Dy vende, një gjuhë

0
339
Shaban Sinani
Shaban Sinani

Shqipëria dhe Kosova janë i njëjti komb, i njëjti popull, kanë të njëjtën gjuhë dhe të gjitha tezat me baza fetare, që propagandojnë të kundërtën, janë antihistorike. Ky është mesazhi që studiuesi i njohur Shaban Sinani, përcjell në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në librin e saj të fundit, bashkëshortja e Kadaresë, shkrimtarja Helena Kadare, tentoi “të ulte gjakrat”, mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes, për polemikat që ata patën vite më parë rreth identitetit shqiptar.

Sinani thotë se besimi nuk është faktor identiteti për popullin shqiptar, siç është për serbët, grekët, rusët dhe popuj të tjerë.

“Shqiptarët janë heterogjenë në besim dhe mbitheksimi i besimit si faktor identiteti ka qenë dhe është i gabuar”, ka thënë Sinani në një intervistë për Shqip.

“Në shekullin e 15-të, kur u shfaq islami në Ballkan, identiteti shqiptar ishte kodifikuar. Popujt që përveçohen në kohët moderne janë të vonuar. Për mendimin tim Kadare kishte të drejtë kur propozoi për diskutim tezën e identitetit evropian të shqiptarëve.

Kjo tezë u keqkuptua, u interpretua si një thirrje për rikrishterim të shqiptarëve. Në fakt, edhe sikur të kishte qenë kështu, dihet mirë se thirrjen e parë për kthimin në fenë e të parëve shqiptarëve ua ka bërë Faik Konica, i cili edhe vetë u ungjillëzua”.

Sinani mendon se ideja e Kadaresë u demonizua, sikur të kish qenë ai i pari shqiptues i kësaj “blasfemie”.

“Jam shprehur dhe mendoj ende njësoj, se teza e identitetit të dyfishtë apo të trefishtë të shqiptarëve (ose e ‘pluriidentitetit’, ‘multiidentitetit’ siç e propozoi dhe R. Qosja), është prodhuar prej shkollës serbe, që, kohët e fundme, është pasuar dhe nga studiues të tjerë (A. Zeljaskova, “Albanian Identities”, Sofia 2000). Antinomitë ‘albanac – shiftar – shiptar’, ‘albanci – arnauti’, tani së fundmi dhe ‘albanac – shiftar – shiptar – kosovar’, janë kurthe të ngritura ndaj dijes shqiptare qysh në shekullin e romantizmit”.

Sinani thotë se Qosja, duke pretenduar se duhet të diskutojmë për realitetin me të cilin identifikonte vetveten, e jo për projektet me të cilët identifikonte Kadarenë, i bëri dëm mendimit shqiptar.

“Shkencat kombëtare e kanë për detyrë të promovojnë konvergjencën – shkenca e tjetrit le të merret me të kundërtën. Aventurat për krijimin e dy vendeve, dy popujve, dy gjuhëve, duke iu referuar kryesisht dallimit, dhe ‘dallimi i rëndësishëm’ është vetëm ai fetar, janë antihistorike”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu