Drejtësia që shpërfytyron lirinë

0
433

(Mbi shkrimin e Milazim Krasniqit, “Shërbimet sekrete dhe prodhimi i frikës”, të botuar në gazetën “Kosova sot”, më 10 shkurt 2012)
I ri kam qenë kur kam dëgjuar se çdo njeri, në trupin e tij, e bart virusin e TBC-së. Më tej mjeku, atëbotë, kështu e pati përfunduar “ligjëratën” e tij për virusin: “Por ky virus është qyqar. Vetëm atëherë kur organizmi fillon ta humbasë imunitetin, fillon të aktivizohet”.
Viteve të fundit, nga udhëheqës të partive politike, por edhe nga analistë politikë, më ka rënë të dëgjoj mjaft të flitet kundër Shërbimit Informativ të Kosovës. Aq shumë kam dëgjuar sa më krijohej përshtypja se sikur në themel të të gjitha fatkeqësive tona përgjatë shekullit të njëzetë, qëndron SHIK-u! Ndërsa UDB-ja serbe nuk përmendej fare!

Në këtë top-temë të sotme për shërbimet sekrete, u inkuadrua edhe Milazim Krasniqi. Por opinioni i tij, për dallim nga opinionet e të tjerëve, i ngjan zhanrit fantastiko-shkencor. Se është i këtij zhanri, tregon edhe ajo se edhe vetë autori ndihmën për zgjidhjen e çështjes së shërbimeve sekrete në Kosovë e kërkon nga fusha e trillerit: “Rivalitetet e tyre (të shërbimeve sekrete – vër. ime. S.B.), por edhe bashkëpunimi a këmbimi i informacioneve, si dhe goditjet e fshehta të ndonjërit për t’ia lënë fajin tjetrit shërbim, mbetet që të ndriçohet vetëm me ndonjë film të zhanrit triller”.

Kështu, me shkrimin e zhanrit gjysmë shkencë e gjysmë fiction, Milazim Krasniqi merr qëndrim ndaj shërbimeve sekrete që, sipas tij, vepruan dhe veprojnë në Kosovë. Por, në këtë shkrim, sikur përdor dy mënyra: atë që do ta godasë, e godet me “shkencë”, ndërsa atë që do ta mbrojë, e lë nën hijen e fiction-it!

Po kush është, në fakt, Milazim Krasniqi?

I njohur nga opinioni si poet dhe shkrues dramash, Milazim Krasniqi deri në rënien e komunizmit ishte anëtar dhe udhëheqës i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë; me rënien e komunizmit, kalon në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu siç bëri pjesa dërrmues e anëtarëve dhe udhëheqësve të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë; pas Luftës, braktis LDK-në definitivisht dhe hyn në një parti që udhëhiqej nga një prej bartësve të UÇK-së (shihni çfarë transformimi, nevoja për t’u identifikuar me fituesit). Pasi Naim Maloku braktis partinë që vetë e krijoi, Milazim Krasniqi lëshon mjekër dhe futet në rrymat islamike.

Kjo është pak a shumë “karriera” e Milazim Krasniqit, e cila sigurisht se nuk ka përfunduar këtu, sepse ende nuk i janë shterur “fuqitë” e tij!

Por prej të gjitha këtyre kalimeve apo “konvertimeve”, sot është e vështirë të dihet cila është fytyra e vërtetë e tij. Mirëpo, koha e paraqitjes së tij, për ata që i përcjellin zhvillimet politike në vend, thotë mjaft. Po ashtu thotë mjaft edhe ndërrimi i ”lëkurës” së tij, afërsisht çdo dekadë (sigurisht se kohën më të gjatë ka qëndruar në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë – Serbisë, se Kosova ishte pjesë e Serbisë).

Mbi fushatën që po zhvillohet kundër atyre që e bënë luftën

Një fjalë e urtë e popullit thotë se të hash bukë e të mos bësh thërrime, është e pamundur.

Në Kosovë, pas gati një shekulli të qëndrimit të popullit tonë nën robërinë serbe dhe, po ashtu, të stërkeqjes së tij nën këtë robëri, është bërë një luftë, ndaj janë bërë edhe mjaft “thërrime”, ndërsa të rrokesh sot kryekëput pas tyre, për t’i përndjekur pjesëtarët e saj, nuk do të thosha se është etike. Megjithatë, “elita” e asaj pjese të stërkequr të popullit tonë, “inteligjenca” e saj, gjithsesi do të rroket për ato thërrime, sepse thellë është e prekur në ndërgjegjen e saj se nuk mundi të bëhej pjesë e atyre ndryshimeve. Fushata që po zhvillon sot kjo “elitë” ndaj bartësve të kësaj lufte është totale. Edhe në makro-plan, edhe në mikro-plan. Atë e bëjnë edhe njerëz që në shikim të parë duken të “padjallëzuar”, atë e gjen edhe brenda një miti, brenda një fraze, brenda një pyetjeje (keni dëgjuar për pyetjen e “padjallëzuar”, që u bëhet nëpër gazeta disa njerëzve se po të ishte nevoja të luftohej për Kosovën, a do të kapnin pushkën, ku të pyeturit përgjigjen duke pohuar! Ajo fillon mu aty ku të gjithë e thonë me zë “Bac, u kry!”, në kohën kur në fakt ende nuk është kryer asgjë.

Impotenca përulëse e saj ndaj forcave që e shtypën popullin tonë, sot na shfaqet si prepotencë agresive ndaj atyre që e zhvilluan luftën ndaj atyre forcave.

Për këtë “elitë” janë të pranueshme gjysmë shekulli (ndoshta edhe një shekull i tërë) të shtypjes nën robërinë serbe, janë të pranueshme edhe burgosjet dhe vrasjet e shumë atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë kësaj kohe, ndërsa është e papranueshme edhe vrasja e vetëm një shqiptari i cili ka qenë pjesë e pushtuesit dhe i cili ka marrë pjesë edhe në vrasjen e bashkatdhetarëve të tij!
Kësaj “elite” i takon Milazim Krasniqi, ndaj të ndalemi te opinioni i tij.

Relativizmi i shërbimeve sekrete serbe

Pasi opinioni i Milazim Krasniqit është gjysmë-shkencor gjysmë-fantastik, diskursi i tij në vazhdimësi është i ndarë më dysh. Sipas këtij diskursi, shërbimet sekrete serbe janë fantazma (ata që kanë bashkëpunuar “mund të kishin faje në ndërgjegjen e tyre”), ndërsa ato kosovare janë realitet.

Për Milazim Krasniqin shërbimet sekrete serbe janë fantazmë (fantazmë=e paqenë, joreale), ndërsa ato partiake-individuale shqiptare janë reale! Të paqenët e shërbimeve sekrete serbe pas Lufte në Kosovë, fantazmagoria e tyre, sipas Milazim Krasniqit, ishte si rrjedhojë e pranisë së NATO-s këtu, por ai e harroi deportimin e mbi 13 mijë shqiptarëve brenda një kohe të shkurtër nga Mitrovica e veriut nën sytë e NATO-s! (“Realisht, rreziku nga bëmat e bashkëpunëtorëve të pushtuesit ishte minimal, prandaj trajtimi hakmarrës ndaj tyre nuk duhej të ishte në krye të agjendës”). Ai, gjithashtu, sikur harron se sa herë që nisej të vinte dikush nga Perëndimi për të parë se si shkojnë punët në Kosovë pas Lufte, këtu vritej një pjesëtar i pakicës serbe, për t’i dhënë kështu Botës mesazhin se shqiptarët nuk janë në gjendje të jetojnë të lirë e të pavarur, ndërsa brenda Kosovës përkthehej si krim i atyre që bënë luftën, e të cilët nuk janë në gjendje të udhëheqin me Kosovën!!! Por, çfarë është më e keqja, Milazim Krasniqi “harron” edhe situatën sot në veri, e cila zotërohet nga forca reale, e jo nga fantazmat, edhe pse NATO-ja gjithashtu është e pranishme! Po nuk e ka hallin aty Milazimi, e as përkrahësit e tij.

Në opinionin e Milazim Krasniqit skajshmërisht relativizohet roli i shërbimeve sekrete serbe dhe i veprimtarisë së bashkëpunëtorëve të tyre dhe maksimalizohet roli i shërbimeve “tona” dhe i bashkëpunëtorëve të tyre! (“Realisht, rreziku nga bëmat e bashkëpunëtorëve të pushtuesit ishte minimal, prandaj trajtimi hakmarrës i tyre nuk duhej të ishte në krye të agjendës”).

Shkrimi kalon në absurditet kur autori i tij thotë se këto shërbime kanë bërë krime, ndërsa në vazhdim, se ato nuk e kanë luftuar krimin!

Në Kosovë nuk flitet për drejtësi, këtu çdo gjë është politikë

Të gjithë në Kosovë kemi nevojë për drejtësi, ashtu siç kemi nevojë edhe për dritën e diellit, por drejtësia nuk u vu në vend, sepse atyre që e administruan Kosovën nuk u duhej ajo. Atyre u duhej politika. Ata që e morën në administrim Kosovën deshën të shkojnë punët mbrapsht, sepse kjo ishte në interesin e tyre. Kësaj logjike të mbrapshtë që është instaluar në Kosovë që me ardhjen e kësaj administrate dhe po vazhdon edhe sot, i është bashkëngjitur edhe një pjesë e inteligjencies vendore. Kjo inteligjencë, krijesë e kolonializmit jugosllav, në të shkuarën gjithnjë e ka harmonizuar të gjykuarit me krijuesin e saj; ndërsa sot, në pajtim me thelbin e saj prej krijese të kolonializmit, e harmonizon me ata që e kanë zëvendësuar këtë kolonializëm. Ajo nuk mund të dalë nga vetja, nuk mund të gjykojë si një mendje e lirë, nuk mund ta shohë dritën e lirisë, sepse “errësira” në të cilën është krijuar për të është dritë! Pjesë e kësaj inteligjence është edhe Milazim Krasniqi: pa marrë parasysh kërcimet që i bën, pamjet që i ndërron, në thelb mbetet një mendje e robëruar. E tillë është krijuar, është mësuar të shërbejë dhe gjithnjë mbetet në shërbim!

Këtu nuk ka drejtësi, sepse ajo është instrumentalizuar nga politika. Ndaj pyetjet se çfarë është e drejtë dhe jo e drejtë në Kosovë, çfarë është legjitime dhe jolegjitime, nuk mund të shpjegohen me logjikën e drejtësisë, po me atë të politikës. Vetëm me këtë logjikë politike mund t’i jepet përgjigje pyetjes pse institucionet ndërkombëtare pas luftës e këtej do të jenë të interesuara për fatin e ndonjë bashkëpunëtori, por jo edhe për fatin e mijëra e mijëra shqiptarëve që kanë pësuar gjatë luftës.

Veprimet e UNMIK-ut dje, ashtu si edhe të EULEX-it tani, që drejtohen në kërkim të vënies në vend të drejtësisë për udbashët dhe kuislingët, duke mos u marrë fare me të drejtën dhe drejtësinë që presin mijëra viktima që kanë pësuar nga regjimi i Serbisë, nga kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre në luftën e fundit, bazohet në logjikën sipas së cilës drejtësia duhet të dalë në pah duke pasur parasysh kriterin se cila palë ka pasur “legjitimitetin ndërkombëtar” për ushtrimin e dhunës. Prej kësaj rrjedh se, meqenëse Serbia (Jugosllavia) ka qenë shtet i njohur ndërkombëtarisht, dhuna e saj ka qenë e ligjshme, prandaj duhet të mbetet e pandëshkueshme, ndërsa veprimet e të gjithë atyre që iu kanë kundërvënë kësaj dhune, janë të paligjshme, prandaj edhe të ndëshkueshme.

Se burgosja e më shumë se dymijë shqiptarëve gjatë luftës nga pushteti serb, konsiderohet e ligjshme, ndërsa “burgosja” e disa shqiptarëve të “ndershëm” nga UÇK-ja e paligjshme, do ta ilustroj si më poshtë:

Unë, personalisht, i kam përjetuar të gjitha tmerret e luftës (12 maj 1998 – 30 tetor 2000), në duart e shërbimit serb në Prizren, në Burgun e Qarkut të Prizrenit, në Burgun e Qarkut të Prishtinës në Lipjan, në Dubravë, ku përjetova masakrën! Asnjëherë askush nuk më ka pyetur çfarë kam përjetuar përreth tridhjetë muaj nëpër zyrat e sigurimit serb apo në burgjet serbe, në të cilat më ka rënë të përjetoj tmerre që nuk përshkruhen, për të vrarët atje dhe të masakruarit, edhe pse atë ditë kur më ndalën në rrugë, përveç një lapsi dhe dy-tri fletoreve, nuk kisha asgjë me vete!

Me një person të rrethit tim ndodhi ndryshe: Në zyrat e UNMIK-ut, tri herë e kanë ftuar në bisedë informative N.N., një bashkëpunëtor i UDB-së serbe, në kohën kur po mbaheshin në arrest udhëheqësit e ish-një shtabi të UÇK-së, dhe po të tria herët ia kanë bërë të njëjtat pyetje: A ta kanë marrë armën dhe a të kanë rënë shuplakë në shtab? Të tria herët N.N. kishte dhënë përgjigje negative.

Por, pyes veten, edhe nëse ia kanë marrë armën dhe ia kanë dhënë një shpullë fytyrës, në kohë lufte, një njeriu që gjithë jetën i ka shërbyer një regjimi të dhunshëm, ka ndodhur kiameti?!

Në rrethin tonë, me mbi 30 fshatra, gjatë luftës u vranë dhe u masakruan disa qindra veta. Për fatin e asnjërit prej tyre as UNMIK-u e as EULEX-i nuk pyetën askënd!

Por, disa herë me radhë, shërbimi i UNMIK-ut, gjurmoi për fatin e N.N., i cili si anëtar i një familjeje kuislinge të rrethit tonë, gjatë kohës së bombardimeve iu kishte bashkëngjitur forcave serbe, pra kishte luftuar krah për krah me to! Pas lufte ishte zhdukur, por UNMIK-u nuk mund të pajtohej me faktin se nuk po mund t’ia zbardhte fatin këtij njeriu!

Krejt në fund

Ja, kjo është drejtësia që sot duhet të vihet në Kosovë dhe për të cilën lufton Milazim Krasniqi.

Kjo “drejtësi”, për më shumë se një dekadë, u vu në funksion të të njëjtit qëllim: në emër të saj, shqiptarët të jenë të qeverisur, por atyre t’u pamundësohet fundamentalisht qeverisja. Drejtësia që e pamundëson njeriun nga mundësitë për të qeverisur është robëri.

Në shërbim të kësaj drejtësie tashmë janë vënë Milazim Krasniqët dhe sivëllezërit e tyre, që nuk janë pak!

Dhe, si përfundim, lexuesit ia përkujtoj se këtë shkrim e kam filluar me tregimin për një virus. Hë për hë, këtu përfundon rrëfimi im për të!

Sali Bytyçi

(Autori është ish-i burgosur politik dhe ish-rob i luftës)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu