Dorëzohen para PDK-së

0
277

Presioni ndërkombëtar dhe “rreziku” se po dalin jashtë linjës politike të pëlqyer nga bashkësia ndërkombëtare po detyrojnë dy partitë opozitare, Lidhjen  Demokratike e Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që herë pas here të rreshtohen në anën e Qeverisë së Kosovës.

Anëtarët e këtyre dy partive në çështje “vendore” shpeshherë tregohen kritikë ndaj Qeverisë së Kosovës, por shumica e proceseve politike që janë drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, përfshirë edhe bisedimet dhe marrëveshja e fundit me Serbinë, është mbështetur nga partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt.

Ndonëse ka deputetë të këtyre dy partive që shprehen shumë kritikë ndaj proceseve politike në vend, shpeshherë ata e “ndërrojnë” qëndrimin sapo hyjnë në godinën e Kuvendit të Kosovës, ku votojnë pro politikave të qeverisë.

E tërë kjo situatë, që nga anëtarët e këtyre dy partive shihet jo si përkrahje për kryeministrin Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij, por si mbështetje për procese të cilat po e forcojnë shtetin, nga analistët politikë cilësohen si veprime falë telefonatave dhe vizitave nga zyrtarët e ndryshëm perëndimorë.

“Sidomos tek rasti i dialogut. Gjithçka është nga presioni ndërkombëtar.Dialogu është projekt ndërkombëtar, është nisur nga bashkësia ndërkombëtare, ajo ka dashur që ta përfundojë edhe ajo ka bërë presion edhe tek partitë tjera opozitare që ta përkrahin projektin dhe të mos e pengojnë atë”, thotë analisti politik, Ardian Arifaj.

Ai thekson se sikur partitë politike në Kosovë të mos ishin të përçara, bashkësia ndërkombëtare do ta kishte shumë më të vështirë që t’ua “nëpërkëmbë” qëndrimet.

“Përçarja tek partitë politike, ku secila shikon të bëhet e mirë për ndërkombëtarët, kinse ai është çelësi që të vijë në pushtet, e bën politikisht të dobët, e bën pushtetin e dobët, e bën edhe opozitën e dobët”, nënvizon ai.

Edhe analisti tjetër, Behxhet Shala, thotë se falë presionit ndërkombëtar deputetët e LDK-së dhe AAK-së shpeshherë janë më pozitë sesa vetë pozita.

“Në fakt, LDK-ja dhe Aleanca po e ndajnë fatin me PDK-në vetëm në raste kur ata janë të detyruar ta përkrahin PDK-në si pasojë e trysnisë së ndërkombëtarëve. Ju e dini shumë mirë se çdoherë kur është dashur të miratohen ligjet të cilat nuk janë vlerësuar aq të mira për Kosovën, edhe Aleanca edhe LDK-ja kanë qenë të detyruara ta përkrahin ligjin sikurse edhe rezolutat e ndryshme. Kështu kanë qenë të detyruar edhe tash lidhur me këtë marrëveshjen midis Daçiqit dhe Thaçit”, thotë ai, duke ironizuar me dy partitë opozitare, të cilat i cilëson si ana tjetër e Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, anëtarët e këtyre dy partive nuk e shohin veten si “lodër” e ndërkombëtarëve. Përkundrazi, ata thonë se po e bëjnë “opozitën e mirëfilltë”.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se është paragjykim koncepti se kjo parti e mbështet qeverinë falë presionit ndërkombëtar.

“Është paragjykues. Ky perceptim (presioni ndërkombëtar) nuk e pasqyron realitetin. Të gjithë ata që po e paragjykojnë nuk po e njohin historikun e LDK-së dhe vokacionin që e ka LDK-ja si parti politike, tashmë në opozitë. Ne për temat për të cilat kemi dhënë mbështetje, siç janë integrimet evropiane, dhe dialogu për normalizim janë çështje që janë të kushtëzuara, janë marrëdhënie të kushtëzuara me partinë në qeverisje. Ky kushtëzim është i përkthyer në Rezolutë (të Kuvendit)”, thotë ai.

Sipas tij, LDK-ja është duke e mbështetur qeverinë në integrime dhe në bisedime me Serbinë, siç thotë ai, për të mos u bërë sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi, “ku opozita për shkak të qasjes politike e pengon integrimin dhe perspektivën evropiane të popullit të vet”.

Ngjashëm shprehet edhe zëdhënësi i Aleancës, Ernest Luma. Ai thotë se AAK-ja ka zgjedhur që të jetë e përgjegjshme karshi proceseve të rëndësishme dhe qytetarit të vendit. “Kjo nuk ka të bëjë me presion ndërkombëtar. gjithmonë ka të bëjë me një politikë të Aleancës në radhë të parë për proceset e rëndësishme. Ne jemi parti serioze politike, dhe pavarësisht që jemi në opozitë jemi të përgjegjshëm kur kërkohet mbështetja për procese të rëndësishme”, thekson ai.

VV ironizon me LDK-në e AAK-në

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për marrëveshjen e fundit në mes të kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, deputeti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i ka cilësuar deputetët e LDK-së dhe AAK-së si “deputet të pushtetit”.

Ai ka thënë se është e dhimbshme mbështetja e këtyre dy partive për marrëveshjen, ndërsa ka përmendur deputetët e këtyre dy partive, Vjosa Osmani dhe Ahmet Isufi, të cilët fillimisht ishin shprehur skeptik me marrëveshjen, ndërsa më pas partitë e tyre e kanë përkrahur.

 

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu