Ekskluzive: Ky është krimineli serb që urdhëroi shumë masakra dhe i bëri të gjithë të heshtin (Dokument)

0
286
(Foto e realizuar para shtëpisë së familjes legjendare të Adem Jasharit pas masakrës së tyre)

Ishte në krye të ekspeditave serbe kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, udhëhoqi kriminelët serbë në masakrën e Reçakut dhe disa vite me radhë akuzohej nga amerikanët si urdhërdhënës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Është ky krimineli Goran Radosavljeviç – Guri, i lindur në vitin 1957 në Arangjelovac të Serbisë, që me vendim të veçantë ishte dërguar në Kosovë për të shuar rezistencën e armatosur të UÇK-së në fillet e para të organizimit.

Gradën gjeneral-kolonel, Radosavljeviç, po ashtu e kishte marrë me vendim të veçantë të nënshkruar nga një gjeneral tjetër serb i akuzuar për krime lufte në Kosovë, përkatësisht nga Vllastimir Gjorgjeviç – Rodja.

Ky vendim është i datës 22 shkurt 1998, kur ai emërohet si i deleguar profesionist në Kosovë për të shtypur rezistencën e armatosur.

Ishte pikërisht krimineli Goran Radosavljeviç, ai që kishte udhëhequr ekspeditat serbe kundër familjes Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, ku ra heroikisht komandanti Adem Jashari dhe u masakruan afër 60 anëtarë të familjes së tij.

Emri i Goran Radosavljeviçit figuron në shumë dokumente sekrete të Serbisë edhe si udhëheqës i masakrës së Reçakut më 15 janar 1998, ku u masakruan afër 50 shqiptarë të paarmatosur, por edhe si udhëheqës i shumë sulmeve në Rrafshin e Dukagjinit.

Ndërsa, me një vendim tjetër, po ashtu nga Vllastimir Gjorgjeviç, që është i datës 30 maj 1999, krimineli Radosavljeviç si kuadër i vlefshëm për autoritetet serbe, ishte urdhëruar të kthehej në Serbi si shef i Njësisë Speciale, që më vonë kjo njësi ishte shndërruar në xhandarmëri.

Autoritetet serbe ia kishin besuar kriminelit Goran Radosavljeviç misionin për ta shtypur kryengritjen e armatosur edhe në Luginën e Preshevës.

Në vitet e pasluftës, Goran Radosavljeviç me dhjetëra herë ishte akuzuar nga amerikanët edhe për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, shqiptaro-amerikanëve që ishin ushtarë të Batalionit “Atlantiku”, të vrarë me duar të lidhura me urdhër direkt të Radosavljeviçit dhe të varrosur më pas në kompleksin e ushtrimeve të Njësisë Speciale në Batajnicë, të quajtur “13 Maji”, së bashku me trupat e rreth 2 mijë shqiptarëve të tjerë të vrarë në Kosovë dhe të varrosur aty për t’i humbur gjurmët.

(Foto, pas sulmit në Gllogjan, 24 Mars, 1998)

Megjithatë, çuditërisht akuzat e amerikanëve ndaj kriminelit Radosavljeviç kishin pushuar në vitin 2003, sepse së bashku me 1 mijë trupa të ushtarëve serbë, nën komandën e këtij krimineli, Serbia ishte vendosur përkrah amerikanëve në Afganistan.

Vegza: https://bytyqibrothers.org/goran-guri-radosavljevic/

Prej vitit 2014, krimineli Goran Radosavljeviç ka veshur “petkun” e politikanit, duke u angazhuar në Partinë Progresive (Serpska Napredna Stranka-SNS) të Tomislav Nikoliçit atëherë, kurse tash të Aleksandër Vuqiçit.

Krimineli Goran Radosavljeviç sot është anëtar i Këshillit Qendror të kësaj partie, jeton në Beograd dhe është udhëheqës i një firme private të sigurisë fizike dhe teknike të quajtur “Sektrakon”, si dhe konsulent i një firme tjetër të sigurisë.

Përkundër dëshmive të shumta që ai është përfshirë në vrasjen e tre shtetasve amerikan, dhe krimeve tjera kundër njerëzimit dhe operacioneve të fshehta, Goran “Guri” Radosavljeviq kurrë nuk është ndjekur penalisht. Ai mbetet politikisht i mbrojtur nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria serbe.

(Paramilitar Serb, gjate Luftes ne Kosove)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu