Dokumenti i CIA: Biseda me Zogun në Kajro në nëntor 1949

0
78

Bisedimet e Zogut me zyrtarë të CIA-s dhe Zbulimit britanik.

Dokumenti i CIA-s: Shefqet Vërlaci është agjent i italianëve.

Vdekja misterioze e Mit’hat Frashërit në Nju Jork dhe negociatat e panjohura për të zgjedhur zëvendësuesin e tij.

Vlerësimi i Zogut: Hasan Dosti nuk ka mbështetje në Shqipëri.

“Gjon Marka Gjoni ka qenë kolaboracionist”

Dosjet e CIA-s për Shqipërinë. Cikli që kemi filluar të botojmë çdo të diel ka për objekt njohjen me dokumentet e Drejtorisë së Operacioneve Klandestine(OPC) për zhvillimet në vendin tonë në vitet ’40-’50. Në numrat e kaluar, duke iu referuar dosjes së Shërbimeve Sekrete Amerikane për Zogun, një dosje kjo shumë voluminoze, kemi zbardhuar bisedimet e panjohura të ish-Mbretit shqiptar me Titon, liderin komunist të Jugosllavisë, për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës. Pjesa në vijim hedh dritë mbi një takim sekret të Zogut me zyrtarë të CIA-s dhe Shërbimit të Fshehtë Britanik në nëntor 1949 për caktimin e kreut të komitetit “Shqipëria e lirë” pas vdekjes misterioze të Mit’hat Frashërit në Nju York…

Komiteti “Shqipëria e lirë” dhe qeveria shqiptare në emigracion, në vështrimin e Shërbimeve Sekrete Amerikane. Dokumenti që zbardhim sot është pjesë e dosjes së operacioneve të koduara BGFIEND (Operacionet e Shërbimit Sekret Amerikan kundër Shqipërisë në vitet 1949-1955) dhe hedh dritë mbi disa të dhëna të panjohura të zhvillimeve politike të aktorëve shqiptarë të kohës. Ngjarjet i përkasin vitit 1949, një moment kyç kur amerikanët kishin vendosur të krijonin Komitetin e Shqipërisë së Lirë, i cili do të shërbente si fytyra zyrtare e një qeverie shqiptare në emigracion. Përmbushja e kësaj sfide i ballafaqonte shërbimet amerikane me vështirësitë e shumta që paraqisnin fraksionet shqiptare, të cilat kërkoni të kontrollonin secila për interesat e veta këtë komitet, i cili nga SHBA-të vlerësohej si pika qendrore nga ku do të kalonin fondet e operacioneve  klandestine. Një tjetër problem shumë i madh që amerikanet kishin hasur gjatë krijimit të komitetit ishte fakti që liderët kryesorë të emigracionit kishin bashkëpunuar apo kishin simpatizuar kauzën italo-gjermane dhe për këtë arsye ata kërkonin që të ishin të kujdesshëm në përzgjedhjen e emrave. Pikërisht për këtë shkak, pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, lidershipi i qeverisë shqiptare në emigracion ishte përballur me probleme të shumta. Duhet thënë se amerikanët, të inkurajuar nga shërbimi britanik, i cili kishte disa kohë që monitoronte zhvillimet në Shqipëri, po nxiteshin gjithnjë e më shumë për t’u përfshirë në një operacion në shkallë të gjerë kundër Shqipërisë komuniste. Në përmbushje të kësaj, amerikanët kërkonin të përfshinin të gjithë faktorët politikë të emigracionit, duke mos përjashtuar pa dyshim ish- Mbretin Zog, si një personalitet për të cilin mendonin se ishte akoma me influencë brenda Shqipërisë.

Takimi me Zogun në Kajro
Në nëntor të vitit 1949, një oficer i Shërbimit Sekret Amerikan, OPC, i identifikuar shumë vite më vonë si Robert Low dhe pjesëtari i SIS, Inteligjenc Servisit Britanik,  Julian Amery, u takuan me ish-Mbretin në Kajro. Dokumenti që botojmë sot për herë të parë zbulon problematikën e  konsumuar në këtë takim, i cili është konfirmuar zyrtarisht vite më vonë nga Robert Low dhe pjesëtarët e familjes së Zogut. Telegrami origjinal gjithsesi na jep të dhëna shumë të rëndësishme, të cilat nuk janë bërë asnjëherë publike nga asnjëra palë, duke lenë historianët në hamendjet e spekulimit. Robert Low në kujtimet e veta i përmend me detaje çështjet e trajtuara në atë takim dhe vlerëson me admirim diplomacinë që Zogu demonstroi aty, megjithëse ishte mjaft i inatosur me faktin që amerikanët kishin faktorizuar Ballin Kombëtar. Nga ana e tyre, amerikanët e dinin mirë se Balli Kombëtar nuk donte ta njihte Zogun si Mbret të Shqipërisë, e për rrjedhojë as përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këto operacione. Siç konfirmohet nga dokumentet e zbuluara, takimi i Kajros kishte pasur një prapaskenë të rëndësishme në Europë. Dy muaj para zhvillimit të tij, liderët kryesorë të emigracionit politik kishin mbajtur një konferencë shtypi në Paris, duke legjitimuar projektin amerikan me emrin Komiteti i Shqipërisë së Lirë. Në shtato,r po ky grup kishte shkuar në Angli ku kishte mbajtur edhe një fjalim, tashmë të njohur të BBC, i cili ishte përgatitur nga shefi i Drejtorisë së Luftës Psikologjike të OPC, Joe Bryan, shoqëruesi i dërgatës shqiptare në këtë rrugëtim. Një detaj shumë interesant zbulohet nga dokumentacioni amerikan tashme i deklasifikuar mbi këtë udhëtim, i cili u realizua nga organizata “Europa e lirë”, organizatë kjo e financuar nga shërbimi amerikan. OPC, pararendësja e CIA-s, kishte probleme specifike me liderët shqiptarë për t’u siguruar vizat e hyrjes në Amerikë. Departamenti i Shtetit i konsideronte disa prej tyre si bashkëpunëtorë të Gjermanisë hitleriane dhe nuk dëshironte t’i pajiste me viza. Për këtë arsye, OPC u angazhua direkt për të bërë të mundur sigurimin e vizave hyrëse për grupin e shqiptarëve të cilët vinin nga Kanadaja. Me të mbërritur në Washington, ata u pritën nga ndihmëssekretari i Shtetit, Thomson, i cili u premtoi mbështetjen amerikane.

Vdekja misterioze e Mit’hat Frashërit
Në New York, komiteti “Shqipëria e lirë” hapi zyrën e parë dhe më 3 tetor lideri i komitetit “Shqipëria e lirë”, Mit’hat Frashëri, u gjet i vdekur në dhomën e tij në hotelin “Lexington”. A ishte kjo një vdekje natyrale apo dikush po e vëzhgonte me kujdes lëvizjen e gjatë të delegacionit shqiptar? Sidoqoftë, Policia e New York-ut e cilësoi atë natyrale, ndërkohë që OPC-ja, e cila nuk donte asnjë lidhje publike me komitetin “Shqipëria e lirë”, u mundua ta mbyllte sa më shpejt historinë e saj. Në sfondin e këtyre ngjarjeve dhe me kërkesën urgjente që kërkonte zgjedhja e një lideri të ri për komitetin, u zhvillua takimi i Zogut me përfaqësuesit e OPC dhe SIS në Kajro. Për koincidencë, po në datën 3 nëntor, në Zyrën e OPC po zhvillohej një mbledhje e krerëve më të lartë të OPC dhe shërbimit britanik, për të vendosur për liderin e Komitetit. Carmel Offie, një oficer i Shërbimit Sekret Amerikan, me eksperiencë të gjatë në Itali dhe pjesëtar i Drejtorisë X-2 të Kundërzbulimit, drejtuar nga James Angelton, mbështeste fuqishëm kandidaturën e Hasan Dostit. Britanikët ishin sigurisht për emrin e Abaz Kupit dhe me sa duket oficerët në Kajro kërkonin të dinin mendimin e Zogut përpara se të vendosnin përfundimisht.
Telegrami që botojmë sot, i cili është hartuar me shpejtësi për të mbërritur sa më shpejt në tryezën e mbledhjes së OPC, po në 3 nëntor, sjell disa refleksione të panjohura që Zogu kishte për komitetin “Shqipëria e lirë” dhe liderët e tij.
Në kërkim të liderit të ri
Telegrami i zyrtarit amerikan nga Egjipti tregon qartë se Zogu kërkon të vendosë në krye të komitetit njerëzit e afërt, si Abaz Kupi dhe Musa Juka, ish-ministri i Brendshëm, por edhe Vërlacin, një nga kundërshtarët e vjetër të tij. Megjithatë, duke pasur parasysh kontestimin e këtyre nga fraksionet e tjera shqiptare, ish-Mbreti propozon një lidership me sistem rotacioni, sipas modelit të Ligës Arabe. Është për t’u theksuar se ky propozim i Zogut gjeti mbështetje nga amerikanët, kur komiteti mori formën përfundimtare. Ajo që bie në sy nga shqyrtimi i telegramit, është përpjekja e Zogut për ta ulur sa më shumë rolin e Hasan Dostit, duke e konsideruar si njeri pa influencë në Shqipëri. Interesant është fakti se emri i Dostit ka qenë shumë i mbështetur nga oficeret e OPC, të cilët duhen ta kenë njohur në Italinë e Pasluftës. Megjithatë, duhet nënvizuar se Dosti ishte një personalitet i njohur pro-gjerman në Shqipëri.

Zogu kundër ballistëve

Zogu kundërshton me forcë përfshirjen e Ballit       Kombëtar në formimin e Komitetit “Shqipëria e lirë”. Ish-Mbreti e dinte se rreth këtij formacioni politik ishin mbledhur të gjithë kundërshtarët më të ashpër të tij, të cilët nuk do ta lejonin kurrë kthimin e tij në fronin mbretëror. Për këtë arsye, me sa duket ka kundërshtuar oficeret e shërbimeve sekrete në këtë projekt, kundërshtim ky i përmendur nga Robert Low vite më vonë. Një tjetër fakt me shumë interes që zbulohet në këtë dokument është ftesa që u bëhet gjashtë oficerëve shqiptarë, pjesëtarë të grupit të Zogut, me banim nw Siri dhe Stamboll, për të shkuar në Jugosllavi. Çfarë u duheshin jugosllavëve në vitin 1949, ushtarakë të Mbretërisë shqiptare dhe çfarë kërkohej të përgatitej me ta, është një tjetër enigmë që kërkon të zbardhet me imtësi. Fakti i fundit me interes që del nga ky telegram i shërbimit amerikan është vlerësimi që i bëjnë oficerët e shërbimeve aktivitetit të Shefqet Vërlacit, duke e klasifikuar si një agjent të Shërbimeve të Fshehta Italiane, që rekrutonte bashkëpunëtore në emigracionin shqiptar, për t’i përdorur në operacionet italiane.

TELEGRAM
Nga: Lindja e Mesme                                                              Nëntor 3, 1949
Ora e mbërritjes 411
a. Zogu ngriti çështjet e mëposhtme në takimin me (emri i zyrtarit amerikan) dhe me mua në intervistën me të më 1 nëntor.
b. Komiteti Ekzekutiv (Komiteti  Shqipëria e Lirë-shën. red.)  sipas konstituimit të tanishëm nuk është shumë përfaqësues. Duhet të zgjerohet. Ai (Zogu-shën. Red.) rekomandon emrin e Gjon Marka Gjonit. Përsëritje, Gjon Marka Gjoni dhe/ose Vërlaci, e përsëris Vërlaci.
c. Ndërsa për president të Komitetit Zogu rekomandon si më poshtë:
a) Musa Juka, e përsërisim Musa Juka, i cili ka qenë ministër i Brendshëm nën Zogun
b) Hiqmet Delvina, e përsërisim Hiqmet Delvina, i cili ka qenë ministër i Drejtësisë nën Zogun
c) Qemal Mesareja
d. Po kështu, ai sugjeroi ministrat shqiptarë në Kajro dhe Stamboll, por shtoi se gjendja e tyre shëndetësore nuk i lejonte për një angazhim të tillë. Në fund ai përmendi Selim Daman, përsërisim Selim Daman nga Korça, i cili është mik i Abaz Kupit, e përsërisim Abaz Kupit. Emrat e përmendur në paragrafin C jetojnë në Aleksandri dhe janë miq të Zogut. Më vonë tha se i fundit ishte një person jo i pranueshëm për arsye të ndryshme, prandaj edhe unë kam shumë dyshim në se ai do të jetë i pranueshëm nga anëtaret e tjerë të Komitetit.
e) Nga informacioni i mbledhur prej Zogut, ai prezantoi propozimin se presidenti i Komitetit duhet të jetë me rotacion, sipas modelit të Ligës Arabe. Ai theksoi se kjo punë nuk ka ndonjë urgjence, e përsërisim, urgjencë të madhe, pasi Abaz Kupi do të marrë kryesimin e Komitetit, sepse është më i vjetri dhe me reputacion më të madh se të tjerët.
f) Diskutuam mbi Hasan Dostin, e përsërisim Hasan Dostin. Zogu e përshkroi atë si një njeri me shumë pak influencë dhe me asnjë pasues, e përsërisim asnjë pasues. Ai nënvizoi se të gjithë emrat e propozuar nuk janë kolaboracionistë, e përsërisim jo kolaboracionistë.
g) Zogu ishte shumë kundër vendosjes së një anëtari të Ballit Kombëtar, e përsërisim Balli Kombëtar si president. Kjo do të sugjeronte se Balli Kombëtar do të udhëhiqte çdo gjë. Krahasoni paragrafin tim B
i) Zogu në fund na tha se 6 oficerë shqiptarë me një farë reputacioni, që janë në Siri dhe Stamboll, janë ftuar nga gjenerali jugosllav JOKO MIRASOVICH, e përsërisim JOKO MIRASOVICH për të shkuar në Jugosllavi.
j) Ai kërkoi këshillën tonë nëse ata duhet të shkonin në Jugosllavi apo jo. Ne i thamë se këtë çështje do ta transmetonim, por do t’i jepnin një përgjigje për 7 deri në 10 ditë.
k) komentet e mia janë si më poshtë
A) VËRLACI është një agjent italian, i cili ka rekrutuar shumë shqiptarë për operacionet italiane.
B) Gjon Marka Gjoni u mor në konsideratë kur Komiteti u formua, por u hodh poshtë, e përsëris u hodh poshtë nga të gjithë anëtaret e Komitetit.
C) Ai ka qenë kolaboracionist i italianeve dhe gjermanëve.
Mua m’u krijua përshtypja se Zogu ishte i gatshëm të bashkëpunonte me operacionet VALUABLE si dhe me Komitetin, vetëm nëse plani që do të hartohej do të jepte idenë e një suksesi. Ai bëri edhe disa sugjerime për këtë gjë.
Ai theksoi se ishte gjithnjë i gatshëm për këshilla, por për mendimin e tij i gjithë plani aktual vuante nga lidershipi, i cili do të arrinte të mblidhte njerëzit në Shqipëri.

(vijon të dielën tjetër)

Nga AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu