që ta lija të qetë. I duhej të punonte. Ajo mori një kartëvizitë timen para se të largohesha. As ajo dhe as shefi që më bërtiti nuk më morën para. Më pyeti me një anglishte të çalë: “T’i tha të gjitha Manoku? T’i tha?”
FBI
FBI ka një task-forcë për krimin e organizuar nga Ballkani. Njësia u shpërbë njëherë, por u ngit sërish dy muaj më parë. Diku aty ndodhet një flamur shqiptar me shqiponjën dykrenëshe. Agjenti mbikëqyrës Lou DiGregorio u mor me mafian italiane për 20 vjet. Më tha disa herë me radhë se shqiptarët që marrin pjesë në lojën e krimit janë “me huqe”. DiGregorio mban një kopje të Kanunit në tavolinën e punës. Thirri një agjent, emrin e të cilit më kërkoi të mos e përdorja; dikë që ka punuar në këto çështje për njëfarë kohe. Ishte një burrë inteligjent, shakaxhi, i sigurt në vete dhe i rrahur me jetën e rrugës. Lexoi artikullin tim të parë dhe më tha se i njihte të gjithë emrat që dilnin aty dhe se kishte folur me shumë prej të pandehurve. Më pyeti se nga e kisha marrë një pjesë të informatave dhe u duk i habitur e i zhgënjyer që kisha qenë në gjendje ta nxirrja këtë informacion. “Media të prish nganjëherë punë”, – tha ai. Parapëlqente të ruante elementin surprizë.
“Ke folur me xhaxhanë e Grezdës?”, – më pyeti. – Po, i thashë. “Si t’u duk?” Oficeri i informimit të publikut, ulur me ne, e ndërpreu: “Është gazetar”, – tha. “Ti ke qenë në klubet sociale të Bronksit, ti di gjithçka tani, çfarë mund të të tregoj më shumë?” – tha agjenti. Pak si me përkëdhelje, pak si me ironi. Mësova ato që nuk i dija dhe ai mësoi ato që nuk i dinte. Zbulova nga një tjetër agjent, tani me shërbim në Klivlend, por që ishte marrë me krimin ballkanas në Miçigan (çështja Manoku, rrëmbimi i Krasniqëve etj.) se agjenti nga Nju Jorku që sapo takova është më i miri që ka FBI-ja për krimin shqiptar dhe atë ballkanas.
Di Gregorio tha se kriminelët shqiptarë e sjellin disi ndër mend mafien italiane të shkollës së vjetër, përpara se të plakeshin mafiozët e lindur në Amerikë, të cilët nuk ishin më të varfër, të uritur e të dëshpëruar. “Ata sikur kanë hyrë në një ndeshje boksi me një rival të peshës më të rëndë, – tha ai, – po hapen më shumë sesa kanë fuqinë në krimin ndërkombëtar dhe veçanërisht në shitjen dhe transportimin e drogës, brenda dhe jashtë Amerikës”.
Ai ka të drejtë për sa i takon dëshpërimit të shqiptarëve, të cilin, me sa duket, ata e marrin me vete, pavarësisht se sa i largohen atdheut. Shqiptarët ishin të izoluar nga bota gjatë komunizmit; ata përjetuan genocid dhe kolaps ekonomik. Fëmijët e tyre mbajnë armë dhe i qëllojnë njëri-tjetrit nëpër rrugë. Ata kanë vuajtur nga një qeveri tmerrësisht e korruptuar. Gomonet çuan përtej Adriatikut shumë gra e vajza shqiptare që synonin Evropën apo Amerikën. Një pjesë humbën – apo u hodhën në det, që tani quhet “lumi i lotëve”. Shumë prej tyre, të cilat ia dolën mbanë e që synonin të punonin banakiere apo kamariere, përfunduan të detyruara të punonin nëpër lokale nate e më pas, në të tjera gjëra.
Krimi dhe shqiptarët
Intervistova Jana Arsovskan, profesore në Kolegjin John Jay, e cila ka punuar për Interpolin dhe është eksperte e krimit shqiptar dhe atij baltik. Ajo po shkruan një libër për bosët e krimit, Açik Xhan, vëllezërit Daçiç (Hamdi e Lutvi), Naser Kelmendin dhe rrjetet e tyre të gjera; emigrantët kinezë që përdorin Shqipërinë si urë trafikimi dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila prodhoi shumë të rinj, mësuan si të vrasin, por nuk kanë më një luftë për të luftuar. Në libër ajo flet me dokumente për sasi të mëdha kokaine të kapura nëpër anije dhe identifikon kumbarët e njerëzve që popullojnë listën e më të kërkuarve, me klubet e hotelet, bizneset dhe lidhjet qeveritare. Njerëz si Princ Dobroshi, që i bëri fytyrës operacion plastik e u arratis nga burgu, dhe Dhimitër Harizaj, që u arrestua në mars nën akuzat e përfshirjes në rrjetin ndërkombëtar të drogës. Arresti erdhi pas kapjes së 200 kg kokainë, e cila u gjet e përzier me vaj palme, që vinte nga Kolumbia dhe që përshkoi rrugën e drogës nga Kolumbia, Spanja, Belgjika, Austria, Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia, për të përfunduar në Shqipëri. Ishte sasia më e madhe e kokainës e kapur në historinë e Shqipërisë.
Krasniqët, sipas vlerësimit të saj, janë kriminelë të kalibrit të vogël. Dhe nuk janë as të sofistikuar. Por ekziston një rrjet, ku ata janë pjesë: Krasniqët, kriminelët e Detroitit dhe një operacion i kryer së fundmi në Nju Xhersi.

 

Genc Kondi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu