Djegia e Berishës

0
304

Teksa “trioja” Sali Berisha, Hashim Thaçi dhe Atifete Jahjaga po festonin e nderonin njëri-tjetrin të rrethuar nga qindra truproja në qytetin “piktoresk” të Deçanit, lajmi që vinte nga Tirana, ishte për të katërtin qytetar të atjeshëm që po tentonte të hidhte vetes flakën, i pakënaqur me trajtimin që kryeministri i atjeshëm po u bënte ish-të persekutuarve politikë.

Është kjo një tablo e një pashpirtësie njerëzore e politike, që po e kultivojnë “liderët” tanë këndej e andej kufirit, të një turpi që tentojnë ta fshehin duke i dhënë njëri-tjetrit dhurata e peshqeshe. Një tentim ky bizar për të mbuluar realitete e hidhura, punët e papërfunduara, gabimet e përsëritura e çka mos tjetër me lajme që krijojnë imazhe pozitive të rrejshme.

Të tre liderët, që në esencë nuk e duan e as nuk e çmojnë njëri-tjetrin, ka një kohë të gjatë që “koketojnë” e bëjnë politike mes vete duke i hedhur njëri-tjetrit gomën e shpëtimit nga fundosja politike, ku janë duke e çuar veten, sa herë që njëri nga ta është ngushtë.

E dimë shumë qartë që Berisha nuk ishte asnjëherë mik me Thaçin. E dimë shumë mirë që miqësia e Thaçit në Shqipëri fillonte e përmbyllej me Fatos Nanon. E dimë fare mirë që edhe Thaçi edhe Berisha, për presidenten e sotme dinë prej datës kur edhe e mori këtë post. Mund ta hedhë gjithë pasurinë time në bast, se të dy kryeministrat si “macho-men” që janë e përbuzin presidenten e me qëllim nuk ia thonë emrin ashtu si e ka të plotë.

Armiqësitë e tyre nga e kaluara, sot janë zëvendësuar me miqësitë për të mbetur në pushtet e për të sunduar. Do të ishte mirë sikur ato të ishin shndërruar në miqësi, por nuk janë bërë ashtu-janë shndërruar në një aleancë, e cila një emërim të përbashkët- ka keqmenaxhimin, keq-qeverisjen e korrupsionin, ashtu siç na thonë kronikat e lajmeve nga të dyja vendet. Edhe vetë Berisha e Nano, sot janë miq dhe kane të njëjtit armik.

Berisha duhet të ketë qenë në zor që të marrë një statujë të re dhe atë nga Kosova. Në ditët e tij më të mira nuk e besoj që “madhështia” e tij do të pranonte të shpallej qytetar nderi i kujtdo më pak se i vetë shtetit të Kosovës. Por, derisa në vendin ku ai qeveris të persekutuarit e ish-sistemit komunist, në emër të agjendës e besimit të së cilëve ai dhe partia e tij edhe kanë ndërtuar qenien e tyre, po digjen nga pakënaqësia, Berishës i është dukur mjaft edhe një dhuratë si kjo nga një qytezë e vogël si Deçani.

Nuk kishte si të mos e merrte, edhe pse në mendjen e tij nuk është vetëm kryeministër i Shqipërisë, por edhe i Kosovës, edhe i shqiptarëve të Maqedonisë, edhe të atyre në Mal te Zi, e madje dhe të gjithë atyre që janë në diasporë.

Një tablo e shtrembëruar edhe kjo, sepse Berisha si kryeministër sot në Kosovë nuk e ka atë popullaritetin që e kishte dikur si lider anti-komunist e si opozitar.

Popullariteti i tij këtu është duke u humbur për shkak të mënyrës se si ai qeveris në Shqipëri, dhe jo sepse kosovarët e duan Ramën apo ndonjë lider tjetër. Sepse mënyra se si qeveriset në Shqipëri sot, ngjan shumë me atë çka ndodh në vendin tonë, madje ndonjëherë edhe e tejkalon për nga e keqja. Nuk është mirë edhe për shkak se ai, ashtu siç është, këtu te ne tash identifikohet si mik e shok i keqmenaxhuesve të vendit.

Liderët tanë politikë, si zakonisht janë të vonshëm në kapjen e disponimeve dhe trendëve, sepse ata jetojnë të izoluar nga qytetarët. Ata i ofrohen dhe i japin Berishës medalje, sepse njëkohësisht edhe i frikësohen edhe e admirojnë fuqinë e tij.

Duan të fitojnë në krah të tij, dhe ta largojnë atë nga ndikimi imagjinar që ka këtu. Duan edhe të thonë se Berisha është po kaq i mirë e i keq sa ata vetë- prandaj nuk ka pse të vlerësohet shumë. Kjo është edhe arsyeja se pse kaq shumë ngarend ndaj tij edhe AAK-ja që nuk është sot në pushtet. Prandaj, sot Berishën në Kosovë e kanë bërë për vete dhe e kanë ndarë mes vete- kush tjetër pos PDK-së dhe AAK-së, partive që në të ardhmen mund të jenë koalicioni qeverisës i vendit.

Berisha medaljen e ka marrë, mund t’i shijojë edhe minutat e kënaqësisë me nxënësit e shkollave fillore e të mesme, por të mos mendojë se e kanë ftuar për t’i bërë nder. Jo, e kanë ftuar për ta djegur politikisht ashtu siç po djegen në Tiranë të persekutuarit e ish-sistemit komunist. Turpin s’e kanë dert se e bartin mbi supet e tyre.

 

Nga Astrit Gashi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu