Dobruna: Edhe sot rrihen të burgosurit nga Policia

0
350

Prishtinë, 3 qershor – Policia e Kosovës i rrah të ndaluarit po aq sa UÇK-ja i ka rrahur “spiunët”, ka thënë avokati nga Gjakova, Sokol Dobruna, i cili gjatë luftës ka qenë në krye të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. Dobruna ka marrë pjesë në në procesin gjyqësor kundër Sabit Gecit dhe të tjerëve në cilësinë e dëshmitarit.
“Shikoni, kur flasim për këtë çështje të burgosurit edhe sot rrihen njerëzit me dajak në polici”, ka thënë Dobruna dhe ka pyetur “atëherë çfarë mund të flasim për njerëzit që i kemi marrë të dyshimtë për spiunazh”
Ai ka shtuar se si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kurrë nuk ka dëgjuar për kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan.

“Unë vetëm tash në këtë proces jam kah dëgjoj çka nuk kam dëgjuar kurrë. Kurrë nuk kanë mundur të ndodhin ato çka po fliten, por të njëjtët njerëz që kanë qenë kundër luftës tash e keqpërdorin situatën e po i shkojnë për shtati tjetërkujt”, ka thënë ai para gazetarëve posa ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Sabit Geci, Riza Alijajt, Haki Hajdarit, Salih Rexhepit dhe Shaban Hotit.

Ndonëse është thirrur si dëshmitar i mbrojtjes, Sabit Geci nuk ka mundur të përfitojë asgjë nga dëshmia e ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna. Shumicës së pyetjeve të Sabit Gecit dhe avokatit të tij Mahmut Halimi, ai i është përgjigjur shkurt: nuk më kujtohet.

Dobruna është thirrur në gjykatë për të dëshmuar për njohjen e tij me të akuzuarin për krime lufte kundër popullatës civile, Sabit Geci, gjatë viteve 1993-1995 kur ata ishin njohur në Burgun e Dubravës. Tentativa e mbrojtjes për ta konfirmuar një konflikt të vjetër në mes të Sabit Gecit me një të burgosur nga Prizreni, i cili në vitin 1999 ishte burgosur nga UÇK-ja në kampin e Kukësit, e të cilit i ishte vrarë vëllai, nuk është arritur.

Dobruna ka thënë se gjatë viteve ’90 kishte qëndruar 25 muaj në burgun hetues të Pejës, ndërsa 23 muaj pasi aktgjykimi ishte bërë i plotfuqishëm dënimin e kishte vuajtur në Dubravë prej vitit 1993 deri më 16 dhjetor 1995. Këtë dënim ai ka thënë se e kishte vuajtur për shkak se kishte qenë organizator i rezistencës kundër regjimit të Milosheviqit. Ai ka thënë se Gecin e njeh prej Burgut të Dubravës, por ka shtuar se nuk i kujtohet sa kohë ka qëndruar me të. Ai nuk ka mundur të përgjigjej se për çfarë vepre ka qenë i dënuar Sabit Geci.

“Nuk jam i sigurt, me sa e di unë për armëmbajtje pa leje, por mund të jem edhe gabim”, ka thënë ai. Dobruna është pyetur nga avokati Mahmut Halimi se a i kujtohet të ketë pasur ndonjë konflikt Geci në burg. Por ai ka thënë se nuk i kujtohet saktë, por nuk e ka përjashtuar një gjë të tillë.

“Mund të ketë pasur fjalosje, nuk më kujtohet. Mbaj mend gjatë lojës së futbollit në kohën e lirë të burgosurit kanë pasur fjalosje që është normale por unë konkretisht nuk mbaj mend diçka. E di se Sabiti ka luajtur futboll shpesh dhe ka mundësi të ketë pasur fjalosje”, ka thënë Dobruna, për të shtuar se vetë nuk ka luajtur futboll pasi, siç është shprehur, është “antitalent”. Sokol Dobruna ka thënë se nuk i kujtohet as dëshmitari “B” me të cilin Geci kishte pasur konflikt.
Dobruna është pyetur edhe nga Sabit Geci i cili e ka pyetur për vete se a ka qenë arrogant, apo problematik. Mirëpo duke mos e pohuar e as mohuar këtë Dobruna ka thënë se po të ishte kështu sigurisht që do t’i kujtohej pasi që, sipas tij, “këtë do të mund ta mbante në mend, sepse konfliktet lënë mbresa”.

Posa ka përfunduar dëshminë, Sokol Dobruna ka folur për të gjitha proceset kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, ky proces dhe procese të tjera janë në funksion të denigrimit të UÇK-së që si qëllim të fundit disa persona kanë afirmimin e tyre. Ai nuk ka dashur të thoshte se kush janë këta njerëz, mirëpo ka shtuar se ata kanë qenë kundërshtarë të luftës.

Ai u është përgjigjur reagimeve të shumta pas intervistës që ka pasur ditë më parë për “Kohën Ditore” në të cilën ka folur hapur se si e kishte gjykuar, dënuar me pushkatim dhe lirimin e Blerim Kuçit.

“Deri më tash kam pas 47 telefonata falënderimi, në Facebook fyerje por duhet me i prit se kur del njeriu publikisht duhet me i prit se secili e ka mendimin e vet edhe nuk ka kurrgjë të keqe”, ka thënë ai për t’ju përgjigjur anëtares së Kryesisë së AAK-së, Milihate Tërmkolli, e cila në një shkrim autorial Dobrunën e ka quajtur kriminel.

“Më ka quajtur kriminel, edhe pse e kam liruar njeriun. E ka bashkëkoleg të Kryesisë së partisë, e ka kryetar të një komune e cila po lulëzon, e ka njeriun i cili po kontribuon e ajo më quan kriminel. Po ta kisha vrarë s’e di se çka kish fol, por ajo si duket nuk e ka lexuar mirë, nuk e ka analizuar mirë dhe kështu kur njeriu gjithmonë mendon në logjikën partiake shkon e shkreton”, ka thënë Dobruna. Ish-kryetari i së ashtuquajturës Gjykatë Ushtarake e UÇK-së, ka thënë se është mirë që më në fund ka filluar të flitet për UÇK-në. Ai ka thënë se nuk i ka rënë pishman që ka folur për vendimet e Gjykatës Ushtarake, sepse, sipas tij, është dashur shumë herët të flitej për Gjykatën Ushtarake, “e cila ka qenë një nga elementet konstituive të UÇK-së”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu