Dokumenti sekret i OSBE për lidhjet kriminale të politikanëve

0
89

berish

Një raport konfidencial, prej disa faqesh, i OSBE (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë), i siguruar nga Lapsi.al, sjell informacione, të dhëna të mbledhura në terren në mënyrë operative, raportime të shtypit dhe agjensive të tjera, të cilat kanë të bëjnë me një grup politikanësh, nga më të lartët e deri tek ata më rishtarët, që dyshohen për lidhje direkte ose të tërthorta me krimin e organizuar, trafiqet dhe kontrabandën.

Raporti, i hartuar rreth një vit më parë, nuk përbën një qëndrim zyrtar të OSBE, por ai përbën padyshim një nga platformat mbi të cilat prej disa muajsh tashmë, ka nisur beteja për dekriminalizimin e politikës në Shqipëri.

Angazhimi i madh i ndërkombëtarëve, krahas presionit të opozitës shqiptare, merr shkas edhe nga këto të dhëna tronidtëse që implikojnë emra të njohur të politikës dhe biznesmenëve politikanë.

Data e raportit përkon me fillimin e kësaj beteje për pastrim, e cila mori një hov edhe më të madh pas ardhjes në Tiranë të ambasadorit të SHBA, Donald Lu.

Raporti, i hartuar nga njësia për çështje politike dhe publike e OSBE mbi bazën e burimeve të hapura, flet për lidhje të politikanëve e anëtarëve të parlamentit me krimin e organizuar, për përtifime të tyre nga të ardhura të investuara në kompani të ndryshme apo nga biznese që i drejtojnë familjarët  e tyre.

Të dhënat u referohen informacioneve konfidenciale, ato të publikuara në media apo kabllogramet e ambasadës amerikane, të publikuara nga Wikileaks.

Në fokus të dokumentit konfidencial, që OSBE mësohet ta ketë shpërndarë edhe në selitë diplomatike të BE dhe SHBA janë kryesisht 31 deputetë të parlamentit shqiptar, të konsideruar si biznesmenë, anëtarë të të gjitha partive politike, shumica e të cilëve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialsite për Integrim.

Për herë të parë një raport ndërkombëtar përmend shifra mbi pasurinë e kryeministrit Edi Rama, fshehjen e saj në SHBA përmes të vëllait, Olsi Ramës dhe akuzat për rryshfet me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës.

Për Ilir Metën raporti evidenton interesat e tij në biznese si ndërtimi, turizmi, materialet e ndërtimit dhe në fushën e energjitikës dhe flet të lidhjeve të tij me aktorë të mafias.

Për Sali Berishën, raporti konfidencial i OSBE përmend investigimin e BIRN mbi lidhjet e tij me Damir Fazlliç dhe dyshimet për përdorimin e influencës së tij nga i biri, Shkëlzen Berisha dhe e bija Argita,  për të bërë biznes në shuma marramendëse.

“Edi Rama (PS): Kryetar i PS, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000 – 2011 dhe tani Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10 – 20 % të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” përmes vëllait të tij, Olsit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2009 Berisha i ofroi medias një dosje voluminoze të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Rama për disa figura kyçe të PS dhe aleatëve (Fidel Ylli, Koço kokëdhima, Valentina Leskaj, Tom Doshi, Nard Ndoka, Sadri Abazi etj janë përmendur në këtë kontekst), në kundërshtim me ligjin dhe shpesh duke u mohuar të pronësinë e ligjshme pronarëve të mëparshmë. Berisha deklaronte se në total shuma e këtyre prapësive ishte rreth 750 milionë euro”.

Meta, Ilir (LSI): Kryetar i LSI, ish Kryeministër dhe Zëvendëskryeministër, aktualisht Kryetar i Parlamentit. Interesa në ndërtim, turizëm, materialet e ndërtimit dhe energjitikë. I dyshuar për lidhje të forta me aktorë të mafias, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Ka zëra se udhëroi të paktën dy vrasje ndërsa ishte Zëvendëskryeministër. Halit Shahini, ortak dhe korrier i Metës, dyshohet të ketë lidhje të forta me grupe kriminale në Shujak, të përfshira kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sali Berisha, (PD): Ka thashetheme të përhapura rreth përfshirjes së familjes Berisha në biznese dhe aktiviteteve të paligjshme. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, (BIRN) publikoi një investigim të zgjeruar mbi atë se si rrethin i ngushtë i Berishës kishte përfituar kontrata toke disa miliona euroshe në bashkëpunim me Damir Fazlic – një biznesmen i përfolur nga Bosnje – Hercegovina dhe mik i Berishës. Vendimi i Berishës për të transformuar një moçalishte të pavlerë në pasuri të patundshme kryesore në zonën e Porto Romanos (Durrës) ndihmoi familjen e tij dhe Fazlic –in që të fitonin miliona euro. Argita Berisha, vajza e ish –Kryeministrit u akuzua më shumë se një herë se ka vepruar si ndërmjetëse mes Qeverisë Shqiptare dhe investitorëve, duke i ngarkuar ata me shuma të konsiderueshme në këmbim të favoreve për investitorët potencialë. Shkelzen Berisha, djali i ish –Kryeministrit, ka qenë i akuzuar gjithashtu se shpesh ka përdorur emrin dhe influencën e babait për të bërë biznes: ka patur spekulime mbi rolin e tij në fabrikën e demontimit në Gërdec dhe trafikun e paligjshëm të armëve. Në maj 2009 një kabllogram i Ambasadës Amerikane (Wikileaks) përmend përgjime telefonike që tregojnë lidhjet e Shkëlzenit me Ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediun dhe Mihal Delijorgjin (pronarin e Albademil, kompania që menaxhonte Gërdecin). Shkëlzeni ka qenë kontaktuar shpesh si konsulent nga shumë kompani të huaja, të cilat shpresonin të hynin në tregun shqitpar, për gjoja lidhjet dhe influencën e tij tek autoritetet më të larta shqiptare. Një nga rastet më të fundit është privatizimi i katër hidrocentraleve në maj të vitit 2013. Shkëlzeni është akuzuar publikisht se është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, nga Izet Haxhia, i cili është i dënuar për vrasjen e deputetit të PD –së, Azem Hajdarit.

Lapsi.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu