Dyshimet e mia për misionin e Xhevdet Mustafës

0
295

Auron Tare

Rrëfimi i zbuluesit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Zelandës së Re, Vincent Fogart, për ardhjen e “bandës” në Shqipëri në shtator 1982.


Arritja në Itali, përgatitja në vilën e Sabaudin Haznedarit, telefonaatat e shumta të Halit Bajramit dhe momentet e fundit të Xhevdet Mustafës

 


(Vijon nga numri i kaluar)


Natën e datës 25 shtator 1982, Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari e Halit Bajrami u nisën drejt brigjeve shqiptare, nga brigjet italiane. I katërti, i parashikuar për zbarkim, Fadil Kaceli “ndrydhi” këmbën dhe anuloi udhëtimin.


Njoftimi zyrtar për ardhjen dhe eleminimin e tyre u botua në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 28 shtator 1982, që ishte komunikata e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e datës 27 shtator 1982:
“Zbriti në bregdetin tonë një bandë kriminelësh shqiptarë, të arratisur së bashku me banditin Xhevdet Mustafa.


Në orën 6 të mëngjesit, banditët u diktuan dhe brenda 5 orëve u asgjësuan të tërë nga forcat e ndjekjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësi të reparteve të Ushtrisë Popullore dhe nga populli i zonës, ku desantuan kriminelët.


Pas likuidimit të bandës, u zunë një sasi armësh automatike e pistoletash të kompletuara me dylbi e pajisje të tjera, radio komunikuese, monedha në dollarë amerikanë, lireta italiane, lekë shqiptare, mjete të nevojshme për makiazh, veshje të ndryshme etj”.


Specialisti i Operacioneve Klandestine të Shërbimit Ushtarak të Zelandës së Re, Vincent Fogart në pjesën e dytë të dëshmisë e tij për emisionin “Exclusive”, rrëfen detajet e ardhjes së pjesëtarëve të “bandës” në Itali dhe momentet deri para imbarkimit të tyre në një barkë që do t”i sillte në bregdetin e Divjakës, aty ku nuk ishte parashikuar të zbrisnin dhe ku ndodhi ajo që nuk ishte parashikuar, mbështjellë me shumë dyshime.


Si ishte Mustafa? Për një kohë të gjatë, në opinionin shqiptar ai është portretizuar si një personazh negativ. Ju e keni takuar atë në kushte të tjera…


Jam mjaft i habitur nga ato që kam dëgjuar këto ditët e fundit për të këtu në Shqipëri. Ai person që kam njohur në Itali ishte mjaft i ndryshëm. Shpesh ai më tregonte foto të familjes dhe fëmijëve si dhe foto të shtëpisë në Nju Jork. Loznin çdo natë së bashku me letra blak xhek, apo shkonim në restorante.


Një ditë shkuam edhe në Klub Med. Asnjëherë nuk i pashë ndonjë aspekt të dhunshëm te ky person. E kuptoj që ata kishin nevojë për mua dhe mund të silleshin kështu, por gjithsesi. Mustafa u impresionua nga armët që kisha përgatitur.


Një natë, me kujtohet, mori pushkën me silenciator që kisha përgatitur dhe nga dritarja e vilës qëlloi tabelën rrugore në fund të rrugës, gati 50 metra nga vila. Ndoshta donte te provonte nëse pushka bënte zhurmë apo jo. I pëlqeu shumë dhe ma ktheu pushkën dhe më tha – “më pëlqen shumë kjo pushkë”.


Rruga ishte plot me njerëz dhe askush nuk dëgjoi gjë. Ndërkohë nga stërvitjet që bënim dukej se Xhevdeti dhe Aldo ia morën dorën dhe unë kisha besim se ata mund të qëllonin pa vështirësi atë që donin të qëllonin. 50 metra deri ne 150 metra, nëse zbatonin trajnimin tim ata do të kishin sukses.


Një ditë, aty ku bënim qitje me pushkë, në një anije të braktisur u ul një pulëbardhë mbi kuvertë dhe Aldo e qëlloi sa hap e mbyll sytë. I fola në fakt, pasi nuk doja të linim gjurmë në atë zonë. Mustafa për mua nuk ishte ai person, për të cilin kam dëgjuar gjithë këto fjalë të këqija. Diçka ka ndodhur me të.


Duhet t”i ketë ndodhur patjetër diçka që ai ka ndryshuar. Dilnim bashkë çdo dite për të bërë vrap, bashkë blemë edhe këpucët e vrapimit. Më dhuroi disa këmisha përpara se te ikte. Ishte njeri me zemër të mirë. Nuk më besohej se do te vinte në Shqipëri për të vrarë gjithë ato njerëz. Diçka ka ndodhur me të, diçka që e ka vënë në një situatë dëshpëruese.


Më thanë që vrau njerëz të pafajshëm, që mori peng fëmijë. Nuk mund ta besoj dot. Një javë më parë ky burrë më tregonte fotot e fëmijëve dhe më thoshte “shikoje gruan time më ka marrë shume malli për ta. Si mendon ti?”.


Domethënë për ju, ky njeri nuk ishte ai njeri, i cili për 30 vjet është portretizuar në mediat në Shqipëri si një vrasës gjakftohtë?


Shikoni diçka ka ndodhur me të. Ndoshta ai kishte planifikuar diçka dhe papritur çdo gjë iu kthye kundër.


Çfarë mbani mend tjetër nga ai? Çfarë ju thoshte për Shqipërinë netëve kur loznit blackjack?


Të gjithë më thoshin si Aldo, si Xhevdeti, si Fredi, “hej Vincent ty do të të pëlqejë shumë Shqipëria. Kur e gjithë kjo histori të ketë marrë fund do të të sjellim në Shqipëri. është vend shume i bukur, me njerëz të mrekullueshëm me kulturë. Ti do të jesh hero në Shqipëri”.

Domethënë atyre ju dukej se do të bënin një revolucion?


Po çdo gjë dukej se sapo të vrisnin këtë tipin Hoxha çdo gjë do ndryshonte. Unë do të mundja të vija në Shqipëri se aty do të bëhej festë e madhe. Xhevdetit më fliste për Mbretin.


Ai kishte qenë në dasmën e tij në Madrid. E kishte merak të më thoshte që Mbreti ishte martuar me një australiane dhe se ai kishte kontakte shumë të mira me Mbretin.


Ju mendoni se ai po e bënte të gjithë këtë për Mbretin?


Po, ai dukej se ishte rojalist. Mbështetës i Familjes Mbretërore. Mustafa kishte qenë në dasmën e Mbretit dhe kishte lidhje të mira me të. Të vrisje Hoxhën, të sillje Mbretin në krye dhe të vendosje monarkinë dukej se do t”i qetësonte gjërat.


Gjatë kësaj kohe, a i raportonit Shërbimit tuaj Sekret për çfarë po ndodhte…?


Po, gjatë kësaj kohe një herë shkova në Romë dhe pasi mbërrita aty u thashë djemve se më duhej të shkoja


në ambasadën e Zelandës për çështje të pasaportës. Një prej djemve që punonte për Frankon më çoi në ambasadë. Këtu kërkova oficerin e Shërbimit dhe i raportova mbi gjithçka. U thashë që çdo gjë ishte gati. Armët i kisha përfunduar dhe personi që do të vritej ishte ky tipi Hoxha. Më pyetën nëse do të shkoja edhe unë. U thashë që jo.


Kush ishte në takim?


Ishte oficeri i Shërbimit Sekret të Zelandës si dhe një oficer australian.


Pra, Shërbimi Sekret ishte i mirinformuar për operacionin?


Po ky informacion shkoi atë ditë në linja të sigurta në qendër. Për 24 orë informacioni kishte shkuar tek ata që ishin të interesuar për këtë operacion si, CIA dhe MI6. Gjithsesi, ata donin datën e hyrjes në Shqipëri.


U thashë që nuk ma thonë datën. Nuk dua t”i pyes shumë se mërziten, pasi i pyes dhe ata më shohin me dyshim. Natën shkuam tek banesa e Dinos, i cili kishte një shtëpi shumë të mirë. Dukej që kishte pasuri.


Dinoja ishte në gjendje të mirë ekonomike?


Po. Ai vishej shumë mire, orë të shtrenjtë, bizhuteri të shtrenjta, kostume të shtrenjta. Askush nuk vishej si Dino. Xhevdeti vishej me rroba sportive, ne të tjerët normal, ndërsa Dino vishej me klas, vishte kostum edhe në plazh. Dukej që kishte klas. Por duhet të kesh parasysh që ai bënte shumë para me biznesin e tij.


A kishit informacion se nga vinin paratë?


Kisha dyshime se ishte Dino ai që paguante për çdo gjë, për skafin, për vilën. Mjafton të kërkoja çfarë më duhej dhe ai paguante.


Nga shtëpia e Dinos shkuam në Tore del Orso. I treguam Xhevdetit silenciatorët. U kënaq shumë. Pastaj për gati një javë bëmë pushime. Laheshim në det dilnim me skaf. Një ditë teksa shkova për të blerë një gazetë angleze, pashë në një kafe të ulur Xhevdetin me një vajzë bionde me lëkurë të bardhë, dukej që nuk ishte italiane.


Nuk e pyeta Xhevdetit, se kush ishte ajo vajzë, se nuk doja të mendonte se po i spiunoja. Në atë kohë kisha parë një foto të Mbretit dhe të Mbretëreshës Suzanë dhe sipas meje atë ditë pashë Mbretëreshën Suzanë, por nuk mund ta konfirmoj. Mos të harrojmë që ai kishte kontakte të mira me familjen mbretërore dhe mundet që edhe ata të ishin të përfshirë në këtë operacion.


Sipas mendimit tuaj, a keni informacion apo, a patë që ndokush nga grupi fliste për ndonjë përfshirje të jugosllavëve në këtë operacion?


Jo!

Po Shërbimi juaj ju kishte thënë diçka mbi përfshirjen e jugosllavëve?


Jo, asnjë herë. I vetmi rast që kemi folur për jugosllavët, ishte kur Aleksi më kërkoi që të merrja vizën jugosllave para se të niseshim. Më tha që ishte shumë e rëndësishme të merrja vizën jugosllave. Akoma edhe sot nuk e kuptova pse ne i morëm këto viza.


Ndërkohë SIS, CIA apo MI6, janë në dijeni të këtij plani, por nuk bëjnë asgjë për t”ju ndihmuar, për t”ju mbështetur nga ana financiare, teknike. Nuk keni asnjë provë se dikush nga jashtë grupit po e financonte këtë operacion?


Ne kishim para. Lira italiane apo dollarë amerikanë, gjithmonë kishim para. Unë bëja pyetje pasi doja të merrja më shumë informacion. E pyeta Aleksin, a do të dilni diku me zhytje? Jo më tha. A ju pret, – dikush i pyeta.


A do të ecni shumë, – i pyeta përsëri pasi i vendosa në një regjim ecjesh të përditshme. Të mos harrojmë, Fredi ishte 52 vjeç, ndërsa Aleks dhe Dino nga 56. Ata nuk vraponin dot.


Pra ata nuk dukeshin se ishin një grup komandosh të përgatitur mirë për të ardhur për të vrarë Hoxhën….
Vetëm unë dhe Xhevdeti vraponim nga 5 km në ditë, bile na u desh të blinim edhe atlet


Atletet e famshme që ne kemi parë në muze?


Po, sepse e kishim numrin e këmbës të njëjtë dhe i blemë këpucët në treg bashkë. Xhevdeti më dha edhe një kostum sportiv “Fila”. Nuk e besoj dot se si përfunduan kështu.


Pra, ju ishit gati. Çfarë ndodhi?

Diku në mëngjesin e 20 shtatori, nëse nuk gaboj, Aldo erdhi dhe më tha: Vincent bëhu gati. Ku do ikim?- i thashë.


Do ikësh ti, – më tha dhe kur më çuan në Lece më thanë që do marrësh trenin për në Romë. Më dhanë një adresë dhe numër telefoni. Më erdhi shumë e papritur pasi gjithë natën kishim kaluar duke bërë shaka dhe tani më thanë që duhej të largohesha.


A ju duk juve si një urdhër që erdhi nga diku, apo thjesht e vendosën atë ditë?

Kam përshtypjen që reaguan në çast për nisjen e tyre. Në mëngjes ishte çdo gjë në rregull, pas mëngjesit ata u futën në dhomë dhe Aleksi doli që atje dhe më tha: erdhi çasti. Bëj gati valixhet, do shkojmë në stacionin e trenit.


Mendoni se dikush i urdhëroi për këtë veprim?


Shiko, ne bënim shumë telefonata nga kabinat telefonike të rrugës. Në Klub Med kishte edhe një telefon ndërkombëtar. Telefonat i bënin nga disa kabina, posta në San Foca, e po kështu kishte telefon. Në stacionin e trenit në Lece kishte telefon. Pra ata bënin telefonata. Kur shkuam në Lece, atë mëngjes si Dino, si Aldo bënë telefonata.


Pra, Aldo komunikonte?


Po.

Persona nga zbulimi shqiptar, të cilët e ndiqnin këtë çështje, kanë deklaruar se 10 ditët e fundit ata humbën lidhjen me Aleksin, pasi ai nuk merrte më në telefon. Ju thoni se ai telefononte përditë?


Po, ai telefononte përditë. Ne përdornim xhetona për këto telefonata. Aldo më mori xhetonat e mia atë mëngjes dhe të fusje vazhdimisht xhetona në telefon kjo nënkuptonte që ai telefononte jashtë Italisë. Pra, atë mëngjes para nisjes, ai bëri një telefonatë të gjatë ndërkombëtare.


Pra atë mëngjes, ai mori dikë në telefon?


Po, nuk kam dyshim që ai foli atë mëngjes me dikë. Po kështu, atë ditë, Aldo më dha një copë letër me një adresë dhe më tha- tregoja këtë taksisë.


Ju nuk patët ndonjë hezitim që ai kishte për të bërë telefonata se mos dikush e përgjonte apo dyshonte? Ishte ai i lirë të fliste në telefon?


Absolutisht ishte i lirë. Fred Kaceli p.sh., merrte në telefon shpesh, pasi interesohej për biznesin e tij në Zelandë. Tashmë, kishim ikur prej dy muajsh. Unë mora në telefon vetëm një herë të dashurën time, pasi njerëzit në shtëpi do shqetësoheshin dhe do pyesnin ku isha zhdukur. Ne dërgonim edhe letra dhe kartolina. Kaceli dërgonte letra gjithmonë në shtëpi. Aleksi jo shumë, ai merrte në telefon. Xhevdeti dërgonte letra.


Duhet ta kuptoni, ishte shumë e rëndësishme që njerëzit tanë të mos kishin dyshime për ne. Ju shkruanim që ishim mirë, që po kalonim mirë, etj, pasi ne nuk donin që dikush të merrte në telefon policinë apo Interpolin dhe të denonconte zhdukjen tonë.


Ajo që dua të them është se, në eksperiencën tuaj profesionale, ju a mendoni se informacioni që thuhet nga ekspertët e zbulimit, që ai nuk komunikonte me ta, është i saktë duke pasur parasysh faktin se ai telefononte gati çdo ditë?

Nëse ai nuk komunikonte, atëherë ai ka pasur një arsye të fortë që të mos e bëjë këtë, pasi ne ishim të gatshëm për t”u nisur. Gjëja e fundit që bëmë, ishte blerja e një sasie bidonash plastikë për mbajtjen e benzinës. Kishim llogaritur si distancë vetëm 80 km.


Pra, vetëm 80 km? Nuk ka pasur asnjëherë një plan për një distancë tjetër?


Po, është e vërtetë që ne kishim llogaritur vetëm 80 km distancë, por historia e ngjarjes, provoi se ata në minutën e fundit, e kanë ndryshuar planin dhe distanca që përshkruan ishte 120 km. Përse? Nuk jam në gjendje ta shpjegoj.


Përse e kanë bërë këtë?


Duke pasur parasysh që të gjithë anëtarët e grupit tashmë kanë vdekur dhe askush nuk ka lënë dëshmi për këto ngjarje. Ju jeni i fundit i mbijetuar nga ky grup, i cili ka qenë deri në ditën e fundit dhe i cili mundet ta ndriçojë këtë histori në një këndvështrim tjetër.


Pra, nëse mund të ngremë disa pikëpyetje bazuar në dëshminë tuaj, a mundet t”ju pyes përse itinerari është ndryshuar në minutat e fundit?


Teoria ime personale është se ata shumë gjera edhe nuk m;i tregonin ndoshta për të më mbrojtur. Nëse nuk dija gjë, nuk mund të tregoja.


Nëse autoritetet italiane mund të më kapnin dhe të më pyesnin unë nuk dija gjë, as për momentin e nisjes dhe as destinacionin e mbërritjes. Kjo është një procedurë normale për ata që janë trajnuar në metodat e spiunazhit.


Tashmë, ne e dimë se Aldo ka pasur trajnime intensive në këtë fushë. Por, të mos harrojmë, ai tashmë ishte i moshuar. Teknologjia dhe fiziku nuk ishte në anën e tij, por mendja e tij ishte shumë energjike.


Ishte i qetë, i kalkuluar dhe duke mos më treguar detaje, më ruajti nëse unë do të isha kapur pas këtij operacioni. Po kështu, ne nuk bënim foto, pasi nëse kapeshim dhe na gjendeshin foto, sigurisht që ishin prova për pjesëmarrjen në këtë operacion. Ne ishim shumë të kujdesshëm.


Unë isha trajnuar në fushën e spiunazhit dhe sigurisht Aldo ishte trajnuar në këto metoda. Tashmë, ka pak kohë që kam mësuar se edhe Dino Haznedari ka qenë i trajnuar në fushën e spiunazhit, por me thënë të vërtetën, nuk pashë ndonjë rol të qartë të tij.


Xhevdet Mustafa sigurisht që e dinin se ai kishte qenë i përfshirë në organizata kriminale në Neë York. Ai kishte qenë pjesë e një organizate të quajtur “Grupi Ballkanik”, ku turq, jugosllavë, shqiptarë dhe hungareze ishin të përshirë. Pra, kjo ishte historia e tij.


A ishte trajnuar ai në zbulimin ushtarak apo çështje të inteligjencës?


Jo, nuk e besoj se Xhevdeti ishte i trajnuar në këto çështje.


Pra, ju nuk e besoni se ai ishte futur në këtë grup nga një prej shërbimeve inteligjente?


Jo, unë besoj se kur ai kishte problem në Neë York, Aldo shkoi në New York ku organizoi garancinë prej 1.milion USD për ta nxjerrë nga burgu, organizoi largimin e tij nga Amerika dhe erdhi në Zelandë. Ishte koha kur unë e takova atë.


Për mua, ai ishte në gjendje të vështirë. Ishte larguar nga Amerika kur ishte nën kushtet e garancisë, nëse kthehej do të shkonte në burg. Pra nuk kthehej dot dhe nga Zelanda shkoi në Itali tek Dino.


A mendoni se ata ishin të bindur se ky operacion në dukje vetëvrasës, do të kishte sukses, pasi dikush shumë i pushtetshëm po i priste?


Unë e besoj shumë këtë gjë, pasi ishte një fakt i njohur, se çdo lider në botë dhe aq më shumë në Lindjen Komuniste, ishte shumë i ruajtur. Për të bërë një atentat të tillë duhet të kesh njerëz të brendshëm, me pushtet të cilët të hapin dyert dhe të çojnë shumë afër personit që do t”i kryesh atentatin.


Mua vazhdimisht më thuhej, kur pyesja për këtë gjë pasi duhej ta dija planin, mos u shqetëso, çdo gjë është e organizuar, kemi njerëz që na presin. Gjithmonë më thuhej kjo përgjigje. Kur e pyesja Xhevdetin, ai më thoshte, “çfarë të tha Aldo? I thoja që më thotë të mos shqetësohem pasi kemi njerëzit tanë që na presin. Atëherë mos u shqetëso më thoshte.


Pas udhëtimit tuaj në Shqipëri dhe pas takimeve me disa persona që kanë pasur dijeni apo kanë qenë të përfshirë në këtë Operacion, ju është thënë se si Dino, si Aldo e njihnin apo kanë pasur kontakte në të kaluarën me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu.


Ju thoni në intervistën tuaj, se kjo histori filloi në nëntor të 1981, në eksperiencën tuaj profesionale në këtë fushë a mendoni se kjo çështje është e lidhur me Shehun?


Unë jam i bindur që po. Jam 100 për qind i sigurt se kjo çështje është e lidhur me të. Çdo gjë ishte normale deri atëherë.


Unë punoja me Aldon, bënim para, jeta ishte e qetë dhe papritmas në nëntor Aldo nuk buzëqeshte më, u bë serioz, dhe në dhjetor më kërkoi që t”i përgatisja armë. Më tha në fakt, m”u lut që ta ndihmoja. Unë kisha miqësi dhe nuk mund t”i thoja JO.


Si mendoni ju, një njeri në moshën 56- vjeçare, me një punë të stabilizuar, me fëmijët në universitet, me një jetë të qetë në Zelandë, si ka mundësi të ndërmarrë një Mision të tillë? Përse mund ta bëjë këtë gjë?


Ata më flisnin gjithmonë për njerëzit e tyre, anëtarë të familjes që i kishin arrestuar dhe po i torturonin. Çfarë ndodhi në dhjetor? Një gjë, Mehmet Shehu në mënyrë misterioze gjendet, disa thonë i vrarë apo i vetëvrarë.


Ai e njihte Dinon dhe kishte pasur marrëdhënie me Aldon në të shkuarën. Mendojeni vetë. Në nëntor unë vura re që Aldo dhe të tjerë bënin fjalë, debatonin me zë të lartë, ishin të zemëruar me diçka.


Në nëntor?


Po, në nëntor dhe në dhjetor Aldo më kërkoi ndihmë, pra e kishin vendosur që do të bënin diçka. Ajo që kishte ndodhur ishte kaq e fuqishme, saqë një burrë familjar, me një biznes të suksesshëm, vendosi të sakrifikonte gjithçka për këtë qëllim.


Nëse do t”ju pyesja për momentin kur ju u ndatë. Ata zbarkuan diku pa pasur orientim të saktë. Për gati 30 vjet versioni zyrtar ka qenë që ata zbarkuan në atë zonë pa pasur dijeni se ku po vinin, pasi kompasti iu prish.

Nuk e besoj këtë variant…


Ju ishit dje në pikën e zbarkimit. Çfarë mendoni në bazë të eksperiencës suaj profesionale për atë pikë zbarkimi?


Sigurisht unë nuk do ta zgjidhja atë pikë. Nga dëshmitë që kemi, dihet se ata zbarkuan diku rreth orës 1 të mëngjesit. Unë pashë hartën dhe bëra kalkulimet, e për të shkuar nga San Foca me shpejtësinë që unë i kisha trajnuar, në mënyrë që të ruhej benzina, ata duhet të kenë udhëtuar rreth 4 orë e gjysmë. Kam dëgjuar po kështu që kishin ngecur në rërë.

Askush nuk e ka parë skafin më parë. Ju jeni i vetmi që njihni skafin dhe keni udhëtuar me të. A mendoni se mund të ngecte në rërë?


Nuk mendoj kështu. E vetmja mënyrë të ngecje aty, ishte nëse do të vije me shpejtësi të madhe dhe të dilje në rërë me skafin. Kështu që duhej të gërmoje dhe ta nxirrje. Sigurisht kanë kaluar 28 vjet dhe terreni ka ndryshuar. Megjithatë, le ta marrim të mirëqenë se kanë ngecur në breg.


Pas daljes në breg, qëndrojnë në një rrip rëre të rrethuar nga uji deri në orën 12-12.30 të drekës. Pse do të qëndronin atje? Si mendoni?


Për mua është një kurth. Po të isha unë, do të futesha në pyll ku fshihesh kollaj. Por ata qëndrojnë në këtë rrip rëre, në fakt hapin edhe një grope që të mos duken.


Mëngjesi vjen. Sigurisht që tani shikohesh kollaj dhe për mua logjika të thotë se ata duhej të futeshin në pyll gjatë natës. Pra, nuk e kuptoj fare përse ata qëndrojnë aty.


Përse ata rrinë kaq gjatë në një vend të ekspozuar deri në mesditë?


Për mua ky është një vend takimi. Atyre duhet t”i ishte thënë që të prisnin aty, pasi dikush do të vinte t”i merrte.


Pra, ishte një vend takimi i paracaktuar. Nëse juve ju është caktuar ky vend, atëherë ju do të prisni apo jo?

Pra, ajo që juve ju thuhej në Itali se ata i priste dikush sapo të zbarkonin ka sens apo jo?


Po e saktë. Dhe kështu që ata presin deri diku nga dreka. Në terren të zbuluar dhe tashmë e dimë që dikush erdhi t”i takonte.


Ju patë fotot e policit të vrarë. Sipas gjykimit tuaj, ç”mendoni?


Xhevdeti mund të qëllonte 10 deri në 15 metra me saktësi. Ai qëllon dy policë. Fotoja që pashë ishte e një polici të rënë me fytyrë në ujë.


Po ne kemi vetëm dëshminë e Aldos, sipas së cilës ishte Xhevdeti që bëri vrasjet. A mund ta besojmë këtë dëshmi të tij? Ndoshta vrasjet e policëve nuk i ka bërë Xhevdeti?


Keni te drejte. Megjithatë, ideja është se ishte Xhevdeti që qëllonte. Nuk mendoj se Dino apo Aldo mund të qëllonin. Nga ato që kam mësuar, nuk duket se Aldo ka qëlluar ndonjëherë. Mendoj se policët janë qëlluar njëri përballë dhe tjetri duke ikur.


Mendoni që distanca shumë e vogël nga janë qëlluar policët mund të sugjerojë që ata janë takuar? Ndoshta aksidentalisht apo jo, por ata mund të kenë folur?


Po nëse polici ka ardhur aq pranë, sigurisht ka pasur një bisedë.


Në dëshminë e vet, polici që ka mbijetuar thotë se nuk ka dëgjuar apo parë ngjarjen e vrasjes. Megjithatë, unë do të doja t”ju pyesja se përse tre policë shkojnë në atë moment dhe në atë vend pikërisht ku qëndron grupi, i cili sipas jush duhej të priste dikë? Si mendoni?


Nga ajo që dimë policët kanë shkuar me makinë në atë zonë, kanë ngrënë drekë. Më tej marrin një varkë dhe shkojnë pikërisht në atë vend ku qëndron Aldo? Pra, nuk kanë ecur përgjatë zonës, nuk po peshkonin por shkojnë pikërisht atje? Dhe ecin në atë rrip rëre? Për mua është shumë e qëllimshme


Unë mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme për t”u investiguar më tej që të kuptohet dinamika e ngjarjes. Pas këtyre vrasjeve, Xhevdet Mustafa shndërrohet papritmas në personazhin që tashmë dimë.


Unë mendoj se atyre ju është thënë diçka aty. Xhevdeti nuk kthehej dot më pranë familjes së tij në Amerikë, skafi ka ikur, pra ai nuk kthehej dot më në Itali. Diçka atij duhet t”i jetë thënë, diçka që e ka egërsuar.


Sikur ai papritmas e kuptoi që e gjitha kjo sakrificë ka shkuar kot. Ka rënë në kurth, ç”të bëjë? Policët duhet t”i kenë thënë diçka, diçka që e ka detyruar atë që të qëllonte. Unë besoj se Xhevdeti ishte në një rrugë pa krye e kuptoi që jeta këtu mbaronte.


Ëndrra që ai mund të kishte që të vinte në Shqipëri, të ndryshonte politikën, të vendoste Mbretin në krye, e gjitha kjo kishte marrë fund. Harroje familjen, harroje shtëpinë. Pra, gjithçka ndryshoi në mendjen e tij.
Fund

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu