Dialogun me Serbinë: Kurti, nuk jam që të vonohemi por nuk jam as që të ngutemi

0
174

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, por ka shtuar se nuk do të ngutet për të arritur një epilog të dialogut.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka shtuar se nuk pret ndonjë dialog thelbësor e as rezultate të shpejta derisa edhe Serbia është në prag të zgjedhjeve. Ai shprehet i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve dhe me programin e përbashkët që kanë arritur me LDK-në, duke thënë se do të luftojnë korrupsionin dhe do te fillojnë me ç’kapjen e shtetit.

“Ne kemi vizionin tonë, edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si dy partitë më të mëdha në Republikën tonë që i kanë fituar zgjedhjet me qëndrimin për reciprocitet karshi Serbisë. Pra ne nuk duam hakmarrje, ne duam drejtësi, reciprociteti është korrektësi, është një qasje fer, është në regjistrin e drejtësisë dhe unë e di që në njërën prej deklarimeve të tij edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Trump, e ka përmendur reciprocitetin si vlerë e si koncept që ai e ka përzemër, pra marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë ndërtohen me këtë parim.

Nuk kemi pse ne ta anashkalojmë vetveten, ne nuk dëshirojmë që të hakmerremi ndaj Serbisë, mirëpo ka shumë gjëra të papranueshme që i bën ajo karshi nesh e neve na nevojitet që minimalisht të mbrohemi, pra reciprociteti nuk është fare ofensiv, fushata e Serbisë është ofensive, reciprociteti është mbrojtje, është defansiv, është minimumi për një lloj dinjiteti dhe integriteti të subjektivitetit tonë si shtet në aspektin e jashtëm”, ka thënë Kurti për Zërin e Amerikës.

Duke folur për mundësinë që bisedimet të mbyllen brenda këtij viti, për marrëveshjen historike Kosovë-Serbi, Kurti tha që është e mundshme, por gjithsesi ai shtoi se nuk varet nga ai dhe nuk mund të parashikoj një gjë të tillë.

“Është e mundshme, mirëpo unë nuk do të mund të parashikoja një gjë të tillë tani. Tani mund të shprehë vullnetin tim për dialog, për bashkëbisedim të hapur e parimor dhe besoj që nuk do të duhej që duke e vënë marrëveshjen para dialogut ta dëmtojmë dialogun dhe ta pamundësojmë marrëveshjen si të tillë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Ai ka shtuar se përkundër që SHBA’të kanë vendosur një Përfaqësues Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richerd Grenell, kjo nuk do të thotë se roli i BE’së në bisedime do të zbehet. BE vendosi si kusht për Kosovën dhe Serbinë një marrëveshje gjithpërfshirëse, në mënyrë që të vazhdohet rruga e tyre drejt integrimit.

Tutje, Kurti foli për reciprocitetin me Serbinë dhe heqjen e taksës. Kurti thotë se taksa do të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo pa u vendosur reciprociteti me Serbinë. Ai gjithsesi thotë se taksa nuk ka pezulluar bisedimet mes dy vendeve asnjëherë, pasi që dy shtetet janë takuar shpesh në tryezë ndërkombëtare.

“Në një farë mënyre bisedimet nuk janë ndalur asnjëherë për shkak se nëpër tryeza e konferenca të ndryshme ndërkombëtare janë takuar qeveritarët, liderët e Kosovës me ata të Serbisë, kjo do të vazhdojë edhe më tutje. Unë mendoj që tash kur ne ende nuk kemi arritur ta bëjmë fuzionimin e ministrive tona nga 21 në 15 sepse do ca kohë kjo, ndërkaq që në anën tjetër ka filluar që të vlojë fushata për zgjedhjet në Serbi, nuk mendoj që mund të pritet ndonjë dialog substancial i menjëhershëm dhe rezultate të shpejta. Unë nuk jam që të vonohemi por nuk jam as që të ngutemi”, shton Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu