E çoroditura “Bota Sot” përpiqet me mish e shpirt ta përbaltë dhe nxij çdo emër që u përpoq për lirinë e kësaj Kosove

0
65

Sot, në gazetën e çoroditur dhe kundërkombëtare pash një fotografi dhe lexova një shkrim të nënshkruar “Bota sot 15 maj” (pa autor)!! Në këtë gazetë më ka rastisur të lexoj shumë shkrime të çoroditura, qëllimkëqija, të pavërteta dhe me gjysmë të vërteta, por shkrimi i sotëm është kulmi, është maja e falsifikimit, të pavërtetave, manipulimit, montimit, tendenciozitetit… Shkurtë, është një shkrim që më ka bërë seriozisht të mendoj për fatin e lirisë dhe të drejtave të njeriut në këtë vend. Ky shkrim ma ka forcuar bindjen se disa mjete të informimit janë krijuar dhe po përdoren si instrumente të politikave dhe shërbimeve sekrete kundërshqiptare. Janë krijuar dhe po funksionojnë dhe angazhohen me mish e shpirt për rrënimin e lirisë së fituar me shumë mund, djersë e gjak. Media si kjo, “Bota Sot”, janë kthyer në vrastare të lirisë, dinjitetit dhe etikës njerëzore…

Poshtë fotografisë që ka botuar kjo gazetë është shënuar: një fotografi që flet vet, Ekrem Jashari e Nazim Bllaca!! Shumë e saktë. Kjo fotografi është dëshmia më e madhe e falsifikimit, manipulimit, tendenciozitetit dhe kriminalizimit të lirisë së medias. Secili njeri në botë që e njeh Ekrem Jasharin, vetëm me një shikim, mund të thotë se në këtë fotografi nuk është Ekrem Jashari. Si ka mundësi që një gazetë, një medium publik, të marrë përsipër një falsifikim dhe manipulim kaq kundërnjerëzor, me përmasa kriminale?! Të marrë përsipër një mision kaq anticivilizues, kaq antimedia! A kanë fytyrë njeriu apo fytyrë kriminelësh ata që fshihen pas nënshkrimit “Bota sot 15 maj”?

Pas shënimit poshtë fotos është titulli: Ekrem Jashari “dora e djathtë” e Azem Sylës, mik i kryetarit të Vitisë N. Arifit!

Më tej, autori “Bota sot 15 maj”, shkruan (gënjen) se “vajza e Ekremit është e martuar për djalin e kryetarit të Vitisë”. “Bota sot” e paska pyetur Bllacën (lidhja përmes Beogradit) prej kur e njeh E. Jasharin dhe ai paska thënë se e njeh pas Lufte dhe se ky, E. Jashari, paska punuar në Ministrin e Mbrojtjes, se E. Jashari paka qenë dora e djathtë e Azem Sylës. Një “fakt” tjetër, për të cilin E. Jashari, sipas “:Bota sot” dhe Serbisë, duhet të shkojë në burg, është edhe lidhja e tij me Novoselltë dhe ndërtimi i një banese në Ferizaj!

Pa më thoni, lexuesë dhe bashkëkombës të nderuar: cili kod penal ose cili ligj, cili zakon a kanun parasheh ndjekjen, akuzimin dhe dënimin e dikujt pse qenka (edhe po të ketë qenë) “dora e djathtë” e Kamndantit të UÇK-së Azem Syla (faji i vetëm i të cilit është angazhimi dhe lufta për çlirimin e Kosovës shqiptare)? A mund të dënohet E. Jashari dhe cilido tjetër qytetar pse qenka mik me dikend? Lere që nuk është e vërtetë se vajza e E. Jasharit është e martuar për djalin e N. Arifit. Dhe a mund të ndiqet, akuzohet dhe dënohet dikush pse ka bërë një kontratë me një ndërtues banesash (Novoselltë), duke ia dhënë truallin e tij për ndërtim banesash konform rregullave dhe ligjeve në fuqi?!! Institucionet e Kosovës, politika e Kosovës, posaçërisht politika që pretendon të jetë kombëtare dhe në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të fituara duhet urgjentisht të marrin masa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore, politike, kombëtare, qytetare e demokratiuke të njeriut të Kosovës nga mediat si “Bota sot” dhe nga projektet e shërbimeve sekrete antishqiptare që kanë për mision rrënimin e lirisë së fituar dhe persekutimin, përbaltjen dhe “kriminalizimin” e figurave Luftës Antipushtuese Çlirimtare. Nëse ka të tillë (nga radhët e përpjekjes, qëndresës dhe luftës për liri), që mendojnë dhe besojnë naivisht se mund t’i japin (flijojnë) bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tyre që të shpëtojnë vet, e kanë gabim. Nuk do të jetë e largët dita (nëse vazhdon ky persekutim, kjo gjueti shtrigash) kur do të bëhen “kurban” të besimit dhe “politikave” (intrigave) të tyre naive… Por, ajo që dua të them në fund është: shqiptarët nuk duhet të bien pre e mediave si “:Bota sot” dhe e shërbimeve dhe qarqeve antishqiptare. Ne duhet ta kemi mendjen top, syrin hapur dhe shpirtin liridashës, ne duhet të vihemi tërësisht në shërbim të mbrojtjes së lirisë së kërcënuar dhe të vlerave tona kombëtare, kulturore, gjuhësore, historike, demokratike e qytetare. Liria e Kosovës po kafshohet dhe grabitet për ditë nga pak… Gazeta dhe media të kriminalizuar si “Bota sot” duhet të mbyllen dhe ndalohen me ligj apo vendim gjykate. Këto media po terrorizojnë dhe kërcënojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, po terrorizojnë dhe rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës së sotme. Këto media po prodhojnë dhunë, mosbesim, konflikte dhe destabilizim në shoqërinë tonë të re…

 

Nga Xhevat Bislimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu