Dita e Veteranit të UÇK-së shënohet me protesta

0
222

Drejtuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së edhe një herë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për shkak të injorimit të kërkesave të veteranëve për një ligj të mirëfilltë dhe kërkuan që ligji të kthehet në Kuvendin e Kosovës. Ata kërkuan nga të gjithë bashkëluftëtarët që më 30 dhjetor të dalin në protestë paqësore dhe të kundërshtojnë Ligjin aktual për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së.

 

Vendimin për protestë e ka marrë ditë më parë Këshilli Drejtues i OVL të UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Muharrem Xhemajli u ka bërë thirrje të gjithë veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve, që Ditën e Veteranit të UÇK-së ta shënojnë, duke protestuar në mënyrë paqësore për siç tha ai mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

 

“Këtë vit organet drejtuese të Organizatës së Veteranëve, Invalidëve dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, kanë vendosur që datën e 30 dhjetorit – Ditën e Veteranit të UÇK-së ta shënojnë në një formë më ndryshe se sa herëve tjera. Këtë ditë do të organizojmë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe për të kërkuar edhe një herë që ligji i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në javët e kaluara të kthehet prapë në Kuvendin e Kosovës, sepse për neve është një ligj i papranueshëm dhe është një ligj diskriminues për vlerat e luftës së UÇK-së”, ka thënë ai.

 

Shoqatat theksojnë se edhe pse në titullin e Ligjit, janë përfshirë veteranët dhe pjesëtarët e luftës së UÇK-së, brenda ligjit ata përjashtohen tërësisht nga të drejtat dhe benificionet e tyre.

 

Xhemajli theksoi se me këtë ligj janë diskriminuar veteranët e UÇK-së, pasi ata janë ndarë padrejtësisht nga invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Ai konsideron se me këtë ligj mohohet edhe një pjesë e historisë së lavdishme të UÇK-së.

 

“Çështja kryesore e këtij projektligji është ndarja e cila i bëhet veteranëve dhe përjashtohen veteranët prej këtij ligji, ku ndahen prej invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, ku thuhet se do te bëhet një ligj i veçantë për këtë kategori. Periudha kohore e përcaktimit të luftës së UÇK-së, ku merret përkufizimi i vitit 97-99, ku e njëjta gjë thuhet edhe për dëshmorët që kanë ra në këtë periudhë. Dhe me këtë rast mohohet një pjesë e historisë pasi që UÇK-ja ka vepruar edhe më herët se viti 97. Dhe tjetra ku veteranët dhe familjet e dëshmorëve trajtohet si raste sociale”, ka thënë Xhemajli.

 

Thirrje që të dilet në numër sa më të madh në protestë kanë bërë edhe kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj dhe kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

 

Përfaqësuesit e shoqatave të luftës, përveç që kanë shprehur kundërshtimin e tyre për këtë ligj, ata kanë kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga që mos ta nënshkruajë, por ta kthejë edhe njëherë në Kuvend dhe në kuadër të tij të futen edhe beneficionet dhe të drejtat e veteranëve të UÇK-së.

 

Protesta mbahet me 30 dhjetor në Prishtinë dhe fillon në ora 12.00. Takimi i protestuesve do të bëhet tek parkingu pas Pallatit të Rinisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu