Duhet të kërkojnë falje para se Serbia ta bëjë këtë

0
91

Bashkësia ndërkombëtare, duke ecur prapa Evropës, po mat me dy kuti të drejtën e vetëvendosjes së kombeve. Në rastin e shqiptarëve ajo mundohet gjithsesi t’i detyrojnë ata për të kaluar nëpër birën e gjilpërës, që të ju mbetët një pjesë nën juridiksionin e Serbisë, si shpërblim për ringjalljen e nazi – fashizmit në këtë pjesë të Evropës.

Evropa duhet të këndellet njëherë e përgjithëson dhe t’i kërkojë falje publike shqiptarëve dhe atë para se të na kërkojnë falje publike serbët dhe gjithë sorollopi sllav e pansllavistë. Pse duhet të na kërkojnë falje dhe madje në këtë njëqind vjetor pavarësie, sepse nga politika e ndytë dhe vrastare e saj ne shqiptarët, këto njëqind vjet provuam më shumë se gjithkush thundrën e robërisë, nëpërkëmbjen e dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, holokauste, shpërngulje biblike me e pa marrëveshje  të armiqve tanë dhe tokën e djegur.

Evropa e heshti çështjen e Greqisë dhe të Qipros në Helsinki, të cilat nuk pajtoheshin me kufijtë e saja, e para kishte gjendje lufte me Shqipërinë për territore imagjinatave, për të fsheh të vërtetën historike të pushtimit të Çamërisë, e dyta pretendonte të rikthente territoret turke. Nga kjo del se ato të dyja kurën e kurës nuk do të japin mendimin për bashkëngjitje të këtyre dy shteteve në Bashkësinë Evropiane. Kjo po shihet edhe në politikën ditore të Bashkësisë Evropiane.

Kur shqiptarët erdhën në zgipcë të jetës, pra në dilemën hamletiane dhe u përcaktuan të rrokin armët, atëherë Evropa u zgjua nga gjumi dhe për të mos prish planet e veta, ndihmoi në planin humanitar, prijatare e së cilës ishin amerikanët, sepse kjo kishte edhe interesin gjeopolitik e gjeostrategjik. Sikur kjo të mbaronte ashtu siç e meritonin shqiptarët, gjithçka do të ishte në rregull, mirëpo ajo i cyti serbët për të bërë hapa të vazhdimësisë së asaj politike që e kishte filluar me shekuj kundër shqiptarëve.

Çështja e shqiptarëve të Kosovës u trajtua në nivelet më të larta regjionale e ndërkombëtare. Madje u trajtua edhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke nxjerr rezoluta të njëpasnjëshme, secila mundohej ta varroste çështjen shqiptare. Me rëndësi është të përmenden dy të tilla, që pasuan pas famëmadhes 1244, e cila e la Kosovën nën juridiksionin e Serbisë dhe kjo përshpejtoi dhe e futi në Kushtetutë të vetën, në të cilën gjendet edhe sot.

E para i jepte të drejtë Sekretarit të KS të OKB për të caktuar një personalitet që do të analizonte dhe mbarështonte problemin e shqiptarëve nga të gjitha këndet dhe të jepte mendimin se çfarë statusi duhet të gëzojë Kosova në të ardhmen. Për këtë u përzgjodh Ahtisari, një ortodoksofil i dëshmuar, të cilit iu dha mundësia që aty ku vente gishtin kisha serbe të quhej vend i shenjët i Serbisë, duke anashkaluar ortodoksizmin shqiptar dhe u mundësoi krijim e eks territoreve. Ai mundësoi edhe krijimin e lokacioneve serbe, komuna, me përfitime trajtese që nuk mundën për t’i ëndërruar edhe shumë pakica kombëtare me mbi tridhjetë përqindë në vende të ndryshme të botës, e këtu këto i kanë të garantuara pesë përqindë e serbëve, madje duke ia njohur edhe të drejtën e shtet formimit. Kreu politik shqiptar e mbështeti këtë Pako, edhe me shumë të këqija të tjera, që vinte ndesh me interesin e çështjes kombëtare, duke menduar se tash KS të OKB do të pajtohej me këto koncesione që iu bënë Serbisë përmes kësaj Pakoje. KS të OKB e pranoi si tërësi këtë Pako dhe i dha sinjal Ahtisarit dhe Bashkësisë Evropiane për të detyruar shqiptarët të zbatojnë këtë. Në kuadër të kësaj u bë edhe shpallja e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, për të cilën serbët, sllavët dhe pansllavistët nuk ishin të kënaqur dhe çështjen e dërguan në KS të OKB dhe aty pasoi rezoluta tjetër.

E dyta, KS i OKB plotësoi kërkesën e Serbisë dhe mbështetësve të saj, që çështja të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo pasi i bëri një analizë të thukët dhe duke marrë mendimet për dhe kundër shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, i dha të drejtë shqiptarëve se kishin vepruar në kuadër të së drejtën ndërkombëtare.

Po i njëjti Këshillë i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara luan me rregullat e veta dhe përdorë dy peshoja, njërën për shqiptarët dhe tjetrën për të tjerët. Pse KS i OKB nuk e zhvleftëson rezolutën 1244 kur këtë e bëri GJND dhe ta detyrojë Serbinë për të pranuar realitetin e krijuar në teren dhe të heq nga Kushtetuta çështjen e Kosovës?!. Po ky KS i OKB bënë gabimin e tretë madhorë dhe i jep përparësi Serbisë për të qenë kryesuese në OKB, e cila jo vetëm se nuk njeh e respekton konventa ndërkombëtare, duke u nisur nga konventat mbi luftën, konventat mbi robërit e luftës, konventat mbi të drejtat e njeriut, mekanizmat e OKB, por ende pa e marrë detyrën Jeremiq del me deklaratë fashiste kundër Kosovës, e drejtë e secilit shtet është të bëjë kërkesë për anëtarësi në OKB kur të fitojë numrin e caktuar të njohjeve, pra ky paraprakisht e mohon një të drejtë ndërkombëtare dhe KS i OKB heshtë, që do të thotë miraton mendimin e Tij fashizoid.

Së fundit edhe nga Grupi ndërkombëtar mbikëqyrës për Kosovën, iu hoq mbikëqyrja e pavarësisë. Edhe pse e dimë se kjo është vetëm në letër, se fakti në teren tregon diçka tjetër, sepse një shtet i pavarur duhet të ketë edhe mekanizmin e mbrojtjes së pavarësisë – Ushtrinë, duke mos hyrë në segmente tjerë të jetës që e karakterizojnë një shtet. Ky grup, në emër të bashkësisë ndërkombëtare, ka qenë dashtë të kërkojë nga Serbia që të shfuqizojë pjesën kushtetuese ku flitet për Kosovën dhe ta detyrojë që të heq dorë nga pretendimet territoriale në Kosovë, të tërheqjen e gjithë mekanizmit  shtetëror të saj nga Kosova dhe nga KS i OKB të kërkojë heqjen e Rezolutës 1244 dhe të bëjë apel që Bashkimi Evropian an bllok ta njohë Kosovën me të gjitha të drejtat, duke filluar me liberalizimin e vizave këtë vit, që edhe ne një herë në histori të trajtohemi si qytetarë të barabartë të Evropës e botës.

Derisa bashkësia ndërkombëtare luan lojë të dyfishtë, pse shqiptarët përshpejtojnë për të biseduar me Serbin?! Kreu politik duhet të kërkojë të gjitha elementet sa i kam theksuar më lartë, pos kërkim falje të Bashkësisë ndërkombëtare, se e di që nuk janë të zotët ta bëjnë këtë, për të konsoliduar shtetin në përmasat e pavarësisë dhe sovranitetit, e atëherë edhe të përcaktojë rregullat e lojës në drejtim të njohjes nga Serbia me kërkim falje shqiptarëve. Njohja duhet të jetë e pakushtëzuar nga pala serbe, ndërsa shqiptarët duhet kushtëzuar në ndarjen e pasurisë së trashëguar nga Jugosllavie, pjesën e tonë ajo e ka gllabëruar kur ka qenë ndarje në mes ish republikave, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, në veçanti zbardhjen e fatit të profesor Ukshin Hotit menjëherë, kthimin e pensioneve, dëmshpërblimin e luftës dhe shumë të tjera.

Nëse bisedimet bëhen kuturu, sa për të përmbushur kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, duke bërë trysni mbi shqiptarët, në përshpejtimin e Serbisë për të hyrë në strukturat e BE, edhe nëse ua pinë sorra mëndët lidershipit të Kosovës për koncesione të reja ndaj saj,  mendojë se Bashkësia ndërkombëtare, e në veçanti Bashkësia Evropiane, me qëllim po e lë donatorin në dorën e sadizmit serb, por atëherë do të përflakën që të gjithë, e ne shqiptarët nuk do të mbajmë kurrfarë përgjegjësie morale e historike për të marrë në dorë fatin tonë dhe një herë e përgjithëson të kemi shtetin tonë shqiptar – Shqipërinë, sepse në të gjitha këndet e saja po bëhet trysni për të heshtur e shtrirë qafen për ca interesa të individëve e armiqve tanë.

 

Prishtinë, 18.09.2012

Nga Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu