Edhe pse nën hetime synojnë prapë PTK-në

0
128

Pavarësisht se është nën hetime për nënshkrim të kontratës së dëmshme mes Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), dhe kompanisë “Dardafon”, kryetari i bordit të kësaj ndërmarrje, Rexhë Gjonbalaj, ka konkurruar sërish në konkursin për anëtarë të rinj të bordit të kësaj ndërmarrjeje, i cili është mbyllur para dy ditësh.

Po ashtu, në këtë konkurs, ka konkurruar edhe anëtari tjetër i bordit, Nuhi Ahmeti, i cili po ashtu për dy mandate ka qenë anëtar i bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Në konkursin që është mbyllur, po ashtu kanë konkurruar edhe anëtarët e tjerë aktualë të bordit të PTK-së. Por, burime të gazetës thonë se Nuhi Ahmeti do të jetë në krye të bordit të ri të PTK-së deri në privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, që pritet të ndodhë gjatë vitit 2012.

Por, si Gjonbalaj, ashtu edhe Ahmeti për dy mandate kanë qenë pjesë e bordit të PTK-së, ku gjatë punës së tyre, ata mbahen për marrje të vendimeve të dëmshme për kompaninë më profitabile në vend.

Po ashtu, në të gjitha vlerësimet që janë bërë, si Gjonbalaj, ashtu edhe Ahmeti kanë marrë nota negative. Burime të besueshme të gazetës brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, thonë se raporti i hartuar mbi performancën e bordeve të ndërmarrjeve publike në vend, bordin e Postës dhe Telekomit të Kosovës e vlerëson me notat më negative të mundshme.

Po sipas këtij burimi, kompania që ka bërë ketë vlerësim ka gjetur shkelje nga më të rëndat e që në masë të madhe kanë dëmtuar dhe ulur vlerën e kompanisë në prag të privatizimit.

Po ashtu bordi që është kryesuar nga Rexhë Gjonbalaj ka aprovuar në disa raste shuma marramendëse të parave në emër të sponsorimeve, duke sponsoruar edhe projekte të ndryshme komerciale, të cilëve zakonisht nuk u mungojnë as sponsorët e tjerë.

Shuma të mëdha të parave, të cilat e kalojnë edhe shifrën prej 100 mijë euro janë aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie publike për të realizuar dokumentarë të ndryshëm televizivë, ndonëse ata nuk janë realizuar sot e kësaj dite.

Por, në anën tjetër, zi zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ministri kjo e cila ka nën ombrellë ndërmarrjet publike në vend nuk duan të fl asin për këtë çështje. I kontaktuar nga gazeta, ministri Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se raporti rreth performancës së bordeve të ndërmarrave publike në vend nuk është kryer ende.

“Raporti ende është duke u përpiluar dhe në momentin kur të kryhet, ai do të bëhet publik”, tha për “Zërin” ministri Beqaj.

Gazeta ka provuar ta kontaktojë gjatë gjithë ditës Gjonbalajn dhe Ahmetin. I pari nuk e ka hapur telefonin e tij zyrtar, ndërkaq Ahmeti përmes telefonit ka thënë se është i zënë dhe ai më pas nuk është përgjigjur, po ashtu në numrin e tij zyrtar.

Benificionet e Bordit

Deri tash bordi i Drejtorëve të PTK-së përpos kompetencave në aprovim të sponsorimeve dhe donacioneve në vlerë mbi 7000 mijë euro ka pasur edhe beneficione të shumta, pavarësisht se kjo nuk parashihet me dokumentin e kodit të etikës dhe qeverisjes korporative të aprovuar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas këtij dokumenti të nënshkruar nga ish-ministri Ahmet Shala më 30 prill 2009, kompania do t’iu sigurojë (dhe anëtarët e Bordit nuk duhet të kërkojnë) këshilltarë, vetura, kompjuterë, telefona ose pajisje të tjera ose përfitime për Bordin e as ndonjë zyrë brenda kompanisë.

Ndërsa kreu i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, e ka shfrytëzuar një xhip “Range Rover”, që ia ka blerë kompania publike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu