Duan të ikun jashtë Kosovës!

0
125

Valon Bajraktari nga Gjilani, student i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, është i gatshëm të punojë edhe punëtor krahu jashtë vendit, nëse i jepet mundësia. Ai ka humbur shpresat se do të mund të punësohet në Kosovë, duke vendosur kështu që të aplikojë në agjencitë e punësimit jashtë vendit. “Kam aplikuar një njërën nga këto agjencitë tona për punësim, kam aplikuar për t’u punësuar në Turqi, shpresoj në administratë diku, por edhe punë ? zike pranoj, vetëm të punësohem”, ka thënë ai.

A.B nga Deçani ka aplikuar për punë në Gjermani, mirëpo nuk e kanë lajmëruar asnjëherë. “Kam dhënë 25 euro për aplikim, më kanë thënë se të thërrasim, mirëpo asnjëherë nuk më kanë thirrur më. Sigurisht se jam i zhgënjyer, pasi që nuk gjeja punë këtu mendoja të iki jashtë, por edhe kjo mundësi më dështoj”, ka thënë ai.

Ndërsa zyrtarë të njërës nga agjencitë e punësimit në Kosovë, e shikojnë veten si “shpëtimtarë” të të papunëve pasi që thonë se duke bashkëpunuar me kompani të ndryshme jashtë vendit kanë arritur që shumë të rinjve t’u ofrojnë punë jashtë Kosovës.

“Ne bashkëpunojmë me kompani të ndryshme ndërkombëtare, që dërgojnë punëtorë jashtë vendit, në Afganistan, Irak, Kuvajt, në Stamboll, Dyseldorf dhe Uashington. Ne i ofrojmë shërbimet administrative palëve që vijnë, nuk e dinë mirë gjuhën angleze dhe mënyrën e aplikimit, këtë shërbim e kryejmë ne. Kemi edhe shërbime për punësim brenda Kosovës, nëse ka konkurse ne i kemi njerëzit që janë të anëtarësuar këtu dhe mandej i dërgojmë porositë tek ata dhe ata aplikojnë”, ka treguar pronari i Agjencisë Privatë të Punësimit, Baton Dërguti.

Sipas tij, kjo ka rezultuar mjaft e suksesshme duke punësuar shumë të rinj. “Brenda muajit përafërsisht nga 100 aplikantë rreth 70 thirren në intervistë, mandej 20 për qind e tyre edhe punësohen që është numër i madh. Kuptohet që nuk pranohen të gjithë që aplikojnë, por vlerësimin e bëjnë ndërkombëtarët për të gjitha vendet e punës. Punësimet brenda Kosovës mund të them se rreth 50 vetë në muaj punësohen përmes ndërmjetësimit tonë. Ndërsa jashtë vendit deri më tani janë punësuar rreth 4 mijë veta”, ka thënë Dërguti.

Dëshira për të dalë jashtë vendit për një jetë më të mirë te kosovarët është ende e pranishme. Ata pothuajse çdo ditë po provojnë mundësi të ndryshme për të lëshuar Kosovën. Zyrtarë të njërës nga agjencitë e ndërmjetësimit për emigrim në Kanada dhe Australi “Adrinia” thonë se të interesuar për të aplikuar për këto dy shtete ka shumë.

“Ne i kemi dy zyra, një në Prishtinë dhe një në Xërxë, shihet se ka interesim të madh për të emigruar, një pjesë kanë sukses e një jo”, ka thënë njëri nga punëtorët e kësaj agjencisë, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri.

Shahini akuzon për mashtrim

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, këto agjenci i sheh si mashtrim i njerëzve, të cilët kanë nevojë për punë. “Të rinjtë e Kosovës që janë shumë të papunë shpesh bien në emocionet e arsyes për të gjetur punë edhe tek agjencitë e ndryshme që për përfitime personale i mashtrojnë njerëzit, dhe nga kjo humbin vetëm ata hallexhinjtë të cilët kanë shpresë se do të gjejnë punë diku. Sektori privat kur kërkon punë nuk ka nevojë që të shkon përmes agjencive të ndryshme por ai hap konkurs ose gjen forma tjera për të gjet ekspertin ose punëtorin që i duhet”, ka thënë Shahini.

Ai ka thënë se të rinjtë duhet më shumë t’iu besojnë konkurseve dhe shpalljeve që i bëjnë vetë kompanitë, pasi që sipas tij, ato janë të besueshme. “Është lehtë të manipulosh me punëkërkuesit që janë të shumtë, por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, por edhe në përgjegjësinë e institucioneve për t’i ndjekur ata njerëz që mashtrojnë njerëz dhe luajnë me emocione të punëkërkuesve”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), numri i punëkërkuesve aktivë të regjistruar në MPMS në fund të vitit 2011 ishte 325.261 punëkërkues të regjistruar. Kjo paraqet rënie prej 3 për qind në numrin e punëkërkuesve krahasuar me vitin 2010. Ndërsa të dhënat për vitin 2012 zyrtarë të kësaj ministrie thonë se ende nuk i posedojnë.

 

Nga Saranda Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu