Dritëroi në 82 vjetor: Patkonjtë e trurit ende më mbajnë

0
136

dritero agolliShkrimtari merr Çmimin për Letërsinë në Itali. Agolli: Mungoj se jam një kalë që i kanë rënë
patkonjtë, por patkonjtë e trurit ende më mbajnë.
Jo vetëm buqeta me lule… Në vigjilje të 82-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit, në formë dhurate simbolike vjen edhe një çmim për të.

Shkrimtari i njohur është nderuar pak ditë më parë në Itali me Çmimin Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”. Pikërisht, në të gjashtëmbëdhjetin edicion të këtij konkursi për letërsinë, autori shqiptar u nderua mes shkrimtarëve italianë Guido Conti e Enzo Vinicio Alliegro, si dhe francezit Andre Vauchez. Çmimi u shoqërua me motivacionin “Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke venë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjitha elementet e jetës gërshetohen e shkrihen te njëritjetri për të ravijëzuar një identitet, i cili është fëmijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim. Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top”, me kurajë të admirueshme, Agolli i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti. Dritëro Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet si president i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri”.

CEREMONIA
Ceremonia e dhënies së çmimit për fituesit u mbajt në datën 5 tetor në Aliano, pranë Auditoriumit të komunës në Aliano të Italisë, në praninë e kryebashkiakut të Alianos, Luigi De Lorenzo, presidentit të Parkut Letrar “Carlo Levi” Antonio Colaiacovo, presidentit të Këshillit Krahinor të Bazilikatës, Vincenzo Santochirico, presidentit të Rrethit Kulturor “Nicola Panevino”, Pietro Dilenge, si dhe shkrimtarit dhe mikut të Shqipërisë, Raffaele Nigro, i cili intervistoi fituesit në vijim të ceremonisë. Emocione të veçanta ngjallën te të pranishmit fjalët e përshëndetjes së Dritëro Agollit, të lexuara nga vajza e tij, Elona, e cila në vetvete shprehte edhe një herë magjinë e fjalës së Agollit. Në përshëndetjen e Agollit thuhej: “Të nderuar miq, unë sot duhet të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbajnë. Por, të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falënderoj jurinë e Edicionit XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumtë dhe kritika letrare. Fatmir Toçi, deputet dhe botues i “Toena”, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e dhënies së çmimit, ka falënderuar kreun e Bashkisë së Alianos, Luigi de Lorenzio dhe jurinë, që “kthyen sytë nga letërsia e vendit përballë dhe të vlerësojë me çmimin e këtij viti një prej penave më të ndritura të letërsisë shqipe bashkëkohore, poetin, shkrimtarin, publicistin, mendimtarin, personalitetin dhe, mbi të gjitha, intelektualin e një kohe të trazuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, Dritëro Agolli”.

ÇMIMI “CARLO LEVI”
Ky çmim konsiderohet sot si një takim i rëndësishëm në lëmin e kulturës italiane dhe është pa dyshim, së bashku me Parkun Letrar kushtuar autorit piemontez, një tribut që komuniteti i Alianos i njeh Carlo Levit, i cili është një piktor, publicist, si dhe shkrimtar shumë i njohur italian. Në vitin 1931 i bashkohet lëvizjes antifashiste ‘Drejtësi dhe Liri’. Për veprimtari antifashiste, në vitin 1934, Levi arrestohet dhe një vit më pas, pas një arrestimi të dytë, dënohet me internim në fshatin Lukez të Grassanos, e më tej transferohet në Aliano. Nga kjo përvojë do të lindë dhe romani i tij më i famshëm “Krishti u ndal në Eboli” (në roman fshati quhet Gagliano, duke imituar shqiptimin e vendasve). Ky roman, në vitin 1979 përshtatet edhe për kinema dhe televizion nga Gillo Pontercorvo dhe Francesco Rosi.

KRIJIMTARIA
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (“Devoll, Devoll”, “Poemë malore”, “Hapat e mia në asfalt” etj.). Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës Antifashiste (“Poema e udhës”, “Poemë për babanë dhe për vete” etj.). Në prozë bëri emër, sidomos romani “Komisari Memo” (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani “Njeriu me top” (1975), Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri. Në vitin 2011 Dritëro Agolli është nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozator, dramaturg përkthyes e eseist.

PANORAMA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu