Diaspora ia shuan shpresat Nismës

0
66

Pragu zgjedhor prej 5% po del të jetë i pakalueshëm për Nismën, AKR-në e PD-në, ani pse ky koalicion ende ka shpresa se fitoren do ta gjejë në votat e diasporës. Sipas njohësve të çështjeve politike, votat e diasporës do të shkojnë në favor të partive të mëdha, duke e rritur pragun zgjedhor dhe duke e bërë atë të pakapërcyeshëm për Nismën, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Politologu Rasim Alija është shprehur për “Zërin” se numërimi i votave të diasporës do t’ia shuajë shpresën koalicionit Nisma – AKR – PD për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, për shkak se, siç thotë ai, votat e diasporës do ta rrisin hendekun e pragut zgjedhor. “Me gjasë ato pak shpresa për Nismën që të jetë pjesë e Kuvendit përfundimisht shuhen. Numërimi i votave nga diaspora e rrit hendekun e kalimit të pragut zgjedhor prej 5% nga Nisma”.

Alija thotë që në rast se Nisma e kalon pragun do t’ua marrë nga dy deputetë dy partive politike, të cilat janë duke u përpjekur ta bëjnë koalicionin qeverisës, LVV-së e LDK-së. Ndonëse nuk beson që Nisma do të bëhet pjesë e Kuvendit, edhe në të kundërtën Alija thotë se Qeveria mund të bëhet edhe pa koalicionin Nisma – AKR – PD, shkruan tutje “Zëri”.

“Në një situatë ku Nisma do të bëhej pjesë e Kuvendit, por që duket e pamundshme tani, nga dy deputetë do t’u hiqeshin LDK-së dhe LVV-së. Por prapë do të ekzistonte opsioni që këto dy subjekte ta formonin Qeverinë pa Nismën. Me gjasë do të kishim një qeveri LVV – LDK, plus minoritet tjera joserbe, që do të bënin rreth 65 ose 66 deputetë dhe do të ishte e mjaftueshme që Nisma të mbetej jashtë formulës qeverisëse”, ka deklaruar ai./ZËRI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu