Dialogu sipas “Vetëvendosjes”

0
301

VV

Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, në muajin qershor të këtij viti kishte shpalosur për herë të parë për gazetën “Zëri” katër pikat e këtij subjekti rreth dialogut me Serbinë.

Pika e parë, sipas Kurtit, ka të bëjë me themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili për 6 muaj do të hetojë procesin e gjithë dialogut 3-vjeçar. Pika e dytë është që Marrëveshja e 19 prillit 2013 mes dy kryeministrave do të duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut.

Pika e tretë është, që Kosova nuk ka nevojë për dialog me Serbinë, por ka nevojë për dialog me serbët e Kosovës. Dhe pika e katërt në planin e “Vetëvendosjes” është që të fillohet një dialog i ri me Brukselin, për marrëdhënie kontraktuale Kosovë-BE, në mënyrë që të definojmë marrëdhëniet tona. Pavarësisht skepticizmit të përfaqësuesve ndërkombëtarë rreth udhëheqjes së dialogut nga partia e Albin Kurtit, njohësit e çështjeve integruese në vend thonë se ky subjekt politik nuk do të mund ta dështojë procesin e dialogut.

Mazreku: LVV s’do të mundë ta dështojë dialogun

Avni Mazrreku, njohës i proceseve integruese, vlerëson se Lëvizja “Vetëvendosje” nuk mund ta ndryshojë, apo ta dështojë procesin e dialogut. Sipas tij, raportet konstruktive ndërfqinjësore janë obligim për Kosovën dhe për të gjitha vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, e këto raporte ndërtohen mbi dialog.

“Vetëvendosje’ nuk mund ta dështojë dialogun, sepse përmes dialogut ndërtohen raportet konstruktive ndërfqinjësore, raporte këto të cilat janë obligim për Kosovën dhe të gjitha vendet e rajonit që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kritikat e “Vetëvendosjes” në të kaluarën e kanë pasur njëfarë baze, për shkak se Serbia nuk i ka respektuar ato marrëveshje që janë arritur dhe i ka përdorur në avancimin e pozitës së vet në procesin e anëtarësimit”, është shprehur Mazrreku, duke shtuar se roli i “Vetëvendosjes” në procesin e dialogut me Serbinë do të jetë konstruktiv, për shkak se sipas tij e ndihmon faktorizimin e Kosovës në proces të dialogut dhe në proces të zbatimit të marrëveshjeve.

Sipas Mazrekut “Vetëvendosje” nuk dëshiron ta dështojnë dialogun, apo ta pengojnë këtë proces, por e vetmja kërkesë e tyre është që të negociohet si dy vende të barabarta.

“Ata dëshirojnë të dialogojnë, por dëshirojnë të dialogojnë si dy vende të barabarta, çka në fakt është aspiratë e popullit të Kosovës, është obligim i Kushtetutës së Kosovës, prandaj nuk e shoh si pengesë këtë çështje. Edhe elementi tjetër që e ka ndërtuar “Vetëvendosje” dhe është mjaft konstruktiv, strukturimi i palës serbe në dialogun, sepse serbët në Kosovë nuk duhet të jenë instrument i Beogradit, por duhet të jetë e strukturuar në institucionet e Kosovës”, ka përfunduar Mazrreku.

Dialogu, detyrim ndërkombëtar

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se nuk mund të kemi ndryshime të mëdha në procesin e dialogut sepse është kërkesë e komunitetit ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë është zotim i Qeverisë aktuale, por edhe i Bllokut që pretendon ta formojë qeverinë. Sipas tij, dialogu në mes shteteve është detyrim ndërkombëtar dhe pavarësisht hyrjes së “Vetëvendosjes” do të vazhdojë dialogu në këtë formë dhe se Kosova do t’i zbatojë marrëveshjet, pasi ato tashmë janë obligime ndërkombëtare.

“Nëse “Vetëvendosje” e drejton dialogun do të ketë zbatimin më të përpiktë të parimit të reciprocitetit, gjë që Qeveria e tanishme ka devijuar shumë dhe ka bërë kompromise të dhimbshme. Nuk pres ndryshime tjera, sepse nuk është dorën e “Vetëvendosjes” dhe nuk mund të devijojë nga obligimet juridike ndërkombëtare, por e mirë e kësaj punë është që të mos bëhen gabime si ato të Qeverisë aktuale”, ka vlerësuar Hoti.

 

Nga: Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu